Vrasja e Totës Gjykata lë në burg të miturin, Prokuroria zbardh konfliktin që çoi në vrasje

0
136

Sonja Caka

Edrin Varaku hesht para Gjykatës, akuza lexon dëshminë: Më preku në sup një ditë në autobus dhe prej asaj dite nuk kanë ndalur sharjet dhe ofendimet. Për këtë arsye e vrava

 

edrin varakuNë masa të rrepta sigurie, Gjykata e Durrësit ka zhvilluar mesditën e djeshme seancën e masës së sigurisë për minorenin 15-vjeçar Endrin Varaku, i akuzuar për vrasjen e një tjetër të mituri, Adriatik Tota. Gjatë seancës, minoreni, i asistuar nga avokat dhe një psikologe, ka preferuar të heshtë dhe të deklarojë vetëm gjeneralitetet, ndërsa ka qenë përfaqësuesja e akuzës ajo që u ka shpjeguar togave të zeza dinamikën e ngjarjes dhe shkakun e konfliktit mes dy të rinjve. Sipas prokurores, konflikti mes të rinjve ka lindur që në muajin gusht, gjatë një udhëtimi në autobus. Varaku ka pretenduar se Tota e kishte prekur me sup dhe më pas e kishte ofenduar. Që pas asaj dite, sharjet nuk janë ndalur, deri ditën që ndodhi vrasja. Ditën e ngjarjes, të dy nxënësit, si autori i vrasjes edhe viktima, kanë bërë një orë mësim dhe mësuesi ka dhënë 10 minuta pushim. Në këtë moment disa kanë qëndruar brenda, disa kanë dalë jashtë. Viktima ka qëndruar brenda dhe autori ka shfrytëzuar rastin për ta qëlluar për vdekje. Disa prej nxënësve e kanë parë ngjarjen, meqë kanë qëlluar brenda. Minoreni u ka shpjeguar hetuesve se në fillim arma nuk ka shkrepur, por ai e ka provuar sërish, deri kur arriti ta qëllonte dy herë në mes të klasës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Lidhur me posedimin e armës, 15-vjeçari u ka shpjeguar hetuesve se armën e kishte gjetur në lumin Erzen dhe kur vendosi të vriste Totën, e kishte fshehur në dollapin e veglave të klasës praktike. Pas prokurores, e ka marrë fjalën edhe psikologia, e cila ka shpjeguar mentalitetin mes dy familjeve dhe kulturat e ndryshme nga vinin të rinjtë dhe problemet sociale që kanë çuar Varakun në kryerjen e këtij krimi. Në sallën e gjyqit ndodhej edhe psikologia, e cila konfirmoi se i riu është tërësisht i penduar për krimin e kryer. Ajo bëri me dije se i mituri ka nevojë për trajtim psikologjik urgjent. Ndërkaq, me anë të avokatit mbrojtës, Varaku ka kërkuar falje për atë që ka ndodhur, si dhe i ka shprehur ngushëllimet e tij familjes së Adriatik Totës. Avokati ia ka lënë Gjykatës në çmim caktimin e masës dhe gjyqtari Fejzo Hysi ka caktuar “Arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve për të miturin 15-vjeçar, Endrin Varaku. Adoleshenti Varaku akuzohet për veprat penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Masa

Endrin Varaku nuk ka qenë i vetmi që është përballur dje me togat e zeza. Masa e arrestit është caktuar edhe për mësuesin e Autoteknikës, Thoma Llazari. Pasi ka dëgjuar shpjegimet e prokurores, gjyqtari Fejzo Hysi ka caktuar masën “Arrest me burg” edhe për mësuesin e fëmijëve, në orën e të cilit ndodhi krimi. Akuza që rëndon ndaj tij është “Moskallëzimi i krimit”, pasi gjatë marrjes në pyetje nga policia, pas ngjarjes, 48-vjeçari Thoma Llazari ka thënë se nuk e njohu autorin e krimit, pasi nga frika janë shtrirë përtokë bashkë me nxënësit. Ai u akuzua se e njohu autorin e krimit ndaj Adriatik Totës, kohën kur ai hodhi armën, por kur u pyet nga policia, nuk tregoi identitetin e tij. Vetë i pandehuri nuk pranoi të fliste, por nëpërmjet avokatit tha se i qëndronte dëshmisë së tij. Pas ngjarjes, mësuesi i Autoteknikës nuk ka rrëfyer për policinë se cili ishte autori i krimit, ndonëse e ka njohur, pasi e kishte nxënës. U desh dëshmia e njërit prej shokëve të klasës së viktimës që të identifikohej autori dhe të niste kërkimi për kapjen e tij. Pas arrestimit të Varakut, policia urdhëroi ndalimin edhe për mësuesin 48-vjeçar.

Ngjarja

Rreth orës 09:45 të ditës së mërkurë, 22 nxënës të shkollës profesionale “Beqir Çela”, 7 prej të cilëve ishin të vitit të parë dhe të tjerët të vitit të dytë, ishin duke zhvilluar praktikë mekanike. Sapo ka nisur mësimi dhe mësuesi i lëndës, Thoma Llazari, kishte nisur shpjegimin, nxënësi i vitit të parë, Endrin Varaku, ka nxjerrë armën e zjarrit (pushkë automatike) që e mbante poshtë xhupit dhe ka shtënë dy herë ndaj Adriatik Totës. Krisma e parë e armës ka terrorizuar nxënësit, të cilët menjëherë janë shtrirë në tokë. Shkrepja e dytë ka qenë fatale për 17-vjeçarin, i cili ka mbetur i vdekur në vend. Ndërkohë, ekzekutori 16-vjeçar është larguar me shpejtësi nga klasa. Rreth 100 metra larg shkollës, në një stol, Varaku ka hedhur një bluzë ngjyrë blu, pjesë e uniformës që veshin nxënësit e kësaj shkolle, dhe më pas është larguar me vrap. Të tmerruar, nxënës e mësues kanë lajmëruar policinë e qytetit, e cila është vënë në ndjekje të autorit të ngjarjes, ndërsa ka “blinduar” gjithë Shkozetin. Rreth 100 nxënës të viteve të para e të dyta, si dhe mësuesi i lëndës, Thoma Llazari, janë shoqëruar në policinë e Durrësit brenda pak minutash, ku janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e rëndë. Trupi i pajetë i 17-vjeçarit ka qëndruar deri në orën 12:00 në klasë, ndërsa prokurori i çështjes, Sokol Nishani, dhe ekspertët më të mirë të kriminalistikës dhe ekspertët mjekoligjorë kanë bërë këqyrjen e kufomës. Tek kufoma është gjetur edhe arma e zjarrit e modifikuar, një pushkë automatike, së cilës i ishte hequr e gjithë pjesa prej druri dhe disa pjesë metalike, për ta bërë të lehtë mbajtjen dhe fshehjen e saj.

 

Kundër ministrit Naço, reagimi i KLD-së

Nuk kemi emra të tjerë gjyqtarësh për procedim, vetëm një propozim shkarkimi

Një ditë pas publikimit në media të njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë për kërkesën për procedim të 7 gjyqtarëve të Shkallës së Parë, një prej të cilëve me kërkesë për shkarkim dhe 6 me vërejtje, ka reaguar Këshilli i Lartë të Drejtësisë. “Duke marrë shkas nga deklaratat e përsëritura në media të ministrit të Drejtësisë, të përsëritura edhe ditën e djeshme, ku deklarohet se ministri ka dërguar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë kërkesat për procedimin disiplinor për shtatë gjyqtarë, Këshilli dëshiron të sqarojë opinionin publik. Megjithëse është publikuar në media fillimisht prej më shumë së dy javë më parë (konkretisht që në datë 19 nëntor), asnjë nga procedimet e cituara nuk ka arritur zyrtarisht në protokollin e KLD-së deri ditën e djeshme kur, vetëm një nga kërkesat e deklaruara nga Ministri i Drejtësisë për procedim disiplinor është regjistruar. Kjo kërkesë është bërë për procedimin disiplinor vetëm për një gjyqtar, për shkelje të konstatuara pas një kontrolli të ushtruar nga inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë. KLD sqaron se deri sot asnjë nga kërkesat për procedim për 6 gjyqtarët e tjerë ende nuk është dorëzuar në protokollin e këtij institucioni. KLD sqaron gjithashtu se është ende në pritje që Ministri të sjellë në Këshill propozimet për procedimet disiplinore të 14 gjyqtarëve, të cilët janë konstatuar me shkelje pas kontrolleve të ushtruara nga inspektorati i KLD-së. Këto procedime janë dërguar në Ministrinë e Drejtësisë, sipas parashikimeve ligjore, që prej muajit qershor të këtij viti. Së fundmi, duke besuar se bashkëpunimi institucional është një nga elementët kryesorë për arritjen e qëllimeve të përbashkëta për kontrollin objektiv dhe shëndoshjen e sistemit gjyqësor, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e konsideron aspak serioze që ai të vihet në dijeni për fatin e kërkesave për procedim disiplinor ndaj gjyqtarëve nëpërmjet mediave dhe jo në rrugë institucionale, sikundër ligji parashikon!”, – mbyll reagimin KLD.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency