NJË IDE E KEQE QË KËRKON “MUSKUJ” PËR TA VËNË NË JETË

0
181

Genc Drini

Shtetet e Ballkanit Perëndimor, mbi të cilët kërkohet “të përdoren muskujt”, janë tashmë në rrugën e integrimit në BE, që seleksionon më përpara veç e veç çdo situatë trazuese të tyre brenda rajonit, nëpërmjet pakove që duhet të përmbushë secili nga ato shtete. Pra, BE-ja është e pajisur vetë me muskujt e ligjeve të forta dhe “nuk ka pse t’i degdisë këto shtete ballkano-perëndimore drejt Beogradit, një vatre të provuar zjarrndezëse. Thuhet se është në të mirën e atyre shteteve që të integrojnë ekonomitë dhe të paqtohen

 

350px-Balkans_regions_map“Unioni Ballkano-Perëndimor” i programuar duket më tepër si një skemë e sajuar që përpiqet ta qetësojë dhe kompensojë Serbinë për shtetet dhe popullsitë sllave dhe shqiptarët e Kosovës që ishin brenda ish-federatës dhe i ikën hyqmit serb dhe kështu zvogëluan hapësirat e dominimit serb.

Ky kompensim kërkohet të bëhet duke i ngjitur Serbisë në një lloj unioni që kërkohet të krijohet edhe një herë duke futur në të tre prej shteteve sllave po edhe të gjithë shqiptarët e Ballkanit, një popullsi josllave. Pra, në kafazin e ri ballkano-perëndimor me popullsi thuaj krejt sllave dhe të dominuar nga serbët, serbë pjesa dërmuese në Serbi, në Bosnjë gjysma e popullsisë serbë, në Mal të Zi 30% serbë, në Maqedoni më pak, po për herë të parë tashmë brenda një ish-Jugosllavie me trajtë tjetër do t’i rrasnin edhe të gjithë shqiptarët…! Mirë sllavët, në paçin dëshirë për t’u bashkuar në çfarëdo forme le ta bëjnë, “e kanë provuar dhe dy herë” të tjera e po ua pati qejfi le ta provojnë prapë. Po me shqiptarët që nuk kanë asnjë lidhje me sllavët dhe luftuan për të shpëtuar prej tyre çfarë kanë? Në Ballkan, grekët me kohë, rumunët dhe bullgarët më pas dhe më vonë pjesëtarët e ish-Jugosllavisë, sllovenët dhe kroatët, ku këto të fundit luftuan fort kundër serbëve, të gjithë një nga një me shtetet e tyre u bënë pjesë e BE-së. Askush nuk u tha atyre, më parë mbërthehuni së bashku në një lloj unioni të ri gjysmë-ballkanik e pastaj të shohim për futjen në BE.

 

“Kështu ka qenë dhe kështu duhet të mbesë gjithmonë…”!?

(Shënim në nëntor 2013) Gjithnjë po vijojmë të flasim për situatat në vitin 2006, por paralajmërimi dhe shqetësimi i komisionerit Barrosso në tetor 2013 na sjell ndërmend shqetësimin e Lordit Ashdown-it në vitin 2006 për të cilin po flasim, duke na kujtuar se pavarësisht nga bisedimet në mes Kosovës e Serbisë të kërkuara nga BE dhe që mund të ulin disi tensionet, në rajon ekzistojnë në këmbë situata të pa zgjidhura të rrezikshme si ato të vitit 2006. Mjaftojmë të kujtohemi për mos funksionimin e shtetit të Bosnjes. E bllokuar nga problemet e pa fundme etnike.

(Shënim: kthehemi sërish në vitin 2006.) Sipas Lordit Ashdown, është në leverdinë e Evropës që ta ketë sa më parë në BE atë rajon që është pjesë e vetja dhe të shpëtojë nga pasojat e kësaj plage të qelbëzuar… që nëse lihet pa u trajtuar, nesër mund të infektojë krejt Evropën… por për të arritur drejt zgjidhjeve që janë në interesin e Evropës, në radhë të parë si dhe në interesin e rajonit si dhe për të aplikuar kushtet evropiane, rekomandon që Evropa nëse do që të veprojë në këtë hapësirë, duhet t’i afrohet zgjidhjes me metoda më muskulare… dhe nuk ngurron të sqarojë se këto janë metodat që respektojnë ballkanasit…! Vetëm për çast një lordi harron se këto qenë metodat universale evropiane e më gjerë në dy luftërat botërore… Veç kësaj harron se tre të katërtat e shteteve të këtij Ballkani “problematik”, një pjesë e të cilëve dikur bënë luftërat ballkanike agresive kundër shqiptarëve në fillimin e shekullit të kaluar, tashmë janë të inkuadruara brenda në BE. Ai foli në vitin 2006, por në fjalën e tij përmendi vitin 1990 si periudhë të luftërave dhe kaosit, kohë në të cilën ai siç shprehet është ndier sinqerisht shumë i shqetësuar dhe ajo çfarë tregon më poshtë e pohon këtë. Kështu kujton se në v. 1993, kur ai shpreh dhimbjen për këtë dramë njerëzore duke iu lutur Sekretarit britanik për Punët e Jashtme të asaj kohë që të ndërhyhej. Ai merr këtë përgjigje: “Po këtu gjithmonë kështu ka ndodhur mor Paddy… Gjëja më e mirë është të krijosh një hendek ndarës, mbrojtës nga zjarri rreth e rrotull gjithë rajonit dhe ta lësh që të vetëdigjet!” Një gjykim rrëqethës. “Por unë ia ktheva, vazhdon Lordi, se: nëse ka pasur ndonjë regjion në Evropë që dikur ka qenë si këtu sot, ai nuk ka qenë në Ballkan, por ka qenë në Evropën Veriore ku kemi luftuar njëri tjetrin për më se 1000 vjet dhe shumë më shpesh, me vdekje pafundësisht të panumërta dhe me më shumë tmerre se sa në Ballkan. Nëse ne mundëm të gjenim një zgjidhje për konfliktet tona të zgjatura me shekuj, nuk mund t’ua mohojmë këtë zgjidhje këtyre”. Pavarësisht nga kjo, ai e ndien se retrospektiva historike reale që ai solli në kujtesë si argument, nuk arrin të shmangë dhe zgjojë ndërgjegjet apo të neutralizojë përshtypjen që la Ballkani Perëndimor në epokën moderne të pas 1990-ës si një zonë që pandryshueshmërisht synon drejt luftës dhe kaosit.

Më tej lordi shton se “kjo pikëpamje ka qenë dominuese në të kaluarën por mbetet përsëri edhe sot bile dhe në nivelet më të larta” (shënim shtesë në nëntor të v. 2013: e shtatë vite që nga viti 2006 deri sot në vitin 2013 nuk janë aq shumë sa të përmbysen këto mendësi). Dhe kjo është mjaft shqetësuese. Pas peshkimit të këtyre përcaktimeve fataliste, dramatike dhe kobndjellëse, të një pjese të politikë bërjes evropiane deri në vitin 2006, ai përndryshe përpiqet që të projektojë optimizëm, flet me simpati për progreset e bëra nga disa vende të Ballkanit Perëndimor si Bosnja, Maqedonia dhe Shqipëria dhe kërkon që të mbahet premtimi i Selanikut që këto vende të jenë pjesë e BE-së, ndryshe progresi i arritur nuk do të thotë që nuk mund të kthehet mbrapsht. (shënim shtesë në nëntor të v. 2013: Të njëjtin alarm të vitit 2006 e përsërit dhe sot në v. 2013 në mënyrë të njëjtë dhe komisioneri Barroso. Asgjë nuk paska ndryshuar brenda këtyre shtatë viteve?). Lordi Ashdown pohon se një flakë e zjarrtë vlon ndër njerëzit që të jenë pjesë e BE-së dhe se ata e ndiejnë veten krejtësisht evropianë.

Pastaj vazhdon të shprehë idetë e tija më specifike se si duhet vepruar dhe u drejtohet ministrave të Jashtëm që do të mbajnë këto ditë mbledhje në Salzburg (në prill të vitit 2006) që të ndërrojnë politikë ndaj Ballkanit perëndimor… dhe të mos vazhdohet me atë koncept parcializimi me të cilin është vepruar dhe sqaron: “Ne njohëm Kroacinë, plasi në Bosnjë. Ne zgjidhëm problemin e Bosnjës dhe ja doli Kosova, ne pushtuam Kosovën, fap Maqedonia dhe pastaj shpërthej Lugina e Preshevës… BE duhet të fillojë të shohë regjionin si një të tërë e jo pjesë-pjesë… pra me një politikë të vetme për rajonin me synim integrimin e brendshëm të rajonit ekonomikisht dhe politikisht në çdo sferë në bazë të standardeve evropiane. Ai shprehet qartë se duhet “të punohet për t’i mbërthyer” vendet e Ballkanit Perëndimor, njëherë e mirë dhe sa më shpejt të jetë e mundur në një zonë ekonomike dhe hapësire politike të vetme dhe koherente…! Dhe për këtë duhen përdorur… shumë, muskuj…! Muskuj evropianë nga BE apo dhe muskujt ballkano-perëndimorë, serbë ndoshta…? Pa i përmendur muskujt tash për tash, është dhe vetë Komisioni Evropian që ka bërë pak a shumë të njëjtin propozim dhe përpiqet t’i shtyjë këto vende në atë drejtim. Jemi para një kthimi prapa drejt një koncepti politikisht amorf, sepse shkohet me të njëjtën filozofi drejt një modeli të dështuar shumë rëndë.

Veç kësaj, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, mbi të cilët kërkohet “të përdoren muskujt”, janë tashmë në rrugën e integrimit në BE që seleksionon më përpara veç e veç çdo situatë trazuese të tyre brenda rajonit, nëpërmjet pakove që duhet të përmbushë secili nga ato shtete. Pra, BE-ja është e pajisur vetë me muskujt e ligjeve të forta dhe “nuk ka pse t’i degdisë këto shtete ballkano-perëndimore drejt Beogradit, një vatre të provuar zjarrndezëse. Thuhet se është në të mirën e atyre shteteve që të integrojnë ekonomitë dhe të paqtohen! Gjithmonë e gjithmonë vetëm e vetëm për të mirë i ofron zgjidhjet dikush nga pas… dhe ja, edhe Jugosllavia e dytë qe krijuar mbi iluzionin pozitiv të bashkimit komunist të sllavëve të jugut dhe të mbarëvajtjes së tyre, po në fakt sido që me shumicë dërmuese popullsie sllave, bashkimi mbante përbrenda dinamitin shpërthyes të problemeve të pazgjidhura të etnive të ndryshme që në çdo çast ishte nën kërcënim nga flaka ndezëse e ambicies serbe për dominim. Mund të kuptohet se ai bashkim nuk mund të mos ishte programuar potencialisht për të shpërthyer kur t’i vinte koha dhe rikonfiguruar sërish Ballkanin dhe koha erdhi me luftërat në Jugosllavi në vitet ‘90. Ish-Jugosllavia rezultoi të ishte veçse një bombë me sahat.

 

Grupim shpërthyes

Dhe sot me idenë për një union ballkano-perëndimor, artizanati gjeopolitik krijues evropian sido që beson se mund ta kontrollojë krijesën që nxit të krijohet, po sajon përsëri të njëjtën gjë, një bombë të re me sahat. Edhe në mos synoftë krijimin dhe mbajtjen në këmbë të një grupimi me potencial shpërthimi, bashkimi i ri që po përflitet sot, do të arrinte domosdo të njëjtin rezultat, shpërthimin. Unioni nuk do të krijonte kurrë një zonë bashkëpunimi real, as ekonomik dhe as politik, as mirëkuptimi, por do të shtrihej si shesh intrigash të pafund që do të merrnin flakë vetë ose dhe do ta ndiznin të interesuarit… kur u duhej, ashtu si u bë dhe në ish-Jugosllavinë. Unioni do të sillte dhe lëkundjen apo fundin e shpresës për integrimin e atyre vendeve në BE. Po me gjithë dështimet e mëdha ballkanike, meqë unionet u pëlqyekan ende me këmbëngulje, si një modë ekonomiko-politike çudibërëse, përse të mos krijohej një union ekonomik gjithëballkanik që do të ishte shumë më organik apo një tjetër greko-shqiptar? Një tjetër italo-shqiptar? Një tjetër turko-shqiptar etj.., sipas fantazive ekonomiko-politike të kujtdo…? Por një gjë është e qartë, se më “absurdin prej unioneve”, të ideuara deri më sot, me “unionin ballkano-perëndimor” do të shkohej me siguri drejt ngritjes së nervave etnike, përplasjeve ekonomike dhe, pa diskutim, edhe penetrimeve mafiozo-politike gjithfarësh, po pa mëdyshje dhe prej tej thellë nga Rusia. Gjithë kjo manovër union-sajuese përpiqet të marrë jetë, si për të pohuar konstatimin e Rebeka West-it për Ballkanin po tashmë të përdorur nga Lordi Ashdown vetëm për një copë të tij: “Kështu ka qenë dhe kështu duhet të mbesë gjithmonë”. Jemi para një konstatimi: “Kështu ka qenë” që ndiqet nga një vullnet politik vendosës dhe i egër i një pjese regresiste të politikës evropiane për në këtë pjesë të Ballkanit: “…dhe kështu duhet të mbesë gjithmonë!” Ndryshe nuk mund të konceptohet ky eksperiment i pabazuar në realitetin e veçantë etniko-politik.

Dhe qoftë për t’i bashkuar, qoftë për t’i mbajtur pastaj bashkë dhe mbërthyer brenda këtij kaosi “ballkano-perëndimor”, do të duheshin përdorur hëpërhë shumë muskuj evropianë. Po kundër kujt këta muskuj? Serbët nuk kanë nevojë për muskuj, madje mund të ndihmonin me muskujt e tyre, sepse ky lloj unioni do të shkonte plotësisht në interes të megalomanisë aventuriere, sido që katastrofë-prurëse për ta. Mbetet që muskujt të përdoreshin mbi pjesën më refraktare kundërshtare të kësaj ideje, mbi shqiptarët, që kanë synime krejt të tjera. Siç shihet, ajo çfarë projektohet ka të bëjë mbi të gjitha me shqiptarët, po, saktësisht me shqiptarët. Pa mohuar edhe Bosnjën, ku edhe sot duhen kaluar pesë nivele qeverisjeje për të vendosur e qeverisur dhe do t’i shtohej dhe në rastin e një unioni edhe niveli i gjashtë i unionit….

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency