Invalidët dhe ndihma ekonomike, pagat e plota dhe të prapambetura merren në janar

0
325

 

Nisin kallëzimet në prokurori ndaj abuzuesve

Kryetarët e komunave dhe bashkive kanë abuzuar me fondet

 

invalidFamiljet e varfra dhe invalidët do të duhet të presin deri në muajin janar për të marrë pagat e prapambetura dhe për t’u likuiduar plotësisht nga shteti. Ka qenë ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, i cili bëri të ditur kohën se kur do të bëhen pagesat. Aktualisht, invalidët kanë rreth 2-3 muaj pa marrë pensionin e tyre dhe e njëjta situatë është dhe me familjet e varfra, që presin ndihmën ekonomike. “Pagesa e invaliditetit është një problem i trashëguar. Me t’u çelur buxheti në janar, familjet me ndihmë ekonomike dhe invalidët do të marrin 100% të shumës dhe prapambetjet”, – u shpreh ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj. Më tej Veliaj theksoi se rreth 20% e personave që marrin pension invaliditeti janë mashtrues. “Nga 160 mijë invalidë, 20% janë mashtrues dhe nuk e meritojnë të marrin ndihmë ekonomike. Aktualisht, po vihen në praktikë programe pilot për pastrimin e listave të personave që marrin ndihmë ekonomike apo pension invaliditeti nga ata që nuk e meritojnë të jenë në këto lista. Programet kanë filluar të vihen në praktikë në Elbasan dhe Durrës. Do të bëhen kallëzime në prokurori për këdo që ka bërë shkelje”, – theksoi Veliaj.

Kallëzime në prokurori

Gjatë një konference për shërbimin social, ministri Veliaj u shpreh se po bëhen kallëzime në prokurori ndaj personave që kanë abuzuar. “Ne jemi duke depozituar një dyzinë me kallëzime penale në Prokurorinë e rrethit të Elbasanit. Është skandaloze se si në Shqipëri ka administratorë socialë që vetëm emrin kanë social, por nuk kanë as aftësinë, as kompetencën as dinjitetin për të qenë administratorë socialë, të cilët në varësi se kush fiton zgjedhjet në një komunë ose në një bashki, u japin njerëzve çekun e ndihmës ekonomike ose të aftësisë së kufizuar”, – tha Erion Veliaj, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ministri Veliaj u shpreh se urgjentisht duhet të ketë një ligj të posaçëm për punonjësit socialë dhe ai është drejt hartimit. Kjo do të sjellë më shumë profesionistë, por do të vendosë edhe rregulla të qarta se kush duhet ta ushtrojë këtë profesion dhe kur duhet ta marrë licencën.

Situata

Që prej muajit korrik, shtresat në nevojë janë ankuar për vonesat e pensioneve të tyre, ndërkohë që ka pasur raste kur persona me aftësi të kufizuara nuk kanë marrë prej muajsh pagesën e tyre. E njëjta situatë është edhe me familjet të cilat janë të përfshira në skemën e ndihmës ekonomike. Burime pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale ua hedhin fajin bashkive dhe komunave për këtë situatë, pasi kanë keqmenaxhuar fondet dhe kanë abuzuar me to. “Ka pasur raste kur kryetari i një komune ka vendosur në listat e invalidëve fëmijët, gruan dhe një pjesë të të afërmve të tij”, – përmendin burime të gazetës. Ministria e Mirëqenies Sociale po bën pastrimin e listave dhe abuzuesit do të mësohen pas muajit janar.

 

Kush merr pension invaliditeti

– Merr pension invaliditeti të plotë personi i siguruar që ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit, e cila është e barabartë me gjysmën e diferencës së moshës së personit të siguruar, në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç (p.sh.: nëse personi që është bërë invalid është 38 vjeç, për të përfituar pension të plotë invaliditeti i duhen 38-20/2=9 vite sigurim).
– Të ketë humbur plotësisht aftësinë për punë, jo për shkak të aksidentit në punë apo sëmundjes profesionale.
– E drejta për të përfituar pension invaliditeti të plotë fillon pas mbarimit të periudhës 6-mujore të trajtimit me raport mjekësor për paaftësi të përkohshme në punë. Vlerësimi nga KMCAP duhet të bëhet në muajin e pestë ose të gjashtë, para përfundimit të kësaj periudhe.

 

Llojet e pensionit
-Invaliditet i pjesshëm, kur personi i siguruar humbet aftësinë për punë në profesionin apo punën e tij të fundit, por mund të kryejë punë të tjera sipas përcaktimit të vendimit të KMCAP-it.
– Invaliditet i plotë, kur personi i siguruar bëhet i paaftë për çdo punë.
– Invaliditet i plotë në kushtet e nevojës për kujdestari.

Përfitimi

Masa mujore e pensionit të plotë të invaliditetit përbëhet nga pensioni bazë dhe nga një shtesë pensioni që llogaritet si pensioni i pleqërisë. Shuma bazë e pensionit iu jepet gjithë personave të siguruar. Shtesa që iu jepet personave të punësuar, është 1% për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që i siguruari ka arritur nëpërmjet kontributeve gjatë gjithë historisë së tij kontributive. Shuma e përgjithshme e këtij pensioni do të jetë jo më e madhe se dy herë pensioni bazë, ose 80% e pagës mesatare neto të vitit të fundit, cila të jetë më e vogël.

 

 

Pastrohen “pikat e nxehta” të inerteve, së shpejti nis mbjellja e pemëve

Muaji nëntor njihet si muaji i pastrimit dhe Bashkia e Tiranës është drejt përfundimit të pastrimit të 11 “pikave të nxehta” të inerteve të cilat, shumë shpejt në vend të mbetjeve do të ketë pemë dhe gjelbërim. Kjo, falë punës që kanë bërë grupet e ngritura pranë kësaj Bashkie, duke identifikuar këto pika inerte e më pas duke iu nënshtruar pastrimit. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, gjatë një aksioni në rrugën “Teki Selenica”, ka përmendur se është drejt përfundimit pastrimi i këtyre pikave të nxehta. “Ka më shumë se tre ditë që kemi nisur këtë aksion për pastrimin përfundimtar të kësaj fushe që ju shikoni pas meje. Janë më shumë se 150 metra kub mbetje inerte dhe mbetje të llojeve të ndryshme, të papastruara prej shumë vitesh. Me kërkesë të banorëve i jemi përgjigjur kësaj nisme, këtij muaji i cili është në emër të pastrimit të qytetit, prej traditës tonë tashëm dy vjeçare, por edhe gjelbërimit të tij. Jemi në fazën finale të muajit të pastrimit të pikave të nxehta të inerteve e duke filluar ndoshta nga java tjetër, meqenëse tashmë edhe moti është i duhuri ne do të fillojmë me mbjelljen e pemëve të reja. Ju them që në këtë mandat të Bashkisë së Tiranës janë mbjellë 12500 pemë në të gjithë qytetin e Tiranës. Deri në fund të vitit, do të mbillen katër herë më shumë se të gjitha pemët e mbjella nga viti 2000 e deri në vitin 2011. Do të vazhdojmë me këtë aksion për t’i shtuar gjelbërimin Tiranës, për të krijuar sa më shumë mjedise të gjelbra në mënyrë që t’i përgjigjemi kërkesave të qytetarëve të Tiranës, pritshmërisë së tyre, por edhe standardeve për një ajër të pastër dhe mjedis të shëndetshëm”, – u shpreh nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo.

 

Nikolla: Jo kurse private me nxënësit. Zgjidhet drejtori i Arsimit në Lezhë

Nuk do të ketë më kurse private në shkolla, të gjithë mësuesit që punojnë në sistemin arsimor, do të penalizohen, nëse do të thyejnë urdhrin e MAS. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, ka paralajmëruar se do të ketë ndëshkime për të gjithë ata arsimtarë që detyrojnë nxënësit e tyre të marrin pjesë në kurset private që ata zhvillojnë. “Jemi të vendosur për të mposhtur njëherë e mirë praktikat korruptive duke filluar me ndalimin e kurseve private, që kanë cenuar zhvillimin dhe qëllimin orës së mësimit, që kanë cenuar integritetin e cilësisë së orës, kodin e etikës së mësuesve dhe standardet profesionale të mësuesve”, – tha Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe Sportit. Një nismë tjetër që po ndërmerr Ministria e Arsimit, është edhe kthimi i shkollave në qendra komunitare. Mësuesit do të vihen në dispozicion të nxënësve edhe jashtë orarit zyrtar, ndërkohë që edhe prindërit mund të drejtohen në shkolla për problemet për sugjerimet apo shqetësimet që kanë në lidhje me procesin mësimor. “Transformimi i shkollës në qendër komunitare, racionalizimi i shkollave si dhe hartimi i programeve plotësuese falas do të shërbejnë ndoshta për të mbyllur njëherë e mirë këtë kapitull të rëndë në cenim të ligjit të arsimit parauniversitar, etikës së mësuesit dhe standardeve profesionale”, – tha Lindita Nikolla. Ndërkohë që Bardhok Pulaj do të jetë drejtori i ri i Arsimit në Qarkun e Lezhës. Përzgjedhja e Pulajt në këtë post vjen pas debatit publik që u zhvillua mes kandidatëve, ndërsa u vlerësua nga një juri e përcaktuar nga Ministria, e cila që ishte e pranishme në sallë. E pranishme në debatin publik mes kandidateve ishte edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Në fjalën e saj Nikolla ka deklaruar se ky proces ka qenë fokusi kryesor, si një mënyrë për t’i dhënë rëndësi meritës, përkushtimit dhe angazhimit të këtyre drejtuesve për të larguar politikën nga shkolla.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency