Vendimi i qeverisë Rriten me 4% pagat e 2800 mjekëve dhe infermierëve

0
131

Gëzim Saliu

Aksidentet, qeveria grant 700.000 $ për sigurinë dhe mirëmbajtjen rrugore

Pezullohet udhëzimi për tokat bujqësore të pandara. Rama kërkon marrjen e masave për zonat e prekura nga moti i keq

 

mbledhja e qeveriseQeveria vendos të rrisë me 4% pagat për 2800 mjekë të sistemit të shëndetësisë dhe Spitalit Ushtarak. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, u mor vendimi për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 555, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve me arsim të lartë në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Spitalin Ushtarak Qendror Universitar, në sistemin e Ministrisë së Mbrojtjes, të punonjësve të infermieristikës në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë e Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për trajtimin e mjekëve në strukturat e Forcave të Armatosura”. Ky vendim parashikon rritjen e pagave për personelin mjekësor, mesatarisht me rreth 4%, konkretisht për 2800 mjekë dhe infermierë të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Spitalit Ushtarak të Forcës Tokësore.

 

Mbledhja

Në mbledhjen e djeshme të zhvilluar disi vonë, pas mbylljes së seancës maratonë parlamentare, fillimisht Kryeministri Rama u ka kërkuar anëtarëve të Këshillit të Ministrave t’i kushtojnë vëmendje të veçantë situatës në zonat e prekura nga moti i keq dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të qenë në gatishmëri të banorëve dhe nevojave të tyre. Krahas vendimit për rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët, sistemi shëndetësor ka qenë në qendër të punimeve të djeshme të ekzekutivit. Dy vendime të tjera lidhen me Ministrinë e Shëndetësisë, ku i pari lidhet me rishpërndarjen e fondeve në buxhetin e vitit 2013, miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë. “Vendimi synon rishpërndarjen e fondeve ndërmjet disa programeve brenda buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë, për të realizuar disa investime të rëndësishme dhe të domosdoshme, si: blerje a riparime të aparaturave të rëndësishme spitalore (llambë për skanerin e spitalit të Korçës, ndërtim bunkeri për instalim akseleratori në QSUT etj.)”, – thuhej në vendim. Ndërkohë, vendimi i dytë lidhej me lejimin e Ministrisë së Shëndetësisë, si autoritet kontraktues, për kryerjen e procedurave të prokurimit publik për disa institucione të varësisë, me fondet e miratuara në buxhetin e vitit 2013 për këtë ministri. “Vendimi ka për qëllim lejimin e kryerjes së procedurës së prokurimit për blerjen e lëndëve djegëse, me qëllim sigurimin e ngrohjes për disa institucione spitalore, në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë”. Po ashtu një tjetër vendim i marrë në mbledhjen e djeshme ishte edhe ai për miratimin e marrëveshjes së grantit nr. TF 014761, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) e Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), që veprojnë si administratore të fondeve grant të siguruara nga disa donatorë, për përgatitjen e projektit të bazuar në rezultate për mirëmbajtjen dhe sigurinë rrugore. “Miratimi përfundimtar i marrëveshjes së grantit, prej 700 000 $ (USD), synon përgatitjen e projektit të sigurisë dhe mirëmbajtjes rrugore, si dhe rritjen e kapacitetit të Autoritetit Shqiptar të Rrugëve në menaxhimin e aseteve rrugore dhe sigurisë rrugore”, – pohohej në vendimin e Këshillit të Ministrave. Gjithashtu qeveria vendosi edhe për pezullimin e përkohshëm të udhëzimit nr. 1, datë 18.7.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara”. “Pezullimi i zbatimit të këtij udhëzimi vlerësohet si masë e përkohshme deri në realizimin e ndryshimeve ligjore në zbatim të politikave dhe programit të Këshillit të Ministrave për një organizim më të mirë të dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara, në mënyrë që procedura për dhënien me qira të këtyre tokave të kontrollohet më mire”.

 

Administrata

Çdo ministri do të reduktojë stafin në 10 deri 20%. Harito: Reforma sapo ka filluar

Në kuadër të reformës në administratë, pritet që të gjitha ministritë të reduktojnë stafin e tyre në masën 10-20%. Kështu bëri të ditur dje ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, në një intervistë për “ATSH”, duke theksuar se me ligjin “Për nëpunësit civil”, edhe punësimi në administratë dhe avancimi në karrierë do të ndryshojnë. “Qeveria e re, duke u bazuar edhe në kushtetutën e vendit, ka adaptuar organikën e saj në funksion të realizimit të programit të prezantuar gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit 2013, program për të cilin shqiptarët e votuan. Për të vënë në jetë këtë program, me të gjithë detajet e nevojshme për realizimin e tij, ishte e domosdoshme edhe që formati i ministrive të ndryshonte nga ai i qeverisë së mëparshme. Për të arritur që të zbatojmë me përpikmëri programin që u kemi prezantuar shqiptarëve, duhet të bëhen ndryshime thelbësore, të cilat do të prekin formatin, mënyrën e organizimit të punës. Gjithashtu për të pasur një administratë efikase, financiarisht të qëndrueshme dhe jo të fryrë më kot, ne kemi vlerësuar se do të duhet që çdo ministri të reduktojë efektivat e saj në 10 deri 20%”, – tha Harito. E pyetur për ligjin e nëpunësit civil, ministrja theksoi se ai ka hyrë në fuqi që prej datës 1 tetor 2013 dhe se nga data 1 prill 2014, aktet nënligjore do të jenë gati. Sipas Haritos, efekti kryesor i këtij ligji do të jetë rritja e numrit të nëpunësve civilë, i cili do të kalojë nga rreth 6 mijë në afërsisht 20 mijë. Ndërkohë, lidhur me reformën në administratë, Harito bëri të ditur: “Jemi vetëm në fillim të procesit të reformimit të administratës publike. Duhet kuptuar që jemi duke vënë në jetë një ndryshim thelbësor, e shumë të rëndësishëm, që kërkon të strukturojë sipas standardeve evropiane”.

 

Eurodeputetja holandeze

Schaake: Jemi skeptikë, duhen reforma në luftën kundër korrupsionit dhe krimit

Eurodeputetja holandeze, Marijete Schaake, bën të ditur se vendi i saj është momentalisht kundër statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Në intervistën për “ABC News”, eurodeputetja e cila është pjesë e opozitës së Holandës, theksoi se ka shumë aspekte që duhen përmirësuar në Shqipëri. “Në draft-rezolutën që po përgatisim për Shqipërinë, ne i kemi cilësuar këto probleme qartësisht: Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, forcimi i sistemit gjyqësor, diskriminimi, pavarësia e medias apo respektimi i të drejtave të minoriteteve. Unë jam nga Holanda dhe në vendin tim debati që ekziston për Shqipërinë është nëse Shqipëria duhet të futet në BE tani apo jo. Përgjigjja për këtë është qartësisht “jo”, se vendi nuk është gati. Por çështja që trajtojmë nuk është kjo dhe ndaj vihet re konfuzion opinioni publik. T’i thuash “po” statusit të kandidat s’do të thotë që ky vend është gati për anëtarësim”, – tha ajo. Më tej, duke bërë të ditur se opozita në Holandë është pro zgjerimit dhe përfitimeve që ai sjell për shtetet aspirante nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër. Në fund të intervistës, eurodeputetja Schaake pohoi se shpreson që Holanda të mos i thotë “jo” statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. “Është e rëndësishme që në opinionin publik evropian dhe atë shqiptar të kuptohet qartë, që ne po flasim për statusin e kandidatit. Kjo është një lloj bilete për të hyrë në garë. Pra, është vetëm një hap përpara dhe jo arritja në destinacion. Nëse qytetarët e Holandës e kuptojnë këtë, që aktualisht nuk bëhet fjalë për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian tani, kjo do të nxisë diskutimin rreth reformave që duhen kryer për anëtarësimin e vendit në të ardhmen. Qytetarët e Shqipërisë meritojnë aktualisht një sinjal nga BE-ja që ne vlerësojmë punën serioze që është bërë deri tani dhe themi që duhet më shumë progres në mënyrë që progresi të vazhdojë”.

 

PD, akuza Ramës e Tahirit: Oficerin që mbrojti flamurin, e shkarkuat për hakmarrje

Partia Demokratike ka akuzuar dje kreun e qeverisë, Rama, dhe ministrin e Brendshëm, Tahiri, se largimi nga detyra i oficerit të forcave speciale, Amaraldo Yzeiri, ishte një hakmarrje politike. Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, ka theksuar se veprimi i qeverisë me oficerin që mbrojti flamurin kombëtar në demonstratën e 21 janarit ishte një hakmarrje politike. “Drejtuesit e rinj të policisë kanë përmbushur sot një ëndërr të vjetër të Kryeministrit Rama dhe ministrit Tahiri, që është denigrimi i Amaraldo Yzeirit, një oficeri model të shtetit shqiptar. Por Kryeministri Rama, ai që përdhosi dy vite më parë flamurin tonë, nuk mund të mos hakmerrej ndaj oficerit model. Sot Amaraldoja ka marrë në dorë një vendim që e largon atë nga trupa e operacioneve speciale. Pa asnjë motivacion, ai është lënë roje objektesh”, – tha ajo, duke shtuar se Partia Demokratike e denoncon këtë rast si një hakmarrje personale të Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm ndaj një oficeri që mbrojti nderin kombëtar. “Akti heroik i Amaraldos e nxori Edi Ramën një burracak që është gati të grisë e të ndotë Flamurin tonë për ambicien e tij. Dhe ky është i vetmi motiv i vërtetë i largimit nga detyra të oficerit Amaraldo Yzeiri”, – përfundoi deklaratën e saj zëdhënësja e selisë blu, Laura Vorpsi.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency