Rud Gulit, “tulipani i zi” që mahniti Evropën

0
186

Holandezi mbahet mend në periudhën e magjishme që kaloi te Milani dhe te Holanda. Holandezi ishte ndër lojtarët e vetëm, i cili në atë periudhë arriti të konkurronte argjentinasin Maradona, që në atë kohë luante te Napoli.

 

VOETBAL:RUUD GULLIT Ruud Gullit scoort bij WK'90 tegen Ierland..Në periudhën kur luante, holandezi ishte ndër lojtarët e vetëm që mund të konkurronte Maradonën e magjishëm. Të gjithë e mbajmë mend Milanin e famshëm me treshen holandeze. Një ndër protagonistët ishte dhe i madhi Rud Gulit. Bashkë me Van Bastenin në sulm ata arritën që të mposhtnin dhe të frikësonin skuadrat më të më mëdha të asaj kohe. Partneriteti i tyre nuk ishte vetëm në skuadër, por edhe në kombëtare, duke arritur që të fitonin edhe një evropian, por sulmuesi holandez krijoi një partneritet të jashtëzakonshëm edhe me shokun e tij të skuadrës, si te skuadra e Milanit, ashtu edhe në kombëtaren holandeze, Frank Rijkard. Ka qenë pa dyshim një ndër lojtarët më të dashur të historisë kuqezi të viteve ‘80-‘90, që drejtohej atëherë nga trajneri i madhe Arrigo Saki.

 

Fillimi i karrierës

Rud Gulit lindi në Holandë më 11 shtator të vitit 1962. Që në moshë të vogël, kur ishte vetëm 16 vjeç, ai bëri një provim për t’u anëtarësuar në radhët e skuadrës së Ajaksit, por që rezultoi pa sukses. Një vit më vonë ai debutoi në skuadrat e amatorëve të Holandës, si ajo Mer Bois dhe më pas në Des. Pak kohë më vonë ai arrin më në fund te profesionistët në skuadrën Harlem në sezonin 1979-80, ku qëndron tri sezone me përkatësisht 91 prezenca dhe 32 gola, para se të kalonte në skuadrën Fejnord, me të cilën nga viti 1982 në 1985 luan edhe tri sezone të tjera dhe duke koleksionuar 85 prezenca dhe 30 gola në kampionatin “Eredivise” holandez, duke fituar një kampionat dhe një Kupë të Holandës në vitin 1984. Rud Gulit bën pjesë në PSV Eindhoven në vitin 1985-86. Në dy sezone imponohet në skenën ndërkombëtare me 68 ndeshje dhe 46 gola në kampionat, duke fituar 2 tituj kombëtarë dhe duke marrë pjesë në kombëtaren holandeze. Në vitin 1986, ai luan me skuadrën e Eindhovenit për “Trofeun Gamper” në Barcelonë, në të cilin merr pjesë edhe Milani, në atë kohë i blerë nga Silvio Berluskoni. I njëjti president kuqezi, arrin ta blejë Gulit në verën e vitit 1987, duke u bërë menjëherë ylli i skuadrës së stërvitur nga Arrigo Saki. Gulit koleksionoi 29 prezenca dhe 9 gola në sezonin e tij të parë te skuadra kuqezi, duke e çuar atë në kampionatin numër 11 pas ardhjes entuziaste te Napoli të Diego Armando Maradonës. Në të njëjtin vit, ai fiton Topin e Artë si lojtari më i mirë i Evropës për lojën e tij me PSV Eindhoven dhe më pas me Milanin. Në vitin 1988 Gulit fitoi Kampionatin Evropian që u luajt në Gjermani, duke e çuar Holandën në bashkëpunim me shokët e tij të skuadrës së Milanit, Marko van Basten dhe Franklin Rijkard në fitore në finale me ish-BS me rezultatin 2-0. Ai luajti më pas edhe gjashtë sezone të tjera në skuadrën kuqezi, të shoqëruara nga suksese të panumërta, por edhe nga ndonjë fatkeqësi e rëndë, siç ndodhi në sezonin 1989-90, kur mbeti jashtë pothuajse gjatë gjithë sezonit për një problem në gju. Ai kaloi nga triumfet e skuadrës së Sakit, me të cilin koleksionoi 2 Kupa radhazi të Kampioneve (1988-89 dhe 1989-90), 2 Kupa Ndërkontinentale (1989-90 dhe 1990-91), 2 Superkupa Evrope (1989 dhe 1990) dhe 1 Superkupë të Italisë (1989), tek ato të kursit të ri të Fabio Kapelos, duke marrë pjesë në pankinën kuqezi në vitin 1991-92. Gulit fitoi dy kampionatet e para kuqezi në vitet 1991-92 dhe 1992-93, përveç një 1 Superkupe të Italisë në vitin 1992, para se të kalonte te skuadra e Sampdorias në vitin 1993-94. Ai kthehet te skuadra e Milanit sezonin pasardhës 1994-95, pikërisht në kohë për të fituar për të disatën herë Superkupën e Italisë kundër Sampdorias. Raporti me trajnerin Kapelo është shumë i mirë dhe Gulit arriti në atë kohë të kishte 8 prezenca dhe 3 gola në skuadrën kuqezi, para se të kalonte në mënyrë përfundimtare te Sampdoria në nëntor të vitit 1994, me të cilën në fund të sezonit kishte koleksionuar 29 prezenca dhe 9 gola. Ndërkohë, nuk pranoi të merrte pjesë në Kampionatin Botëror të futbollit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin ’94 me kombëtaren e tij, nga e cila pak kohë më pas njofton largimin. Pas eksperiencës italiane ai u transferua në Angli te Çelsi i Londrës, në të njëjtën kohë ndryshoi pak rrezen e veprimit, duke luajtur si mbrojtës i qendrës (rol që bënte në fillim të karrierës). Pas një sezoni të parë si lojtar, në vitin 1996-97 zëvendësoi Glen Hodëllin në pankinën e londinezëve, duke bërë punën e dyfishtë të trajnerit dhe lojtarit dhe duke i çuar “blutë” në fitoren e Kupës së Anglisë, duke u bërë trajneri më i ri që ka fituar një trofe të tillë.

 

Kalimi në profesionin e trajnerit

Pas vitit të parë ndërmjet pankinës dhe fushës së Çelsit, Gulit nuk u vlerësua sa duhej sezonin e ardhshëm 1997-98 dhe u zëvendësua nga Xhanluka Viali, vit në të cilin luajti vetëm 6 ndeshje përpara se të varte përfundimisht këpucët në gozhdë, në moshën 36-vjeçare dhe t’i dedikohej plotësisht karrierës si trajner. Vendos kështu të pranojë propozimin e një tjetër skuadre angleze, asaj së Njukastëllit, me të cilën fillon sezonin 1998-99, por koleksionon vetëm 1 pikë në 5 garat e para të kampionatit dhe jep shumë shpejt dorëheqjen. Pas një periudhe pa impenjim të mirëfilltë, ai u zgjodh në vitin 2003 nga Federata Holandeze si seleksionues për kombëtaren nën moshën 19-vjeçare, deri në korrik të vitit 2004. Nga sezoni i ardhshëm bëri punën e trajnerit të Fejnordit, ish-klubit të tij si lojtar, para së t’ia linte pankinën Ervin Koemanit. Më pas ishte në pritje të një pune të re dhe kreu në mënyrë të përkohshme aktivitetin e komentatorit televiziv për televizionin holandez.

 

Lojtari që binte gjithmonë në sy

Menjëherë binte në sy dhe dallohej ndër lojtarët e tjerë si një personazh i rrallë dhe i pazakontë me flokë të gjatë me rrica alla Bob Marley, me një buzëqeshje të stampuar, me një disponibilitet ekstrem, me komente ironike dhe aspak dramatike, me të vërtetë pak të zakonshme, në një ambient si ai i futbollit italian, ndonjëherë shumë serioz. Gulit nuk ishte zhgënjyes dhe luajti një sezon entuziazmues duke pasur 29 prezenca dhe 9 gola, si një ndër lojtarët kyç të skuadrës së Milanit të stërvitur nga Saki. Qendërsulmues teknikisht shumë i lavdëruar, potent në fizik dhe në vrap, i pandalshëm kur me topin në këmbë shkonte drejt mbrojtjeve të kundërshtarëve, ai posedonte edhe një personalitet të spikatur, në gjendje që të mbante skuadrën e bashkuar dhe ta udhëhiqte, madje edhe në momente në vështira. Viti i tij i parë në Itali përfundoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Milani fitoi kampionatin pas një dueli apasionant me Napolin e Maradonës.

 

Rud Gulit te Milani dhe suksesi në Evropë

Në vitin 1988, ofrohen kënaqësi të tjera për “tulipanin e zi” në Kampionatin Evropian. Kombëtarja holandeze kualifikohet për finale kundër ish-BS-së. Gulit, si protagonist tashmë i madh i turneut, vë firmën e tij në takimin vendimtar. Ishte minuta e 33-të kur Van Basten i jep në fushë një top në lartësi. Goditja e tij me kokë ishte vendimtare dhe nuk i jep mundësi devijimi Dasajevit. Është goli që, së bashku me atë pasardhës të kryer nga Van Basteni, i jep Holandës titullin e kampionit të Evropës. Gjatë dy viteve pasardhës Gulit fitoi me fanellën e Milanit dy Kupa të Kampionëve, me gjithë një incident në gju që e mbajti jashtë skuadrës për një kohë të gjatë. Në vitin 1993, pas gjashtë sezoneve te kuqezinjtë, ai u ble nga skuadra e Sampdorias, ku konfirmohet si një pikë e fortë e skuadrës, në gjendje që ta nxirrte atë nga vështirësia dhe në situatat më kritike. Ai shënoi 16 gola në 31 ndeshje dhe shoqëroi skuadrën deri në vend të katërt në kampionat. Këto rezultate bindin skuadrën e Milanit të rimarrë përsëri pranë saj Rud Gulit. Në të vërtetë ashtu ndodhi më 1994 Gulit filloi të luante sërish me fanellën kuqezi. Por idili ndërmjet Milanit dhe kampionit holandez u mbyll përfundimisht, pas vetëm 8 ndeshjeve në klubin e Silvio Berluskonit. Më 29 prill të vitit 1990, Rud Gulit është i trishtuar. I trishtuar se kishte humbur kthimin. I trishtuar se kishte arritur shumë vonë. Kishte një vit që priste atë moment. Dy operacione në gju, një periudhë të gjatë mosdisponibiliteti, pyetje të shpeshta mbi kapacitetet për të ardhur në nivelin më të lartë; Rud Gulit kishte arritur të fshinte të gjithë këtë. Ai rishfaqet pranë skuadrës së Milanit për ndeshjen vendimtare përballë Veronës për të luftuar distancën me Napolin për titullin kampion i Italisë. Gulit luajti vetëm 30 minuta, Milani pati regres, duke u lënë bashkëlojtarëve të Maradonës kënaqësinë e triumfit. Atëherë lind pyetja kush interesohej ende për kthimin e Gulitit? Titulli i kampionit të Evropës i fituar një muaj më vonë mezi arrin të rigjallërojë situatën. Zhurma u përhap gjithandej, duke folur për një Silvio Berluskoni në kërkim të një tjetër numri 10, duke lidhur një kontratë të majme me Hagin, futbollistin rumun shumë virtuoz. Shtypi transalpin përmendte faktin se Gulit merrte një rrogë që rreth dy milionë franga në muaj. Dhe Guliti linte të kuptohej, sa herë që i jepej mundësia dhe i vinte rasti që futbolli nuk ishte e gjithë jeta e tij, se kishte nevojë për topa të tjerë oksigjeni. Nga e ëma holandeze, e punësuar në Rijksmuseum të Amsterdamit, ai do të tërheqë këtë kuriozitet të përhershëm për botën e jashtme, një etje për njohje që do të shkojë shumë më larg sesa perimetri i fushës së blertë. Nga i ati i tij nga Surinami, ai ruante një sensibilitet përballë padrejtësive të çdo lloji, racizmit dhe dinjitetit përçmues së popujve të një të tretës së botës. Gjesti i tij i parë në kohën që u emërua futbollisti më i mirë evropian i vitit 1987 konsistoi në dedikimin e këtij trofeu të Nelson Mandelës, gjest që habiti shumë njerëz. Rud Gulit ishte kundër diskriminimit racial. Ai mendonte se pa këtë dallim racial të bardhët kishin frikë të kumbisnin privilegjet dhe pasurinë e tyre, pasi ata mendonin se pa këtë sistem, ata nënshkruanin dënimin e tyre me vdekje. Por në këtë moment, është i gjithë vendi që po vdes. Dy vjet më pas, duke analizuar pasojat e lirimit të Mandelës, Gulit nuk është ende i qartësuar: “Kam kuptuar menjëherë që kjo do të ishte fillimi i problemeve, që ky nuk do të ishte përfundimi i diskriminimit racial”. Atëherë që perspektiva e kësaj çerekfinaleje evropiane mbyll gojët e lojtarëve marsejezë dhe lë të shfaqet nervoziteti i trajnerit të tyre, Rajmond Gëtals, Rud Gulit vazhdonte t’u bashkëngjitej ngjarjeve që tronditnin në atë moment planetin. Në Luftën e Gjirit, ai deklaronte se nuk bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, për diçka që i përket njeriut, por pikërisht për interesa.

 

Udhëtimi në kampionatin anglez

Në përfundim të sezonit, Rud Gulit largohet nga Italia për të ndërmarrë një aventurë të re në tokën angleze. Në vitin 1995 ai luajti në skuadrën e Çelsit, si libero, rol të cilin e kishte pasur në fillim të karrierës futbollistike. Në vitin 1996 Glen Hodëll, trajner i Çelsit, bëhet trajner i kombëtares angleze dhe Gulit merr vendin e tij në skuadrën londineze. Roli i dyfishtë si lojtar dhe trajner i përshtatet veçanërisht holandezit Gulit: Gulit tërheq Çelsin në fitoren e Kupës së Anglisë. Bëhet kështu lojtari më i ri që kishte fituar këtë trofe. Pas këtij triumfi Gulit vendos t’i dedikohet me kohë të plotë zanatit të trajnerit. Më pas ai lë skuadrën e Çelsit, i angazhuar si trajner në një tjetër skuadër angleze Njukastëll, por kjo eksperiencë filloi shumë keq, skuadra e Njukastëll fitoi vetëm një pikë në pesë ndeshjet e para. Gulit është i detyruar të japë dorëheqjen, i vendosur në detyrimet e shtypit dhe skuadrës me të cilën nuk arrin të vendosë raporte të mira.

 

Shpallja si fitues i Topit të Artë

Deri tani, Holanda kishte ngjitur vetëm një përfaqësues të vetëm të saj në shkallën më të lartë të podiumit të Topit të Artë dhe ky ishte Johan Krujf, fitues tri herë radhazi i këtij çmimi (1971, 1973 dje 1974). Ardhja e Rud Gulitit do të shenjtëronte një ndër bashkëkombësit e tij, i cili ecte në gjurmët e paraardhësit të tij të shquar dhe të njohur. Holandezi i dytë që shkruan emrin e tij në çmime kaq të rëndësishme si Topi i Artë, qe gjithashtu lojtari i dytë i Milanit që u nderua pas Xhani Riverës në vitin 1969. Ylli i ri i futbollit e fitoi këtë vlerësim me 13 vota në vendin e parë, kundër pesë votave ndaj Futres, që doli i dyti dhe katër për Butragenjo dhe Mishel, dy shokët e Real Madridit, respektivisht të tretë dhe të katërt. Një avancim i rehatshëm për Gulitin, i cili kishte fituar vetëm katër pikë gjatë votimit të mëparshëm. Duhet të thuhet se ndërmjet viteve 1986 dhe 1987 shumë yje u zhdukën nga klasifikimi, ndër të cilët Igor Belanov. Rud Gulit qe lojtari i parë me ngjyrë që arriti majat e skenës botërore të futbollit. Ai qe fitues i kampionatit Evropian me skuadrën holandeze, anëtar i rëndësishëm i Milanit i fundit të viteve ‘80, me të cilin fitoi të gjitha konkurset sinjifikative. Me nënë nga Holanda dhe baba nga Surinami, fiziku i tij të impononte respekt në terrenet e futbollit evropian dhe ashtu si Noah dhe Tigana, ai bëhet i njohur si trajner. Këta tre lojtarë me ngjyrë i dhanë mundësi mentaliteteve të zhvilloheshin dhe do të shiheshin në të ardhmen shumë lojtarë të trajnuar nga seleksionues me ngjyrë.

 

Çmimi që iu dhurua Mandelës

Por Rud Gulit nuk është vetëm një lojtar i madh, por edhe një njeri i impenjuar me beteja me sfond social. U regjistrua në fondacionin “Anna Frank” dhe kur erdhi rasti, duke shfrytëzuar popullaritetin, zbriti në radhë të parë me qëllim që t’i dëgjohej zëri kundër racizmit në botë dhe në veçanti kundër diskriminimit racial në Afrikën e Jugut. Paralelisht me impenjimet profesionale, ai argëtohej duke i rënë një instrumenti në një kompleks holandez dhe i ka dhuruar UNICEF-it dy disqe të regjistruar. Në vitin 1987 ai i ka dedikuar Topin e Artë Nelson Mandelës.

 

Veçantia teknike

Rud Gulit e filloi karrierën si mbrojtës i qendrës, duke e shpërndarë me kalimin e viteve rrezen e tij të veprimit derisa u bë një sulmues i zoti, falë një potenciali dhe një aftësie për të shënuar gol. Lojtar me fizik të jashtëzakonshëm, shpërthyes dhe shumë i shpejtë në sulm, pothuajse i pakapshëm kur nisej me topin në këmbë. I pajisur me një gjuajtje potente dhe të saktë, por mbi të gjitha të fortë në arenën e lojës (është për të kujtuar golin vendimtar në një ndeshje mes Juventusit dhe Milanit më 10 janar të vitit 1988). Ai u afirmua si një ndër lojtarët evropianë më të fortë të të gjitha kohërave.

 

 

Biografia

Emri: Rud

Mbiemri: Gulit

Ditëlindja: 11.9.1962

Vendlindja: Paramaribo, Surinam

Kombësia: Holandeze

Gjatësia: 1.91 cm

Pseudonimi: Tulipani i zi

 

 

Karriera në tituj

Kampionati holandez: 1984,1986,1987

Kupa e Holandës: 1984

Kampionati italian: 1988,1992, 1993

Kupa e Italisë: 1994

Kupa e Kampionëve: 1989, 1990

Superkupa e Evropës: 1989, 1990

Kupa ndërkontinentale: 1989, 1990

Kampionati Evropian: 1988

Kupa e Anglisë: 1997

Topi i Artë: 1987

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency