Intervista Rama: Nuk jemi zgjedhur për të kënaqur opozitën

0
45

 

Kryeministri: S’heq dorë nga të rinjtë pa përvojë në administratë

“Integrimi evropian s’është një qëllim në vetvete, është një instrument për t’u rritur”

ediramaaaKryeministri Edi Rama deklaron se mazhoranca qeverisëse nuk është zgjedhur nga qytetarët për të kënaqur opozitën, por për të udhëhequr. Në një intervistë për “Bugajski Hour”, kreu i qeverisë komentoi situatën ekonomike në vend, ndryshimet në administratë, mundësinë e marrjes së statusit kandidat si edhe marrëdhëniet me fqinjët e përkatësisht partneritetin strategjik me Turqinë.

 

Zhvillimi ekonomik, pa dyshim, është kyç për të ardhmen e Shqipërisë dhe për çdo qeveri që kërkon të ketë sukses. Ju deklaruat se vendi është në një krizë të thellë ekonomike me një borxh të madh publik! A mund të na qartësoni se sa i madh është borxhi dhe si planifikoni ta ulni atë në vazhdën e vitit të ardhshëm?

Ne jemi në diskutime intensive me FMN-në dhe Bankën Botërore dhe jemi shumë pranë finalizimit të një programi të ri me FMN-në. Gjë për të cilën jam krenar, sepse s’është se FMN-ja po vjen të shpëtojë Shqipërinë, por është Shqipëria ajo që po kërkon ndihmën e FMN-së, jo për t’u shpëtuar, por për t’u rikthyer në binarët e stabilitetit makroekonomik dhe që të fillojë të luftojë një borxh publik që rrezikon të bëhet fund e krye i paqëndrueshëm. Me t’u thënë kjo, ne duhet të merremi, siç e thashë, me një volum borxhesh të prapambetura që nuk është ende krejtësisht i qartë dhe andaj ne kemi pajtuar një kompani auditimi, Deloitte & Touche, për të na ndihmuar që të kryejmë një auditim të plotë të këtij volumi të borxheve. Njëkohësisht, ne besojmë fort se ne s’mund ta shpiem Shqipërinë më tutje si një qeveri që i ka borxhe komunitetit të biznesit. Pra, fillimisht, ne duhet të lajmë këtë borxh dhe pastaj të kërkojmë përgjegjshmëri nga komuniteti i biznesit, duke qenë kështu të parët shembulli i përgjegjshmërisë. Mandej, ne do të ecim përpara me një program fleksibël të rritjes, me FMN-në dhe BB-në. Unë kam një besim të fortë se vitin e ardhshëm Shqipëria ka për të qenë në një situatë për të rifilluar rritjen. Dhe mbas një numri vitesh me një normë rritjeje në rënie, ne do të kemi një rifillim.

Lejomëni t’i kthehem një teme tjetër, e cila ka goxha rëndësi, e lidhur kjo me ndryshimet në administratën publike. Si do t’u përgjigjeni akuzave të opozitës se qeveria juaj në njëfarë mënyre po e politizon procesin ose po vendos njerëz të rinj e pa përvojë në administratë? Vazhdoj ta dëgjoj këtë që kur mbërrita në Tiranë!

Sa më pëlqejnë këta njerëz të rinj dhe pa përvojë, dhe s’heq dorë nga ata dhe besoj tek ata. Unë nuk shoh kurrfarë të mire në të ashtuquajturën përvojë të dështimeve dhe në qeverisjen dhe menaxhimin e dështuar administrativ. Dhe shoh shumë të mira në sjelljen e të rinjve ambiciozë. Dhe, lejomëni t’jua them shkoqur: Ndoshta është shumë herët, por as 40 ditë nga dita kur u emëruan, Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve kanë treguar lidershipin e tyre dhe po flasin me rezultate. Dhe rezultatet janë mjaft inkurajuese. Muaji tetor, si në dogana ashtu dhe te tatimet, ka qenë jashtëzakonisht i mirë, sigurisht në krahasim me atë që ne kemi arritur, por po ashtu në krahasim me tetorin e 2012-ës. Pra, nuk i besoj as edhe një grimë këtyre dokrrave për mungesë të përvojës.

A ndjeni se disa qeveri të BE-së janë akoma skeptike për dhënien e statusit kandidat Shqipërisë? Kam dëgjuar se disa njerëz thonë që gjermanët janë paksa ngurrues, por edhe disa nga evropianët perëndimorë.

Ka dy gjëra! E para, qartësisht ka njëfarë ngurrimi në gjirin e BE-së, jo domosdoshmërisht ndaj Shqipërisë, por ndaj zgjerimit në përgjithësi. Dhe fatkeqësisht s’ka më shumë hapësirë për zgjerim, dhe kështu ky frustrim që ka të bëjë me opinione publike ngurruese, me zgjedhje në një vend apo në një tjetër, si dhe me njëfarë sensi cinizmi. Ne duhet t’u përgjigjemi këtyre. Ne jemi pjesë e këtij grupi të vogël. Por në anën tjetër, le ta themi qartë. Integrimi evropian s’është një qëllim në vetvete. Është një instrument për t’u rritur, për t’u modernizuar dhe për t’u bërë pjesë e Evropës duke e sendërtuar Evropën këtu. Pra, më e rëndësishmja s’është ajo që do të thuhet në Bruksel. Më e rëndësishmja është ajo që do të bëhet këtu. Dhe nëse ajo që do të bëhet këtu ka për të qenë arsye për të bërë të mundur që në Bruksel gjërat të thuhen ashtu siç duam ne, atëherë kjo është ajo që ne duam.

 

Them se polarizimi politik ekziston në të gjitha shoqëritë. Ne e kemi parë këtë si mos më qartë kohët e fundit në SHBA me mbylljen e qeverisë. Problemi në Shqipëri ka qenë bllokimi politik. A ka ndryshuar diçka që kur ju morët detyrën? Pra, a i keni zgjatur dorën opozitës, a ju ka zgjatur dorën juve opozita? A ka një konsensus kombëtar?

Le të flasim sinqerisht! Ne s’jemi zgjedhur që të kënaqim opozitën! Ne jemi zgjedhur që të udhëheqim. Por, në të njëjtën kohë, ne jemi më se të gatshëm që të dëgjojmë dhe të udhëheqim. Dhe ne jemi më se të gatshëm të dëgjojmë jo vetëm njerëzit apo shoqërinë civile, por fillimisht opozitën. Pra, ajo që kemi bërë dhe do të bëjmë është që t’u krijojmë atyre kushtet që të na thonë, jo nëpërmjet ekranit, por nëpërmjet dialogut se ç’mendojnë ata, se ç’propozojnë, dhe të kemi një shkëmbim mjaft të hapur të pikëpamjeve. Sigurisht, ne mund të mos ndryshojmë pikëpamjet tona, por fundja fundit ne s’jemi zgjedhur që të kënaqim ata. Njëkohësisht, ne jemi zgjedhur që të ndryshojmë modelin e qeverisjes, dhe unë jam mjaft i angazhuar që të mos lejoj që për shkak të arrogancës së pushtetit, opozitës t’i ndodhë ajo që na ndodhi ne kur ishim në opozitë. Si dhe të mos privojmë opozitën nga asgjë nga e cila ne u privuam kur ishim në opozitë.

 

Të flasim tani për Turqinë, me pak fjalë. Cila është domethënia e partneritetit të ri strategjik të deklaruar mes Shqipërisë dhe Turqisë? Gjatë vizitës së ministrit të jashtëm turk, Davutoglu, kur u shpalos edhe partneriteti. Ka plane të tjera për partneritete të ngjashme mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera?

Jo, për mendimin tim, thjesht deklaruam atë çka ishte e qartë. Pyetja nuk është pse sot po bëhet një deklaratë e fortë e gjërave të qarta. Turqia është partner strategjik. Pyetja duhet të jetë përse kaq vonë? Duhet të jetë e kundërta. Sigurisht që kjo i shtohet pjesës që i mungon trekëndëshit mes Italisë, Greqisë dhe Turqisë. Arsyet janë fare të qarta. Të treja këto shtete janë anëtare të NATO-s, aktorë shumë të rëndësishëm në rajon. Italia dhe Greqia janë edhe anëtare të BE-së, Turqia po e kërkon anëtarësimin në BE dhe është e përkushtuar ndaj një perspektive të BE-së. Ekonomikisht, të tria vendet janë të përparuara, krahasuar me të tjerat, dhe këtu po shpallim vetëm atë që duket qartë.

Turqia ka vendosur marrëdhënie të mira me disa vende të Ballkanit, por kohët e fundit, gjatë vizitës së Kryeministrit Erdogan në Prizren, ai bëri një deklaratë, për të cilën më vonë tha se u keqinterpretua, se “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”. Kjo u prit shumë keq në Beograd. Sipas mendimit tuaj, ç‘donte të thoshte ai? Ç’nënkuptonte me këtë?

Them se është një keqkuptim apo një keqinterpretim si deklarata e famshme e Xhon Kenedit në Murin e Berlinit ku ai tha: “Unë jam berlinez”. Ai tha: “Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi” me kuptimin që këtu ndihem si në shtëpinë time, kurse ju ndiheni si në shtëpinë tuaj në Turqi. S’kishte fare lidhje me gjeopolitikën apo me…

Atëherë, ju nuk do shqetësoheshit aspak nëse do kishte thënë “Shqipëria është Turqi”?

Do ishte si… Do ishte njëlloj sikur unë të thosha që Shqipëria është Itali dhe Italia është Shqipëri. Dhe kur unë them se italianët janë shqiptarë të veshur me Versaçe, ç‘kuptim ka kjo? Nuk do të thotë që po shtirem, që duhet apo që kemi ndërmend që një ditë ta bëjmë Italinë pjesë të Shqipërisë.

 

Kryetari i Kuvendit

Meta: Opozita me hapësira pa kufi për shqetësimet e saj, çdo reformë me transparencë

“Rajoni është ndarë nga e kaluara e përgjakshme dhe po avancon drejt integrimit euroatlantik”

Integrimi i vendeve të rajonit në BE si edhe zhvillimet e fundit politike të vendit janë në qendër të intervistës së dhënë nga Kryetari i Kuvendit Ilir Meta për “Deutsche Welle”

Ballkani, edhe pse ka kaluar kohë nga konfliktet e përgjakshme, ende vuan nga gjurmët e së kaluarës që e pengon edhe bashkëpunimin mes vendeve fqinjë sot. Ju zoti Meta keni ndonjë projekt që në Ballkan të ketë një politikë më të pastër fqinjësie, bashkëpunimi dhe uniteti për integrimin e këtyre vendeve sa më shpejt në BE?

Unë besoj se rajoni ynë është ndarë një herë e mirë nga e kaluara e përgjakshme e tij dhe të gjithë vendet e rajonit po avancojnë drejt integrimit euro-atlantik. Njëkohësisht mendoj se kemi bërë hapa të mëdha në drejtim të thellimit të integrimit rajonal. Psh, kemi marrë vendime jetike për sa i përket lëvizjes së lirë të qytetarëve, ngritjes së bashkëpunimit mes vendeve tona në një stad më të lartë dhe përmirësimit të infrastrukturës që lidh vendet tona. Vizioni ynë për një rajon të sigurt dhe në paqe lidhet fort me heqjen e barrierave dhe rritjen e shkëmbimeve njerëzore dhe tregtare mes vendeve tona, në mënyrë që të gjithë bashkë të paraqesim një rajon konkurrent para investitorëve të huaj. Në të gjitha takimet që ne zhvillojmë me liderët politikë të shqiptarëve në rajon, ne vazhdojmë ti inkurajojmë ata që të jenë një forcë kontribuuese dhe integruese në vendet respektive ku ata jetojnë. Shqiptarët janë një popull paqësor dhe pragmatik, dhe si të tillë ne jemi të fokusuar në perspektiva konkrete që kanë impakt të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve.

Janë bërë një sërë “aksionesh” si ai kundër lojërave të fatit, bllokimi i ndërtimeve pa leje, ndryshime radikale nëpër sektorë, si në polici apo diplomaci. Gjithashtu Shqipëria edhe këtë radhë nuk i shpëton tërmetit që pëson administrata sa herë ndërrohen qeveritë.

Unë gjykoj se qeveria po tregon vullnet dhe angazhim maksimal për adresimin e sfidave të mëdha që ka vendi. Kemi një ekip qeverisës plot me energji dhe dëshirë për t’i shërbyer vendit dhe kam besim se shumë shpejt do shohim edhe rezultatet konkrete të këtij angazhimi energjik të qeverisë. Parlamenti do ta mbështesë qeverinë në përmbushjen e rekomandimeve të Bashkimit Evropian dhe në përballjen me sfidat ekonomike dhe sociale që përjeton vendi. Mendoj se Shqipëria ka nevojë të rrisë profesionalizmin dhe efikasitetin e administratës sonë, në mënyrë që t’a përgatisim vendin për etapën e negociatave për anëtarësim në BE. Natyrisht që të gjitha këto do bëhen në konsultim me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht më Bashkimin Evropian. Është e rëndësishme që çdo reformë të bëhet në respekt të ligjeve dhe me transparencë të plotë, në mënyrë që të mos ekzistojnë keqpërdorime për arsye protagonizmi.

Vlerësoheni në opinion për maturi në menaxhimin e seancave parlamentare duke futur qetësinë dhe tolerancën. Ndërkohë që jashtë parlamentit klima politike duket e acaruar dhe ende nuk ka një hap për dialog me opozitën. Zoti Meta ju çfarë do të sugjeronit që të dilet nga ky ngërç politik?

Nuk mendoj se ka ngërç politik, por një proces të natyrshëm riadaptimi të partive politike në pozicionet përkatëse. Është normale që opozita e re të bëjë opozitë, dhe ne e mirëpresim këtë. Madje duhet t’i japim kohën e nevojshme opozitës së re që të gjejë vetveten dhe të fuqizohet. Kështu duhet të funksionojnë gjërat në demokraci. Ne si Kuvend, do të fokusohemi në rritjen e transparencës, gjithëpërfshirjes në konsultime dhe vendimmarrje dhe në rritjen e cilësisë së dialogut politik mes palëve. Më vjen mirë që tashmë, dialogu zhvillohet në Parlament dhe në Komisionet parlamentare, ku opozita ka përfaqësimin maksimal të mundshëm. Ju garantoj se opozita do të ketë hapësirë pa kufi për të shprehur shqetësimet e saj dhe për të kontribuar në reformat që na presin.

Intervistoi: Mimoza Cika-Kelmendi