Dhunoi gruan, dënohet 5 muaj burg nga gjykata

0
136

Sonja Caka

Vendimi/ Xhemal Haka dhunoi gruan, edhe pse kjo ishte me urdhër mbrojtjeje të dhënë nga Gjykata e Tiranës

 

gjykate-denimGjykata e Tiranës ka dënuar me 5 muaj e 10 ditë burg Xhemal Hakën, i akuzuar për dhunë në familje dhe pengim të ekzekutimit të vendimit të gjykatës. Sipas vendimit, 56-vjeçari ka shkuar në gjendje të dehur në banesën e bashkëshortes së tij, ndonëse e kishte të ndaluar që të futej brenda. Ai ka kanosur me jetë bashkëshorten e tij. Dhuna në familjen Haka ishte e përsëritur dhe vetëm më 17 qershor të këtij viti, gruaja M. Haka kishte përfituar urdhër mbrojtjeje për një vit. I shoqi nuk duhej t’i afrohej as asaj dhe as banesës ku ajo jetonte me qira.

Vendimi

Vendimi për urdhër mbrojtjeje është dhënë disa muaj më parë nga gjyqtarja Irena Hoxha, e cila e ka urdhëruar me vendim Xhemal Hakën të mos i afrohej as në perimetrin 1 mijë metra të shoqes. Gjatë gjykimit paditësja M. Haka, pensioniste, i shpjegoi gjykatës se i padituri në mënyrë sistematike në vitet e fundit ka ushtruar ndaj saj dhunë psikike dhe fizike duke e fyer, kërcënuar atë në mënyrë të vazhdueshme, veprime te cilat sipas saj i kryen në mënyrë të vazhdueshme në prani dhe të fëmijëve të tyre. Këto veprime sipas saj ai i ka kryer sistematikisht por është paditësja e cila në mënyrë të herëpashershme njofton policinë. Po sipas paditëses, më i dhunshëm është bërë kohët e fundit dhe konkretisht më datë 20 maj 2013, pasdite i padituri ka pasi ka ardhur në shtëpi i dehur ka filluar të ushtrojë dhunë fizike ndaj djalit të vëllait të paditëses, shtetasit Taulant Fejzollari i cili jeton së bashku me paditësen dhe të paditurin më të cilët ndaj qiranë e banesës, duke e kapur për krahu dhe nxjerrë jashtë, ofenduar dhe cenuar integritetin e saj me fjalë fyese për moralin e saj. Paditësja ka njoftuar dhe më pas është shoqëruar së bashku me të paditurin dhe djalin e vëllait të saj në ambientet e komisariatin nr. 1 dhe Policia pasi dëgjoi pretendimet e saj dhe të paditurit bëri kërkesë për urdhër mbrojtje pasi ndjehej e kërcënuar dhe e frikësuar nga i padituri pasi ai në mënyrë të përsëritur ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj duke e goditur, kërcënuar dhe ofenduar atë. Paditësja duke e ndjerë veten tepër të kërcënuar për jetën ka paraqitur shqetësimin për dhunën e ushtruar nga i padituri duke përpiluar kërkesë padinë për në gjykatë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes. Nga ana e Policisë Gjyqësore është lëshuar urdhër mbrojtjeje për paditësen për 24 orë dhe i është marrë dhe deklarim për rastin konkret të paditurit.

Reagimi i Hakës

Nga ana e të paditurit, i cili ka dhënë dëshmi në polici se ai ka pasur konflikte dhe mosmarrëveshje të vazhdueshme me bashkëshorten e tij dhe më datë 20.5.2013 ai ka ushtruar dhunë vetëm ndaj shtetasit Taulant Fejzollari dhe jo ndaj paditëses, qëndrim të cilin mbajti dhe në seancën gjyqësore të datës 11.6.2013. Nga ana e oficerit të Policisë Gjyqësore në kushtet kur janë konstatuar shenja të dhunës fizike të ushtruar nga i padituri ndaj paditëses caktoi me vendim pyetjet drejtuar mjekësisë ligjore për këtë fakt. Paditësja pretendoi që nuk ka shkuar pranë Mjekësisë Ligjore pasi atë natë ishte shumë vonë dhe më pas ishte e pamundur për shkak të presionit që i bëhej nga i padituri. Pretendimet e paditëse provohen dhe kallëzimin e bërë nga shtetasi Taulan Fejzollari para oficerit të Policisë Gjyqësore ku denoncon dhunën fizike dhe psikologjike të ushtruar nga i padituri ndaj tij dhe ndaj paditëses në gjykim.

Kërkesa

Gjatë gjykimit, paditësja kërkoi që të nxirret urdhri i mbrojtjes, duke kërkuar që ndaj saj i padituri të mos kryejë vepra të dhunës në familje, të mos e kërcënojë, të mos e ngacmojë apo të kontaktojë me të, të mos i afrohet paditëses dhe banesës ku ajo aktualisht banon me qira bashkë me fëmijët, t’i ndalohet të paditurit hyrja dhe ndenja në këtë banesë, ku ajo do të banojë me fëmijët e saj. Paditësja kërkoi që të gjitha masat mbrojtëse të zgjatnin për një periudhë 1-vjeçare.

 

Dritan Dajti

Nuk e qëllova unë Feskajn, por kolegu i tij, dua fletëdaljen e armës

Dritan Dajti vazhdon me akuzat kundër efektivëve të specialëve që ndërhynë në operacionin e kapjes së tij, duke akuzuar se njëri prej tyre vrau kolegun Kastriot Feskaj. Edhe në seancën e djeshme, ashtu si një seancë më parë, i pandehuri Dritan Dajti ka kërkuar fletëdaljen për armët e efektivit me inicialet G. B., pasi ai ka qëlluar mbi Kastriot Feskajn. “Kastriot Feskaj ka qenë me maskë kur është qëlluar nga efektivi G. B. Vetëm fletëdaljen për armët e efektivit G. B. nuk kam, pasi ato zbardhin të vërtetën për vrasjen e Feskajt”, – theksoi Dajti. Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i prokurorit të çështjes Ardian Nezha, i cili ka theksuar se çdo gjë është në fashikullin gjyqësor dhe efektivi G. B. i ka dhënë deklarimet e tij. Këtë kërkesë Dajti e ka bërë edhe një seancë më parë, por nuk iu dha “OK” nga trupi gjykues dhe për këtë arsye u largua nga seanca, duke bërë që të dështonte seanca, ndërkohë që më herët Dajti kërkoi zhvarrosjen e trupit të një prej policëve të vrarë gushtin e vitit 2009 në Durrës, atë të Kastriot Feskajt. Sipas Dajtit, në trupin e Feskajt janë 6 plagë arme zjarri, e ndërsa prokuroria, vazhdon ai, ka lënë në trupin e viktimës disa plumba qëllimisht sepse nuk i interesojnë që ekspertiza balistike të kryhen dhe të bëhen publike. Dritan Dajti akuzohet se më 7 gusht 2009, ekzekutoi efektivët e policisë, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari, Fatos Xhani dhe Kastriot Feskaj, pjesë e skuadrës speciale operacionale, të cilët tentuan ta arrestonin të shumë kërkuarin.

 

Kërkesë-padia

Burri: Më rreh gruaja, më mbroni

Nuk janë vetëm gratë që i drejtohen policisë dhe gjykatës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes. Një kërkesë e veçantë është shqyrtuar por edhe rrëzuar njëkohësisht nga gjykata disa ditë më parë, ku burri akuzonte gruan se e rrihte dhe kërkonte urdhër mbrojtjeje nga gjykata. Gjykata nuk u bind nga argumentet e paditësit dhe për këtë arsye e rrëzoi kërkesën e tij. Gjatë hetimit gjyqësor, paditësi Luan Hasa parashtroi se nga bashkëshortja e tij është ushtruar dhunë psikologjike e fizike dhe për këtë arsye ai i është drejtuar Gjykatës për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes. Lidhur me këtë kërkesë paditësi deklaroi: “Me të paditurën jam martuar prej 22 vjetësh dhe kam 4 vjet që po bëj një jetesë shumë mizore, pasi gruaja më ka dhunuar. Para dy ditësh më qëlloi dhe e kam buzën plagë. E paditura më ka çuar disa herë në polici me pretendimin se e kam dhunuar unë. Para katër vjetësh e kam dhunuar unë, ndërsa prej 4 vjetësh më dhunon ajo fizikisht dhe psikologjikisht. Unë kam djalin 14 vjeç dhe para dy ditësh i thashë të bënte detyrat, pasi ka probleme me shkollën. Në momentin që po i flisja djalit, gruaja u fut në mes dhe më shtyu dhe më qëlloi me rrahësen e bërxollave në shpatull. Ndërsa djali më qëlloi me grusht në fytyrë. Unë krahun e kam të sëmurë me gjilpëra. Unë kam njoftuar policinë, e cila erdhi në shtëpi dhe kemi bërë një orë debat. Më pas, na shoqëruan në polici dhe nga ai moment nuk kemi folur fare. Unë dua të mos dhunohem më në ambientet e shtëpisë dhe të punës. Dua të largohet e paditura nga shtëpia dhe nga dyqani-vendi i punës, dhe të më rrijë larg 100 m. Ne shtëpinë e kemi në proces legalizimi, pasi e kemi ndërtuar vetë, ndërsa dyqanin e kemi me qira dhe aktivitetin e ushtrojmë bashkë me të paditurën ku shesim rroba të përdorura”. Por ka reaguar e paditura Drita Hasa para gjykatës, duke deklaruar: “Për sa pretendoi paditësi nuk janë të vërteta. Ne kemi 22 vjet martesë dhe unë jam dhunuar nga paditësi fizikisht dhe verbalisht vazhdimisht. I padituri më ka qëlluar me sëpatë para katër vjetësh dhe kam dhe shenjën në krah, por e fala për hir të fëmijëve. I padituri ka 10 vjet që luan bixhoz dhe 3 herë ka qenë në burg për prerje të paligjshme të pyjeve dhe për vjedhje. Unë ia kam falur për hir të fëmijëve. Kur doli nga burgu, i padituri më merrte lekët për bixhoz dhe unë i laja borxhet. I padituri gjithmonë ka pirë alkool dhe më rreh edhe mua dhe fëmijët dhe kemi shkuar shumë herë në polici për këtë shkak. Mua më kanë kërcënuar disa persona se do të më merrnin peng për borxhet e të paditurit. Unë i shkova dhe i kërkova lekë babait të të paditurit dhe kam larë borxhet. Kur i padituri doli nga burgu unë e punësova tek dyqani ku ushtroja aktivitetin me sendet e përdorura. Lidhur me ngjarjen e fundit, ka qenë festë Bajrami dhe i padituri më ka rrahur mua dhe vajzën sepse ajo e kishte grirë pulën në fërgesë. Pas dy tre netësh, pasi shkuam në darkë në shtëpi unë po bëja ushqimin dhe i thashë të paditurit të mos bënte shamatë, pasi filloi të qëllonte djalin me shpullë se pse nuk kishte shkuar në shkollë. Djali nuk kishte shkuar në shkollë pasi kishte qenë i sëmurë. Unë u futa në mes sepse m’u dhimbs djali. Nuk është e vërtetë që djali e ka qëlluar me grusht, pasi ai është i vogël dhe nuk ka as mundësi. I padituri më qëlloi me një shpullë dhe mua dhe vajzën e dytë e goditi me shpullë, sepse po i thoshte se përse bënte sherr. Më pas, i padituri shkoi të merrte lopatën, por ia mori goca e madhe, e cila filloi të bërtiste sa e pa që hyri tek dera. Më pas, paditësi njoftoi policinë. Paditësin nuk e ka qëlluar asnjeri. Nuk kam dashur asnjëherë sherr, pasi nuk dua të më ndahet familja. Unë nuk jam dakord të dal nga shtëpia, pasi nuk e kam dhunuar asnjëherë paditësin. Kërkoj rrëzimin e padisë”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency