Nusja akuzon vjehrrin për përdhunim, prangoset 44-vjeçari

0
149

Sonja Caka

Reagon gruaja e të arrestuarit, Anila Begolli, akuza ndaj nuses: Burri me mua te shtëpia e vajzës, nusja me dikë tjetër fliste në telefon

 

denoncuesja“Më përdhunoi vjehrri kur ishim vetëm në shtëpi dhe im shoq ndodhej për dru në mal”. Kjo ka qenë akuza që një nuse 17-vjeçare ka lëshuar ndaj babait të burrit të saj, një 44-vjeçari nga fshati Menkulas i Devollit. Nusja e re ka njoftuar të shoqin përmes një letre ku i tregonte arsyet e largimit të saj nga shtëpia dhe më pas bashkë me familjarët e saj i është drejtuar policisë së Korçës me një denoncim ndaj vjehrrit 44-vjeçar Gjergji Begolli. Policia e ka arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm të akuzuarin, ndërsa ka marrë edhe dëshminë e adoleshentes 17-vjeçare, nuse e familjes Begolli. Ndërkohë, gruaja e 44-vjeçarit ka mohuar akuzat ndaj të shoqit, ndërsa ka hedhur dyshime mbi moralin e nuses së saj. Tashmë, policia është duke hetuar ngjarjen për të zbardhur nëse kemi të bëjmë ose jo me një rast abuzimi seksual brenda familjes Begolli nga fshati Menkulas i Devollit. Autori akuzohet për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14 – 18 vjeç”.

Arrestimi

Një 44-vjeçar nga fshati Menkulas i Devollit është vënë pranga nga policia e Korçës nën akuzën e përdhunimit. Rreth orës 05:30 të mëngjesit të djeshëm, blutë e Korçës arrestuan në flagrancë shtetasin Gjergji Begolli, nën akuzën e kryerjes se marrëdhënieve seksuale me dhunë me nusen e djalit të tij. Ndërsa mësohet se 17-vjeçarja ka shkuar ne fshatin e hallës së saj në Ponçare. Tashmë 44-vjeçari Begolli pritet të dalë përpara gjykatës për t’u përballur me akuzën “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur”. Gjergji Begolli, sipas policisë së Korçës, akuzohet nga nusja 17-vjeçare me inicialet K.Gj me origjinë nga Laçi, se ka abuzuar seksualisht me të ndërsa kanë qenë vetëm në shtëpi. Sipas burimeve policore, 17-vjeçarja ka denoncuar në polici vjehrrin e saj, me pretendimin se ky i fundit e ka detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë gjatë kohës që burri i saj ishte në mal për të mbledhur dru. Pas marrjes së dëshmisë së nuses së re, policia ka vënë në pranga 44-vjeçarin.

Reagimi

I menjëhershëm ka qenë reagimi i gruas së të akuzuarit, Anila Begolli lidhur me akuzat e nuses së djalit ndaj vjehrrit të saj. Sipas saj, Gjergji e kishte 17-vjeçaren si vajzën e vet, Jolën. Madje, Anila shkon më tej në reagimin e saj, duke hedhur dyshime se vajza mund të ketë krijuar një lidhje jashtëmartesore dhe për këtë është larguar nga shtëpia, por i është dashur një pretekst për t’u larguar. Sipas vjehrrës së 17-vjeçares, dyshimet për lidhje jashtëmartesore i përforcon edhe fakti se 17-vjeçarja gjatë gjithë kohës fliste në telefon dhe vetë ajo disa herë e ka kapur duke folur në këto ditët e fundit.

Dëshmia

Anila Begolli, vjehrra e nuses së re e nis dëshminë me arsyet e mungesës së saj një natë më parë në shtëpi. “Unë para dy ditësh kam qenë në fshatin Braçan. Kam pasur vajzën sëmurë dhe kam vajtur të rri një natë te vajza ime. Kam ndenjur një natë te vëllazëria. Të nesërmen në mëngjes burri ka ardhur të më marrë mua, të rrijë edhe një orë dhe të nisemi për në shtëpi” rrëfehet ajo, duke shtuar edhe mënyrën sesi mësoi se nusja ishte larguar nga shtëpia. “Në këtë kohë që burri bëri një orë e gjysëm që ka ardhur, në këtë kohë m’i ka rënë djali nga mali, m’i ka rënë telefonit. Mami më thotë, nuk gjendet Klodi në shtëpi. Ka hyrë brenda djali dhe ka gjetur një letër. Në atë letër shkruhej, Kelvi unë jam në Ponçar. U largova nga shtëpia jote i shkruante, sepse më përdhunoi babai yt” dëshmon gruaja, ndërsa mohon kategorikisht që burri i saj të ketë kryer një veprim të tillë, duke shtuar se “në asnjë mënyrë kjo nuk është e vërtetë. Familja më e ndershme dhe më e urtë se ne nuk ka. Gjergji me nusen ka qenë si Gjergji më Jolën, të bijën”. Më pas gruaja vazhdon me dyshimet që ka mbi nusen e saj për një lidhje të mundshme jashtëmartesore dhe akuzat ndaj të shoqit i duhen si justifikim për t’u larguar nga shtëpia. “Celularët na i lëvizte gjithmonë. Ku janë lekët, nuk tregonte. Për zotin nuk janë thoshte. E kam zënë me celular në dorë, nuk tregonte. U bënë 10 ditë këto muhabete” e mbyll dëshminë Anila Begolli, gruaja e të akuzuarit për përdhunim të nuses së djalit.

 

 

Sarandë

U dhunua një javë më parë teksa grabitej, humb jetën i moshuari

Ka ndërruar jetë pas një jave i moshuari i dhunuar nga dy grabitës me maska. Policia e Sarandës bën me dije se, 87-vjeçari Konstandin Boli nuk ka mundur t’u shpëtojë dot plagëve të rënda që i kishin shkaktuar dy grabitësit në mbrëmjen e 2 nëntorit, në fshatin Velahovë të Sarandës. Dy personat e maskuar dhe të armatosur përveçse grabitën para dhe sende me vlerë në banesë, dhunuan 87-vjeçarin dhe bashkëshorten e tij, Vasiliqi Boli. Policia informon se është ende në kërkim të dy grabitësve.

Korçë

Kapen me 57 kg drogë, prangosen 3 persona

Policia e Korçës ka sekuestruar një sasi droge prej 57 kilogramësh e llojit kanabis sativa, si dhe ka arrestuar 3 persona të përfshirë në trafikun e drogës. Sipas burimeve të policisë, droga u sekuestrua në lagjen 6 në Korçë, dhe se gjatë ushtrimit të kontrollit të poseduesve të drogës u gjetën edhe armë zjarri. Si rrjedhojë, policia ka arrestuar tre shtetasit, Mario Tanellari 29-vjeç, Kosta Agora gjithashtu 29 vjeç, si dhe 30-vjeçarin Artur Bezo, të akuzuar për “trafik të lëndëve narkotike” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Sarandë

Përfshihet nga flakët trageti, shkak saldimi

Një traget është përfshirë nga flakët ditën e djeshme teksa ka qenë në proces remonti, në Liman të Sarandës. Sipas burimeve të Policisë së Sarandës, trageti “Kaliopi” gjatë saldimit është përfshirë nga flakët, por ndërhyrja në kohë e zjarrfikëses bëri që të neutralizohet zjarri dhe të shmanget djegia e tragetit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency