Me dyer të mbyllura Debatete për pronat, Rama ministrave dhe deputetëve: Përgjigjuni qytetarëve

0
94

Gëzim Saliu

 

Diskutimet në grup për axhendën e seancës parlamentare: Tokën ta marrë ai që e ka në përdorim

“Deputetët t’u përgjigjen qytetarëve në zyrat e tyre elektorale, ndërsa ministrat të lënë një orar të caktuar në selinë e PS-së”

 

grupi i socialisteveTitujt e pronësisë dhe masat që do të ndërmerren për reformën e tokës ishin në qendër të diskutimeve të mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar socialist. E zhvilluar me dyer të mbyllura, nën drejtimin e Kryeministrit dhe kreut të PS-së, Edi Rama, në mbledhje nuk kanë munguar diskutimet mes deputetëve lidhur me këtë çështje. Nga njëra anë, duke pasur parasysh kompleksitetin e kësaj reforme, mësohet se kreu i qeverisë ka theksuar para deputetëve të PS-së se toka duhet t’u jepet atyre që e kanë në përdorim dhe e punojnë. Sipas Ramës, duhet të bëhet e mundur përmbushja e premtimit të dhënë para zgjedhjeve elektorale të 23 qershorit për përfundimin e reformës së plotë të tokës brenda dy viteve të para të mandatit qeverisës, duke i dhënë certifikatën e pronësisë çdo pronari. Ndërkohë, nga ana tjetër është bërë e ditur se për fermerët që nuk e punojnë tokën, do të ketë një taksë më të lartë. Vetëm pak ditë më parë, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u vendos pezullimi i përkohshëm i udhëzimit nr. 1, datë 18.7.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara”. “Pezullimi i zbatimit të këtij udhëzimi vlerësohet si masë e përkohshme deri në realizimin e ndryshimeve ligjore në zbatim të politikave dhe programit të Këshillit të Ministrave për një organizim më të mirë të dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara, në mënyrë që procedura për dhënien me qira të këtyre tokave të kontrollohet më mirë”, – thuhej në vendim. Udhëzimi i qeverisë së mëparshme “Berisha” përfshinte dhënien me qira të të gjitha tokave bujqësore të pandara në vitin 1991 si dhe sipërfaqet e tokave të dhëna në pronësi të komunave ose bashkive, të regjistruara në regjistrat kadastralë.

 

Porositë e Ramës

Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist nuk kanë munguar porositë e Kryeministrit Rama ndaj deputetëve dhe ministrave të kabinetit, ku ka kërkuar më shumë angazhim nga ana e tyre përkundrejt kërkesave të qytetarëve. “T’u jepni përgjigje qytetarëve për çdo shqetësim. Deputetët nga ana e tyre të vendosin kontaktet në zonat elektorale, ndërsa ministrat të lënë një orar të caktuar për takim këtu në seli”, – mësohet të jetë shprehur Rama para grupit parlamentar të PS-së. Pak kohë më parë, kreu i qeverisë kërkoi nga deputetët socialistë që të hapin sa më shpejt zyrat e tyre në rrethet dhe zonat ku kanë bërë fushatë. Duke bërë të ditur rëndësinë e një mënyre tjetër komunikimi me qytetarët, Rama ka theksuar se zyra e deputetit nuk duhet konsideruar si zyrë pune. “Kërkoj nga secili prej jush që pa humbur kohë të vendosë kontaktin me qytetarët përmes zyrës së deputetit dhe të mbajë të informuar qeverinë për kritikat, problemet e qytetarëve në çdo zonë të vendit. Çdo deputet të nisë diskutimin në zonën e tij për programin e zhvillimit të zonës dhe nga ana tjetër çdo grup, sipas qarqeve, ta reflektojë në funksion të nevojave të zhvillimit rajonal të qarkut”.

 

Vendimi i qeverisë

Pezullim i përkohshëm për procedurat e dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara

“Pezullimi i zbatimit të këtij udhëzimi vlerësohet si masë e përkohshme deri në realizimin e ndryshimeve ligjore në zbatim të politikave dhe programit të Këshillit të Ministrave për një organizim më të mirë të dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara, në mënyrë që procedura për dhënien me qira të këtyre tokave të kontrollohet më mirë”, – thuhej në vendimin e Këshillit të Ministrave.

 

Si ishte udhëzimi për procedurat e dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara

Udhëzimi i qeverisë së mëparshme lehtësonte procedurën e dhënies me qira të tokave bujqësore ende të pandara. Pjesë e këtij udhëzimi ishin të gjitha tokat bujqësore të pandara në vitin 1991, si dhe sipërfaqet e tokave të dhëna në pronësi të komunave ose bashkive, të regjistruara në regjistrat kadastralë në kategorinë e resurseve pyll, tokë me bimësi pyjore, kullotë dhe livadh, si dhe sipërfaqet e tokave të pafrytshme, të cilat më pas kanë kaluar në kategorinë e resursit tokë bujqësore, ndërkohë që çmimi dysheme i qirasë nuk do të jetë më i ulët se 6 mijë lekë/ha. Sipas udhëzimit, kryetari i komunës ose bashkisë ku ndodhet toka bujqësore, në cilësinë e autoritetit qiradhënës, krijon Komisionin e Qiradhënies së Tokës Bujqësore të Pandarë. Kryetari i komunës ose bashkisë, në cilësinë e autoritetit qiradhënës, ka për detyrë të shqyrtojë kërkesat e paraqitura për marrjen e tokës me qira, organizimin e procedurës së garës, shpalljen dhe njoftimin e vendimit të marrë për qiradhënien, si dhe lidhjen e kontratës tip me subjektin e përzgjedhur. Kërkesa për marrjen me qira të tokës bujqësore mund të bëhet nga çdo person vendas ose i huaj, ndërkohë që udhëzimi përcaktonte se toka bujqësore jepet me qira vetëm në rastet e shfrytëzimit të saj për veprimtari bujqësore.

 

Premtimet e Kryeministrit Rama për reformën e tokës

Para zgjedhjeve – Brenda dy viteve të para të mandatit qeverisës do të përfundojë reforma e plotë të tokës, duke i dhënë certifikatën e pronësisë çdo pronari

160 milionë dollarë investim për të zgjidhur brenda një mandati problemin e ujitjes dhe kullimit të tokave bujqësore

Pas mandatimit të qeverisë – Qeveria është e angazhuar që çdo fermer t`i japim certifikatën e pronësisë. Për ne ligji 7501 do të jetë udhërrëfyes dhe do të nisim shpërndarjen e certifikatave. Do të fillojmë fazën e parë nga Fieri, faza e dytë do të jetë ujitja dhe kullimi

 

Ligji 7501 “Për tokën”

Neni 3

Toka bujqësore u jepet në pronësi ose në përdorim personave juridikë a fizikë vendas pa shpërblim.

Neni 5

Familjet anëtare të kooperativës bujqësore, pas ndarjes së tokës kanë të drejtë të shkëputen dhe të dalin subjekt më vete, duke marrë në pronësi tokën bujqësore që u takon nga tërësia e subjektit ku bëjnë pjesë. Sasia dhe vendi ku do të jepet toka, përcaktohet nga komisioni i tokës. Në zonat kodrinore e malore, ku familjeve fshatrave nuk u sigurohet sipërfaqja e nevojshme e tokës bujqësore, shteti merr masa dhe u garanton burime të tjera jetese nëpërmjet subvencioneve, shtimit të investimeve për punësimin e njerëzve, vendosjes së asistencës sociale dhe lëvizjes së kontrolluar të popullatës, në bazë të një programi të caktuar nga Këshilli i Ministrave.

Neni 8

Në dhënien e tokave në pronësi e në përdorim personave juridikë a fizikë nuk njihet pronësia e mëparshme, as madhësia dhe kufijtë e saj para kolektivizimit.

Neni 15

Çdo personi juridik a fizik që i jepet tokë në përdorim dhe nuk e shfrytëzon atë për qëllime bujqësore a blegtorale gjatë një viti, i hiqet e drejta e përdorimit të saj.

 

Neni 19

Toka bujqësore hiqet nga pronësia ose përdorimi i personave juridikë a fizikë, kur për nevoja të domosdoshme shtetërore bëhen ndërtime të ndryshme, sipas miratimit të organit përkatës. Kur për këto nevoja zihen toka që janë në pronësi të personave juridikë a fizikë, shteti është i detyruar t’i zëvendësojë me tokë tjetër të barasvlershme dhe në pamundësi, të shpërblehen investimet që janë bërë dhe vlera reale e tokës. Mosmarrëveshjet për masën e shpërblimit zgjidhen nga gjykata.

 

Protesta

Të përndjekurit para Kryeministrisë: Jo rilindjes së diktatorit Hoxha

Portreti i Enver Hoxhës i shfaqur në ditën e kryerjes së homazheve nga e majta rebeloi dje ish-të përndjekurit dhe ish-të burgosurit politikë, të cilët protestuan përpara Kryeministrisë. Ata e cilësuan si të padrejtë dhe të qëllimshme shfaqjen e këtij portreti që në kujtesën e ish-të përndjekurve është e barabartë me dekada burgje dhe internime. Kreu i Institutit të të Përndjekurve, Simon Miraka, tha se ky akt është i pafalshëm. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Fatmir Hoxha, kreu i Partisë Drejtësia e Mohuar e Re. Sipas të përndjekurve, protokolli i shtetit nuk duhet të kishte lejuar portrete të tilla që rehabilitojnë figurën e një diktatori. Duke i bërë thirrje kreut të qeverisë që të kërkojë falje publike, ish-të përndjekurit pohuan se do të vazhdojnë protestat. Ditën e sotme e në vazhdim të përndjekurit dhe të burgosurit politikë do të vazhdojnë protestat e tyre para Kryeministrisë deri kur, sipas tyre, kryetari i mazhorancës të tërhiqet nga akti i ndodhur gjatë 29 nëntorit në nderimet e dëshmorëve të kombit, ku u shfaq portreti i ish-diktatorit Enver Hoxha.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency