Ervin Kaduku
E kishte paralajmëruar disa herë vetë Kryeministri që kompania e parë në vend në transportin civil ajror do të goditej; pas bllokimit nga Tatimet, tani pasagjerët do të kenë probleme, qindra shqiptarë do të humbin punën dhe shteti miliona euro në taksa e tatime nga një ndër tatimpaguesit më të mëdhenj
E kishte parathënë që në konferencën e tij të parë online për shtyp si Kryeministër. Edi Rama është ndalur specifikisht gjatë bisedimit me qytetarë të ndryshëm, duke thënë se tek kompanitë ajrore, “goditja e monopoleve është pjesë e programit tonë. “Belle Air” ka një pozicion të privilegjuar dhe problematik në treg”, – tha Rama.
Kjo, para disa muajsh, me të marrë karrigen kryeministrore. Dukshëm, kreu i ekzekutivit ka pasur qëllime të këqija në këtë drejtim që para se të vinte në pushtet, por vetëm kohët e fundit, administrata e drejtuar prej tij është hedhur në sulm, duke kryer bllokimin e llogarive bankare të një prej VIP-ave të ekonomisë shqiptare.
Njoftimi
Mbrëmjen e së dielës kompania e fluturimeve ajrore “Belle Air” bëri me dije se ishte e detyruar të pezullonte përkohësisht fluturimet e saj. Shkak për këtë masë, sipas kompanisë, është bërë situata ekonomike.
“Belle Air” sqaron se me ndihmën e kompanisë ajrore italiane “Blue Panorama”, do të ofrojë mundësinë e mbrojtjes nëpërmjet blerjes së biletës me një çmim tarife mbrojtjeje të gjithë pasagjerëve me bileta “Belle Air”, duke filluar nga 25.11.2013 nën markën “Low Cost Blu Express” të kompanisë “Blue Panorama Airlines” nga Tirana drejt Italisë dhe anasjelltas, ofertë që varet nga sasia e vendeve të mbetura në shitje dhe destinacioni i përzgjedhur. “Për të vazhduar procedurat ju lutemi telefononi në +355 42 390 111. Të gjithë pasagjerët që kanë prerë bileta nëpërmjet kartës së kreditit dhe që kërkojnë rimbursimin e biletave, duhet të kontaktojnë me bankat që kanë lëshuar këto karta krediti dhe të paraqesin kërkesën së bashku me referencat e biletës. Për të vazhduar procedura të tjera rimbursimesh ju lutemi kontaktoni në 355 42 390 390. Të gjithë klientët “Belle Air” dhe kushdo që dëshiron të blejë një biletë nga Tirana drejt Bergamos (Orio Al Serio), Bolonjës, Milano Malpensa, Romë Fiumiçino, Pizës, Venecias dhe Veronës dhe anasjelltas, mund të telefonojnë në qendrën e kontaktit “Blue Express të Blue Panoroma Airlines” +39 06 959 86666 ose të vizitojnë faqet web: www.blu-express.com, www.blue-panorama.com”, – sqaroi kompania.
Ajo që ra në sy, ishte se menjëherë pas njoftimit në fjalë, situatën e kanë shfrytëzuar kompanitë e tjera ajrore që kanë ngritur biletat me rreth 50-100 euro më shumë.
Cila është “Belle Air”
Për vitin 2012, “Belle Air” rezultoi me një qarkullim vjetor prej 15.6 miliardë lekësh (rreth 110 mln euro), me një rritje vjetore prej rreth 10%, duke u pozicionuar e 12-a në listën e kompanive më të mëdha në vend në tërësi. “Belle Air” ka punuar për 8 vjet me shumë sukses. Ajo është shoqëria më e madhe e fluturimeve në vend, me një pozicion dominant mbi 50% të tregut. “Belle Air” u rrit me shpejtësi gjatë tetë viteve të fundit, ndërkohë që në vitin 2006, pasha e saj në treg ishte vetëm 13%.
Zgjerimi i xhiros, në një kohë që tregu i fluturimeve në total ka shënuar rënie, ka bërë që pesha e tregut të “Belle Air”, e matur nga fluksi i pasagjerëve, të arrijë në 50% në 2012-n dhe të vazhdojë të rritet dhe në muajt e parë të 2013-ës, duke rezultuar në 53% në fund të prillit 2013, sipas të dhënave nga “Tirana International Airport”. Destinacioni i saj kryesor mbetet Italia. Rritja e shpejtë e kishte vënë “Belle Air” në vëzhgim të Autoritetit të Konkurrencës, për mundësi abuzimi me fuqinë dominuese, por pa arritur në asnjë konkluzion të tillë.
Në gusht 2010, “Belle Air” u regjistrua në MITA (Multirateral Interline Tariff Agreement – Marrëveshje shumëpalëshe për tarifat midis shumë kompanive ajrore) dhe nga 4 nëntori 2010, “Belle Air” është anëtar aktiv i IATA-s (Shoqata Ndërkombëtare e Kompanive Ajrore).
Kompania u krijua më 8 qershor 2005 në Tiranë, si e para kompani ajrore low cost shqiptare dhe prej datës 1 mars 2006 filloi fluturimet e linjës nga Tirana në 7 aeroporte italiane për t’u shtrirë gjatë viteve në vijim në 26 destinacione evropiane.
Objektivi i parë i “Belle Air”-it ka qenë që, duke zhvilluar fluturime linje me çmime të ulëta dhe me sigurinë më të lartë drejt Evropës, të favorizojë zgjerimin e trafikut ajror të Shqipërisë. Mund të thuhet se ja ka arritur me sukses këtij objektivi. Këtë e tregojnë edhe destinacionet e fluturimeve që mbulon. Në vitin 2012 ajo kontrollonte 50.1 për qind të tregut, me fluturime drejt 24 destinacioneve evropiane, e duke provuar vazhdimisht të rriste numrin e tyre. Vetëm në Itali ajo kishte 17 qytete drejt së cilave kryente fluturime të përditshme.
Përveç kompanisë së regjistruar në Shqipëri, ekziston edhe “Belle Air Europe” e regjistruar në Itali, përmes së cilës kompania realizon fluturime të shumta edhe nga Prishtina e Shkupi.
Bllokimi
Të majtët, gjatë kohës që ishin në opozitë, e kanë sulmuar ashpër kompaninë për lidhjet e saj me të djathtën në pushtet, sipas tyre, veçanërisht gjatë zgjedhjeve vendore të 2011-ës, kur sipas opozitës, avionët e “Belle Air”-it u vunë në dispozicion të emigrantëve në Itali që të merrnin pjesë në votimet e këtushme.
Vendimi i saj për të pezulluar përkohësisht fluturimet dhe për të kaluar pasagjerët në një kompani në ortakëri, që u nxit nga qëndrimi i administratës, vjen në një moment kur kërkesat për udhëtime janë të larta e ku janë me mijëra prenotimet e bëra kryesisht për festat e Nëntorit dhe ato të fundvitit. Kompania njoftoi mbrëmë se në bashkëpunim me një tjetër kompani ajrore italiane, pasagjerët e saj, do të mund të merrnin bileta me çmim të mbrojtur për udhëtimet e prenotuara drejt Italisë. “Belle Air” shprehet se do të nisë një proces ristrukturimi, për t’u rikthyer sërish në treg. Ajo fton të gjithë investitorët shqiptarë e të huaj të marrin pjesë në këtë proces.
Ajo që mund të thuhet nga e gjithë kjo është se qeveria Rama ka bërë në këtë rast një bllokim të dukshëm nisur nga interesa të ngushta, për të larguar operatorin e suksesshëm nga skena e ta zëvendësojë atë me kompani të afërta me të. Por, duke bërë këtë, pasagjerët dëmtohen, edhe nga anulimi i udhëtimeve të planifikuara, edhe nga rritja e çmimit të biletës nga konkurrenca, por edhe Tatimet nuk do të marrin më të ardhura nga një subjekt që u sillte “vezën e artë”!
Tre avionë të “Blue Panorama” pritet të nisen nga Italia
Ora 14:00 – Tre avionë të “Blue Panorama” pritet të nisen nga Italia me qëllim transportin e pasagjerëve të “Belle Air”-it të cilët prej ditës së djeshme qëndrojnë në pritje në Aeroportin e Rinasit. Sipas burimeve nga aeroporti do të lejohet ulja e avionëve në Aeroportin e Rinasit.
ORA 20:15 – “BLU PANORAMA” KRYEN 4 FLUTURIME SOT NË MBRËMJE
Në orët e mbrëmjes është bërë i mundur transporti i pasagjerëve të parë drejt Italisë, përmes avionëve të kompanisë ‘Blu Panorama’. Përkundrejt pagesës shtesë prej 60 eurosh për segment, 168 pasagjerë kanë mundur të udhëtojnë nga Tirana drejt Bolonjës. Sipas burimeve zyrtare të aeroportit, në orën 19:00 u nis një tjetër avion me 168 pasagjerë drejt Milanos, ndërsa po gjatë mbrëmjes bëhet i mundur transporti dhe i pasagjerëve të linjave të Bergamos dhe Venecias. Pjesa tjetër e qytetarëve që do të udhëtonin të hënën drejt destinacioneve të anuluara nga ‘Belle Air’ do të bëhet i mundur të martën. Autoritetet e aeroportit konfirmojnë se kompania ‘Blu Panorama’ do të mbulojë fluturimet e ‘Belle Air’ përgjatë të gjithë javës.
Zgjohet shteti, ngrihet grup pune për “tërmetet” e “Bankers Petroleum” në Zharrëz
Në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë u mblodh grupi i punës, ngritur me urdhër të ministrit Damian Gjiknuri, për vlerësimin e shqetësimit të banorëve të komunës Zharrëz të Fierit rreth fenomenit të lëkundjeve të tokës në zonën naftëmbajtëse. Në këtë mbledhje të radhës, të kryesuar nga zv.ministri Ilir Bejtja morën pjesë përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), shoqërisë “Albpetrol” sha, Institutit të Gjeoshkencës, Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, zyrës CAO të IFC-së, përfaqësues të banorëve dhe të kompanisë “Bankers Petroleum”.
Në këtë takim u diskutua për projektin teknik mbi monitorimin sizmologjik të aktivitetit në vendburimin e naftës në zonën e Patos-Marinzës. Grupi i punës ra dakord që me financimin e kompanisë “Bankers”, të mundësohet blerja dhe më pas vendosja, fillimisht e dy stacioneve sizmike në këtë zonë me qëllim monitorimin e lëkundjeve.
Përfaqësuesit e Departamentit të Sizmologjisë në Institutin e Gjeoshkencës parashtruan specifikimet teknike kryesore mbi rrjetin sizmologjik në zonën e Patos-Marinzës ndërsa konstatuan zgjidhjen optimale për një monitorim të integruar instrumental në një kohë sa më të shkurtër.
Të dhënat që do të përftohen nga vendosja e stacioneve sizmike do të përpunohen dhe ndiqen nga ana e Institutit të Gjeoshkencës, “Albpetrolit” dhe AKBN-së. Procesi pritet që në një periudhë deri në 6 muaj nga vendosja e pajisjeve të japë të dhëna konkrete për shkaqet e lëkundjeve të tokës.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë mbetet e vendosur për t’i shkuar deri në fund hetimit mbi shkaqet e lëkundjeve të tokës dhe nëse ato kanë apo jo lidhje me aktivitetin naftënxjerrës që kryen kompania “Bankers Petroleum”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të këtij dikasteri.
Pak ditë më parë, banorët e Zharrëzës janë ngritur në protestë kundër “Bankers Petrolium Albania”, për shkak të shpërthimeve që bëhen në puset e naftës në rreth 5 mijë metra nëntokë. Në protestë kanë dalë rreth 500 banorë të kësaj komune, të cilët gjatë protestës kanë deklaruar se, në orët e natës bëhen shpërthime në puset e naftës.
Në protestë kanë dalë dhjetëra banorë të kësaj zone ndërsa ata kanë bllokuar edhe rrugën që lidh këtë komunë me qytetin e Fierit. Banorët akuzojnë kompaninë “Bankers Petrolium” se me shpërthimet që bën, është duke u shkatërruar banesat në këtë zonë.