Aksidenti tragjik Ekspertët, makina e Olldashit pa defekt

0
151

Anxhela Tato

 

Përfundon ekspertiza auto-teknike nga kompania “Mercedez Benz”, motori dhe frenat pa probleme

Sipas ekspertëve pakujdesia, kushtet atmosferike dhe mungesa e sinjalistikës, shkaku i aksidentit

 

makina-e-olldashitAutomjeti “Mercedez Benz” i ish-deputetit të PD-së Sokol Olldashi nuk rezulton të ketë pasur defekte pak momente para se të ndodhte aksidenti. Ky është rezultati i ekspertizës së bërë nga punonjësit e kompanisë së makinave “Benz” në kryeqytet. Mësohet se automjeti është transportuar të shtunën dhe ekspertiza auto-teknike ka konstatuar dëmtime të shkaktuara pas aksidentit tragjik që i morri jetën ish-deputetit Olldashi. Sipas ekspertëve automjeti nuk ka pasur defekte, sistemi i frenit, gomat, timoni dhe sistemi i marsheve kanë funksionuar në mënyrë të plotë. Automjeti ka vetëm shenja dëmtimesh për shkak të përmbysjes dhe rrokullisjeve. Në makinë janë konstatuar shenja çarjeje të tavanit, gërvishtje dhe thyerje xhamash. Sipas ekspertëve pakujdesia, kushtet atmosferike dhe mungesa e sinjalistikës janë motivet kryesore të aksidentit. Nga ekspertët bëhet me dije se zona ku ka qenë duke u afruar automjeti nuk ka shenja që të paralajmërojë shoferët për kthesën si dhe për rrugën me probleme. Gjithashtu shiu i rrëmbyeshëm dhe lagështira nuk kanë qenë në favor të drejtuesit të automjetit, duke shkaktuar rrëshqitjen e automjetit. Një faktor tjetër ka qenë edhe pakujdesia e treguar nga vetë Sokol Olldashi, i cili ishte duke folur në celular dhe nuk kishte vendosur rripin e sigurisë.

Këqyrja

Grupi i ekspertëve që janë ngritur për këqyrjen e automjetit me të cilin udhëtonte Olldashi natën e aksidentit, kanë përpiluar një procesverbal paraprak të gjendjes së mjetit, sendeve që janë gjetur në të, dhe kanë fiksuar çdo provë të dobishme për zbardhjen e ngjarjes. Ndërkohë, veprimet paraprake kanë sqaruar se “Benzi” ka qenë rreth një orë e 30 minuta i ndezur dhe ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi 60 km/h. Sipas ekspertëve, makina ka dalë nga tuneli me këtë shpejtësi dhe deputeti Sokol Olldashi ka dashur që të futet në kthesë me të njëjtën shpejtësi, për faktin se ai dyshohet se nuk e ka parë kthesën. Sipas ekspertëve që bënë këqyrjen e vendit të ngjarjes, mungesa e tabelës paralajmëruese të kthesës së fortë dhe kushtet klimaterike kanë ndikuar që deputeti të mos e shikojë në momentin e duhur dhe të mos vendosë këmbën në frena për ta nxjerrë nga shpejtësia e fiksuar me të cilin kishte ardhur që nga tuneli. Grupi i ekspertëve sqaron se makina ka dalë nga rruga me marsh të tretë dhe se ka qenë me pilotim mekanik, por Olldashi nuk ka mundur që të frenojë dot, duke rënë nga një lartësi prej 10-20 metrash. Nga të dhënat paraprake dyshohet se makina ka rënë nga krahu i djathtë dhe në fund ka përfunduar në varrezat e zonës e kthyer përmbys. Ndërkohë, theksohet se mjeti nuk ka pasur gërvishtje apo shenja të goditjes nga pas apo nga pjesa e parme e makinës. Ndërkohë që, janë ngritur dyshime edhe për faktin se deputeti mund të ketë humbur kontrollin, sepse atij mund t’ia ketë vështirësuar shikimin ndonjë dritë e fortë makine. Por, ajo që dihet me siguri është fakti se Sokol Olldashi nuk e ka parë kthesën dhe ka dalë jashtë rrugës, duke humbur në këtë mënyrë edhe jetën.

Dëshmitë

Dy rrëfimet kryesore të prokurorisë janë dëshmia e deputetit Igli Carra dhe shoferit të ish-deputetit. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se shoferi i Olldashit ka treguar se çfarë ka parë kur ka mbërritur në pikën, ku ishte përmbysur makina e ish-deputetit. Ai ka rrëfyer një pjesë nga biseda telefonike me ish-deputetit, si personi i vetëm me të cilin ka komunikuar para se të humbiste jetën. Mësohet nga prokuroria se shoferi ka rrëfyer që në momentet kur po fliste me ish-deputetin ka dëgjuar zhurma dhe britma. Menjëherë ka njoftuar deputetin Igli Cara dhe së bashku të alarmuar janë nisur në drejtim të ish-deputetit. Në vendngjarje ka parë edhe disa banorë të zonës dhe kanë tentuar t’i vijnë në ndihmë Sokol Olldashit, por ka qenë e pamundur nxjerrja e tij nga automjeti. Në vendngjarje ka mbërritur edhe policia dhe vetëm pas dy orësh është bërë e mundur nxjerrja e trupit. Shoferi ka dëshmuar se makina ishte përmbysur dhe i ka thirrur disa herë ish-deputetit, por nga ai nuk kishte asnjë përgjigje. Kjo e ka bërë të dyshoj se gjendja e tij shëndetësore ishte mjaft e rëndë.

 

 

Shkodër, objekti i sulmit në hasmëri me disa familje

Policia e Shkodrës ka zbardhur detaje të reja rreth ngjarjes në Gur të Zi, ku mbeti i vrarë 35-vjeçari Marjan Martini. Objekt i sulmit, sipas saj, ka qenë një person, i cili ndodhej në lokalin buzë rrugës ku u krye vrasja. Fillimisht u qëllua ndaj tij brenda në klub, por i shënjestruari iu kundërpërgjigj me të njëjtën mënyrë. Përplasja me armë zjarri midis atentatorëve dhe personit në lokal, bëri që disa plumba të prekin 35-vjeçarin, i cili po kalonte aty pranë me motor. Martini vdiq në vend dhe më vonë u kuptua që ishte viktimë e rastësisë. Sipas policisë, personi që u tentua të vritej, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për shkak hetimor, është në gjak me disa familje. Kjo ka vështirësuar përcaktimin e autorëve, ndërkohë që policia bëri shoqërimin e 12 personave. Në këtë sulm rezulton se morrën pjesë më shumë se dy persona. Sipas të dhënave të para mësohet se ngjarja ka ndodhur në orën 16.40 në vendin e quajtur Guri i Zi, kur dy grupe të rinjsh janë përplasur me njëri-tjetrin me armë zjarri. Në momentin e shkëmbimit të zjarrit, një plumb qorr i ka marrë jetën 35-vjeçarit Marjan Martini nga fshati Juban, i cili ishte duke udhëtuar me motoçikletë në rrugë. Viktima është shoqëruar me urgjencë për në spitalin rajonal të Shkodrës, por nuk ka mundur t’u rezistojë plagëve të marra dhe ka humbur jetën gjatë transportimit për në spital. Policia e Shkodrës ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të mundshëm të ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave. Gjithashtu  në disa akse rrugore janë ngritur edhe pika kontrolli.

 

Gjirokastër, sekuestrohet 25 kg marijuanë, pranga italianit

Sekuestrohen 25 kilogramë lëndë narkotike marijuanë në doganën e Kakavijës, ndërsa në pranga është vënë një qytetar italian. Burime nga policia e Gjirokastrës, kanë bërë të ditur se, rreth orës 19:30 të mbrëmjes së djeshme efektivat e policisë Kufitare të Kakavijës gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në automjetin tip “Renault” me targa “Ç 799 GZ” që drejtohej nga shtetasi italian Giovanni Indelicato, 50 vjeç, lindur dhe banues në Ribera Itali, kanë zbuluar drogën.  Pas ndalimit të tij është bërë një kontroll në makinë dhe në pjesën e brendshme të bagazhit, poshtë moketit në të dyja anët dhe mbrapa, në hapësirat mbrapa sinjaleve dhe në brendësi të prapakolpit kishte pako të mbështjella me natriban ku brenda tyre kishte lëndë narkotike, tha policia. “Nga kontrolli i imtësishëm i automjetit rezultoi se në brendësi të automjetit kishte 15 pako të mëdha dhe 19 pako më të vogla , gjithsej 34 pako me peshë totale 25 kilogramë marijuanë”,- ka deklaruar Policia e Gjirokastrës. “Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga ana e Specialistëve të Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit italian Giovanni Indelicato si dhe sekuestrimi i lëndës narkotike në cilësinë e provës materiale. Lënda narkotike me destinacion Italinë”, – thuhet në deklaratën e bërë nga Policia e Gjirokastrës.

 

Dibër, jepnin paga për punonjës fiktivë, pranga punonjësve të Patentave

Jepnin paga për punonjës fiktivë, të cilët nuk ishte në krye ët detyrës. Kjo është akuza e ngritur ndaj dy punonjësve të Drejtorisë së Patentave në Dibër. Lajmi është bërë me dije nga ana e Ministrisë së Brendshme, e cila ka publikuar të dhëna nga ky operacion. Në ngarkim të dy të arrestuarve është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës. Sipas Ministrisë së Brendshme të arrestuar janë shtetasit Fadil Bregu dhe Edlira Hoxha. Fadil Bregu ka ushtruar detyrën e drejtorit të Patentave në Dibër, ndërsa Edlira Hoxha detyrën e shefes së Financës. Të arrestuarit akuzohen për shpërdorim detyre. Sipas ministrisë së Brendshme, të arrestuarit kanë dhënë disa paga për punonjës fiktivë. Tre punonjës kanë marrë pagë edhe pse ndodheshin jashtë vendit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency