Arratisen 7 të dënuar nga burgu, mes tyre Admir Tafili dhe Fran Marashi

0
242

Sonja Caka

Policia: Të arratisurit janë të armatosur, dyshohet për ndihmë brenda dhe jashtë burgut, SHKB e Burgjeve nis hetimin

Policia apel qytetarëve: Kujdes, personat e arratisur janë të armatosur dhe të rrezikshëm, lajmëroni 129 për çdo problem

Të dënuarit e arratisur, pjesa më e madhe kanë vrarë policë dhe drejtues policie apo kanë marrë pengje punonjës policie

Policia arreston Artur Gorën. Pas arratisë, disa nga të dënuarit janë shkëputur nga njëri-tjetri

 

burgu-drenovesShtatë të dënuar, të cilësuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, janë arratisur mbrëmjen e djeshme nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës. Mësohet se të dënuarit, disa të dënuar me “burgim të përjetshëm” apo dënime deri 20-25 vjet, janë të armatosur dhe dyshohet se synojnë daljen jashtë kufirit shqiptar, drejt Maqedonisë apo Greqisë. Mësohet se të paktën 5 prej tyre janë të dënuar për vrasje, një për trafik dhe një për rrëmbim personi. Tre nga të dënuarit me burgim përjetë janë Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri, të cilët nuk e kanë për herë të parë arratisje në një burg i sigurisë së lartë, ndërsa mbi ta rëndojnë një sërë vrasjesh. Njëri prej tyre vrasës i një prej drejtuesve të policisë në Shkodër, Arben Zylyftari dhe tjetri autor i masakrës së përgjakshme të Urës Vajgurore. Nga të dhënat e para mësohet se të dënuarit janë ndihmuar nga persona jashtë dhe brenda burgut për të realizuar arratisjen, ndërsa janë pritur me automjete jashtë ambjenteve pasi më parë u kanë marrë edhe armët gardianëve dhe secili i pajisur me armë në dorë, kanë qëlluar në ajër për të mos u afruar rojet dhe më pas janë larguar me shpejtësi drejt drejt portës kryesore. Ende mbetet e paqartë mënyra sesi ka ndodhur largimi i tyre, por ajo që dihet është se gjithçka ishte e mirëorganizuar, përderisa dalja dhe largimi nga burgu ka qenë mjaft e lehtë dhe nuk ka pasur asnjë reagim nga rojet e brendshme apo të jashtme. Do jetë SHKBB dhe grupi hetimor që do hedhë dritë mbi këtë ngjarje në orët dhe ditët në vijim, ndërsa primare për shtabin e ngritur në Ministrinë e Brendshme është kapja e këtyre personave mjaft të rrezikshëm. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme u arrestua njëri prej të arratisurve, Artur Gora, ndërsa mësohet se pas arratisë, disa nga të dënuarit janë shkëputur nga njëri-tjetri. Policia po merr në pyetje Gorën për të mësuar më tepër rreth destinacioneve të miqve të tij, ndërsa mësohet se forca të shumta policore kanë marrë nën ruajtje banesat e të arratisurve. Ministria e Brendshme bën me dije se policia e Shtetit ka arritur të kapë njërin prej personave të arratisur sot pasdite nga Burgu i Drenovës në Korçë. Artur Demir Gora, i dënuar në vitin 2003 me burgim të përjetshëm, për “Vrasje me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës” dhe “Armëmbajtje pa leje”, është arrestuar nga policia në aksin Dishnicë – Devoll. Artur Gora ka qenë duke udhëtuar me një automjet tip “Ford” për në drejtim të banesës së tij, teksa është ndaluar nga një postobllok i Policisë i ngritur enkas për këtë qëllim. I arratisuri ka pretenduar se automjetin e ka marrë si taksi, por Policia ka kryer edhe shoqërimit e drejtuesit të mjetit. Ndërkohë, drejt Korçës është nisur edhe kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi.

Arratisja

Arratia ka ndodhur rreth rreth orës 19:30 të mbrëmjes së djeshme, kur shtatë të dënuarit, të ndihmuar nga brenda dhe jashtë burgut kanë realizuar planin e tyre të arratisë duke ikur lehtësisht me armë në dorë. Sapo kanë mësuar për ngjarjen, në burg është vënë alarmi, ndërsa është njoftuar menjëherë policia për ngjarjen e rëndë. Fillimisht janë identifikuar të dënuarit të mungojnë dhe menjëherë është lajmëruar Drejtoria e Policisë së Korçës, e cila është vënë në lëvizje, duke bllokuar akset kryesore rrugore, si dhe duke kërkuar ndihmë edhe te autoritetet e kufirit për të bllokuar pikat kufitare dhe për të mos lejuar largimin e të arratisurve, si dhe janë informuar dhe vënë në lëvizje edhe policitë e vendeve fqinje, Greqisë dhe Maqedonisë. Nga të dhënat e para mësohet se të arratisurit kanë kanosur me armë edhe patrullën e policisë në Pogradec, si dhe kanë vazhduar arratisjen drejt qytetit të Librazhdit. Ndërkohë, Policia e Shtetit ka dërguar struktura policore në ndihmë të policisë së Korçës, RENEA, FNSH, ndërsa nga brenda burgut SHKBB dhe Prokuroria e Korçës ka filluar hetimet për të mësuar si ndodhi arratia. Janë sekuestruar filmimet e kamerave të cilat pritet të hedhin dritë mbi ngjarjen, janë marrë në pyetje dëshmitarë mes të dënuarve dhe gardianëve të burgut. Ajo që tashmë është mëse e qartë për autoritetet e burgut dhe policisë është se të dënuarit kanë pasur ndihmë brenda dhe jashtë burgut për të realizuar planin e tyre të arratisjes. Ndërkohë që burime nga brenda burgut bëjnë me dije se të dënuarit kanë thyer kamerat e sigurisë, kanë këputur telat e telefonit dhe më pas kanë shfrytëzuar tunelin ku transportohen të paraburgosurit për t’u larguar më pas nga ambjentet e burgut. Më pas, ata i kanë marrë nën kërcënimin e armës automjetin kryeplakut të fshatit për t’u larguar nga territori i burgut të Drenovës.

Kush janë të arratisurit

Të arratisurit konfirmohen si Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri, Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj, Eduard Lulo dhe Artur Gura. Admir Tafili është i dënuar me burgim përjetë për vrasjen e vëllezërve Pjetrushi, Gjovalin dhe Nik, ndërsa më herët ishte dënuar për atentatin ndaj ish-shefit të krimeve Prelë Pjetrushi, të cilin e akuzonte për vrasjen e babait të tij Bahri Tafili në vitin 2000, ku mbeti i vrarë edhe drejtori i policisë së Shkodrës Arben Zylyftari. Nga qelia e burgut Tafili ka ngritur dyshime se familja Pjetrushi po i kërcënon familjen në Greqi dhe kjo dyshohet të jetë një nga qëllimet e arratisë së tij, për të shkuar pranë tyre ne shtetin fqinj. I dyti është Fran Marashi, i dënuar për vrasjen e katër policëve, një qytetari dhe plagosjen e dy efektiveve ne Urën Vajgurore ne vitin 1997, i cili e ka të tretën herë arratinë nga burgu, një herë nga Fushë Kruja, një herë nga Burreli dhe tashmë nga Drenova e Korçës. Marashi i njohur si anëtar i bandës se Urës Vajgurore, është ekstraduar nga Italia ne vitin 2006. Ai është dënuar me burgim te përjetshëm për vrasjen e policeve si dhe për krijim, organizim dhe drejtim te organizatës kriminale dhe kryerje te veprave nga organizata kriminale. Këtyre veprave penale u është shtuar edhe largimi nga vendi i dënimit. Bashkë me Fran Marashin në arratisjen e mëparshme nga Burreli ka qenë edhe Gëzim Guri nga Shkodra, një prej të arratisurve të mbrëmshëm dhe i dënuar përjetë për akuzën e vrasjes. Reiz Haxhiraj është dënuar në vitin 2001 me akuzën e rrëmbimit të inspektorit të policisë Yzedin Gucaj, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve ndodhet ende në kërkim. Bëhet fjalë për Artur Rrapajn. Në këtë ngjarje të ndodhur në Qershorin e vitit 1998 ata kanë plagosur edhe vëllain e inspektorit, Dhimitër Gucaj. Prej vitesh Reis Haxhiraj kishte mundur t’i shpëtonte drejtësisë, duke u strehuar në shtetin grek deri në momentin e arrestimit dhe ekstradimit dy vjet më parë. Artur Gora rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një oficeri policie në Pojan të Korçës.

Mbledhja

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, Ministri i Drejtësisë Nasip Naço dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri janë takuar menjëherë pas ngjarjes mbrëmë në ambientet e Ministrisë së Brendshme. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme është ngritur një shtab pune me drejtuesit më të lartë të institucioneve ligjzbatuese në vend, që po koordinon të gjitha veprimet e policisë dhe agjencive të tjera shtetërore, për kapjen e këtyre personave. Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes pasi personat e arratisur janë të armatosur dhe të rrezikshëm. Në të njëjtën kohë MPB u kërkon të gjithë atyre që mund të kenë informacione lidhur me këta persona dhe vendndodhjen e tyre që të njoftojnë menjëherë komisariatet e policisë në numrin 129.

Të arratisurit

1. Admir Bahri Tafili, vitlindja 1975, lindur e banues në Shkodër;

2. Fran Pal Marashi, vitlindja 1978, lindur e banues në Shkodër;

3. Gëzim Gjergj Guri, vitlindja 1977, lindur e banues në Vaun e Dejës, Shkodër;

4. Gëzim Ndue Toma, vitlindja 1982, lindur e banues në Dibër;

5. Reiz Namik Haxhiraj, vitlindja 1971, lindur e banues në Selenicë të Vlorës;

6. Eduard Kujtim Lula, vitlindja 1982, lindur e banues në Përmet;

7. Artur Demir Gora, vitlindja 1969, lindur e banues në Pojan të Korçës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency