SOT PROTESTA E OPOZITES Basha: Të gjithë bashkë t’i themi ndal arrogancës, arbitraritetit dhe heshtjes për armët kimike

0
185

Florenc Drizari

 

Basha: “Të gjithë në shesh për të drejtat tona, zgjedhjet e lira nuk i dorëzojmë”

 

ProstestaKryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ftoi të gjithë qytetarët të marrin pjesë në protestën që pritet të zhvillohet mesditën e së hënës para Kryeministrisë. Protesta e opozitës do të zhvillohet rreth orës 14:00 dhe në thelb sipas demokratëve ajo ka mbrojtjen e të drejtës për votën e lirë dhe kundërshtimin e heshtjes së qeverisë për armët kimike. Kauza e armëve kimime u ngrit sëfundmi nga vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili gjatë një komenti që bëri një ditë më parë, ftoi qytetarët në protestë edhe për heshtjen e qeverisë ndaj kësaj çshtje.

“Është jetike që të ngrihemi të gjithë bashkë e ti themi ndal arbitraritetit dhe arrogancës. Ndal heshtjes për armët kimike. Ndal mosllogaridhënies. Ndal papërgjegjshmërisë. Për të drejtat tona themelore. Për të drejtën e votës së lirë. Për dinjitetin tonë”, – shkruan z. Basha në profilin e tij në “Facebook”.

Ndërkaq, në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së që Basha mbajti një ditë më parë, deklaroi se blerja e votave në Korçë është një kambanë alarmi për demokracinë shqiptare, që sipas tij, ka nisur të bjerë që në zgjedhjet e 23 qershorit.

“Ajo që ndodhi në Korçë sot një javë është paralajmërimi ogurzi i shkatërrimit të zgjedhjeve nesër, me metodën kriminale të vjedhjes së votës dhe blerjes së abstenimit me paratë e krimit të organizuar dhe mafies politike dhe ekonomike. Kjo është një kambanë alarmi për demokracinë shqiptare që ka nisur të bjerë që në zgjedhjet e 23 qershorit. Nuk ka gjë më të madhe se sa marrja peng me rrjetën e parave të pista të pasurisë më të madhe që ka individi, votën e lirë. Është poshtërim i mbarë popullit shqiptar. PD dhe opozita e refuzojnë me neveri këtë akt të shëmtuar, këtë projekt antidemokratik dhe antieuropian.”- deklaroi Basha.

Kreu i PD-së theksoi se protesta do të jetë paqësore dhe qëllimi i saj është ti komunikojë mazhorancës se qytetarët nuk do t’i dorëzojnë zgjedhjet e lira dhe demokracinë.

“PD u bën thirrje të gjithë qytetarëve, të bashkohemi nesër në marshimin tonë paqësor të protestës, për të komunikuar se zgjedhjet e lira nuk i dorëzojmë, se demokracinë dhe lirinë e të drejtat tona nuk i japim. Të mblidhemi nesër për të ndalur kërcënimin ndaj të ardhmes. Jo sot, jo nesër, jo përgjithmonë blerjes së votës.”- u shpreh Basha.

Marshimi paqësor i thirrur nga opozita do të nisë të hënën në orën 14:00 nga selia e PD-së dhe do të vazhdojë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për të ndaluar para godinës së Këshillit të Ministrave.

Ndërkaq, edhe reu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, ka ftuar të gjithë shqiptarët që të bashkohen me protestën e opozitës që do të zhvillohet para kryeministrisë. Sipas tij, protestat e nesërme zhvillohet kundër fenomenit të blerjes së votave dhe i shërben lirive dhe të drejtave të çdo shqiptari. “Ju ftoj te hënën ne orën 2 te protestojmë se bashku para Kryeministrisë për t’i dhenë fund vjedhjes dhe blerjes se votës, për të mbrojtur themelin e demokracisë. Te gjithë se bashku te ndalim Republikën e Dy mijë Lekëshit dhe te rikthejmë Republikën e Qytetarëve. Ndal shitjes se votës! Ndal blerjes së pushtetit. Protesta jonë është për lirinë dhe të drejtat tuaja”, – shkruan Paloka në rrjetin social “Facebook”.

 

 

Sali Berisha: Të protestojmë të gjithë për votën e lirë

Ish – kryeministri Sali Berisha ftoi të gjithë qytetarët t’i përgjigjen thirrjes së opozitës për t’u mbledhur në shesh para kryeministrisë. Berisha thotë se shqiptarët duhet të dalin në protestë jo vetëm për votat në qytetin e Kroçës, por për dinjitetin e tyre dhe demokracinë.

“Të dashur miq, te henen nis protesta mbarë popullore kundër regjimit kleptokratik të Edi Ramës, poshterimit që ai, me aktin e rende kriminal te blerjes së votave i bëri jo vetëm Korçes por edhe Shqipërisë dhe shqiptareve, lirise dhe dinjitetit të tyre.

Pjesëmarrja në këtë protestë eshe përgjegjësi dhe detyrim madhor i çdo qytetari shqiptar, i cili pavaresisht nga bindjet partiake beson tek vota e lire si vlere themelore, pa te cilen liria dhe demokracia nuk egzistojne. Protesta per voten e lire e thirrur nga Partia Demokratike eshte proteste per lirine, dinjitetin dhe te ardhmen tone europiane”, – shkruan z. Berisha në profilin e tij, në “Facebook”.

 

Bogdani: Në krah të shqiptarëve kundër helmimit të të ardhmes së Shqipërisë

Thirrjes së opozitës për të protestuar në shesh ditën e hënë i është bashkuar edhe deputeti demokrat Gerti Bogdani. Në fjalën e tij, z. Bogdani flet edhe për protestë kundër armëve kimike në Shqipëri.

“Jam i sigurt që reagimi i parë për ftesën e meposhtme do të jetë: “PD duhet të protestojë për armet kimike te Sirisë dhe jo për votën e lirë nesër!”

…besoj se ‘blerja e votes’ ka si efekt kryesor ‘papërgjegjshmërine e qeverisë ndaj zgjedhesit’ gjë që shoqerohet apo vijon më pas me deme sikunder edhe ‘importi i armeve kimike të sirise në Shqipëri!!!”

…ndaj, ju ftoj në protestën e Partisë Demokratike nesër në ora 14:00 perpara godines se Keshillit te Ministrave!!! …duke ju premtuar, se çdo ditë do të jem duke protestuar krah per krah cdo shqiptari, kundër helmimit te te ardhmes së Shqiperisë dhe familjeve shqiptare!!!”, – shkruan deputeti Bogdani në profilin e tij në internet.

 

 

“Armët kimike”, Topalli: Pse gjithë ky mister nga qeveria, pse heshtin ????!!!!!

Ish – Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli e quan mister heshtjen e qeverisë ndaj debatit për importin e mundshëm të armëe kimike të Sirisë në vendin tonë. Në komentin e saj të parë mbi këtë çështje, zonja Topalli ngre pikëpyetje mbi atë se çfarë mund të fshehë qeveria shqiptare në lidhje me këtë proces. Në një koment të saj të publikuar në faqen e saj të “Facebook” Topalli thotë se shqiptarët duhet të dijnë më shumë mbi këtë çështje. “Pse gjithë ky mister nga qeveria për armët kimike?!!!! Pse heshtin ????!!!!! Çfarë fshehin ?!!!!!!! çfarë shqiptarët nuk duhet të dijnë?!!!!!!!”, – shkruan deputetja e Partisë Demokratike. Aktualisht zonja Topalli është nga të paktat politikane që kanë ngritur pikëpyetje në lidhje me këtë debat që është hapur sëfundimi në Shqipëri, por jo vetëm. Më herët ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka thënë se qeveria është kontaktuar nga përfaqësues të lartë të SHBA-së, NATO-s dhe BE-së, por asnjë nuk është vedosur deri më tani sipas ministrit. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, ambasadori amerikan në vendin tonë, Aleksandër Arvizi, pati takime informale me përfaqësues të lartë të mazhorancës.