Reagon opozita për 7 të arratisurit në burgun e Drenovës në Korçë Halimi: Tahiri dhe Naço përgjegjës arratisjen e të dënuarve, emëruan njerëz të paaftë

0
125

 Florenc Drizari

“Ministrat Tahiri dhe Naço nuk mund t’ia faturojnë askujt tjetër, përveç pazareve që kjo qeveri bën në administrimin e në menaxhimin e institucioneve”

 

eduard_halimi_24_nentor_20130008Arratisja e shtatë të dënuarve nga burgu i sigurisë së lartë dy net më parë, është cilësuar një ngjarje shumë e rëndë nga përfaqësues të opozitës, të cilët kanë akuzuar drejtuesit më të lartë të shtetit për emërime politike në këto struktura.

Ish- ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, gjatë një deklarata për median tha se burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës, nga ku u arratisën 7 të dënuar, ishte i ndërtuar nga Bashkimi Europian, më kushtet bashkohore të një sigurie të lartë. Sipas deputetit të Partisë Demokratike, për planin e arratisjes në fjalë, strukturat më të larta të shtetit ishin njoftuar rreth dy muaj më parë.

“Më 23 shtator 2013, ish-drejtuesit e policisë së shtetit kanë dorëzuar një raport të detajuar informimi mbi planet e këtij grupi për t’u arratisur, Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço. Pak ditë më vonë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm,  ka paraqitur planin e masave që duheshin marrë për ta parandaluar arratisjen e këtyre të burgosurve me burgim të përjetshëm.

Asnjë masë nuk u mor, asnjë ligj nuk u respektua, por ministrat nuk kryen minimalisht detyrën e tyre, policia bashkë me të heshti, nuk vepruan! Konkluzioni i qarte. Armë të futura në një burg të sigurisë së lartë, arratisje spektakolare e 7 të burgosurve.

Ky raport i ish-drejtuesve të policisë dhe plani i masave për të parandaluar, nuk është marrë në konsideratë, dhe është flakur ashtu siç janë flakur dhe të gjithë oficerët profesionistë të policisë së shtetit”, – deklaroi Halimi.

Sipas tij, ministri i Brendshëm dhe Ministri i Drejtësisë u përpoqën një ditë më parë të fshehin përgjegjësinë e qeverisë dhe të tyren personale, për arratisjen e djeshme të 7 personave nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë, me metodën e vjetër të lëshimit të akuzave të pabaza për paraardhësit.

“Kjo metodë nuk i shpëton ata dhe qeverinë e tyre nga përgjegjësia që kanë për ngjarjen më të rëndë të ndodhur në gjithë këto vite në burgjet shqiptare, një ngjarje që buron nga sistemi që kanë ndërtuar këto 3 muaj, me emërime të dyshimta, me caktimet mbi bazën e interesave financiare dhe elektorale të njerëzve të paaftë në postet kyçe.

Sepse dyshja Rama-Meta janë lëshuar të babëzitur në ndarjen e tortës së pushtetit duke dëmtuar rëndë profesionalizmin në institucionet e zbatimit të ligjit, dhe duke i hapur rrugë lulëzimit të krimit, me shkarkimet masive dhe kolektive të profesionistëve dhe me zëvendësimin e tyre me militantë përmes një sistemi të pastër korruptiv. Kjo është atmosfera e burgjeve dhe e policisë, ndaj personat më të rrezikshëm të shoqërisë arrijnë të arratisen”, – deklaroi Halimi. Ai tha se gjatë qeverisjes së djathtë nuk u arrtasi asnjë i dënuar nga burgjet e sigurisë së lartë, dhe për këtë përmendi disa arritje të qeverisë së mëparshme, duke vënë theksin tek ndërtimi i 11 burgjeve të reja, të mbështetura edhe nga fondet e Bashkimit Evropian.

Duke iu përgjigjur deklaratave të djeshme të ministrit të Brendshëm për kapjen e trë të larguarve në Prrenjas, deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi tha se z. Tahiri me neglizhencën e informacioneve nga oficerët e policisë, vunë në rrezik jetën e qytetarëve shqiptar.

“Për çfarë je krenar? Që vure policinë e shtetit në një sprovë të panevojshme, thjesht për shkak të dështimit kapilar të sistemit të ri korruptiv që ju keni ngritur. Për çfarë je krenar, se 3 të arratisur janë ende të lirë? Drejtuesit e sotëm të burgjeve dhe të policisë janë të gjithë të emëruarit e rinj në këto poste nga kjo qeveri, dhe këtë e dinë të gjithë shqiptarët. Dështimin e tyre, ministrat Tahiri dhe Naço nuk mund t’ia faturojnë askujt tjetër, përveç pazareve që kjo qeveri bën në administrimin e në menaxhimin e institucioneve”, – përfundoi deklarata e ish – ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi.

 

 

 

Arratisja nga burgu i Drenovës në Korçë, PD: Shteti ka rënë, po rritet kriminaliteti

Koordinatorja për median në Partinë Demokratike Silvi Bardhi, reagoi dje me anë të një deklaratë për shtyp duke thënë se me arratisjen e 7 të dënuarve me burgim të përjetshëm, ka rënë sistemi i sigurisë në vend, shteti.

Zonja Bardhi tha se shteti shqiptar ka rënë dje dy herë në harkun e një ore, teksa qeveria shtrohet në gosti nëpër resorte luksoze të Tiranës. Këtë të fundit Silvi Bardhi e lidhi me një darkë informale të mbajtur dy netë më parë mes kryeministrit Rama dhe ministrave të tij në zonën e Dajtit në Tiranë.

“7 persona të dënuar me burgim të përjetshëm arrijnë të dalin të armatosur nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës. Kjo është rënia e parë e shtetit.

Rreth një orë më vonë, të arratisurit arrijnë të çajnë me forcë një postbllok të policisë të ngritur në Pogradec enkas për ndalimin e tyre. Dhe ky është rrëzimi i dytë i shtetit”, – tha Bardhi për mediat.

Sipas saj, qeveria përhap panik duke i thënë qytetarëve të bëjnë kujdes se personat janë të rrezikshëm dhe të armatosur.

Partia Demokratike është e shqetësuar nga kjo ngjarje e rëndë dhe ne konstatojmë se për fat të keq shteti ka pushuar së ekzistuari në dy raste dje, dhe pikërisht për funksionet më të rëndësishme për të cilat shteti ekziston, për sigurinë dhe rendit publik.

Kjo situatë e rënduar e pasigurisë dhe e vërshimit të krimit e dobësimit të shtetit në çdo drejtim vjen si rezultat i mënyrës së qeverisjes.

Filozofia e dyshes Rama-Meta është allishverishi, ndarja e tortës së përfitimeve, dhe kjo ka bërë zëvendësimin e profesionistëve në polici e kudo, me militantë të paaftë por besnikë të partisë dhe të shefave të tyre”, – deklaroi koordinatorja e PD-së për median, Silvi Bardhi.

 

 

 

Rama: Më në fund vendi ka një Polici Shteti në krye të detyrës

Pas aksionit të forcave bulu për kapjen e tre të arratisurve nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës, ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama, i cili përgëzoi Policinë e Shtetit për realizimin me sukses të operacionit.

Përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, kryeministri Rama thekson angazhimin e qeverisë së tij për të vijuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Më në fund Shqipëria ka një Polici Shteti në krye të detyrës. Asgjë s’do na ndalë në luftën me krimin e korrupsionin. Ky është veç fillimi”- shkruan Rama.

Pas këtij qëndrimi të kryeministrit ka reaguar edhe opozita, e cila akuzoi drejtuesit më të lartë të shtetit se neglizhoi të dhënat e oficerëve për përgatitjen e një plani arratisjeje nga të burgosurit në fjalë, si dhe për emërime partiake në këto struktura, duke larguar profesionistët nga puna.

 

 

Arratisjet nga burgu i Drenovës, Berisha: Rendi dhe siguria në rënie të shpejtë

Ish – kryeministri Berisha duke iu referuar arratisjes së shtatë të dënuarve në burgun e sigurisë së lartë në Drenove të Korçës, tha se ky akt i pashembullt është produkt i bashkëpunimit të suksesshëm të këtij grupi vrasesish me eksponente dhe strukturat e reja qeveritare të interesuara apo detyruara per lirimin e tyre. Këtë sipas tij, e fakton qarte armatosja e tyre në burgun e sigurisë më të lartë, largimi i tyre pa kurrefare rezistence nga rojet e armatosura të rrethimit te burgut.

“Bandat qe ndihmuan me para dhe dhune ardhjen ne pushtet te koalicionit Rama – Meta, tani nje nga nje kerkojne shperblimin e tyre. Natyrisht ndalimi nga Policia i 4 prej 7 te arratisurve eshte nje akt per tu pershendetur. Por dalja e ministrit te brendshem ne media, demaskon ate si njeri te kapur dhe angazhuar ne betejen e bandave qe mbeshtesin ate me bandat rivale.

Ne dy muaj perpjekje jo per te siguruar rendin dhe qetesine por per te shnderruar me shpejtesi Policine e Shtetit ne policine e Partise Socialiste, siguria ne vend po bie me shpejtesi, vrasjet, eksplozivat, maskat ne rruge, pengmarrjet, trafiqet po rriten me shpejtesi marramendese. Por mjerisht ky eshte vetem fillimi i procesit te shnderrimit te vendit ne nje protektorat krimi me pasoja shume te renda per çdo qytetar dhe vendin ne teresi. Sb”,- ka shkruar një ditë më parë ish – kryeministri Sali Berisha.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency