Florenc Drizari
Fitorja e sotme është një atribut i mbarë popullit e në veçanti i rinisë shqiptare, por beteja me papërgjegjshmërinë, paligjshmërinë dhe arrogancën e pushtetit vazhdon në qindra fronte të vogla e të mëdha brenda shtëpisë sonë të përbashkët”.
Pak minuta pas përfundimit të fjalimit të Kryeministrit lidhur me çështjen e armëve kimike, reagoi edhe kreu i opozitës, duke e quajtur një fitore të rinisë shqiptare dhe shoqërisë së lirë tërheqjen e vendimi i mundshëm për të demontuar armë kimike siriane në Shqipëri. Kryetari i Partisë Demokratike e quajti një “jo të mekur” pamundësinë që, sipas z. Rama, ndodhet Shqipëria për t’u bërë pjesë e një operacioni të tillë.
Basha tha se opozita do të vazhdojë të kërkojë llogaridhënien ndaj mazhorancës dhe Kryeministrit, lidhur me transparencën e kësaj çështjeje dhe dëmtimin e mundshëm të imazhit të Shqipërisë në raport me aleatët amerikanë dhe evropianë.
“Partia Demokratike thekson se Kryeministri gënjeshtar duhet të marrë përgjegjësinë e plotë të papërgjegjshmërisë së tij.
Partia Demokratike do të vazhdojë të kërkojë transparencë për gjithë këtë histori. Si nisi dhe si u fry mashtrimi i Kryeministrit që u kushtoi ditë e net të tëra ankthi shqiptarëve, që ndikoi keqazi në dëmtimin e imazhit të vendit tonë, që vuri në pozitat më të papërgjegjshme vendin tonë karshi aleatëve tanë strategjikë.
Fitorja e sotme është një atribut i mbarë popullit e në veçanti i rinisë shqiptare, por beteja me papërgjegjshmërinë, paligjshmërinë dhe arrogancën e pushtetit vazhdon në qindra fronte të vogla e të mëdha brenda shtëpisë sonë të përbashkët. Për ta dhe me ta, ne do të vazhdojmë këtë betejë në çdo hapësirë institucionale, ligjore dhe qytetare. Për ta dhe me ta, do ta fitojmë”, – deklaroi Basha.
Kreu i opozitës tha se busulla e PD-së ka qenë dhe është Shqipëria euroatlantike, Shqipëria evropiane, në miqësi të ngushtë e të pandashme me aleatin strategjik, SHBA-në.
“Kjo është dhe do të mbetet e pandryshueshme jo vetëm se ky është vizioni ynë, por edhe sepse është vullneti i shumicës dërrmuese të popullit shqiptar që nga viti 1990 e këndej.
Çdo spekulim në këtë aspekt pritet me keqardhje dhe përçmim nga ana jonë.
Partia Demokratike thekson se Kryeministri gënjeshtar duhet të marrë përgjegjësinë e plotë të papërgjegjshmërisë së tij”, – tha Basha.
Sipas kreut të demokratëve, Edi Rama u ofrua për çështjen e armëve kimike, jo si Kryeministri serioz i një vendi serioz i angazhuar të kontribuojë, por si pazarxhi për interesa dhe përfitime meskine të vetat.
Në fjalën e tij, Basha ritheksoi disa herë mirënjohjen ndaj të rinjve shqiptar që protestuan në shesh dhe tha se pas kësaj çështjeje, problemi mbetet sërish Edi Rama. “Si kryetar i Partisë Demokratike dhe opozitës së vendit, por edhe si qytetar e si prind, u shpreh mirënjohjen, falënderimin dhe admirimin tim gjithë të rinjve e të rejave, gjithë qytetarëve shqiptarë që u bënë barrikadë e pakapërcyeshme e aventurës, e ëndrrës së keqe të Kryeministrit me armët kimike.
Një problem i madh u zgjidh sot, por një problem tjetër i madh ka dalë tani në dritë të diellit për gjithë shqiptarët. Ky është problemi “Edi Rama”, – nënvizoi kreu i opozitës.
Më herët Partia Demokratike kishte kërkuar edhe mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme me Kryeministrin Rama, për çështjen e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri.
Armët kimike, PD kërkoi seancë të jashtëzakonshme në Kuvend
Partia Demokratike kërkoi një ditë më parë një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për çështjen e armëve kimike, me pretendimin se qeveria nuk po u jep asnjë informacion qytetarëve që janë të shqetësuar për mundësinë e shkatërrimit të tyre në territorin tonë. Kërkesa e PD-së u bë disa orë para se Kryeministri Rama të dilte para qytetarëve shqiptare dhe të sqaronte pozicionin e qeverisë në lidhje me këtë çështje. Pas një fjalimi që zgjati rreth gjysmë ore, Kryeministri në fund të fjalës së tij deklaroi prerë se Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në operacionin e demontimit të armëve kimike.
Ndërkaq, më herët, Partia Demokratike ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për referendum për shkatërrimin ose jo të armëve kimike në Shqipëri, si dhe mocion për debat me Kryeministrin Edi Rama.
Nëpërmjet kërkesës për referendum PD i kërkon Parlamentit të mblidhet në mënyrë të menjëhershme dhe të miratojë një rezolutë duke i kërkuar qeverisë të mos marrë asnjë vendim të vetëm derisa populli sovran të shprehet në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë për lejimin ose jo të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri”.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, mblodhi dy herë dje grupin parlamentar, i cili vendosi për referendum dhe mocion debati me Kryeministrin Edi Rama për armët kimike. Në një qëndrim të prerë kundër demontimit të armëve kimike siriane në vendin tonë, kreu i PD-së, Lulzim Basha, apeloi që Kryeministri Rama t’u japë përgjigje zyrtare qytetarëve që vazhdojnë të protestojnë në rrugët dhe sheshet e vendit. Dy ditë më parë deputetët e opozitës bllokuan edhe foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, duke kërkuar praninë e Kryeministrit Rama në Parlament. Por, sipas Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, prania e Ramës në sallë ishte e pamundur për faktin se ai ndodhej për një vizitë zyrtare në Mal të Zi.