A jemi proamerikanë?!

0
169

 

Ermal Shehu

 

Debati dhe protestat ditëve të fundit për demontimin e armëve kimike siriane në Shqipëri kanë ndezur edhe një debat tjetër po aq të madh dhe jetik për vendin tonë: jemi ose jo ne shqiptarët popull aq proamerikan apo krijohet në Shqipëri një ndjenjë antiamerikanizmi?!

Është fakt se shqiptarët janë popull proamerikan dhe kjo është treguar qartë në momente të caktuara të historisë sonë. Në 1919, Presidenti amerikan Wilson denoncoi publikisht padrejtësitë që po i bëheshin Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. Për 50 vjet rresht u mundua sistemi diktatorial t’u çrrënjoste shqiptarëve ndjenjat proamerikane. Mundime këto që rezultuan se ishin të kota, kur në Tiranë në vitet ‘90 u prit në një mënyrë madhështore popullorisht Sekretari amerikan i Shtetit Beker, për t’i treguar botës dhe Amerikës se ndjenjat shqiptare për këtë të fundit, nuk ishin shuar edhe pas një terrori të stërzgjatur fizik e psikologjik në kohë. Padyshim që Shqipëria nuk do të harronte t’ia dinte për nder shtetit më të fuqishëm në botë, mentor për të, kur ndërhyrja e saj vendimtare në Kosovë do të bënte që kombit shqiptar t’i rikthehej drejtësia e munguar dhe t’u jepej fund vuajtjeve të tyre për më shumë se një shekull. Dhe këtë mirënjohje, si një nga vlerat tona më të vyera si komb, do t’ia tregonim pa kursim Presidentit amerikan Bush, i cili kur vizitoi vendin tonë shprehu se për herë të parë në një vend të huaj, do të ndihej më mirë se në shtëpinë e tij dhe në këtë ekzaltim të tijin personal theu çdo lloj protokolli sigurie për personalitetin e tij. Në realitet të gjitha këto fakte janë thënë e stërthënë edhe më parë, por situata e sotme në Shqipëri mendoj se duhet të na shtyjë të mos i harrojmë ato kurrë.

Shumë zëra popullorë e publikë, ndoshta me të drejtë, e kanë vënë në dyshim këtë miqësi. Kjo, për shkak të hijeve dhe territ informativ që qeveria shqiptare po i servir popullit, duke dashur në një mënyrë djallëzore t’ia kalojë përgjegjësinë e saj për gjendjen SHBA-së, si gjoja një detyrim i cili na buron nga të mirat e përfituara nga ajo deri më sot. Në mënyrë absolute kombi shqiptar nuk duhet të bjerë në këto kurthe, të politikave diplomatike të trasha që po bën një qeveri partizanësh. Kjo nuk duhet të ndodhi, sepse Shqipëria dhe shqiptarët, para se gjithash duhet të binden se nëse Amerika na do të keqen duke na kthyer një kosh plehrash, siç shumëkush këto ditë mund të jetë shprehur, nuk kishte pse t’u ngjallte dashurinë shqiptarëve ndër shekuj me gjithë të mirat që ka bërë pa pasur për veten e saj ndonjë përfitim konkret. Përveçse gjeopolitikës dhe interesave të saj për rajonin, të cilat duhet t’i konsiderojmë se për ne si komb kanë rezultuar të jenë pozitive. Më shumë sesa një kërkesë zyrtare e SHBA-së, kjo histori duket si e një dalëzotësie nga ana e qeverisë sonë ose në rastin më të keq si një skenar mafioz i një bande që sot ka veshur petkun e pushtetit në Shqipëri. Kjo qeveri ndihet sot e kapur në darë nga dy anë. Nga njëra anë protestat popullore, të cilat skenaristët e ngjarjes, siç duket nuk i kishin menduar të ishin masive në këtë pikë. Dhe nga ana tjetër i del para syve shkërmoqja e diplomacisë së saj dalëzotëse për çështje delikate botërore. Është e qartë se nëse SHBA-ja do të projektonte këtë proces për Shqipërinë, nuk do ta bënin atë në këtë mënyrë të fshehtë, por do t’ia paraqisnin qeverisë sonë si një projekt madhor, transparent, fitimprurës dhe do të tregonin vlerat e tyre të pamohuara si shtet serioz, me një rol rregullator për garantimin e demokracive, i cili është edhe një nga misionet e tyre në botë. Por mbi të gjitha, nuk do të binte ndesh me interesat dhe për më keq me irritimin e shqiptarëve. Irritim ky që nuk do ta besoja të ishte komod për SHBA-në. Në asnjë mënyrë nuk duhet të protestojmë kundër SHBA-së, pasi nga Departamenti i Shtetit të tyre nuk kemi asnjë deklaratë zyrtare lidhur me çështjen, por as të ndalojmë protestat për të drejtat tona, me frikën se mos SHBA ndryshon politikat e saj me vendin tonë. Kjo do të ishte shumë dritëshkurtësi nga ana e tyre, për aq sa të suksesshëm janë ata në botë me politikën e tyre të jashtme dhe për mënyrën se si SHBA krijon marrëdhëniet me shtete të cilat ajo i cilëson si aleate të politikave të saj. Për më tepër, kur ky pazar kundërmon edhe më shumë aromën e tij sarinike, kur konfuzioni i Kryeministrit, përveç heshtjes, shkon edhe në deklaratat e tij, të cilat përgënjeshtrohen nga zëdhënësja e NATO-s, e cila pohon se kjo “aferë” nuk është çështje e tyre. Nuk ka arsye pse t’i vishet SHBA-së dështimi i hershëm i kësaj qeverie, e cila me aktet e këtyre muajve ka shënuar një rekord në konfuzimin e mendjeve të shqiptareve, që jo më larg se 2 muaj më parë e votuan në “shumicë” dhe tani, si në asnjë rast më parë, po dalin shesheve kundër vendimeve të marra nga ajo në kurriz të popullit. Së fundi, për çdo të keqe në vendin tonë, ne si shqiptarë nuk duhet ta kërkojmë patjetër gjetiu, sepse kjo mënyrë të arsyetuari nuk bën gjë tjetër veçse u zgjat politikanëve të paaftë jetën në karriget komode të pushtetit, me anë të të cilave janë mësuar ndër vite t’i shmangen detyrimit të llogaridhënies ndaj popullit, për gafat politike që shpeshherë kanë rezultuar të jenë fatale. Fatalitet, i cili nëse do të ndodhë këtë radhë, përveçse do të na bëjë që të humbim një mik të madh të Shqipërisë për sa kohë kjo qeveri do të ekzistojë si e tillë, por mund të rezultojë i tillë edhe për jetën e shqiptarëve dhe ekzistencën si vend me integritet territorial. Përballë këtyre fateve të errëta që vijnë rrotull, shqiptarët dhe Zoti qofshin me Shqipërinë!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency