Ndryshimet prekin dhe sigurimet shoqërore
Tri nivelet e taksës progresive
Drafti i Ministrisë së Financave parashikon një ndryshim rrënjësor për sa i përket taksimit të pagave. Propozimi i financave është që pagat nga 0 deri në 30 000 lekë në muaj do të kenë një tatim 0%, pagat nga 30 000 lekë në muaj deri në 100 000 lekë në muaj do të tatohen 15%, pagat mbi 100 000 lekë në muaj do të tatohen 20% dhe pagat mbi 300 000 lekë shkalla e taksimit do të jetë 25%. Sipas përllogaritjeve, personat që marrin një pagë mesatare 50 000 lekë, tani tatohen 5 000 lekë, por nga 1 janari do të tatohen diku te 7 500 lekë. Paga mesatare në arsimin e mesëm prej 61 200 lekë në muaj që është aktualisht tatohet 6 000 lekë, ndërsa me sistemin e ri të taksimit do të taksohet 9 000 lekë. Ndërkohë në diskutim është që të ketë dhe një nivel tjetër taksimi për të ardhurat personale, siç është ajo e taksimit rreth 25 për qind për pagat mbi 3000 mijë lekë.
Taksat
Rritje të taksave do të ketë për mallrat si cigarja, kafeja, karburantet si dhe taksat vjetore për automjetet, kryesisht ato me vit prodhimi të vjetër. Sipas draftit të Ministrisë së Financave, bëhet e ditur se çmimi i një pakete cigareje në treg pritet të shkojë deri në 20 lekë më shumë. Karburantet po ashtu do të taksohen nga 7 lekë për litër që është tani deri në 15 lekë për litër.
Sigurimet shoqërore
Të vetëpunësuarit do t’i paguajnë kontributet shëndetësore në masën 3.4% të dyfishit të pagës minimale, nga 7% e pagës minimale që paguajnë aktualisht, çka nënkupton një ulje për këtë shtresë të siguruarish. Sipas draftit të përgatitur nga Ministria e Financave të gjithë ata që marrin paga relativisht të larta, do të duhet të përballen dhe me një rritje të sigurimeve. Një nga pikat që po diskutohet në paketën e re fiskale, është që të “hiqet tavani i llogaritjes së kontributeve shëndetësore me pesëfishin e pagës minimale”. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se kjo do të sillte një rritje automatike të sigurimeve për të gjithë ata që kanë paga më të larta se 100 000 lekë. Aktualisht, kontributi i sigurimeve shëndetësore është 3.4% e pagës, e cilat paguhet 1.7% nga punëmarrësi dhe 1.7% nga punëdhënësi.