Tohir: I lumtur te Interi, Zaneti vazhdon me ne

0
141

Jurges Veizaj

Manjati indonezian ka bërë edhe prezantimin e parë me ekipin e Interit. Ai deklaroi se është i lumtur dhe se ikona Zaneti do të vazhdojë të qëndrojë në klub, edhe pasi të varë këpucët në gozhdë.

 

 

tohir-interPresidenti i ri i klubit italian të Interit, Tohir ka qenë i pranishëm për herë të parë në ambientet e klubi. Manjati indonezian e ka ndjekur për herë të parë Interin duke luajtur dhe deklaroi se ishte një ndeshje e bukur. Ai tha se pati një afeksion me tifozët dhe se kjo ishte një gjë e mrekullueshme. Gjithashtu bosi i ri deklaroi se ai foli me Huan Jezusin dhe Kambiason, dy nga lojtarët që nuk janë të mbledhur me kombëtaren. Kur drejtuesi i ri ka dalë nga ambientet e klubit, është përshëndetur në mënyre të veçantë nga tifozët, të cilët ishin mbledhur vetëm për t’i dhënë mirëseardhjen presidentit të klubit. Një nga tifozët i ka kërkuar që të marrë në skuadër lojtarin e Dortmundit, Marko Rojsh, po Tohir është limituar me vetëm një buzëqeshje. Ai deklaroi: “Po shkoj të shoh Interin. Kam fjetur dhe jam çuar rreth orës pesë. Shikoj diellin që po shkëlqen, është më tepër se një ditë e bukur”. Një përshkrim që duket që jep edhe përshtypjet e para se si ndihet indoneziani për klubin që tashmë mban mbi shpatulla. Gjithashtu Tohir është takuar edhe me Bedi Moratin, që është motra e presidentit të nderit, Morati. Më pas është takuar edhe me bashkëpunuesit e tjerë të klubit, duke bërë edhe kështu prezantimin e parë në aspektin formal. Anëtarët e tjerë të klubit e pritën në qendrën stërvitore të klubit “Appiano Gentile”, aty ku klubi u ndesh në një ndeshje miqësore kundër skuadrës së Kiasos, duke parë edhe kështu ndeshjen e parë të klubit që arriti që ta merrte pak kohë më parë. Indoneziani u përfol shumë kohë më parë që mund të vinte në krye të klubit, por u deshën disa kohë që më në fund Morati të dilte dhe të pranonte që ekipi kishte tashmë një president të ri. Ai u shpreh për “Inter channel” duke treguar edhe emocionet e para. “Është përcjellë me një sukses të madh kjo lëvizje në Indonezi. Një sërë përgjigjesh pozitive me kanë ardhur jo vetëm nga faqet në internet, por edhe nga mediat sociale”. Gjithashtu, gjatë kohës që po kalonte, presidenti u pyet edhe nëse ka mundësi që të vijë Mesi. Një pyetje që i bëhet nga çdo tifoz çdo skuadre. Mirëpo indoneziani nuk u tregua negativ, por i qetë tha që do ta bisedonte me drejtuesit. Një detyrë e vështirë dhe që nëse e kryen, do t’i jepte një status shumë të lartë jo vetëm Interit, por edhe presidentit të ri, i cili e ka për herë të parë që manovron në fushën e futbollit. Duhet të kujtojmë që më parë biznesmeni indonezian ka pasur në pronësi një klub të NBA-it. Ndërsa tashmë ka marrë në duar Interin dhe duket se ardhja e tij do të sjellë edhe një revolucion që pritet ta forcojë edhe më shumë klubin. Ekipi kishte kohë që vuante nga mungesa e fondeve të shumta, kjo edhe për shkak të krizës së përgjithshme. Mirëpo duket se gjithçka do të normalizohet dhe pritet që klubi të bëjë disa goditje që mund të ndihmojnë klubin në merkaton e janarit, por edhe atë për sezonin tjetër. Ai tha se Zaneti do të vazhdojë të jetë pjesë e Interit pas varjes në gozhdë të këpucëve. Çështja është se në ç’rol dhe kur do të ndodhë kjo? Mediat sportive italiane kanë nisur menjëherë hipotezat. Mes skenarëve të mundshëm është që Zaneti të mos rinovojë më kontratën si lojtar dhe në fund të këtij sezoni të ulet në karrigen e një drejtuesi teknik, ndërsa një tjetër e ul atë sërish në rolin e një drejtuesi teknik, por në mesin e 2015-ës, ndërsa vetë kapiteni ka shprehur dëshirën “për të qenë pjesë e familjes së madhe zikaltër”, edhe pas lënies së futbollit të luajtur dhe këtë jo në pozitën e trajnerit.

 

 

Platini: Botërori, me 40 skuadra

Drejtuesi i UEFA-s, Mishel Platini, është shprehur edhe një herë për idetë e reja mbi të cilat po punohet për kompeticionin e Kupës së Botës. “Ulja e numrit të përfaqësueseve evropiane përjashtohet. Më parë kishte 15, tani ka 13. Nuk do të ketë reduktim të mëtejshëm”, – tha Platini gjatë një konference në Moskë të Rusisë.

Francezi është dakord me idenë që botërorët e ardhshëm të zhvillohen me 40 ekipe, dhe jo 32, siç është zhvilluar dhe do të zhvillohet edhe në Brazil. Ideja është që të shtohen shtetet afrikane, që marrin pjesë, pasi ky kontinent ka 54 kombe dhe 5 vende në botëror. Një numër tepër i vogël për një kontinent të madh, që ka krijuar këto vitet e fundit disa skuadra mjaft interesante për t’u parë. “Duhet që Kupa e Botës të ketë 40 kombëtare pjesëmarrëse. Mund të shtojmë dy nga Afrika, dy nga Azia, një nga Oqeania dhe një nga Evropa. E mbështes plotësisht këtë ide”, – deklaroi Platini.

 

Prandeli: Italia ka ende punë

Trajneri i Italisë, Çezare Prandeli, deklaroi se ekipi i tij vuajti që të siguronte një barazim ndaj Gjermanisë në “Xhuzepe Meaca”. Mats Humels kaloi në epërsi mysafirët, ndërsa për italianët ishte Abate ai që barazoi rezultatin në një ndeshje shumë agresive me shumë duele të ashpra. “Për mendimin tim, ne luajtëm lojë të mirë. Ne kemi vuajtur pak me pasimet e tyre, pasi ata luajtën pa sulmues, kështu që ishte e vështirë që të arrinim golin e tyre. Goli gjerman erdhi nga një goditje këndi dhe prandaj ne duhet të përmirësohemi shumë. Ne kemi pasur superioritet në mesfushë dhe luajtëm një 20-minutësh shumë të mirë. Gjermania është prej ekipeve më të forta në botë. Nëse ne mendojmë se jemi më të mirët dhe mund të dominojmë Gjermaninë, atëherë jemi gabim”, – u shpreh Prandeli.

 

Bento: Në Suedi nuk mbrohemi

Trajneri i Portugalisë ka paralajmëruar se përkundër avantazhit, ekipi i tij nuk do të mbrohet në Suedi. Në ndeshjen e parë, Portugalia shënoi fitore minimale dhe përkundër këtij avantazhi minimal Bento nuk dëshiron të mbrohet në Suedi. “Ky është një play off dhe të dyja ekipet ishin të barabarta. Ne e kemi ditur se do të jetë e një ndeshje e balancuar. Tani ekipi po përgatitet për fitore në Suedi. Ne nuk do të shkojmë për të mbrojtur rezultatin. Patëm raste të mira. Suedia u përgjigj me një krosim dhe ai ishte rasti i tyre i vetëm për 90 minuta. Në pjesën e dytë kemi luajtur shumë më mirë kemi dominuar gjithë lojën. I përgëzoj lojtarët për lojën dhe karakterin e tyre”, – ka thënë Bento.

 

 

 

Vuçiniç provon mundësinë e fundit te Juventusi

Juventusi mendohet se po përgatit një ofertë të majme për kroatin e Bajernit të Mynihut, Mario Mandzukiç. Gjithashtu mendohet se italianët po mundohen të bëjnë mrekullinë duke bërë njëkohësisht edhe ofertë për Luis Suarezin. “Zonja e vjetër” është në treg për një sulmues të ri, kështu që mendohet se Mirko Vuçiniç pritet të largohet në fund të sezonit. E përditshmja “Tuttosport” pohon se synimi primar është Mandzukiçi, pasi edhe agjenti i tij është parë në stadiumin juventin në ndeshjen e Juventusit me Real Madridin. Çmimi i Mandzukiç është 20 milionë euro teksa nëse tratativat për të dështojnë Juventusi po mendon një super ofertë prej 45 milionë eurosh për Luis Suarezin, i cili është i gatshëm të largohet nga Liverpuli për një klub joanglez. Blerje këto që do ta bënin skuadrën e Kontes me një prej sulmeve më të frikshëm në europë. Mirëpo ardhja e këtyre vë në rrezik edhe ikjen e Tevezit apo dhe Lorentes. Dy blerje të këtij sezoni të cilët po paraqitën mjaft mirë, edhe pse është vetëm fillimi.

 

 

 

 

Fabio Kapelo drejt rinovimit me Rusinë

Tekniku italian Fabio Kapelo pritet që të nënshkruajë një kontratë të re me përfaqësuesen e Rusisë, të cilën do ta drejtojë deri në vitin 2018. 67-vjeçari mori drejtimin e rusëve në verën e vitit të kaluar dhe nëse nënshkruan kontratën e re do ta udhëheqë kombëtaren deri në Kampionatin Botëror 2018, që mbahet pikërisht në Rusi. Ministri rus i Sportit, Vitali Mutko, ka njoftuar se janë shumë pranë arritjes së marrëveshjes e cila do të finalizohet në javën që vjen. Ai deklaroi: “Mund të them se është arritur një marrëveshje bazë mes trajnerit dhe Federatës Ruse të Futbollit”. Nëse i hekurti Kapelo rinovon në Rusi, atëherë kombëtarja mund të jetë edhe skuadra e fundit që ai drejton.

 

 

Domingez: Ter Stegen, i denjë për Barcelonën

Spanjolli i Mynsheglabahut, Alvaro Domingez, ka hedhur poshtë zërat se gardiani Ter Stegen është tepër i ri për të zënë vendin e Viktor Valdesit te Barcelona. Valdes pritet që të largohet nga “Kamp Nou” në fund të këtij sezoni, ndërsa është spekuluar se portieri 21-vjeçar është më afër portës katalanase, por shumë zëra që dyshojnë në kualitetin e gjermanit, për shkak të mungesës së përvojës. Mirëpo shoku i tij i skuadrës i ka dalë në mbrojtje duke thënë: “Nuk ka gjëra të tilla si ‘shumë i ri’ kur je i mirë dhe Marku është shumë, shumë i mirë. Jam shumë i lumtur që luan për Gladbahun dhe shpresoj që të mbetet këtu. Ai mund t’i bashkohet Barcelonës kur të dojë në pesë vitet e ardhshme nëse luan në këtë mënyrë”, – ka thënë Domingez për të përditshmen gjermane “Bild”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency