Në Kushtetuese Përfaqësuesja e qeverisë: Në situatë urgjence, akti normativ ka fuqi të ndryshojë Kushtetutën

0
115

Gëzim Saliu

Seanca me pyetje-përgjigjet mes anëtarëve të Kushtetueses dhe përfaqësuesve ligjorë

 

KushtetuesjaPërfaqësuesja e qeverisë në Gjykatën Kushtetuese deklaroi dje se me një akt normativ, në rast urgjence dhe nevoje, mund të ndryshohet edhe ligji themeltar i vendit. Pohimi i Edlira Jorgaqit erdhi pas pyetjes së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Valdimir Kristo, i cili duke marrë shembull ligjin themeltar të vendit, si një ligj me shumicë të cilësuar, kërkoi të merrte informacion se nëse sjellja e ekzekutivit në një rast të tillë mund të ishte e ngjashme me atë për ligjin e nëpunësit civil. “Çështja e ndryshimit të Kushtetutës është e rregulluar me dispozitat e Kushtetutës. Në një situatë nevoje dhe urgjence do të thosha që po, akti normativ ka fuqi për të ndryshuar Kushtetutën”, – tha përfaqësuesja e qeverisë. Duke marrë shkas më pas nga atmosfera e krijuar në sallë nga deklarata si edhe nga kritikat e përfaqësuesit të PD-së, Ivi Kaso, Jorgaqi sqaroi: “Pyetja që u shtrua ishte thjesht në konceptin e Kushtetutës si ligj, pasi Kushtetuta e përcakton se si ndryshohet. Kjo ishte përgjigja dhe jo në kontekstin në të cilën e vendosi pala kërkuese”.

 

 

Diskutimi

 

Pas relatimit të çështjes si edhe në dhënien e konkluzioneve, përfaqësuesit e qeverisë dhe ai i opozitës u përballën me pyetjet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese lidhur me argumentet e palëve për aktin normativ të ligjit të nëpunësit civil. Pyetjes së anëtares Vitore Tusha, se cilat janë normat dhe dispozitat që kanë hyrë në fuqi më datë 1 tetor me ligjin e ri, përfaqësuesja e qeverisë iu përgjigj duke pohuar se ligji ka hyrë në fuqi vetëm për shkak të publikimit dhe për efekt njohjeje. Ndërkohë, po e njëjta anëtare, duke u nisur nga argumentet e PD-së, sipas të cilave ushtrimi i funksionit ligjvënës nga Këshilli i Ministrave ka cenuar të drejtën e deputetëve për të ushtruar pushtetin ligjvënës, kërkoi të dinte nëse pjesë e objektit të kërkesës mund të ishte edhe ndarja e konfliktit të interesit mes ekzekutivit dhe ligjvënësit. “Kushtetuta nuk lë vend për këtë konflikt kompetencash. Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese do të garantojë më mirë përdorimin e këtij instrumenti të jashtëzakonshëm”, – u përgjigj Kaso.

 

 

 

Seanca me pyetje-përgjigje

 

Pyetjet për përfaqësuesin e Këshillit të Ministrave Edlira Jorgaqi

 

 

Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha- Çfarë normash dhe dispozitash kanë hyrë në fuqi më datë 1 tetor?

 

Përfaqësuesja e KM-së Edlira Jorgaqi- Ka hyrë në fuqi vetëm për shkak të publikimit dhe për efekt njohjeje.

 

Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha- Në rendin juridik kemi në fuqi edhe ligjin e vjetër, edhe ligjin e ri? Kemi mbivendosje?

 

Përfaqësuesja e KM-së Edlira Jorgaqi- Jo

 

Anëtari i Gjykatës Kushtetuese Vladimir Kristo – Përse nuk u ndoq rruga normale përmes projektligjit? Cila ishte urgjenca? Çfarë ndryshoi? Pse u bë?

 

Përfaqësuesja e KM-së Edlira Jorgaqi- Ekzistonte urgjenca. Do të ishte e pamundur që brenda një periudhe dyjavore të miratohej një akt ligjor. Në rast se do të hynte në fuqi ligjore, do të cenonim parimin se të gjithë janë të barabartë.

 

Anëtari i Gjykatës Kushtetuese Vladimir Kristo – A mundet një akt normativ të ndryshojë apo përmirësojë ligjin e miratuar me shumicë të cilësuar?

 

Përfaqësuesja e KM-së Edlira Jorgaqi- Po, mundet.

 

Anëtari i Gjykatës Kushtetuese Vladimir Kristo- Nisur nga kjo vjen pyetja e dytë. Duke e marrë Kushtetutën si një ligj të miratuar me shumicë 3/5, a mund të ndryshojë qeveria me akt normativ?

 

Përfaqësuesja e KM-së Edlira Jorgaqi- Kushtetuta është një gjë më specifike. Çështja e ndryshimit të Kushtetutës është e rregulluar me dispozitat e Kushtetutës. Në një situatë nevoje dhe urgjence do të thosha që po, akti normativ ka fuqi për të ndryshuar Kushtetutën.

 

Anëtari i Kushtetueses: Në qoftë se nuk do të ketë mundësi sërish qeveria, do ta kthejë sërish aktin normativ?

 

Përfaqësuesja e KM-së Edlira Jorgaqi- Kjo është një situatë hipotetike.

 

Kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja- Çfarë keni bërë ju për plotësimin e këtyre akteve?

 

Përfaqësuesja e KM-së Edlira Jorgaqi- Është punuar intensivisht. Janë përgatitur disa nga aktet. Qëllimi është që të jenë gati në datën kur ligji të hyjë në fuqi

 

 

Pyetjet për përfaqësuesin e PD-së, Ivi Kaso

 

Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha- A ka kufizuar fusha të ndryshme neni 101 i Kushtetutës?

 

Përfaqësuesi i opozitës Ivi Kaso- Neni 101 i transferon kompetencat në nevoja urgjence dhe që ka rrezik për shoqërinë. Kushtetuta nuk ia njeh as vetë Kuvendit të miratojë ligj me procedurë të përshpejtuar, si mund t’ia njohë këtë Këshillit të Ministrave?

 

Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha- Si e shihni ju heqjen e të drejtës së deputetëve?

 

Përfaqësuesi i opozitës Ivi Kaso- Me aktin normativ nuk është prodhuar një normë e re. Me aktin janë deformuar dhe shpërfillur vendimet e Kuvendit.

 

Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha- Ju kërkoni shfuqizimin e aktit si antikushtetues. A mendoni se pjesë e objektit të kërkesës të jetë ndarja e konfliktit të interesit mes ekzekutivit dhe ligjvënësit?

 

Përfaqësuesi i opozitës Ivi Kaso- Kushtetuta nuk lë vend për këtë konflikt kompetencash. Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese do të garantojë më mirë përdorimin e këtij instrumenti të jashtëzakonshëm.

 

Anëtari i Gjykatës Kushtetuese Valdimir Kristo- A mundet të shfuqizohet tërësisht një ligj i parlamentit me një akt normativ?

 

Përfaqësuesi i opozitës Ivi Kaso- Përkufizimi i aktit normativ është mbushja e një ligji dhe jo shfuqizimi i tij

 

Anëtari i Gjykatës Kushtetuese- A besoni se në vend të aktit, Këshilli i Ministrave duhej të kishte propozuar një projektligj?

 

Përfaqësuesi i opozitës Ivi Kaso- Nëse Këshilli i Ministrave do të kishte vepruar kështu, me shumë mundësi ne nuk do të ishim sot këtu. Pra, nuk do të kishte shpërfillur Parlamentin.

 

Anëtari i Gjykatës Kushtetuese- A mendoni se funksiononte ligji për këto akte nënligjore?

 

Përfaqësuesi i opozitës Ivi Kaso- Është përcaktuar një datë e caktuar nga Këshilli i Ministrave. Kuvendi ka ndryshuar vendimin dhe ka vendosur që të hyjë në fuqi më 1 tetor. Për një ligj të votuar në unanimitet nuk kemi pse të vëmë në dyshim zbatueshmërinë e tij. Që në gusht i është dërguar një memo shtetases Milena Harito dhe i është vënë në dijeni kësaj shtetaseje se nuk i ka përgatitur aktet nënligjore. Aktet nënligjore janë vetëm pretekst. Këshilli i Ministrave nuk ka marrë asnjë masë ndaj atyre që vonuan aktet.

 

 

 

 

 

 

 

 

Me Kryeministrin e Kinës

 

Rama në takimin e krerëve të qeverisë të Evropës Qendrore dhe Juglindore

 

Kryeministri Edi Rama mori pjesë dje në takimin e krerëve të qeverive të Evropës Qendrore dhe Juglindore dhe Kryeministrit të Republikës Popullore të Kinës që u zhvillua në Bukuresht. Në kë takim, ku ishin të pranishëm edhe Kryeministri i Rumanisë, Bullgarisë, Kroacisë, Çekisë, Estonisë, Hungarisë, Lituanisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Polonisë, Serbisë, Sllovakisë, Sllovenisë dhe Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, u bisedua për rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve të Evropës Qendrore dhe Juglindore dhe Kinës, duke u përqendruar kryesisht në fushat e ekonomisë dhe tregtisë. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama theksoi rëndësinë që viti 2014 ka për rajonin, si i pari vit që e gjen Ballkanin në paqe të plotë. Kryeministri Rama tha se ky moment i ri duhet shfrytëzuar për të bashkëpunuar sa më ngushtë me vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore për të nxitur investime rajonale, sidomos në fushën e transportit dhe energjisë. Lidhur me këtë samit, Kryeministri rumun Victor Ponta deklaroi dje se bisedimet ishin pragmatike dhe u zhvilluan për tri arsye. “E para për konsolidimin e marrëdhënieve mes vendeve të Evropës Juglindore dhe Qendrore dhe Kinës, e dyta për marrëdhëniet rajonale dhe e treta për marrëdhëniet dypalëshe mes Kinës dhe secilit vend të EJLQ-së”, – tha ai duke shtuar: “Jemi krenarë për organizimin, në Bukuresht, të këtij samiti me rëndësi të jashtëzakonshëm, një ngjarje politike me rëndësi të madhe për Rumaninë dhe për gjithë rajonin, një fazë e re për bashkëpunim mes EJLQ-së dhe Kinës”, – theksoi Ponta.

 

 

 

Draft-rezoluta për Shqipërinë

 

Parlamenti Evropian, opinion pozitiv për statusin: Dialog dhe ecuri në reforma

 

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Nikola Vuljaniç, ka paraqitur dje në Komisionin për Politikën e Jashtme të Parlamentit, rezolutën e cila rekomandon dhënien e statusit të vendit kandidat në dhjetor. Megjithëse votimi i rezolutës për Shqipërinë nuk u bë i mundur dje, pasi pritet të votohet nga Komiteti i Jashtëm më 5 dhjetor, palët ishin në dakordësi për përparimin e vendit në prioritete kryesore të vendosura nga Komisioni Evropian. Por pavarësisht mbështetjes, eurodeputetët kërkuan që Shqipëria të shënojë progres në reforma të qëndrueshme për të siguruar pavarësinë e institucioneve, gjyqësorit, administratës e medias, krahas luftës kundër korrupsionit, krimit e trafiqeve. Po ashtu, sipas tyre, me rëndësi të veçantë është dialogu politike mes palëve. “Në i bëjmë thirrje Këshillit të njoh progresin e vendit dhe t’i japë statusin kandidat pa vonesë të panevojshme, por duhet kuptuar gjithashtu me këtë raport se progresi i arritur kërkon më tepër konsolidim e zbatim dhe për reformat e mbetura duhet përshpejtuar miratimi”, – u shpreh Eduart Kukan, kreu i delegacionit për Ballkanin. Në të njëjtën linjë eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein theksoi se mbështet dhënien e statusit kandidat dhe se Shqipëria e meriton këtë. Ndërkohë eurodeputetja holandeze Marije Cornelissen u shpreh se kalimi i pushtetit pa dhunë apo greva urie ishte një gjë normale për t’u bërë dhe po kështu edhe kryerja e reformave të përcaktuara. “Ne duhet të kujtojmë të shkuarën, e të jemi paksa të shqetësuar për të ardhmen e afërt. Kuvendi nuk nisi dhe aq në harmoni siç duhej, dhe unë do doja që Shqipëria të na tregonte dëshmi provash se është konsistente dhe vijon bashkëpunimi pozitiv mes partive”. Nga ana e tij raportuesi Vuyljanic theksoi: “Në asnjë moment e në asnjë fjali, nuk dhashë idenë se përmirësimi erdhi me ndryshimin e qeverisë. Nuk ndodh asgjëkundi kështu, as në Shqipëri. Ajo që më shqetëson në marrëdhënien qeveri-opozitë është mungesa e plotë e dialogut dhe ky dialog duhet vendosur nëse duan të ecin para”. Në këtë diskutimi u prek edhe tema e gjakmarrjes, ku eurodeputetja holandeze tha: “Janë të paktën 10 mijë familje të prekura. Numri i viktimave të gjakmarrjes është rritur vitet e fundit, regjistrohen të paktën në 150 veta në vit. Shumë fëmijë djem janë të detyruar të rrinë brenda shtëpisë e të mos shkojnë në shkollë e të mos luajnë jashtë. Ka një makineri shteti për këtë, një komitet i ngritur prej 2005-ës, ka një ligj, por në terren asgjë nuk ka ndryshuar dhe problemi qëndron tek përkeqësimi, në vend që të përmirësohet”. Projektrezoluta për Shqipërinë përmbledh në 4 faqe zhvillimet politike, situatën ekonomike dhe shqetësimet për të drejtat e njeriut, përfshirë minoritetet e çështjen e pronave.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency