Mijëra protestues para Kryeministrisë Basha: Fillimi i një beteje pa kompromis për votën e lirë, qeveria bën lojën e strucit për armët kimike

0
129

Florenc Drizari

 

Ky është fillimi i një beteje të përbashkët në sheshet e protestave popullore, pa kompromis dhe pa pauza për votën e lirë

 

Basha-ne-ProtestePartia Demokratike organizoi një protestë paqësore para Kryeministrisë. Protesta e djeshme, sipas demokratëve, pati në fokus mbrojtjen e votës së lirë dhe kundërshtimin e mungesës së transparencës nga ana e qeverisë lidhur me importin e mundshëm të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, akuzoi qeverinë se po e kthen në sloganin e saj qeverisës arbitraritetin dhe blerjen e votës. Për këtë z. Basha iu referua skandalit të blerjeve të votave në shtabet elektorale të Partisë Socialiste në qytetin e Korçës. Në protestën e organizuar nga opozita, morën pjesë krerët e PD-së, ku pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar, ata dolën në protestë mes simpatizantëve të PD-së dhe qytetarëve të ndryshëm.

Përfaqësuesit e lartë të Partisë Demokratike, si kryetari Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, deputetët Jorida Tabaku, Gerti Bogdani, Astrit Patoz, Fatmir Mediu etj., marshuan në këmbë nga selia e PD-së drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Në fjalën e tij, kreu i opozitës kritikoi disa nga vendimet e fundit të qeverisë “Rama”, duke pasur në fokus skandalin e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Korçë. Basha tha se dalja e opozitës në protestë nuk erdhi si zgjedhje e saj, por dymijëlekëshi i dhënë për çdo votë në Bashkinë e Korçës cenoi rëndë demokracinë dhe zgjedhjet e lira.

“Çështja e zgjedhjeve të lira është para se të gjithash dhe mbi të gjitha, çështje e popullit të lirë dhe sovran; është çështja juaj që keni ardhur në ketë shesh. Është çështja e mijëra e mijëra shqiptarëve që me mendje dhe me zemër janë sot me ne dhe do të bashkohen me ne në këtë sfidë jetike të shpëtimit të votës së lirë.

Ja përse në këtë moment kur vota e lirë është cenuar, fyer e poshtëruar në Korçë, të gjithë jemi e duhet të jemi opozitarë, të gjithë jemi e duhet të jemi luftëtarë, të gjithë jemi e duhet të jemi shpëtimtarët dhe shërbëtorë të saj sot, nesër dhe përgjithmonë, pa kursyer asgjë, pa u sprapsur asnjë çast, me mendjen top se zgjedhjet e lira e të ndershme janë vetë jeta e lirë që kemi fituar, se nuk kemi betejë tjetër me të madhe dhe mision tjetër me të shenjtë për të përmbushur, se jo paratë e pista, jo manipulatorët e veshur me pushtet, jo tregtarët e kontrabandistët e votës, jo gangsterët politike, jo mafia politike, por kauza e drejtë dhe  njerëzit e lirë e të bashkuar rreth saj janë fuqia e pathyeshme e demokracisë”, – deklaroi Basha.

Për armët kimike

Kreu i PD-së foli edhe për armët kimike, duke akuzuar qeverinë se po fshihet për të bërë transparencën ndaj këtij procesi.

“Kjo qeveri nuk ndien asnjë detyrim të jetë transparente me publikun, as për çështjen shume të ndjeshme të armeve kimike, por bëjnë lojën e strucit me shqiptarët dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, sepse kanë në mendje dhe në plan t’i blejnë votat, ta blejnë pushtetin”.

Paraljmërimi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, paralajmëroi krerët e qeverisë se protestat e opozitës kundër arbitraritetit dhe mungesës së transparencës do të vazhdojnë. Z. Basha foli edhe për protesta popullore, pa kompromis, nëse në vend nuk garantohet vota e lirë.

“Do të na kenë përballë orë për orë e ditë për ditë e muaj për muaj. Sot është dita t’i drejtohemi njëzëri nga ky shesh i protestës popullore: hiq dorë njëherë e përgjithmonë nga blerja e votës, hiq dorë njëherë e përgjithmonë nga paligjshmëria, arbitrariteti, mungesa e transparencës. Po nuk e ndaluam sot shitblerjen e votës, shitblerja e votës do ta ndalojë demokracinë nesër. Ne nuk do ta lejojmë këtë gjëmë. Do ta ndalojmë me çdo çmim këtë gjëmë. Ky është zotimi ynë solemn në këtë protestë të parë si opozitë e re në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ky është fillimi i një beteje të përbashkët në sheshet e protestave popullore, pa kompromis dhe pa pauza për votën e lirë, për ligjin, për Shqipërinë demokratike”, – deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë protestës së djeshme para Kryeministrisë.

 

 

Protesta para Kryeministrisë, Berisha: Historike. Jemi në betejë për të ecur drejt fitores

Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi si historike protestën e djeshme të opozitës në shesh para Kryeministrisë. “Kurrë ndonjëherë në një afat kohor vetëm disa javë pas zgjedhjeve, opozita nuk ka mundur të organizojë një protestë kaq madhështore, që dëshmon revoltën e qytetarëve shqiptarë ndaj vjedhjes së votës së qytetarëve nga qeveria”, – deklaroi Sali Berisha pak kohë pas mbylljes së protestës. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, lideri historik i së djathtës falënderoi qytetarët e kryeqytetit dhe të mbarë Shqipërisë për mbështetjen që i dhanë PD-së dhe opozitës, në kauzën e tyre kundër arbitraritetit të qeverisë dhe mbrojtjes së votës së lirë.

Reagimi i plotë i Berishës

“Të dashur miq, sot dhjetëra e mijëra qytetarë, kishin mbushur bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të protestuar kundër vjedhjes së votës në zgjedhjet për Bashkinë e Korçës nga qeveria Rama – Meta.

Kjo, ishte një proteste historike, sepse kurrë ndonjëherë në një afat kohor vetëm disa javë pas zgjedhjeve, opozita nuk ka mundur të organizojë një protestë kaq madhështore, që dëshmon revoltën e qytetarëve shqiptarë ndaj vjedhjes së votës së qytetarëve nga qeveria.

Pjesëmarrja masive e qytetarëve dëshmon rritjen e shpejtë të pakënaqësisë së tyre ndaj qeverisë Rama – Meta. Një fillim i mbarë i rrugës së Partisë Demokratike drejt fitores së sigurt.

Mirënjohje qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë për aktin e tyre qytetar në mbrojtje të votës së lirë. Qytetare e qytetarë ne jemi në betejë. Le ta vazhdojmë ne atë për të ecur të sigurt drejt fitores! sb”, – shkroi një ditë më parë Berisha në profilin e tij në “Facebook”.

 

Protesta e djeshme, police femra në rresht para Kryeministrisë, forca speciale pas ndërtesës

Ndryshe nga disa protesta të mëparshme që janë zhvilluar para ndërtesës qeveritare, në protestën e fundit të opozitës, në rresht ishin rreshtuar police femra, ndërsa meshkujt me uniformat blu qëndruan në krah të ndërtesës dhe pas saj. Protesta e djeshme e organizuar nga Partia Demokratike nisi rreth orës 14:00 dhe në tërësi ajo u zhvillua e qetë, pa incidente. Përpos kësaj, forcat e rendit duket se i kishin marrë të gjitha masat për të siguruar qetësinë dhe sigurinë publike, ku pas ndërtesës së Kryeministrisë dhe përreth saj, ishin instaluar me dhjetëra e dhjetëra forca speciale. Disa orë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” qëndroi i bllokuar, po kështu edhe rrugët përreth kësaj zone. Kjo situatë u shoqërua me trafik të rënduar në kryeqytet, kryesisht në Rrugën e Elbasanit, në orët e pasdites. Më herët, para ndërtesës së Kryeministrisë protestuan përfaqësues të shoqërisë civile për ndalimin e importit të mundshëm të armëve kimike nga Siria drejtë Shqipërisë. Një protestë nga përfaqësues të AKIP-it është parashikuar të zhvillohet edhe ditën e martë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency