Vizita në Maqedoni Rama: Të zbatohet Marrëveshja e Ohrit, shmangni dhunën etnike

0
126

Gëzim Saliu

Kryeministri: Shqiptarët, faktor shtetformues në Maqedoni. Gruevski, asnjë fjalë për Ohrin: Marrëdhëniet ndëretnike, të qëndrueshme

 

gruevksi dhe rama perpara gardesZbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe shmangja e dhunës ndëretnike ishin dy ndër tema kryesore të diskutuara dje gjatë vizitës së Kryeministrit Edi Rama në Maqedoni. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski, Rama theksoi rëndësinë e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke shtuar se pas marrëveshjes Kosovë-Serbi, rajoni i ka të gjitha mundësitë për ta shfrytëzuar paqen si mundësi për zhvillim. “Sigurisht për ne është e rëndësishme që edhe Marrëveshja e Ohrit të jetë një pikë referimi në gjithë procesin e brendshëm politik në Maqedoni dhe të implementohet ajo dita ditës si një bazë e patjetërsueshme e mbarëvajtjes së punëve dhe suksesit të këtij vendi, që edhe ne jemi të interesuar dhe e mbështesim me gjithë zemër”, – deklaroi kreu i qeverisë shqiptare.

Vizita

Kryeministri Rama u prit dje me një protokoll dhe ceremoni shtetërore nga homologu i tij Gruevski, ku nga ana tjetër nuk munguan kritikat e opozitës vendase ndaj qeverisë për mungesën e flamujve shqiptarë në rrugët e Shkupit. Pas takimit, të dy kryeministrat dhanë një konferencën për shtyp ku bën të ditura detaje të bisedës mes tyre si edhe iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve. Duke folur edhe për incidentet e fundit ndëretnike në Shkup, Kryeministri Rama tha se qeveria shqiptare po ndjek me shqetësim të gjitha këto momente të shfaqjes së intolerancës dhe dhunës së natyrës ndëretnike. “Kemi qenë dhe mbetemi të vendosur të bëjmë thirrje për qetësi, maturi dhe vetëdije, sepse mbarëvajtja e marrëdhënieve ndëretnike është sukses i përbashkët. Për ne është e domosdoshme që të kuptohet sa më mirë nga të gjithë se e ardhmja është e përbashkët dhe bashkërisht do ta ndërtojmë të ardhmen në rajon dhe në këtë vend ku shqiptarët janë pjesë shtetformuese dhe janë të angazhuar në gjithë spektrin shoqëror dhe qeverinë e këtij vendi, që janë të interesuar për implementimin e marrëveshjes së Ohrit me sukses. Ne jemi mirëkuptues për kohën që kërkojnë proceset politike. Pra edhe njëherë them se çdo shprehje dhune i çon proceset prapa”, – theksoi ai. Ndërkohë Kryeministri Nikolla Gruevski, i cituar nga mediat maqedonase, nuk ka folur asnjë fjalë për Marrëveshjen e Ohrit, duke deklaruar shkurtimisht se marrëdhëniet ndëretnike janë të qëndrueshme. Ndër të tjera Gruevski theksoi mbështetjen e Maqedonisë në integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe faktin se të dyja vendet të kenë përparim në planin e eurointegrimeve. Vizita e Kryeministrit Edi Rama në Maqedoni vijoi gjatë mbrëmjes së djeshme në Tetovë, ku u takua me kryetarin Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi. Ky i fundit njohu Kryeministrin Rama me pakënaqësitë e opozitës shqiptare në Maqedoni kundrejt pushtetit, ku tha se qeveria aktuale ka lënë pas dore Marrëveshjen e Ohrit, ndërsa kërkoi ndërhyrjen e Tiranës për të siguruar më shumë të drejta për shqiptarët. Ndërkohë, nga selia e BDI-së, Ali Ahmeti kërkoi thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe vlerësoi rolin e BDI-së në rrugën integruese të Maqedonisë si dhe në bisedimet për çështjen e emrit me Greqinë.

 

 

Takimi me Presidentin

Ivanov: Të përfundojë magjistrali Adriatik-Jon. Rama: Mbështesim Maqedoninë në NATO

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, dje u takua me Kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin e vogël ballkanik. Në takim u bisedua për marrëdhëniet dypalëshe, ku u konstatua se ato janë pozitive, me dialog të vazhdueshëm dhe frytdhënës politik dhe se në të ardhmen dy vendet duhet të përqendrohen në mundësitë për përparimin dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik. Kryeministri Rama riafirmoi angazhimin e Republikës së Shqipërisë për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në NATO. Presidenti Ivanov falënderoi për mbështetjen e deritanishme të Shqipërisë dhe shfaqi shpresën se ajo do të vazhdonte edhe në të ardhmen. Dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për përparimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe përforcimin e bashkëpunimit rajonal. Rama dhe Ivanov kanë konstatuar bashkërisht se marrëdhëniet politike mes dy vendeve shënojnë trend pozitiv të zhvillimit, me dialog frytdhënës dhe të vazhdueshëm politik. “Marrëdhëniet politike mes vendeve tona kanë arritur nivelin që na mundëson të përqendrohemi plotësisht tek ajo që është më me rëndësi, pra për mirëqenien e qytetarëve tanë, dhe kjo është ekonomia, lidhja infrastrukturore dhe energjetike, bashkëpunimi tejkufitar, turizmi dhe të tjera. Këto janë fushat ku ne duhet të orientojmë energjinë tonë”, – citohet të ketë thënë presidenti Ivanov në deklaratën e përcjellë nga Presidenca, menjëherë pas takimit me Ramën. Ivanovi ka vënë theksin e tij edhe mbi nevojën e përfundimit të magjistrales Adriatik-Jon dhe lidhjen e saj me Korridorin 8.

 

 

Çështja e emrit

Rama: Në Maqedoni nuk solla porositë e Papulias, erdha si mik dhe fqinj

“Erdha këtu si mik dhe fqinj, dhe jo për të sjellë porosi nga dikush tjetër”. Kështu iu përgjigj dje Kryeministri Rama pyetjes nga gazetarët maqedonas nëse kanë biseduar me kolegun e tij Gruevski për kontestin e emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, dhe nëse ka transmetuar ndonjë porosi nga ana e presidentit grek Karolos Papulias, i cili dy ditë më parë vizitoi Shqipërinë. “Erdha si mik dhe fqinj, dhe jo që të sjellë porosi, por të diskutojmë në mënyrë të hapur për të gjitha çështjet me interes të përbashkët, si për integrimin në BE dhe NATO. Në këtë mënyrë do të bëhet më mirë edhe për shqiptarët edhe për maqedonasit… për të gjithë”, – tha kreu i qeverisë.

 

 

Vizita e Kryeministrit

Nuk vendosen flamujt shqiptarë. Proteston PDSH, qeveria: Rama nuk është Presidenti i vendit

Pritja e Kryeministrit shqiptar Edi Rama ka qenë sërish dje në qendër të akuzave të ndërsjella mes opozitës dhe qeverisë së Shkupit. Sipas PDSH-së, edhe ditën e djeshme kur kreu i qeverisë shqiptare nisi zyrtarisht vizitën nuk ishte vendosur asnjë flamur shqiptar në kryeqytet. Deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu theksoi se flamujt shqiptar nuk janë vendosur nëpër rrugët e Shkupit dhe para institucioneve shtetërore. “Sot gjendemi para Kuvendit të Maqedonisë, ku në këtë moment që flasim ne, zhvillohet takimi mes Kryeministrit shqiptarë Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit. Asnjë flamur shqiptarë nëpër bulevardet e Shkupit, siç mund të shihni, asnjë flamur kombëtar para institucioneve shtetërore, ku Kryeministri Rama zhvillon takimet bilaterale”, – theksoi deputeti Fazliu. Ndaj këtyre akuzave nuk ka munguar reagimi i qeverisë, e cila përmes zëdhënësit të saj ka pohuar se “protokolli parasheh që flamuj shtetëror nëpër rrugë të vendohen vetëm atëherë kur për vizitë zyrtare në vend qëndron presidenti i shtetit. Kryeministri Rama është pritur me të gjitha nderimet e larta shtetërore, dhe sipas procedurave që parasheh protokolli diplomatik”. Me rastin e pritjes së Kryeministrit shqiptar para qeverisë së Maqedonisë ishte organizuar dje ceremonia e pritjes me orkestrën shtetërore që bëri intonimin e himneve kombëtare si dhe u bë rreshtimi i gardës shtetërore para qeverisë së Shkupit dhe në ambientet e brendshme.

 

 

Darka mes Ramës, Thaçit dhe Ahmetit kushtoi 1000 euro, i pagoi BDI-ja

Mediat maqedonase nuk kanë lënë pa komentuar dje edhe darkën e përbashkët mes Kryeministrit Edi Rama dhe krerëve të partive shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi i PDSH-së dhe Ali Ahmeti i BDI-së. “Shqipmedia” bënte të ditur dje se darka e përbashkët në “Alexander Palace” ka kushtuar 63 mijë denarë ose rreth 1.020 euro dhe është paguar nga delegacioni i BDI-së. Kjo darkë u komentua gjatë dje në rrjete sociale në Maqedoni, kjo për shkak të rivalitetit mes PDSH-së në opozitë dhe BDI-së në qeveri. Ndër komentuesit ishte edhe publicisti i njohur shqiptar Kim Mehmeti i cili në rrjetin social “Facebook” ka komentuar informacionet lidhur me koston e darkës së përbashkët Rama-Thaçi-Ahmeti. “Mediat e sotme shtrojnë pyetjen se kush e pagoi darkën vëllazërore në Shkup të Kryeministrit të Shqipërisë me kryetarin e BDI-së dhe të PDSH-së, që paska kushtuar rreth një mijë euro? Dhe thonë se atë e paskan paguar këta të BDI-së! Jo, atë e kanë paguar shqiptarët e varfëruar të Maqedonisë! E ç’vlerë ka kjo një darkë vëllazërore, përballë të shumtave që krerët e BDI-së, për çdo ditë, i hanë me shokët e tyre maqedonas të qeverisë! Pastaj, kjo darkë ka edhe diçka pozitive: mbase ia ka mundësuar Tiranës zyrtare ta kuptojë sa e shtrenjtë është injoranca e politikanëve të këtushëm, e të cilën ka vite që e financojnë shqiptarët e Maqedonisë!”, – shkruante Mehmeti.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency