Përkujtohet 101-vjetori i ngritjes së flamurit në Tiranë Basha: Sakrifica e të parëve tanë, gur themeli për ecjen e sigurt drejt Shqipërisë evropiane!

0
110

 

“Kuraja, guximi dhe vendosmëria e përfaqësuesve të qytetarisë së Tiranës e mbajtën gjithmonë të pamposhtur këtë qytet, i cili sot qëndron denjësisht, si kryeqendra e kombit shqiptar”

 

 

basha_655130812Bashkia e Tiranës ka përkujtuar 101-vjetorin e ngritjes së flamurit me një ceremoni të veçantë. Në vendin ku 101 vjet më parë u ngrit flamuri, sot, krahas mozaikut, do të valëvitet edhe flamuri kombëtar. Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, përfaqësues të familjeve të firmëtarëve të pavarësisë, kryetari i Këshillit të Qarkut, prefekti i Tiranës, anëtarë të Këshillit Bashkiak, deputetë etj. përkujtuan dje këtë ditë, ndër më të rëndësishmet për Tiranën, që i parapriu ditës më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, shpalljes së pavarësisë. Basha është përkulur me nderim, respekt e krenari qytetare e kombëtare, për firmëtarët e aktit të ngritjes së flamurit në Tiranë: Refik Toptani, Abdulla Gjinali, Xhelal Toptani, Sulejman Kadiu, Sheh Ahmed Pazari, Isuf Aqif Banka, Myderris Hysen Shehri, Muslim Beshiri, Selim Petrela e Papa Nikolla Papajani. “1912-a ishte një vit i vështirë, por ishte një vit i kurajës dhe vizionit të burrave të mëdhenj dhe familjeve të mëdha që ngritën flamurin në Tiranë e anembanë Shqipërisë, për të kulmuar me shpalljen e pavarësisë në Vlorë. 1913 ishte një vit i vështirë, ishte një vit i copëtimit të trojeve shqiptare, i shpërnguljes masive të mijëra e mijëra familjeve nga trojet e ndryshme, shumica prej të cilëve përfunduan këtu, në Tiranë”, – u shpreh Kryebashkiaku. Më tej Basha vlerësoi kontributin e qytetarëve të Tiranës të cilët luftuan për të mbajtur të pamposhtur këtë qytet. “Kuraja, guximi dhe vendosmëria e përfaqësuesve të qytetarisë së Tiranës e mbajtën gjithmonë të pamposhtur këtë qytet, i cili sot qëndron denjësisht, si kryeqendra e kombit shqiptar. Mozaiku i rrallë me të cilin vitin e kaluar përjetuam në këtë vend momentin historik për Tiranën, ka në përbërjen e tij, gurë jo vetëm nga Tirana por nga të gjithë trevat shqiptare, sepse e tillë është edhe përbërja e qytetit sot”, – përmendi Basha.

 

Kryebashkiaku

Basha përsëriti zotimin e tij, të çdo bashkëpunëtori dhe të gjithë qytetarëve të Tiranës, për të qëndruar e punuar shumë për Shqipërinë e ëndrrave dhe dëshirave të çdo shqiptari, pasi, sipas zotit Basha: “Shqipëria moderne dhe evropiane është prioriteti ynë, zotimi ynë, sepse nuk mund dhe nuk do të ketë destinacion tjetër për ne. Tirana është kryeqyteti i një vendi anëtar të NATO-s, kryeqyteti i një vendi, qytetarët e së cilit udhëtojnë pa viza në Evropën e bashkuar, është kryeqyteti më afër Brukselit, Uashingtonit dhe së bashku me Prishtinën, Shkupin, Ulqinin, Preshevën etj. po ecën e sigurt drejt synimit tonë final, ribashkimit me familjen evropiane. Tirana moderne dhe evropiane, Shqipëria moderne dhe evropiane është prioriteti ynë, zotimi ynë, sepse nuk mund dhe nuk do të ketë destinacion tjetër për ne. Më lejoni në emrin tuaj, ta përsëris këtë zotim timin, të çdo bashkëpunëtori dhe të gjithë qytetarëve të Tiranës, për të qëndruar e punuar fort dhe shumë për Shqipërinë e ëndrrave dhe dëshirave të çdo shqiptari, për Tiranën e ëndrrave dhe dëshirave të çdo qytetari”, – theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Somario

1912-a ishte një vit i vështirë, por ishte një vit i kurajës dhe i vizionit të burrave të mëdhenj dhe familjeve të mëdha që ngritën flamurin në Tiranë e anembanë Shqipërisë, për të kulmuar me shpalljen e pavarësisë në Vlorë

 

Nisin punimet për unazën e re të Tiranës, ja rrugët ku do të devijohet qarkullimi

 

Bashkia e Tiranës bën të ditur se gjatë zbatimit të projektit “Ndërtimi rruga Unaza e Re e Tiranës (segmenti “Komuna e Parisit” – Rruga e Kavajës), loti 1”, punime të cilat filluan ditën e djeshme, lëvizja e automjeteve do të jetë si më poshtë:

-Qarkullimi i automjeteve në rrugët “Isuf Elezi” e “Pandeli Cale” të bëhet i kufizuar, për një periudhë 1-mujore nga fillimi i punimeve, të përcaktuar në kontratën nr. 4288/4, datë 22.10.2012, të lidhur midis Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe firmës ndërtuese. Qarkullimi i mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit, për përmbushjen e detyrave të tyre do të jetë i mundur gjatë gjithë periudhës ndërtimore. -Do të ndalohet qarkullimi i mjeteve në të gjitha rrugët lidhëse me drejtim dalës dhe hyrës me rrugët “Isuf Elezi” dhe “Pandeli Cale” deri në përfundimin e punimeve. -Qarkullimi i mjeteve motorike për pjesën veriore të rrugës “Isuf Elezi” të kryhet në rrugët “Qemal Butka, “Frang Bardhi”, “Ilia Dilo Sheperi” dhe “Hamdi Pepo” dhe për pjesën jugore do të përdoret bulevardi “Bajram Curri”.

 

Studentët e Mjekësisë në protestë, nuk u njihen diplomat

Studentët shqiptare që kanë mbaruar Fakultetin e Mjekësisë apo që vazhdojnë studimet nuk mund të ushtrojnë profesionin e tyre në vendet e Bashkimit Evropian, pasi diploma e tyre nuk njihet. Problemi është ngritur tani, pas tetë muajsh të krijimit të Universitetit të Mjekësisë, ku ky i fundit, sipas studentëve, është një institucion që as njihet në BE, por edhe që nuk plotëson as kushtet më minimale, nuk ka një logo, infrastrukturë, kurrikula apo edhe staf pedagogjik. “Diplomat tona në BE nuk po njihen. Kur më përpara që ishim pjesë e Universitetit të Tiranës na mjaftonin 3 provime për ta konvertuar këtë diplomë, sot nuk mundemi ta konvertojmë, sepse nuk na e njohin. Jemi vendi i fundit i botës, universitet i sapokrijuar në rankingun botëror është në vendin e 37 mijë. Është absurde që ne duhet të jemi pjesë e një strukture, të pamenduar mirë”, – tha një student. “Është ngritur një universitet fantazmë, na thonë përditë. Jemi universiteti mjekësor të Tiranës, po ku jemi? Çfarë bëhet me diplomat tona? Çfarë kushtesh kemi për të studiuar më tej jashtë, për të bërë specializime jashtë?”, – u shpreh një student. Studentët e Mjekësisë gjatë një forumi të hapur në lidhje me problemet që i shqetësojnë mjekët e ardhshëm, kanë qenë të mendimit për rikthimin e fakultetit të mjekësisë si pjesë e universitetit të Tiranës dhe shkrirjen e universitetit të mjekësisë. Ata do t’u drejtohen gjithë strukturave të arsimit me një peticion ndërkohë që kanë paralajmëruar edhe protesta.

 

Bora mbulon veriun dhe juglindjen

Reshjet e borës kanë mbuluar ditën e djeshme pjesën më të madhe të zonave veriore. E njëjta situatë është vërejtur dhe në juglindje të vendit ku në malin e Gramozit ka 2 ditë që reshjet e borës nuk pushojnë. Reshje të dendura bore kanë përfshirë qytetin e Kukësit. Vështirësi në qarkullim pa haset në rrugët që lidhin Kukësin me qendrat e komunave të thella kryesisht në Kalis, Arren, Grykëcajë, Shishtavec, Zapod. Një pjesë e Rrugës së Kombit u mbulua me akull orëve të para të ditës së djeshme, kurse reshjet e borës vazhdojnë në lartësinë 700 m në zonën e Kukësit. Reshjet e borës kanë sjellë probleme edhe në Bulqizë dhe fshatrat përreth. Rrugët nacionale që lidhin Bulqizën me Peshkopinë dhe Bulqizën me Tiranën në akset Gurët e Skënderbeut – Qafa e Buallit dhe Qafa e Buallit – Krastë – Martanesh kanë pasur probleme në qarkullimin e automjeteve, për shkak të dëborës dhe ngricës. Reshjet e mëdha të shoqëruara me erë kanë vështirësuar lëvizjen e automjeteve në këto segmente. Në shumë komuna të thella malore si Ostren, Trebisht, Zerqan e Martanesh, trashësia e dëborës ka filluar të rritet, pasi reshjet po vazhdojnë me intensitet të lartë çka rrezikon edhe bllokimin e tyre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency