Ligji “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë” Amendamenti i Finos “përçan” votat e së majtës, pro Vangjel Dule, abstenon Ben Blushi

0
70

Florenc Drizari

Bashkim Fino: Në qoftë se duan që të votojnë këtë amendament timin, do ishte një nder i madh për mua dhe për ministrin e Financave

 

paloka-hedh-leke-280x200Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi amendamentin e propozuar nga deputetit i Partisë Socialiste, Bashkim Fino, lidhur me projektligjin “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë”. Amendamenti i z. Fino parashikonte shkurtim e bonusit për të gjithë administratën e lartë dhe deputetët duke e bërë atë zero. Gjatë kohës së votimit opozita nuk ishte e pranishme në sallën e Parlamentit, ndërkohë që pjesa më e madhe e deputetëve të mazhorancës votuan kundër propozimit të deputetit socialist. Amendamenti i tij mori 60 vota kundër, 6 pro dhe 7 abstenime.

Votimi i këtij propozimi solli pështjellim në radhët e deputetëve të së majtës, edhe pse disa minuta para votimit, kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, zhvilli një mbledhje grupi brenda seancës plenare. Nga ajo që u konstatua në sallë, u duk sikur socialistët nuk i kishin të gjitha votat në Kuvend dhe për këtë Ruçi kërkoj disa minuta kohë për të thirrur deputetët jashtë sallës apo edhe jashtë Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë votimit të amendamentit të z. Fino, nënkryetari i Parlamentit Vangjel Dule votoi pro tij, ndërsa deputeti Ben Blushi abstenoi.

Bashkim Fino

Gjatë fjalës së tij lidhur me shpjegimin e propozimit të amendamentit para deputetëve, deputeti Fino tha se do të ndihej i nderuar nëse kolegët e tij do ta mbështesnin nismën. Propozimet sipas tij ishin bërë bazuar në rregulloren e Kuvendit. Lidhur me këtë çështje, Fino është shprehur kundër draftit edhe në Komisionin e Ligjeve, duke kërkuar rishikimin e tij.

“Amendamentin kolegët e kanë në tavolinë. Unë e kam trajtuar edhe në mbledhje të grupit edhe në mbledhje të komisionit. Në qoftë se duan që të votojnë këtë amendament timin, do ishte një nder i madh për mua dhe për ministrin e Financave, sepse do të ishte i zeruar bonusi në rastin konkret për të gjithë administratën e lartë dhe për të gjithë deputetët. I bëj thirrje deputetëve të votojnë për të mos pasur asnjë lloj bonusi. Është e drejtë e tyre për të votuar. Unë në bazë të nenit 74 të rregullores, e kam respektuar këtë pikë duke e dorëzuar 24 orë para këtë amendament dhe jam në pritje të votimit tuaj”, – deklaroi Bashkim Fino pak para se amendamenti i tij të votohej nga deputetët e mazhorancës.

Në tërësi projektligji për “Rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë” mori 71 vota pro dhe një kundër, Bashkim Fino.

Erion Braçe

Një tjetër propozim për ligjin e “Rregullimit të shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë” ishte bërë edhe nga deputeti i opozitës Sherefedin Shehu. Por mungesa e prezencës së tij në sallën e Parlamentit për shkak të bojkotit që opozita i bëri votimit, krijoi mundësinë që për këtë nismë të flisnin deputetët e mazhorancës. Kryetari i Komisionit për Ekonominë, Erion Braçe, tha se amendamentet nuk i ishin nënshtruar filtrit të këtij komisioni. Sipas Braçes, propozimet e deputetit Shehu nuk qëndrojnë.

“Për amendamentet e z. Sherefedin Shehu, më vjen keq të them se amendamenti i parë i tij nxjerrë pothuajse jashtë çdo funksioni çdo dikaster të këtij vendi. Pra, lë pa asnjë lloj mundësie lëvizjeje, nëpunësit e nivelit të mesëm që kanë detyrë të ushtrojnë detyrat e tyre funksionale edhe jashtë Tiranës. Kurse për amendamentin e dytë, është propozuar që edhe kur deputeti është i ftuar jashtë, edhe kur ftuesi nuk i paguan detyrimet e tij, paguan Kuvendi. Kjo është e tepërt edhe pse ka ndodhur në legjislaturën e kaluar”, – tha Braçe. Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta,hodhi për votimi vetëm amendamentin e deputetit Fino, nismë e cila u rrëzua nga deputetët e majtë.

 

 

 

 Votimi i ligjeve në Kuvend

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.160, datë 15.10.2009 “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë”. (Shumicë e thjeshtë)

71 vota pro
1 kundër – Bashkim Fino

Projektvendim “Për ngritjen e nënkomisionit “Për Qeverisjen Vendore” dhe të nënkomisionit “Për të drejtat e njeriut” në përbërje të Komisionit parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut”. (Shumicë e thjeshtë)

73 vota pro
1 kundër – Bashkim Fino

Amendamenti i z. Fino “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë”

60 vota kundër
6 pro
7 abstenime

 

Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin nr. 48/2013 “Për caktimin e përbërjes së komisioneve të përhershme të Kuvendit”. Propozim i kryetarit të grupit parlamentar të PD-së.

72 vota pro
1 kundër – Saimir Tahiri

 

Ngrihet nënkomisioni “Për Qeverisjen Vendore”

Bashkim Fino kryetar (voton kundër ngritjes së këtij nënkomisioni)
Gent Strazimiri zv.kryetar
Blendi Klosi anëtar
Spartak Braho anëtar
Keltis Kruja anëtar

 

 

Ngrihet Nënkomisionit “Për të drejtat e njeriut”

Vasilika Hysi kryetare
Arben Ristani zv.kryetar
Ermonela Felaj anëtare
Luan Duzha anëtar
Kastriot Islami anëtar

 

PD ndryshon përbërjen në komisione, lëvizin Ristani, Bogdani, Ruli e Imami. Saimir Tahiri voton kundër

Me kërkesë të kryetarit të grupit parlamentar, Edi Paloka, drejtuar Kuvendit, PD propozoi ndryshime të emrave të deputetëve nga komisionet parlamentare. Edhe pse opozita nuk ishte në sallë gjatë votimit të kërkesës së saj, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u kërkoi deputetëve të mazhorancës të votojnë pro nismës së PD-së. Gjatë votimit mazhoranca votoi pro kërkesës së opozitës, ndërkohë qe vota e vetme kundër ishte ajo e ministrit të Brendshëm, z. Saimir Tahiri. Më herët gjatë raportimit të këtij të fundit në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, pati shkëmbime debatesh dhe akuzash me deputetët e opozitës.

Kështu sipas kërkesës së PD-së, deputeti Arben Ristani largohet nga Komisioni për Integrimin Evropian dhe caktohet anëtar për Sigurinë Kombëtare.

Nga ana tjetër, deputeti Gerti Bogdani largohet nga Komisioni për Integrimin Evropian dhe shkon anëtar për Politikën e Jashtme.

Ndërsa deputeti Genc Ruli caktohet anëtarë në Komisionin për Integrimin Evropian dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, largohet nga Komisioni për Politikën e Jashtme dhe caktohet anëtar në Komisionin për Integrimin Evropian.

 

 

Gjobitja e makinave të deputetëve, Stërkaj kërkon mbështetjen e Metës për parkimet

Deputeti i Partisë Socialiste, Paulin Stërkaj, i kërkoi zyrtarisht Kryetarit Ilir Meta, të marrë masa për sigurimin e parkimit të deputetëve para godinës së Parlamentit dhe Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë. Kërkesën e tij, z. Stërkaj e lidhi me aksionin e fundit të policisë ku dy ditë më parë u gjobitën para Kryesisë së Kuvendit disa makina deputetësh për parkim të gabuar.

Nisur nga fakti që këtu në Parlament kemi një seancë në javë, por në komisionet përkatëse të deputetëve në Kuvend kemi disa seanca, problem i madh është bërë puna e parkimit të automjeteve të deputetëve. Ju si kryetar i Parlamentit (Ilir Metës) bashkë me Kryesinë e Parlamentit, duhet të merrni masa që ne t’i vendosim makinat në vendet e duhura që të mos gjobitemi nga ana e policisë. Se nuk duam të thyejmë ligjin, por është me detyrë kjo punë, s’kemi asnjë shans tjetër. Prandaj, duhet të merrni masa që të vendosni tabelën për parlamentarët në mënyrë që ne të mos gjobitemi se nuk është reklamë e mirë për ne”, – deklaroi Paulin Stërkaj gjatë seancës së djeshme plenare, në kohën e votimit të projektligjeve. Nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit, Meta tha se do të interesohet për këtë shqetësim të ngritur nga deputeti Stërkaj.

 

 

 

Cani: Asnjë zyrtar nuk do të udhëtojë me bileta biznesi, Rama ka reduktuar eskortën personale

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, gjatë debateve të Kuvend për ligjin “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë”, sqaroi se përfitimet që drafti, reduktojnë shpenzimet e zyrtarëve të lartë të shtetit. Për këtë ai përmendi edhe shkurtimet në eskortën e Kryeministrit Rama.

“Kursimi prej 165 milione lekesh, kursim qe vjen nga reduktimi i nje privilegji qe eshte per 437 zyrtare te larte eshte i mirepritur, Cdo qeveri e pergjegjshme e fillon nga vetja pavaresisht reaksionit qe krijohet. Ne praktiken nderkombetare njohen raste kur qeveritaret propozojne uljen e pagave, jo se e kane shpetuar vendin nga kriza, por japin mesazhin per kursimin e parase publike. Kete do te shihni edhe nga qeveria jone, me masat qe priten te merren se shpejti se bashku me paketen fiskale, kryeministri ka reduktuar eskorten personale, asnje zyrtar nuk do te udhetoje brenda Evropes me bileta biznes, ndryshime ligjesh qe krijojne privilegje per nje pjese shume te vogel te administrates se larte”, – tha Cani.

 

 

 

“Blerja e votave në Korçë”

Opozita të hënën nis protestat për “Korçën”, Rama: I gatshëm për hetimin e zgjedhjeve lokale

Opozita braktis votimin e ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë

 

Kryetari i grupit parlamentar, Edi Paloka, paralajmëroi se të hënën e ardhme opozita shqiptare do të protestojë para Kryeministrisë lidhur me “skandalin” e blerjes së votave në Bashkinë e Korçës. Debatet për këtë çështje shoqëruan për disa orë seancën e djeshme plenare, ndërkohë që opozita pak para se mazhoranca të kalonte në miratimin e ligjeve që ishin në axhendë, bojkotoi procesin e votimit. Në një dalje publike për mediat para Kuvendit të Shqipërisë, deputetit Paloka tha se tha se kjo protestë është një thirrje për qytetarët që të reagojnë kundër shkeljes së të drejtës themelore për të votuar të lirë.

Edi Paloka

“Ajo që ka ndodhur në Korçë është një sinjal alarmi për të gjithë. Kemi të bëjmë me një sistem të ngritur deri në detaje nga PS dhe për marrjen me forcë të votës për ata qytetarë që nuk pranojnë ta shesin votën. Të hënën do të kemi një protestë simbol përpara kryeministrisë, për këtë akt të rëndë, është më tepër një thirrje për qytetarët shqiptarë që të reagojnë. Është për të ardhmen tonë, nuk është një shaka e Edi Ramës për tu zgërdhirë”, – deklaroi Paloka.

Edi Rama në Kuvend

Nga foltorja e Parlamentit, Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje opozitës që të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të vërtetuar nëse ka shkelje me votat në Korçë. Kreu i qeverisë theksoi se vota është e shenjtë dhe se PS kur ka qenë në opozitë ka sakrifikuar dhe me njerëz në emër të saj. Për këtë Rama i rikujtoi opozitës protestat për zgjedhjet e vitit 2009. Gjithashtu kreu i qeverisë i kërkoi opozitës që të ndjekë rrugët ligjore pamjet e emisionit investigativ.

“Çdo gjë, që ka lidhje me votën për mua vetë dhe për të gjithë këtu kemi luftuar shumë kemi sakrifikuar jo pak, kemi humbur dhe njerëz. Nuk është as e diskutueshme as e negociueshme dhe keni gjithë të drejtën e Zotit që interpretimin tuaj ta verifikoni në të gjitha rrugët që ju i konsideroni të drejta dhe që kushtetuta ia njeh, jo një opozite të tërë, por dhe një individi të vetëm që të kërkojë të drejtën e tij. Në këtë pikë jam 100% me ju dhe jam shumë krenar se përsëri ne bëjmë një dallim shumë të qartë”, – tha Rama.

Niko Peleshi

Më herët, zv.kryeministri Niko Peleshi theksoi se në procesin elektoral të Korçës, të majtë dhe të djathtë i dhuruan Shqipërisë një proces elektoral model. “Të majtë apo të djathtë i kanë dhuruar Shqipërisë një proces model elektoral, zgjedhjet e Korçës kanë qenë më të mirat në një Shqipëri evropiane dhe qytetare, larg presionit të vendit të punës, larg frikës”, – tha ai.

Jozefina Topalli

Ndërkaq, një qëndrim të ashpër për blerjen e votave në Korçë, mbajti edhe ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Sipas saj, ajo akuzoi Kryeministrin Rama për këtë çështje.

“Ky të dashur miq është alarm për demokracinë, kur zgërdhihet dhe Kryeministri të dashur shqiptarë bëhuni gati. E vërteta është se kjo që pamë dëshmon qartë që kemi aty një kryeministër të 2-mijëlekshave. Këtij nuk i qesh më buza ndonjëherë, ky zgërdhihet, ky ka frikë. Ky nuk punon, por bën show. Pak ditë më parë pashë sesi i tha kryebashkiakut të Vlorës që do të rri afër si mik, por do të të fus në burg. Dhe në Vlorë do kemi së shpejti zgjedhje të reja lokale. Por ja ku po ua them se shqiptarët nuk mund t’i bleni të gjithë, por nuk e zhbën dot që ti do mbetesh në histori si kryeministri i 2-mijëlekshit”, – deklaroi Topalli. Në tërësi të gjithë deputetët e opozitës që u përfshinë dje në seancë në diskutime, çështjen e blerjes së votave në Bashkinë e Korçës e kishin prioritare, duke akuzuar krerët e mazhorancës për skenarët e lartpërmendur.

 

 

 

Deputetët e PD-së i hedhin “kartëmonedha 2000-lekëshe” Ramës në Kuvend

“Republika e dymijëlekëshit. Te blerja e votës unë besoj”. Ky ishte mesazhi i stampuar në kartëmonedha 2-mijëlekëshe që deputetët e opozitës i hodhën homologëve të tyre në sallën e Kuvendit dhe Kryeministrit Edi Rama. Pas përfundimit të fjalës së kreut të grupit parlamentar demokrat, deputetët e opozitës në shenjë proteste për imazhet e shfaqur në një emision investigativ ku shfaqeshin studentë që merrnin 20 mijë lekë të vjetra ditën e zgjedhjeve lokale në qytetin e Korçës, hodhën kartëmonedha me foton e Kryeministrit Rama.

Deputetët e Partisë Demokratike “mbushën” Kuvendin me kartëmonedha 20-mijëlekëshe me fytyrën e Kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë, pas këtij gjesti, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, i cili e ka cilësuar sjelljen e deputetëve si jo etike dhe krejtësisht të padenjë.

“Veprime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me etikën që duhet të tregojmë. Kjo sjellje për mendimin tim është krejtësisht e pavend dhe e padenjë”, – u shpreh Meta.

Ndërkaq, para nisjes së seancës plenare, disa dhjetëra të rinj, protestuan para Kuvendit të Shqipërisë duke hedhur kartëmonedhat false.

 

 

Gerti Bogdani: Në një muaj, Edi Rama e ka nxjerrë Shqipërinë në shitje!!!

Skandali i publikuar në media lidhur me blerjen e votave në Bashkinë e Korçës solli debate të ashpra një ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë mes deputetëve të pozitës dhe opozitës. Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, akuzoi direkt Kryeministrin Rama për këtë fenomen, duke ngritur dyshime lidhur me ngjarjen që ndodhi pak ditë më parë gjatë zgjedhjeve lokale në Korçë. Sipas deputetit Bogdani, Shqipëria është nxjerrë në shitje në këtë pak kohë që qeveris e majta.

“Është nxjerrë në shitje dinjiteti i shqiptareve kur ata largohen nga puna pa asnjë shkak, për të shpërblyer me paratë e shtetit qindra militantë, edhe ata që votën e kanë shitur dhe blerë me 23 Qershor! Është nxjerrë në shitje e drejta e pronës, kur asaj i vihet tritoli sipas tekave të njërit apo tjetrit! Është nxjerrë në shitje e drejta e jetës, kur ajo cenohet dhe keqpërdoret siç beri kryeministri sot, me rastin fatkeq të minierës së Pogradecit, pa iu dridhur qerpiku, e pa iu skuqur faqja se përgjegjësinë e ka totalisht ai! Është nxjerrë në shitje shëndeti i shqiptareve, kur diskutohet për të eliminuar në Shqipëri armët me lënde kimike të Sirisë!”, – deklaroi Bogdani nga foltorja e Parlamentit.

Sipas tij, “Rama jo vetëm që nuk u distancua nga çështja në fjalë, por e mbrojti gjestin!” Ndërkaq, me kërkesë të PD-së, deputeti Bodgani kalon nga Komisioni Evropian në atë për Politikën e Jashtme.