Kancelarja Merkel, letër Bashës: Partneriteti me ju është i rëndësishëm

0
164

Florenc Drizari

 

 

Së bashku me miqtë tanë në Evropë dhe kudo në botë, ne do të bëjmë më të mirën për të garantuar paqen, sigurinë dhe prosperitetin e njerëzve dhe vendeve tona

 

basha0104Kancelarja gjermane Angela Merkel i dërgon letër kreut të PD-së, Lulzim Basha, duke shprehur angazhimin për një bashkëpunim në të ardhmen edhe në kuadër të Partive Popullore Evropiane. Në letrën e saj dërguar kreut të PD-së, Merkel, thotë se së bashku me partnerët evropian, të dyja vendet duhet të bëjnë më të mirën për të garantuar paqen, sigurinë dhe prosperitetin e qytetarëve. Letra e Kancelares Merkel vjen si përgjigje ndaj urimit që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i bëri asaj me rastin e fitores së zgjedhjeve në rreth dy muaj më parë. Zgjedhjet në Gjermani u bënë më datën 22 shtator dhe partia e Kancelares Merkel u mandatua për një mandat të tretë.

LETRA

“I dashur kryetar, Ju falënderoj për urimin me rastin e fitores së CDU, në zgjedhjet federale të 22 shtatorit 2013. Vlerësova shumë, fjalët tuaja të ngrohta. Qeveria e ardhshme do të përballet me sfida të mëdha, për sa i përket politikës së brendshme dhe asaj të jashtme. Së bashku me miqtë tanë në Evropë dhe kudo në botë, ne do të bëjmë më të mirën, për të garantuar paqen, sigurinë dhe prosperitetin e njerëzve dhe vendeve tona. Për këtë qëllim, unë shpresoj në mbështetjen tuaj dhe pres të vazhdojmë bashkëpunimin në të ardhmen, në kuadër të Partive Popullore Evropiane. Me respekt dr. Angela Merkel”, – mbyllet letra drejtuar kreut të PD-së, Lulzim Basha.

ZGJEDHJET NË GJERMANI

Pas zgjedhjeve të 22 shtatorit, Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, do të drejtojë vendin me një mandat të tretë historik. Merkel shënoi një triumf personal me fitoren e zgjedhjeve legjislative, ku Partia e saj Kristian-Demokrate (CDU) ka fituar rreth 42.5 për qind të votës në shkallë kombëtare. Sipas projeksioneve, aleati liberal i partisë CDU, Partia FDP, nuk mundi të siguronte 5 për qind të votave të nevojshme për përfaqësimin në parlamentin gjerman Bundestag për herë të parë në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë, ndërkohë që socialdemokratët e SPD-së morën rreth 26.3 për qind të votave. Ky është rezultati më i lartë që CDU ka arritur 20 vitet e fundit dhe më i lartë se Merkel arriti në zgjedhjet e 2009-ës.

Pas daljes së rezultateve të para, Merkel është shprehur: “Mund të festojmë, ia dolëm mbanë. Është një rezultat super. Nuk ka qenë një periudhë e lehtë dhe dua të falënderoj bashkëshortin që më ka qëndruar pranë. Do të bëjmë gjithçka që katër vitet e ardhshme të jenë të suksesshme, ashtu si të mëparshmit”, – kanë qenë fjalët e para të Merkelit.

Pas mandatimit për një periudhë të tretë qeverisje kristian-demokratët në Gjermani pritet të kenë përballë sfida të vështira edhe në kuadër të politikave të jashtme. Këtu përmendim daljen zyrtarisht nga kriza të Eurozonës disa javë më parë, por që sërish problemeve vazhdojnë me Greqinë dhe vende të tjera të cilat luhaten për të siguruar një ekonomi stabël që t’u bëjë ballë sfidave të Eurozonës. Për sa i përket raporteve mes Gjermanisë dhe Shqipërisë zyrtarë të lartë nga të dyja endet kanë siguruar një bashkëpunim të plotë, sidomos në fushën ekonomike. Aktualisht, Gjermania, sipas Ministrisë së Jashtme shqiptare, është një ndër mbështetësit e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

 

 

PD: Qeveria tregohet arrogante me personat me aftësi të kufizuara

“Personat me aftësi të kufizuara dhe të papunët që përfitojnë ndihmë ekonomike janë lënë në mëshirë të fatit nga kjo qeveri”. Kjo është deklarata e Partisë Demokratike, e cila nëpërmjet deputetes Jorida Tabaku, akuzoi qeverinë për paaftësinë dhe indiferencën e saj që tregon çdo ditë ndaj kësaj shtrese shoqërore dhe merret me sulmet ndaj opozitës.

Zonja Tabaku tha se qeveria gënjen kur sulmon opozitën lidhur me fondet që ka lënë qeveria paraardhëse për këto kategori. Por faktet e tregojnë, sipas saj, se deri më tani ka pasur papërgjegjshmëri totale në raport me personat në nevojë të cilët i përdorin vetëm kur i duhen për të bërë show-n e radhës mediatik.

“Kjo administratë gjeti më shumë se 4 milionë dollarë të destinuara për të kryer këto pagesa. Nevojiteshin vetëm 2 ose 3 milionë dollarë për të mbuluar këtë zë deri në fillim të vitit të ardhshëm.

Çfarë bëri qeveria?

Me rishikimin që i bëri buxhetit, me borxhin prej 220 milionë dollarë që mori, harroi të parashikonte një pjesë krejt të vogël të kësaj shumë për të verbrit, paraplegjikët, tetraplegjikët apo për të papunët.

Qeveria nuk harroi të akordonte fonde për shpenzimet e Kryeministrit, të ministrave, për udhëtime, dieta e rregullime zyrash.

Por i doli nga mendja të jepte nga 220 milionë dollarë, vetëm 3 milionë për personat me aftësi të kufizuar dhe të papunët.

Kjo është e vërteta, dhe ka të bëjë vetëm me papërgjegjshmërinë dhe arrogancën e kësaj qeverie.

Mungesa e ndjeshmërisë ndaj qytetarëve në nevojë nuk mbulohet dot me sulme të pabazë me gënjeshtra e me shpifje.

Mijëra familje presin sot ketë pagesë ndaj i kërkojmë qeverisë të marrë menjëherë masa”, – përfundon deklarata e zonjës Tabaku.

 

 

 

Reforma zgjedhore, opozita kërkon respektimin e konsensusit nga PS e LSI

Intensifikimi i takimeve të delegacionit të OSBE/ODIHR-it në Tiranë me disa nga aktorët e rëndësishëm në vend, hapur edhe një herë debatin e reformës zgjedhore. Pas zgjedhjeve të 23 qershorit, ekspertët e huaj vunë sërish theksin për një reformë të re zgjedhore. Një ditë më parë, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, kërkoi që mazhoranca të respektojë marrëveshjet e mëparshme, duke vënë theksin tek dialogu me opozitën dhe forca të tjera politike.

“Ne duhet të rikthejmë besimin e gjithë aktorëve që kjo reformë të jetë konsensuale. Sjelljet e deritanishme të mazhorancës vënën në pikëpyetje reformën e ardhshme që duhet të përfshijë të gjithë aktorët”, – tha dje Bylykbashi.

Një nga pikat e nxehta të këtij debati pritet të jetë edhe rikompozimi i KQZ-së. Deputeti Bylykbashi, i pyetur për propozimin që pak kohë më parë ministri për Marrëdhëniet për Parlamentin, Ilirian Celibashi kishte dhënë për KQZ me një anëtare është shprehur se “ka qenë Partia Socialiste, kur ishte në opozitë, që ka refuzuar këtë propozim”. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi, është shprehur po ashtu se, Kodi Zgjedhor deri më tani ka funksionuar, por ka munguar vullneti politik që ka sjellë pengesa. Ndërkaq, edhe deputeti tjetër i PD-së, Arben Ristani, ish-kryetar i KQZ-së, tha se administrimi zgjedhor është i bazuar tek çështjet e besimit. “Po të shohim raport e ODIHR-it, raporti numër një ka qenë ndërhyrjet politike tek administrimi zgjedhor”, – tha ai.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency