La shtëpi e dyqan në bixhoz, dhunoi dhe përzë nga shtëpia gruan

0
170

Sonja Caka

Kërkesë padi në gjykatë: Më jepni katër fëmijët nën kujdestari, janë të traumatizuar

Gjykata pranon kërkesën, fëmijët e mitur dërgohen në strehzën e grave të dhunuara

 

ImagesBixhozi dhe “futja në gjak” e tij në një numër të madh personash në vendin tonë po sjell dita-ditës problematika të mëdha në familjet shqiptare, shpesh duke i çuar ato edhe drejt shkatërrimit. Ky ka qenë edhe shkaku që solli prishjen e një familjeje nga Kamza, e cila prej vitesh kishte zbritur aty nga një prej fshatrave të zonës veriore. Por, si të mos mjaftonte që burri la shtëpi e biznes në kazino, ai çdo ditë ushtronte dhunë fizike ndaj gruas së tij, aq sa një ditë të bukur gruaja fatkeqe e gjeti veten në mes të rrugës. Burri e përzuri nga shtëpia, ndërsa nuk e lejonte t’u afrohej katër fëmijëve të ardhur nga martesa e tyre disa vjeçare. Pas ndihmës së marrë prej policisë, duke e strehuar në një qendër të viktimave të dhunës, gruaja ju drejtua Gjykatës së Tiranës, duke kërkuar të marrë fëmijët në qendër, pasi ndihen të traumatizuar dhe dhunuar prej të atit, ndërsa kërkoi edhe lëshimin e mënjehershëm të urdhërit të mbrojtjes për të dhe fëmijët e saj. Gjykata e pranoi kërkesën, duke detyruar të paditurin të mos i afrohet jo vetëm gruas, por as fëmijëve të tij për 1 vit.

Seanca

Gjate hetimit gjyqësor rezultoi se i padituri Agim.V. është bashkëshorti i paditesës Mire V. Palet kanë 14 vite martesë dhe nga martesa kanë katër   fëmijë të moshave, tri vajza të moshave 13 vjeçe, 11 vjeçe e 8 vjeçe dhe një djalë të moshës 10 vjeç. Gruaja i shpjegoi gjyqtares se që në fillim të martesës kanë patur grindje  dhe mosmarrëveshje me të paditurin, por katër vitet e fundit gjendja ka agravuar, pasi i padituri ka shitur shtëpinë, dyqanin dhe çdo lloj pasurie që kanë patur. Shkaktar i kësaj  gjendje është  bërë i padituri i cili luan bixhoz. Në këto kushte, paditësja i është drejtuar  Komisariatit të Policisë nr. 5 Tiranë për të kërkuar urdhër mbrojtje pasi  është ndier e kërcënuar për jetën, për shkak të dhunës së përdorur nga i padituri, i cili në datë 11.09.2013 e ka nxjerrë forcërisht nga banesa duke e penguar që të marrë fëmijët me vete. Me vendimin e një muaji më parë, gjykata ka  vendosur lëshimin urdhërit të mbrojtjes vetëm për paditësen   duke urdhëruar Strehëzen Kombëtare për Gra dhe Vajza të Dhunuara Kamëz të bëjë strehimin e paditëses Mire V. Nisur nga fakti që fëmijët nuk janë të përfshirë në vendimin e urdhërit të mbrojtjes dhe në kushtet kur nëna  është penguar nga i padituri që të marrë fëmijët, nënës i lind e drejta që  në emër të tyre të kërkojë lëshimin e urdhërit të mbrojtjes për katër fëmijët, dhe të ushtrojë kujdestarinë prindërore për aq kohe sa vendimi të ketë fuqi ligjore. Paditësja shpjegoi në seancë gjyqësore se fëmijët ndihen të frikësuar, traumatizuar, pasi  pengohen nga i padituri të përmbushin vullnetin e tyre për të qëndruar me nënën.

Reagimi

Lidhur me pretendimet e të shoqes, ka reaguar edhe vetë i padituri. Ai u shpreh se nuk ishte dakord me padinë e grua së tij, ndërsa pranoi se shtëpinë dhe dyqanin i kishte humbur si rrjedhojë e  bixhozit. Në lidhje  me fëmijët, i padituri u shpreh se nuk ishte dakord që ata të jetonin me nënën  e tyre në strehëz pasi ai deklaroi se mund të përballonte rritjen dhe edukimin e tyre. Nga raporti i vlerësimit psiko-social, përgatitur nga grupi multidisiplinor pranë  Qendrës  Kombëtare  të Trajtimit të Viktimave të  Dhunës në Familje rezulton se në momentin  e akomodimit në qendër të paditëses, edhe fëmijëve  u janë afruar shërbime të ndryshme, si ushqim, strehim, si dhe fëmijët ndidhen të motivuar për ecurinë në shkollë dhe se kanë një raport  shumë afektiv me nënën e tyre. Nisur nga këto raporte, ku vërtetohet se burri ka ushtruar dhunë ndaj gruas, fëmijët ndihen të traumatizuar, gjykata vlerëson se babai nuk ka aftësinë të rrisë dhe edukojë fëmijët në këtë gjendje ku ndodhet.

 

Kërkesa
Vrasja e Mirit të Xhikes, për sjellje të mirë Tufës u ulen 3 muaj burg 
Lavdërim Tufa, i dënuar nga gjykata për vrasjen e Fatmir Ramës (Mirit të Xhikes), i ulen 3 muaj burg për sjellje të mirë. Me vendimin nr. 1723 , datë 30.11.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tirane, i pandehuri Lavdërim Tufa është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes ne rrethana te tjera cilesuese ” dhe në bazë të nenit  79 germa “dh” dhe “e”  dhe  25 të Kodit Penal, duke u dënuar përfundimisht me 20 vjet burg. Ai gjendet në burgun e Vaqarrit, ndërsa është hera e dytë që përfiton ulje të dënimit në masën 3 muaj. Sipas vendimit të gjykatës, i dënuari Lavdërim Tufa, sipas dinamikës së vuajtjes së dënimit, deri në datën 24.10.2013 ka kryer 9 vjet, 9 muaj e 2 ditë burg, fituar me paraburgim 4 vjet dhe 2 muaj, fituar me ulje dënimi 1 vit 3  muaj, gjithsej ka vuajtur 15 vjet, 2 muaj dhe 23 ditë dhe i kanë mbetur për të vuajtur edhe 4 vjet, 8 muaj e 7 ditë, kjo sipas llogaritjes së datës 24.10.2013. Sipas vlerësimit të sjelljes së këtij të dënuari rezulton se ka sjellje shumë të mirë, si me personelin e burgut, ashtu dhe me bashkëvuajtesit e tjerë. Gjithashtu, ka përfituar disa herë leje shpërblyese dhe nuk ka marrë masa disiplinore, ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me familjen dhe ka pohuar marrëdhenie shumë të mira me ta. Është i punësuar në organikën e punës për të dënuarit dhe aktivizohet në të gjitha aktivitetet që organizon institucioni. Nisur nga këto vlerësime, Gjykata  çmon në vendimin e saj se i dënuari Lavdërim Tufa plotëson  kriteret dhe kërkesat  e Nenit 63, të Ligjit  8328, date 16.04.1998  dhe se paraqet aftësi riintegruese në shoqëri. Për këtë arsye përfiton uljen e 3 muajve nga dënimi i mbetur.

Tiranë
Gjykata vendos ekstradimin në Gjermani të maqedonasit Gjini
Gjykata e Tiranës ka vendosur të pranojë kërkesën e autoriteteve gjermane për ekstradimin drejt këtij shteti të shqiptaro-maqedonasit Zija Gjini, i dënuar për lëndë nharkotike. Shtetas maqedonas, i shpallur në kërkim ndërkomëbtar është arrestuar në pikën kufitare të Morinit. Zija Gjini, 43 vjeç nga Maqedonia, me banim në Ferizaj të Kosovës, kërkohej ndërkombëtarisht nga shteti maqedonas për vjedhje me dhunë dhe shteti gjerman për lëndë narkotike. Gjyqtari Gerd Hoxha vendosi të lejojë ekstradimin nga Republika e Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë të shtetasit kosovar Zija Xhini (Dziaj Xhini), i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, parashikuar nga paragrafët 29 e 53 të Ligjit Penal kundër drogës, të Republikës Federale të Gjermanisë.

Gjykatë
Vendimi, revokohet dënimi me kusht për Alban Rexhën
Gjykata e Tiranës vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë së Tiranës, e cila kërkonte të revokohej dënimi me kusht për të dënuarin Alban Rexha. Në vendimin e saj gjykata deklaron pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Rrethit Gjyqesor Tiranë për revokimi e vendimit të pezullimit të dënimit me burgim dhënë me vendimin Nr. 765, dt. 10.05.2011, të Gjykates së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndaj të dënuarit Alban Rexha, duke e kthyer atë sërish në burg. Për këtë vendim u thirr dhe u vu në dijeni edhe Shërbimi i Provës, ndërsa Rexhës do t’i duhet të kthehet në qelitë e burgut për të vuajtur dënimin e mbetur.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency