Bill Clinton Letër falënderimi Presidentit Bujar Nishani

0
139

Florenc Drizari

Pjesëmarrja juaj në Nismën Globale Clinton i jep punës sonë një domethënie të thellë dhe ne shpresojmë se ju do të vazhdoni të mbeteni i përfshirë, teksa përpiqemi për të ndihmuar sa më shumë njerëz që të përjetojnë historitë më të mira të jetës së tyre”

 

presidenti-nishani-nisma-globale-klinton1Ish-presidenti Bill Clinton i ka dërguar një letër falënderimi Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Në letër vlerësohet pjesëmarrja e kreut të shtetit shqiptar në “Takimin Vjetor të Nismës Globale Clinton 2013”. Në këtë takim të zhvilluar dy muaj më parë morën pjesë dyqind udhëheqës dhe shkencëtarë nga e gjithë bota, ku mes tyre edhe Presidenti Nishani. Fokusi kryesor i diskutimeve në këtë eveniment ishte gjetja e zgjidhjeve të qëndrueshme ndaj sfidave globale me të cilat përballen vende të ndryshme.

Në seancën plenare të hapjes ishin të pranishëm shumë krerë shtetesh dhe qeverish. E themeluar në vitin 2005 nga Presidenti Bill Clinton, Nisma Globale Clinton mbledh udhëheqës, personalitete shkencore, fitues të çmimit “Nobel” dhe përgjithësisht autoritete globale, për të krijuar dhe zbatuar zgjidhje inovative për sfidat më të rëndësishme me të cilat përballet bota sot.

Forcimi i rolit të gruas dhe lufta kundër evazionit fiskal ishin çështjet e trajtuara në sesionin e hapjes, të moderuar nga Presidenti Clinton.

LETRA E PLOTË E CLINTON-IT

“Shkëlqesia Juaj, Ju faleminderit shumë që morët pjesë në ‘Takimin Vjetor të Nismës Globale Clinton 2013’! Hillary, Chelsea dhe Unë ndihemi të nderuar që u bashkuat me ne duke na dhënë mbështetjen tuaj.

Takimi vjetor i sivjetshëm mblodhi më tepër se një mijë e dyqind udhëheqës dhe novatorë nga e gjithë bota, të apasionuar për të punuar për një ardhme më të mirë. Përgjatë tri ditëve, bashkësia e Nismës Globale Clinton shqyrtoi se si t’i mobilizojë partnerët dhe burimet nga të gjithë sektorët për të krijuar mundësi dhe për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme ndaj sfidave globale të ngutshme me të cilat përballemi. Këto përpjekje po ndryshojnë mënyrat se si ne i qasemi zgjidhjes së problemit, duke i mundësuar njerëzit për të vepruar në mënyrë më të efektshme dhe me një qëllim më të madh. Që nga viti 2005 anëtarët e Nismës Globale Clinton kanë dhënë afërsisht 2500 përkushtime – të cilat kur financohen e zbatohen plotësisht arrijnë vlerën e më shumë se 87.9 miliardë dollarëve, duke përmirësuar më tepër se 430 milionë jetë njerëzish. Hillary, Chelsea dhe unë kemi besim se duke punuar së bashku që t’i kapërcejmë këto sfida që ndajmë, do të mundemi të arrijmë rezultate më të larta se kurrë ndonjëherë më parë.

Pjesëmarrja juaj në Nismën Globale Clinton i jep punës sonë një domethënie të thellë dhe ne shpresojmë se ju do të vazhdoni të mbeteni i përfshirë teksa përpiqemi për të ndihmuar sa më shumë njerëz që të përjetojnë historitë më të mira të jetës së tyre”, – përfundon letra e ish-presidentit Clinton.

 

 

Presidenti dekreton: Petrit Çeno e Gjovalin Përnoca, anëtarë të Gjykatës së Lartë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekretoi një ditë më parë dy emra për Gjykatën e Lartë. Petrit Çeno dhe zotit Gjovalin Përnoca janë dy propozimet e kreut të shtetit për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Pak ditë më parë, Presidenti Nishani përmbylli takimet konsultative me të gjitha partitë parlamentare, për përcaktimin e kritereve konkrete të kandidatëve, në respekt të kërkesës kushtetuese për kualifikim të lartë, përbërje cilësore dhe të përshtatshme të Gjykatës së Lartë.

Në arsyetimin e dekretit për emërimin e zotit Petrit Çeno, Presidenca thekson se ka vlerësuar “përvojën dhe vjetërsinë në profesion të kandidatit Petrit Çeno, i cili vjen nga radhët e gjyqësorit me një eksperiencë mbi 21-vjeçare, nga të cilat për 6 vjet ka shërbyer si gjyqtar i Shkallës së Parë dhe 15 vjet si gjyqtar në Apel. Gjithashtu, u morën në konsideratë treguesit mbi performancën e tij si gjyqtar dhe qenien si drejtues gjykate, përkatësisht për 3 vjet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe për 5 vjet në Gjykatën e Apelit Durrës”.

Lidhur me dekretin tjetër, për emërimin e zotit Gjovalin Përnoca, si anëtar të Gjykatës së Lartë, Presidenca sqaron se “në përfundim të procesit të konsultimeve me krerët e grupeve parlamentare, ndërmjet konkurruesve u vlerësua përvoja dhe vjetërsia në profesion të kandidatit Gjovalin Përnoca, i cili vjen nga radhët e gjyqësorit me një eksperiencë mbi 21-vjeçare, nga të cilat për rreth 5 vjet ka shërbyer si gjyqtar në gjykatat e rretheve Mirditë dhe Shkodër, për rreth 4 vjet si inspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë si dhe për rreth 10 vjet gjyqtar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Gjithashtu, u mor në konsideratë performanca e tij si gjyqtar dhe qenia si drejtues gjykate, përkatësisht për rreth 5 vjet në gjykata të Shkallës së Parë dhe për mbi 8 vjet në gjykata Apeli. Për më tepër, zoti Përnoca gëzon dhe një eksperiencë 5-vjeçare si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.

 

 

 

 

105-vjetori i Kongresit të Gjuhës Shqipe, Berisha: Data më e shënuar e ekzistencës së kombit

Ish-kryeministri Berisha e quajti datën më të rëndësishme të ekzistencës së kombit shqiptar 105-vjetorin e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Në një koment të shpërndarë në rrjetin social “Facebook”, Berisha thotë se kjo datë është shpirti i vërtetë i identitetit tonë kombëtar.

“Sot është një nga datat më të shënuara në të gjithë ekzistencën e kombit tonë, 105-vjetori i alfabetit të gjuhës sonë, gjuhës më të bukur të planetit. Por, në të vërtetë, dita e alfabetit para së gjithash është festa e gjuhës sonë të bukur, si shpirti i vërtetë i identitetit tonë kombëtar, pra nderojmë gjuhën dhe shqiptarët e shekujve dhe mijëvjeçarëve që e sollën dhe e ruajtën gjuhën brez pas brezi si dëshmi e vullnetit mbinjerëzor të tyre për të lindur dhe vdekur shqiptar e që nuk pranuan kurrë ta zëvendësojnë me gjuhën e pushtuesve.

Natyrisht sot një nderim i madh i takon elitës se kombit tonë që u mblodh 105 vjet më parë në qytetin shqiptar të Manastirit, qytetarëve të këtij qyteti, që në Kongresin Kombëtar të Alfabetit, në një vendim historik zgjodhën si germa për fjalën shqipe germat “natyrale” të saj, germat e identitetit tonë perëndimor, ato germa me të cilat ishte shkruar në dokumentet dhe shkollat e para shqipe.

Një nderim i madh u takon këtë ditë edhe atyre misionarëve dhe martirëve të abc-së shqipe që sakrifikuan çdo gjë që gjuha të shkruhej me alfabetin e Manastirit në të katër anët e trojeve shqiptare. Gëzuar festën e gjuhës së bukur, germave të saj!! sb”, – ka shkruar Berisha në “Facebook”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency