Aksident Garë me makina, vdesin 4 persona, 2 të plagosur

0
145

Anxhela Tato

 

Automjetet “Mercedes-Benz” dhe “Seat” po ecnin me shumë shpejtësi, duke parakaluar njëri-tjetrin

Policia: Nga përplasja është përfshirë në aksident edhe një makinë “Ford”

 

 

aksidentiShpejtësia tej normave të lejuara dhe adrenalina për garë u ka marrë jetën katër personave mesditën e djeshme. Aksidenti i rëndë rrugor është shënuar në segmentin Elbasan – Peqin, rreth orës 12:00 të mesditës së djeshme. Mësohet se katër persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë të plagosur, njëri prej të cilëve është në gjendje të rëndë. Nga ana e forcave të policisë bëhet me dije se fillimisht dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin, duke marrë përpara edhe një makinë të tretë. Siç bëhet me dije, aksidenti ka ndodhur në kryqëzimin e fshatin Gjoçaj në Peqin. Burime nga policia e Elbasanit kanë bërë të ditur se në këtë aksident tragjik janë përfshirë tri makina, me targa AA 638 DC, AA 576 GA dhe EL 2270 C. Forca të shumta kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë dhënë ndihmën e parë. Nga hetimet e deritanishme mendohet se shkak i këtij aksidenti të rëndë të ketë qenë parakalimi i gabuar i një prej mjeteve. Gjithashtu, nga hetimet e deritanishme mësohet se të tria mjetet kanë qenë me shpejtësi të lartë. Blutë kanë identifikuar viktimat: Gentian Lila, Besim Dupi, Xhevit Karaj dhe Besmir Beu. Deri më tani është bërë me dije se Besim Dupi, Gentian Lila dhe Xhevit Karaj kanë qenë në drejtim të dy automjeteve, ndërsa Besmir Beu mësohet se ka qenë pasagjer.

Ngjarja

“Policia e Elbasanit bën të ditur se në aksident kanë humbur jetën shtetasit Xhevit Karaj nga Kavaja, drejtues i mjetit tip “Seat”, me targa AA 638 D; Besim Dupi nga Elbasani, drejtuesi i mjetit tip “Mercedes-Benz”, me targa EL 22 70 C. Ndërkohë, shtetasi Besmir Beu, i cili udhëtonte si pasagjer në njërin prej mjeteve, ka gjetur vdekjen rrugës për në spital”, – thuhet në njoftimin e bluve. Pas marrjes së njoftimit, policia dhe tri autoambulanca kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, por pa mundur t’u vijnë në ndihmë tre drejtuesve të mjeteve, të cilët kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë, dy të plagosurit, të cilët udhëtonin si pasagjerë në këto mjete, janë dërguar në spital, nga ku bëhet e ditur se njeri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë. Sipas të dhënave të policisë, që po heton në lidhje me ngjarjen, dy automjetet “Mercedes-Benz” dhe “Seat” po ecnin paralel me shpejtësi përtej normave, gati në një garë mes tyre në parakalim. Përballë në kthesën për në Peqin, të dyja mjetet janë përplasur me një automjet tip “Ford”, i cili është shkatërruar plotësisht nga goditja, ndërsa dy mjetet e tjera janë dëmtuar rëndë me pasojë vdekjen e drejtuesve të mjetit. Ndërkohë, në pyetje janë marrë edhe dëshmitarë okularë, të cilët kanë rrëfyer se dy automjetet po ecnin shumë shpejt dhe gjatë gjithë kohës po tentonin të parakalonin. Ky vend është një pikë e zezë në gjithë segmentin me një numër shumë të madh aksidentesh dhe viktimash. Në këtë zonë nuk ka më as shenja në rrugë, as tabela rrugore dhe, me sa duket, as ndonjë polic rrugor që mund të ndalte këtë garë të çmendur drejt vdekjes. Ndërkaq, janë transportuar për në morgun e spitalit trupat e tre të vdekurve, të cilët do t’i nënshtrohen ekspertizës mjekoligjore, e cila do të ndihmojë blutë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

 

Papërgjegjshmëri në rrugë, 135 të arrestuar për 10 ditë

Ashpërsohen masat kundër shoferëve të papërgjegjshëm, të cilët janë në gjendje të dehur ose shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, duke u shndërruar në burim aksidentesh. Në një konferencë për shtyp, drejtuesi i Policisë Rrugore, Ervin Hoxha, publikoi masat e bluve brenda një periudhe prej 10 ditësh. Policia ka ndaluar 135 persona, të cilët udhëtonin në gjendje të dehur apo që udhëtonin pa patentë. Në këtë kontekst, Policia e Shtetit informon qytetarët se do të forcohen masat ndëshkuese ndaj të gjithë përdoruesve të rrugës, këtu duke përfshirë dhe këmbësorët për çdo shkelje në fushën e qarkullimi rrugor, nëpërmjet zbatimit të penaliteteve maksimale në përputhje të plotë me ligjin. Fokusi i kontrolleve dhe ndëshkimit do të jetë: Mospërdorimi i rripit të sigurimit; përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit; mospërdorimi i kaskave mbrojtëse për drejtuesit e motorëve; tejkalimi i normave të lejuara të shpejtësisë; mospërdorimi i pajisjeve të veçanta, siç janë pajisjet fiksuese dhe sediljet e pasme. “Policia Rrugore ka përfunduar ristrukturimin e plotë të saj, sipas strukturës së re të miratuar nga ministri i Brendshëm, për të qenë pranë qytetarëve dhe kontrolluar çdo hapësirë të rrjetit rrugor. Prej 10 ditësh shërbimet e policisë kanë forcuar masat kundër shkelësve të ligjit në fushën e qarkullimit rrugor, duke arrestuar në flagrancë të gjithë drejtuesit e automjeteve që kapen pa leje drejtimi apo nën ndikimin e alkoolit”, – thuhet në njoftimin për shtyp. Si rezultat i këtyre masave dhe kontrolleve të vazhdueshme të Policisë së Qarkullimit Rrugor, gjatë këtyre ditëve janë arrestuar gjithsej 135 persona, nga të cilët 27 persona të arrestuar për drejtim mjeti nën gjendje të dehur. 108 persona rezultojnë të arrestuar për drejtim mjeti pa patente. Nga kategoria e fundit, 52 persona janë drejtues autoveturash dhe 56 drejtues motorësh. Për të gjithë personat e arrestuar është përpiluar dokumentacioni përkatës, i cili i është dërguar organit të prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale. “Policia e Shtetit është e vendosur të vijojë punën e saj me këto masa shtrënguese, si një detyrim ligjor me qëllim disiplinimin e përdoruesve të rrugës dhe rritjen e sigurisë në rrugë, përfundon njoftimi.

 

Fier, rrëzohet nga karroca, vdes 36-vjeçarja

Një 36-vjeçare ka humbur jetën aksidentalisht ditën e djeshme në Fier. Sipas policisë, Silvana Dogani ka gjetur vdekjen, pasi karroca me të cilën po udhëtonte është përmbysur si pasojë e rrugës së keqe. Të njëjtat burime bëjnë me dije se viktima ishte duke e drejtuar vetë karrocën me kalë në momentin e aksidentit. Grupi hetimor shpjegon se shkak i aksidentit është bërë rruga e keqe, në të cilën po udhëtonte 36-vjeçarja. Mësohet se karroca është përmbysur dhe gruaja është rrëzuar duke marrë dëmtime të rëndë në trup. Ndonëse transportimit për në spital ku i është dhënë ndihma e parë, 36-vjeçarja Dogani ka humbur jetën. Ndërsa nga ana e bluve janë marrë në pyetje dëshmitarët dhe pritet ekspertiza mjekësore.

 

Elbasan, përplasen 3 automjete, plagoset 50-vjeçarja

Sërish aksident në zonën e Elbasanit, ku tri automjete janë përplasur me njëri-tjetrin. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Ibë, në kilometrin 16 të rrugës Tiranë – Elbasan. Nga aksidenti deri tani raportohet si e plagosur një grua 50 vjeçe, identiteti i së cilës nuk bëhet ende i ditur. Në ndihmë të tyre në vendngjarje ka mbërritur policia dhe zjarrfikësja, të cilët kanë nisur nga puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa dyshohet se shpejtësia tej normave mund të jetë shkaku i kësaj ngjarjeje. Nga ana e bluve, janë marrë në pyetje drejtuesit e automjeteve, ndërsa është transportuar për në spital e plagosur.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency