Statusi kandidat Holanda s’ka vendim. Qeveria: Presim “po” nga BE-ja. Bullgaria: Nuk ka arsye të shtyhet

0
120

Gëzim Saliu

Rama me ministrin bullgar: Qeveria, e angazhuar për arritjen e standardeve të BE-së

 

rama me ministrin bulgarShqipëria pret një përgjigje pozitive të Këshillit Evropian për statusin e vendit kandidat në fund të dhjetorit. Kështu deklaroi dje ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij bullgar, ku theksoi se vendimi i BE-së do të jetë politik dhe unik. Duke marrë për bazë skepticizmin e vazhdueshëm të Holandës, ministri theksoi se ky shtet ende nuk ka marrë një vendim për votën që do të japë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare të BE-së. “Jemi në kontakte të vazhdueshme me autoritetet holandeze. Jemi shumë të njohur me qëndrimin e Holandës, i cili nuk është një qëndrim thjesht ndaj Shqipërisë, por është një qëndrim konstant në procesin e zgjerimit, për sa i përket rreptësisë së ndershme me të cilën Holanda sheh zhvillimet në këtë proces. Lejomëni t’ju them që nga kontaktet e përditshme, nuk ka ende një vendim të qeverisë holandeze. Le ta themi troç, ne presim një vendim politik nga ana e vendeve anëtare të BE-së, një vendim i cili duhet të jetë unanim, në mënyrë që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat”, – tha Bushati.

Takimi

Por krahas skepticizmit të disa shteteve anëtare, Bullgaria beson se nuk ka asnjë arsye që Shqipërisë të mos i jepet statusi i vendit kandidat në dhjetorin e këtij viti. Sipas ministrit të Jashtëm bullgar, Kristian Vigenin, vendi e meriton të marrë statusin, kjo edhe si pasojë e përmbushjes së reformave të kërkuara nga Brukseli. “Bullgaria beson, që Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kërkesat apo standardet që janë kërkuar nga Komisioni Evropian për Shqipërinë e përveç kësaj, unë shoh me kënaqësi një qeveri shumë dinamike dhe shumë të përkushtuar, e cila po punon në mënyrë aktive për agjendën evropiane të vendit. Ne besojmë që nuk ka më kurrfarë arsyeje pse të shtyhet vendimi për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë,ndaj kjo është arsyeja pse unë kam bërë thirrje për këtë, por edhe që Bullgaria do të vazhdojë të punojë që pikërisht Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat në Këshillin e Ministrave të Jashtëm në Dhjetor të këtij viti”, – tha ai në konferencën e përbashkët me ministrin e Jashtëm Bushati, ku temë e diskutimit në takimin mes tyre ishte Korridori i Tetë dhe rëndësia e tij si një ndër projektet më madhore strategjike që ndërlidh të gjithë rajonin. Ndërkohë, shefi i diplomacisë bullgare garantoi mbështetjen për Shqipërinë edhe në takimin e zhvilluar me Kryeministrin Edi Rama, ku vlerësoi pozitivisht faktin që Shqipëria ka qeveri të qëndrueshme, me mbështetje të gjerë parlamentare. Në bisedën e zhvilluar mes tyre u vlerësuan gjithashtu marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe u shpreh gatishmëria për identifikimin e mundësive që zgjerojnë bashkëpunimin ekonomik dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve. Në këtë kontekst, Kryeministri e njohu ministrin Vigenin me avancimin e procesit të integrimit dhe angazhimin e plotë të qeverisë për arritjen e standardeve të kërkuara. Në 16 tetor, Komisioni Evropian në progres-raportin e vitit 2013 rekomandoi që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, me konsensusin e vazhdimit të reformave deri në dhjetor, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërkohë, vendimi përfundimtar për Shqipërinë do të merret në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare të BE-së, ku ndër vendet që cilësohen si skeptike dhe që nuk kanë marrë ende një vendim për votën që do të japin në mbledhjen e dhjetorit janë Holanda, Franca dhe Gjermania.

 

Ministrat raportojnë në Bruksel

Ekspertët evropianë: Shqipëria ta marrë statusin, shtysë për të ecur përpara në ekonomi dhe reforma

Në kuadër të vizitës në Bruksel, tre ministrat e kabinetit qeveritar, ajo e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha; ai i Brendshëm, Saimir Tahiri; dhe ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, raportuan dje për reformat dhe masat konkrete të ndërmarra deri tani për prioritetet e lëna nga progres-raporti i 16 tetorit. Në takimin e parë të zhvilluar me Sekretarin e Përgjithshëm Ekzekutiv të EEAS, Pierre Vimont, 3 ministrat shqiptarë informuan rreth masave të marra deri tani në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar si dhe angazhimeve të reformave në përgjithësi. Nga ana e tij, Vimont vlerësoi progresin e bërë dhe inkurajoi për vijimin e tij. “Ardhja e tre ministrave shqiptarë në Bruksel është një shenjë e mirë dhe përpjekjet tuaja na bëjnë optimistë për të ardhmen e Shqipërisë”. Më tej tre ministrat morën pjesë në paneli për Shqipërinë në European Policy Center, i drejtuar nga Joost Korte zv.DP për Zgjerimin, dhe Rjelic, drejtor i Zyrës së SWP në Bruksel. “Shqipëria ndihet pjesë e Evropës, prandaj publiku e sheh Bashkimin Evropian si të ardhmen. Reformat që ne po vëmë në zbatim, nuk i shohim si një dëshmi për BE-në, por mbi të gjitha ato i shërbejnë popullit shqiptar për të ecur përpara në rrugën e zhvillimit”, – theksuan ministrat në fjalën e tyre. Ndërkohë, pjesëmarrësit në panel shprehën mbështetjen e tyre që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit, kjo sipas edhe tyre me faktin se ky hap do të shërbejë si një shtysë për të ringritur ekonominë e vendit si edhe për te ecur përpara në fushën e reformave. “Ka dy arsye pse ne mbështesim statusin e vendit kandidat. Së pari, sepse janë plotësuar kushtet dhe, së dyti, statusi i kandidatit ndihmon vendin për të ecur përpara me reforma të rëndësishme për integrimin e vendit”, – tha srejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin, Jean Eric Paquet. Ndërkohë, kreu i Institutit Gjerman për Sigurinë dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtarë, Dusan Reljic, deklaroi se situata kritike ekonomike në Shqipëri dhe më gjerë në rajon kërkon që Bashkimi Evropian të mbështesë shpejt integrimin e Ballkanit dhe në rastin e Shqipërisë. “Shifrat për këtë vit për Shqipëri janë dramatike. Prodhimin kombëtar bruto në Shqipëri do të rritet këtë vit me 1,2%. Ky është prodhimi kombëtar bruto më i ulëti nga vitet e mëparshme, më keq se ai i viti 1997 kur ndodhën firmat piramidale. Gjithë rajoni është prekur nga situata e vështirë ekonomike. Meqë nuk ofrohet dot plan “Marshall” për Ballkanin, atëherë mund të bëhet një marrëveshje speciale midis institucioneve evropiane dhe financiare, përfshirë këtu autoritete bankare në mënyrë që bankat perëndimore mos të ikin nga Ballkani”, – u shpreh kreu i SWP.

 

Mbledhja e qeverisë

Vendimet, zgjidhet zv.ministri i Drejtësisë, hua 62 milionë euro me IBRD-në për ujin

Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për emërimin e Idlir Peçit në postin e zëvendës/ministrit të Drejtësisë. Po ashtu në mbledhjen e djeshme u miratuan edhe 3 vendime të tjera të rëndësishme, që lidhen me miratimin në parim të marrëveshjes së huasë me IBRD-në për financimin e projektit të investimit në sektorin e ujit, miratimin e marrëveshjes së grantit me BERZH për projektin e rrugëve rajonale dhe lokale dhe miratimin në parim, të memorandumit të ri të mirëkuptimit për kuadrin institucional të iniciativës për gatishmërinë dhe parandalimin e katastrofave për Evropën Juglindore. Sa i përket marrëveshjes me Bankën Botërore, në vendimin e qeverisë thuhej se,: “Projekti i Investimit në Sektorin e Ujit, që sipas kësaj marrëveshjeje do të financohet tërësisht nga Banka Botërore (IBRD), nëpërmjet një huaje në vlerën 62.500.000 euro, ka si objektiv përmirësimin e cilësisë së shërbimit në fushën e ujësjellësit dhe kanalizimeve të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizime Durrës (NUKD)”. Ndërkohë sa i përket miratimit të marrëveshjes së grantit me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në vendim nënvizohej: “Projekti i rrugëve rajonale dhe lokale synon rindërtimin e rreth 500 km rrugë rajonale dhe lokale dhe është pjesë e një programi të gjerë që ka ndërmarrë qeveria e Republikës së Shqipërisë me qëllim financimin e rehabilitimit të 1000 – 1500 km rrugë rajonale dhe lokale”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency