Vendimi për armët kimike Ekspertët amerikanë: SHBA shpresonte tek “po”-ja e Shqipërisë, refuzimi një shans i humbur

0
126

 

Volker dhe Brzezinski: Vendimi i qeverisë nuk çon në çarje dypalëshe. Nuk mund të imponosh një çështje që nuk është gati për zgjidhje

 

ianIsh-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Kurt Volker, dhe ish-zëvendësndihmës-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ian Brzezinski, analizojnë vendimin e marrë nga qeveria shqiptare për armët kimike siriane si edhe vlerën që do të kishte një vendimi i kundërt. Dy ish-zyrtarët e lartë të SHBA-së theksuan për “Zërin e Amerikës” se qeveria amerikane kishte shpresa të forta se Shqipëria do të pranonte të ofronte burimet dhe territorin për shkatërrimin e armëve kimike. Ndërkohë, sipas tyre, refuzimi i demontimit të armëve kimike të Sirisë është një shans i humbur për Shqipërinë, por, nënvizuan ekspertët, që nuk ndikon në marrëdhëniet dypalëshe me SHBA-në.

Ekspertët

Sipas Ian Brzezinski, ekspert i sigurisë në Këshillin e Atlantikut, refuzimi i demontimit të armëve kimike siriane në Shqipëri ishte një shans i humbur për vendin. “Është një shans i humbur sepse një vend si Shqipëria nuk e ka çdo ditë rastin që të thellojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj në mënyrë të konsiderueshme me një vend si Shtetet e Bashkuara. Nëse do që të gëzosh më shumë fryte nga një marrëdhënie, duhet të kontribuosh më shumë”, – tha ai, duke shtuar se nuk mendon se vendimi i Shqipërisë do të dëmtojë marrëdhëniet dypalëshe. “Ne e vlerësojmë se sa pro-amerikan është ky vend. Ne i vlerësojmë kontributet e Shqipërisë në operacionet e NATO-s në gjithë botën. Pra, aspekti i sigurisë do të vazhdojë të jetë i fuqishëm. Bashkëpunimi ekonomik mund të zhvillohet edhe më tej”, – deklaroi ai. I të njëjtit mendim ishte edhe drejtor Ekzekutiv i Institutit McCain, Kurt Volker, i cili pohoi se nuk e sheh aspak si çarje në marrëdhëniet dypalëshe vendimin e marrë nga qeveria shqiptare. “Kjo nuk ka të bëjë fare me marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Çështja është se ç’të bëjmë me këto armë kimike. Ne të gjithë shpresonim që Shqipëria të ishte në një pozicion të tillë që ndihmonte me këtë problem dhe nëse nuk e bën dot, kjo nuk ka të bëjë me marrëdhënien mes dy vendeve”. Sipas tij, me një ndihmë ndërkombëtare, Shqipëria mund të kishte dhënë një kontribut serioz për çmontimin e tyre. “Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme të ndërmerrnin disa hapa për të mbështetur Shqipërinë në procesin e menaxhimit dhe shkatërrimit të këtyre armëve, përfshirë një element financiar, një përpjekje për ta ndihmuar Shqipërinë me çështje të tjera spastrimesh lëndësh të mbetura nga periudha e komunizmit”, – tha Volker. Nga ana tjetër, Brzezinski, pohoi se Shqipëria duhet ta kishte përdorur një proces të tillë për të forcuar pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare dhe në axhendën e hartuesve të politikane në qarqet më të larta në Uashington. Sipas tij, intensiteti i kontakteve të Uashingtonit me kryeministrin e Shqipërisë, përfshirë tre telefonatat nga Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, çështja e shkatërrimit të këtyre armëve ishte dhe është përparësi për administratën e Presidentit Obama. “Qeveria amerikane kishte shpresa të forta se Shqipëria do të pranonte të ofronte burimet dhe territorin për shkatërrimin e këtyre armëve. Pra jemi në situatën kur procesit, strategjisë për eliminimin e këtyre armëve u mungon një element shumë specifik dhe konkret: ku dhe si do të shkatërrohen ato. Pra pa dyshim që ky është një hap mbrapa në procesin për shkatërrimin e armëve kimike”, deklaroi Brzezinski. Po ashtu edhe Volker, nisur edhe nga përvoja e tij në Departamentin e Shtetit theksoi se Sekretari Kerry nuk mund të telefonojë çdo ministër të jashtëm apo kryeministër për çdo çështje të caktuar. “Kur Sekretari i Shtetit merr përsipër të angazhohet personalisht me një çështje që ai mendon se duhet zgjidhur, në këtë rast eliminimin e armëve kimike, atëherë ai do të bëjnë gjithçka që mendon se duhet bërë në përpjekje për ta çuar përpara një proces të tillë”. Ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit dhe ish-zyrtari i Departamentit të Mbrojtjes, hodhën poshtë perceptimin se Shqipërisë mund t’i ishte kërkuar ky bashkëpunim pasi Shtetet e Bashkuara kanë bërë shumë për shqiptarët historikisht, apo sepse është vend i dobët. Të dy ekspertët pohuar se gjithmonë ekziston një rrezik nga menaxhimi i armëve dhe lëndëve kimike, por sipas Brzezinskit: “Eliminimi i tyre është bërë në shumë raste më parë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shqiptarët duhet ta kishin dëgjuar një gjë të tillë”.

 

Protestat dhe konfidencialiteti

Kurt Volker – “Gjithmonë mund të kesh ide të ndryshme për mënyrën më të mirë për ta menaxhuar një çështje, por kur ke një situatë delikate dhe dëgjon reagimet e publikut që të bëjnë të mendosh se një alternativë e tillë nuk do të ishte shumë popullore, të duhet të përcaktosh si politikan se cili është vendimi i drejtë. Duke u nisur nga përvoja ime në Departamentin e Shtetit mund të them se nuk mund të imponosh një çështje që nuk është gati për zgjidhje… Pra, mënyra më e mirë do të ishte që të punohej me Kryeministrin për të diskutuar se cilat do të ishin çështjet shqetësuese, a do të kishte mënyra të tjera për të dhënë një mbështetje politike për të ndihmuar me këtë çështje, ose nga ana tjetër nëse duket se kjo nuk do të funksionojë, le të mos ta kthejmë në humbje, të mos ta kthejmë në diçka negative dhe të shohim për zgjidhje të tjera”.

Ian Brzezinki – “Mendoj se si qeveria amerikane, ashtu edhe qeveria shqiptare mund ta kishin menaxhuar më mirë këtë çështje. Është e qartë se bërja e njohur për publikun e kësaj çështjeje nuk u bë në mënyrën më të mirë. Provë për këtë është reagimi aq i ashpër dhe kundërshtimi i publikut. Çdo vend e menaxhon procesin demokratik ndryshe. Ajo që mund të analizohet është se si ia shpjegoi qeveria publikut se çfarë ishte propozuar dhe hapat që do të merrte për të bërë të mundur pranimin e marrëveshjes. Nuk e di se sa informacion i dha qeveria popullit të Shqipërisë për alternativat e menaxhimit të shkatërrimit të këtyre armëve në territorin shqiptar”.

 

Vendimi i qeverisë për armët kimike

Rama: Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në operacion

Një javë më parë, Kryeministri i vendit, Edi Rama, bëri të ditur përgjigjen negative të Shqipërisë sa i përket mundësisë së demontimit të armëve kimike të Sirisë në vend. Në një konferencë, thuajse për 28 minuta, kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në operacion. “Pamundësia për t’u përfshirë brenda afatit të përcaktuar, edhe të një a dy vendeve të tjera në zinxhirin e operacionit të shkatërrimit të armëve kimike. Nëse disa vende të tjera do të kishin përparuar në kohë për t’u bërë pjesë e operacionit, unë do të isha gati sot t’ju thosha ja plani ynë, ja marrëveshja me partnerët, ja sa pak do rrezikojmë dhe sa shumë do të fitojmë moralisht si komb, po edhe fizikisht si vend, duke u bërë pjesë dhe duke dalë nga kjo përpjekje jo e lehtë, por tërësisht e mundur, më të fortë dhe më të pastër Por fatkeqësisht, ky element kaq i rëndësishëm për ju, njësoj si për mua, sot mungon. Dhe prandaj, me besnikërinë e plotë ndaj Shqipërisë dhe respektin më të madh ndaj miqve e partnerëve tanë të pazëvendësueshëm, ata e kanë marrë vendimin tim e mësojeni tani edhe ju: Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion”, – bëri të ditur vendimin e qeverisë shqiptare Kryeministri Edi Rama.

 

 

Tre ministrat në Bruksel

Zbardhet axhenda, sot takime me komisioneren Malmstrom dhe përfaqësues të BE-së

Tre ministra të qeverisë shqiptare janë nisur dje drejt Brukselit në vizitën e tyre të fundit deri në muajin dhjetor, kur merret vendimi nga vendet anëtare të BE-së për statusin e Shqipërisë. Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha; ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri; dhe ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, do të raportojnë sot për reformat dhe progresin e shënuar pas marrjes së mandatit qeverisës si edhe për prioritetet e lëna nga progres-raporti i 16 tetorit. Në këtë vizitë, tre ministrat kanë planifikuar një sërë takimesh të rëndësishme, ku ditën e sotme nga ora 09:30 – 10:15 ata do të kenë një takim pune me sekretarin e Përgjithshëm Ekzekutiv të EEAS (European External Action Service), Pierre Vimont. Në vijim në orën 11:00 – 12:30 do të mbahet një panel për Shqipërinë në European Policy Center me prezencën e tre ministrave, i drejtuar nga Joost Korte zv.DP i DP për Zgjerimin, dhe Rjelic, drejtor i Zyrës së SWP në Bruksel. Ndërsa nga ora 13:00 –14:30 do të zhvillohet një takim pune me ambasadorët e BE-se, Komisionit Evropian dhe EEAS. Rreth orës 16:10 – 17:10 është planifikuar një takim pune me komisioneren për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom. Në mesin e muajit tetor, Komisioni Evropian në progres-raportin e vitit 2013 rekomandoi që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, me konsensusin e vazhdimit të reformave deri në dhjetor, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por pavarësisht rekomandimit të KE-së, i cili sigurisht është një hap i rëndësishëm në procesin e integrimit, vendimi përfundimtar për Shqipërinë do të merret në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare të BE-së. Ndër vendet që cilësohen si skeptike për Shqipërinë janë Holanda, Franca dhe Gjermania, të cilat nuk kanë marrë ende një vendim për votën që do të japin në mbledhjen e dhjetorit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency