Strategjia Kombëtare kundër Korrupsionit Ministrat paraqesin planet. Rama: Çelësi, jo tek lufta, duhet modernizim i sistemit

0
111

Gëzim Saliu

konferenca per korrupsioninNë konferencën kombëtare për luftën kundër korrupsionit, Kryeministri i vendit, Edi Rama, deklaroi se çelësi për të shmangur shërbimin alternativ të paligjshëm është modernizmi i sistemit. Në panelin ku merrnin pjesë i gjithë kabinetin qeverisës, ambasadorë të akredituar në vend si edhe drejtues të institucioneve të drejtësisë, si kryetari i Gjykatës së Lartë, i KLSH-së, nënkryetari i KLD-së dhe kryeprokurori, Rama tha se nuk ka asnjë dyshim që fuqia ndëshkuese është një domosdoshmëri për luftën kundër korrupsionit, por nga ana tjetër sipas tij, fuqia nuk është themeli i luftës kundër korrupsionit është modernizimi. “Modernizimi i çdo mekanizmi që shteti ka në strukturën e vet. Nuk duhet të largojmë asnjë çast nga mendja se korrupsioni është një shërbim alternativ i paligjshëm në mungese të një shërbimi të ligjshëm. Korrupsioni arrin më shpejt aty ku shërbimi shtetëror jocilësor dhe arkaik nuk arrin dot. E pra sfida jonë është që shërbimin publik, shërbimin ndaj qytetarit Kushtetuta dhe Ligji së bashku dhe me programin e çdo qeverie e njohim si të drejtë të patjetërsueshme të qytetarit ta bëjmë të tillë që shërbimi alternativ të bëhet sa më pak i preferuar. Që të ndodhë kjo na duhet të jemi të gjithë së bashku në një front, duke u udhëhequr dhe nga një fjalë kyçe. Modernizim”, – u shpreh Kryeministri.

Konferenca

Për Kryeministrin, korrupsioni duhet parë si një problem shumë i madh që duhet zgjidhur dhe sipas tij duke e kthyer antikorrupsionin si një pjesë të pandashme të projektit të modernizimit. “BE ka siguri për jetën, ka siguri për pronën, ka siguri juridike në themelin e përditshmërisë së vet. Shqipëria sot ende nuk ka siguri, as për jetën, as për pronën. BE ka transparencë dhe përmes transparencës mund të lexohen të gjithë pjesë e makinerisë. Kur vjen puna tek ne për shkak se makineria është ajo që është, edhe transparenca nuk është gjëkundi ajo që duhet të jetë. Korrupsioni është ndërlidhësi mes fushave sepse garanton shërbimin alternativ ndaj të gjithë atij shërbimi që duhet të garantojë në fakt vetë shteti. Ne jemi shumë të vetëdijshëm për këtë dhe ne na duhet një përpjekje për të dalë përtej këtyre kufijve në funksion të modernizmit të sistemit”. Ndërkohë që pas paraqitjes së skemës së re sipas s cilës qeveria do të luftojë korrupsionin nga kreu i qeverisë, të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar kanë bërë të ditura planet mbi të cilat do të mbështesin reformën e tyre për këtë fenomen. Ministri për Çështjet e Pushtetit Vendor, i cili ishte edhe organizator i takimit, theksoi se për të koordinuar punën shumëplanëshe dhe me rëndësi parësore për zbatimin e programit të qeverisë, Shqipëria emëroi koordinatorin Kombëtar kundër Korrupsionit dhe miratoi një plan emergjent masash kundër korrupsionit. “Ka caktuar zyrtarë të lartë që do të shërbejnë si pika kundër korrupsionit në çdo ministri, si dhe ka nisur punën për hartimin e Strategjisë Kombëtare kundër Korrupsionit për 4 vitet e ardhshme”, – tha ai. Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Arben Ahmetaj, bëri të dituar reformat që janë ndërmarrë nga kjo ministri, ku nënvizoi: “Reformim të institucionit të auditit të brendshëm, ringritje e statistikave ekonomike, rishikim të rregullave, klauzolave kundër ekskluzivitetit në fusha të ndryshme ekonomike që sjellin dëm ekonomik dhe tek konsumatori, rifreskim të regjistrimeve të bizneseve në QKL, regjistrim i tyre edhe në banka dhe institucione të certifikuara për shpejtësi më të madhe”. Nga ana e tij ministri i Brendshëm Saimir Tahiri theksoi: “Ministria e Brendshme është në fazën e përpunimit të strategjisë së plotë e integral për të parandaluar çdo praktikë korruptive brenda Policisë së Shtetit, duke nisur nga një ligj i ri që reformon tërësisht SHKB-në”. Në të njëjtën linjë, ministri i Drejtësisë Nasip Naço përmendi si masë për luftën kundër korrupsionit hapjen e faqes online “stop korrupsionit” si një portal online, ku qytetarët mund të denoncojnë aferat korruptive në sistemin e drejtësisë. Në konferencën e djeshme mori gjithashtu pjesë edhe kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, e cila ngriti alarmin për sulmin e mazhorancës ndaj institucioneve të pavarura. “Kush do të jetë nesër në radhë nga institucionet e pavarura nën sulmin e mazhorancës për ta përfshirë në një proces i cili është antikushtetues dhe jo legjitim?”, – tha deputetja e PD-së.

 

Ambasadori i BE-së

Sequi: Lufta kundër korrupsionit, investim për të ardhmen evropiane

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, deklaroi dje në konferencë se lufta kundër korrupsionit është një investim në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Sipas kryediplomatit të BE-së në vend, Bashkimi Evropian do të vazhdojë angazhimin e tij për të mbështetur Shqipërinë në politikat e saj kundër këtij fenomeni. “Gjatë 15 viteve të fundit BE është angazhuar në ndërtimin e një Shqipërie demokratike, ku të sundojë ligji. Për këtë qëllim asaj i janë akorduar fonde në vlerën e rreth 150 milionë eurove. Pritshmëritë tona janë të qarta dhe realiste. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një investim për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe një motor i fortë që çon përpara vendin”, – tha Sequi në konferencën e djeshme kushtuar antikorrupsionit.

 

Programi kombëtar

Komisioni Evropian, 82 milionë euro për reformat në Shqipëri

Komisioni Evropian miratoi dje programin kombëtar të 2013-ës për Shqipërinë si një instrument asistence për të mbështetur reformat kryesore në vend. Programi prej 82 milionë eurosh do të financojë 19 programe të cilat synojnë të mbështesin nevojat specifike të Shqipërisë, duke mbështetur reformat dhe investimet ne fushat kryesore te tilla si qeverisja, drejtësia dhe çështjet e brendshme, transporti, mjedisi, punësimi dhe përfshirja sociale si dhe agrikulture dhe zhvillim rural. “Shqipëria ka treguar angazhim për procesin e integrimit, gjë që është reflektuar edhe në rekomandimin e fundit të Komisionit Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat. Reformat sidoqoftë nevojitet që të jenë të qëndrueshme dhe unë besoj se programi i këtij viti do të ndihmojë Shqipërinë në këtë drejtim duke sjelle ndryshime pozitive për jetën e qytetarëve”, – deklaroi komisionieri për Zgjerimin Stefan Fule. Si një prioritet strategjik, programi do të ndihmojë që të forcojë pavarësinë e dhe efiçencën e gjyqësorit dhe të përmirësojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend”, – deklaroi Komisioni Evropian në njoftimin për shtypin. Këto fonde do të mbështesin reformat konkrete në fushën e administratës publike, me qëllimin e vetëm, për të rritur besimin e qytetarëve Shqiptarë te administrata e saj shtetërore.

 

Mbledhja e qeverisë

Vendimet, 14 vepra arti në Kosovë, shfuqizohen kompetencat e institutit të monumenteve të kulturës

Në mbledhje e djeshme Këshilli i ministrave vendosi për lejimin e ekspozimit në Kosovë të 14 veprave të artit në pikturë, me vlera unikale, në kuadër të realizimit të ekspozitës “Imazhi gjuhësor i piktorëve të hershëm tradicionalë në viset tona”. “Vendimi ka si qëllim lejimin e ekspozimit në Kosovë, të 14 pikturave, në ekspozitën “Imazhi gjuhësor i piktorëve të hershëm tradicionalë në viset tona”, që do të qëndrojë e hapur nga data 19 nëntor deri më 20 dhjetor 2013”, thuhej në vendim. Ndërkohë një tjetër vendim i qeverisë shfuqizoi vendimin nr.983, datë 10.11.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kompetencave të Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” dhe riorganizimin e disa institucioneve të trashëgimisë kulturore”. Sipas Këshillit të Ministrave, Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” i janë dhënë disa kompetenca në kundërshtim me ligjet materiale, për shkak të të cilave edhe struktura dhe organika e këtij  institucioni, nuk ka mundur dhe nuk mund të implementohet.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency