Tetë vendet për të kaluar pushimet dimërore brenda dhe jashtë vendit

0
216

 

Përgatiti: Driçim Çaka

 

Dardha në Korçë

dardhaShqiptarët nuk janë dalluar për pushimet dimërore, por vitet e fundit është kthyer në një trend të përvitshëm. Dikush shfrytëzon periudhën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, të tjerë shfrytëzojnë fundjavat për të kaluar disa ditë mes dëborës, të ftohtit, natyrës së qetë dhe bukurive natyrore që ka Shqipëria. Një vend i tillë, që në dimër duket se është pikturuar me dorë, është Dardha, një fshat në juglindje të Shqipërisë dhe vetëm 20 km larg Korçës me një lartësi 1320 m mbi nivelin e detit. Hotelet dhe shtëpitë e ndërtuara posaçërisht për turistët ka bërë që numri i vizitorëve të rritet çdo vit. Pasuria e historisë dhe traditës e bëjnë Dardhën një nga pikat turistike më të bukura të vendit tonë. Klima e favorshme dhe natyra e virgjër kanë bërë që kjo pikë turistike të frekuentohet nga shumë turistë, të cilët zgjedhin Dardhën për freskinë, ujin e ftohtë të burimeve dhe natyrën piktoreske. Fshati i Dardhës gjendet midis maleve e pyjeve, një bukuri e rrallë natyrore. Dardha ofron një klimë shumë të shëndetshme e ajër të pastër. Sportet dimërore, sidomos skitë, tërheqin turistë të apasionuar pas tyre. Emri Dardhë (nga fruti dardhë) vjen nga një legjendë, sipas të cilës thuhet se të ikurit qëndronin në një fushë rreth një peme dardhe dhe e quanin si fusha poshtë dardhës. Por dëshmia e parë për këtë fshat gjendet në enciklopedinë greke Pirsos “Në Dardhë, fshat shqiptar, u hap një shkollë në gjuhën greke në vitin 1768”.

 

Thethi

Parku Kombëtar i Thethit, vendi ku studiuesja e Ballkanit, Edit Durham, e ashtuquajtura krajlica e maleve, e quajti “si një mrekulli të krijuar nga Zoti”. Gjelbërim dhe borë, argëtim dhe adrenalinë, ushqim tipik dhe shtëpi prej druri, janë vetëm disa nga të veçantët e Thethit. Në luginën e Thethit të bien në sy banesat e ndërtuara me gurë, të forta e të larta, që dallohen për karakterin e lartë mbrojtës. Me 4320 ha tokë ka rreth 80 burime uji, 3 ujëvara të përhershme dhe disa të përkohshme. Një ndër bukuritë natyrore më të veçanta në Alpet Shqiptare është dhe ujëvara e Grunasit e cila me vendimin e qeverisë është shpallur monument natyre që mbrohet nga shteti. Një territor mikpritës, ku mund të kalosh ditë të paharruara bashkë me familjen. Vendi ku kombinohen argëtimi dhe relaksi, aktivitetet sportive dhe rekreative. Natyra e Thethit ofron eksperienca të reja dhe apasionante për t’u provuar së bashku, larg jetës stresante të së përditshmes në qytet. “Natyra, relaksi, gjërat e thjeshta, familjariteti dhe produktet gjenuine. Janë këto përbërësit e një udhëtimi të veçantë për të jetuar në zemër të fshatit, në Theth. Ditë pushimesh në afërsi të malit, për t’u kaluar në shtëpi tipike alpine të ndërtuara në harmoni të plotë me natyrën që e rrethon, ku mund të shijosh produkte bio dhe konservime të prodhuara në shtëpi”, – është imazhi që transmeton guida e udhëtimit për në Theth.

 

Razma në Shkodër

Razma është një ndër pikat turistike më të afërta me qytetin e Shkodrës. Ndodhet në Komunën e Shkrelit, në një distancë 43 km larg këtij qyteti dhe 65 km larg bregdetit (Velipojës). Zona e Razmës është rreth 900 m mbi nivelin e detit. Kjo zonë është shumë e përshtatshme për zhvillimin e turizmit malor veror dhe dimëror. Historikisht kjo zonë ka qenë bjeshka për veriun e zonës përreth fshatit Vrith etj. dhe është shfrytëzuar edhe nga shumë tregtarë te qytetit të Shkodrës. Një nga vendet e bukura malore te Shqipërisë, e cila është zbuluar që në shekullin XIX nga të huajt. Të parët që e kanë vlerësuar për bukurinë dhe pasurinë e saj natyrore ishin botanisti italian Antonio Baldoci, austriaku Dofler dhe gjeologu Boran Nopce.

“Sipërfaqja totale e Razmës është 3680 hektarë. Zona turistike e Razmës, në ndryshim prej zonave të tjera turistike të alpeve, shtrihet mbi një pllajë karstike, e cila paraqet kontraste befasuese në reliev, midis majave piramidale në pjesën më të madhe të pyllëzuara dhe gropave karstike, akullnajore-karstike të mbuluara nga kullotat alpine. Relievi i Razmës ndërtohet tërësisht prej shkëmbinjve karbonatikë të mesozoit me një strukturë bllokore tipike të ngritur mbi 1500 m lartësi, shkalla e lartë e tretshmërisë së këtyre shkëmbinjve ka bërë që në relievin alpin të Razmës, vendin kryesor ta zërë morfologjia karstike”, – është vlerësimi që i jepet nga Agjencia Kombëtare e Turizmit për zonën e Razmës.

 

 

Nga Voskopoja në Grabovë

Për të apasionuarit pas sporteve dimërore, përveç tri zonave të mësipërme, Shqipëria ka një sërë vendesh për të kaluar pushimet dimërore dhe për të praktikuar skitë. Zona kryesore për zhvillimin e këtyre sporteve është pika malore e Voskopojës, e cila ndodhet në rrethin e Korçës, 20 km në perëndim të saj. Voskopoja gjendet në një lartësi prej 1.160 metrash mbi nivelin e detit dhe shtresa e dëborës aty zgjat deri në tre muaj. Këtu gjendet “pista e skive” ku zhvillohen edhe garat e Kampionatit Kombëtar. Pikë tjetër është pista e Bigellit në Bonoshticë. Pika të tjera ku zhvillohen sportet dimërore janë alpet shqiptare në veri të vendit në pikat e, Bogës e Thethit, Shishtaveci në Rrethin e Kukësit, Grabova në rrethin e Gramshit, dhe Biza në rrethin e Tiranës. Po kështu vendi ynë ofron kushte të shkëlqyera topografike dhe natyrore për zhvillimin e sporteve ajrore. Pika më e favorshme është Qafa e Llogorasë në lartësinë 1.052 metra mbi nivelin e detit, ku drejtimi i erërave është mjaft i favorshëm. Parashutat që lëshohen nga kjo pikë ulen në plazhin e Palasës, duke përshkuar një eksperiencë të rrallë nga mali në bregun e detit.

 

Llixhat

Një tjetër formë e pushimeve dimërore janë dhe llixhat. Na vendin tonë ka disa pikë të tilla duke filluar nga Elbasani, Peshkopia, Fushë-Kruja, Vronomeros, Mirdita etj. Llixhat e Elbasanit ndodhen pranë qytetit të Elbasanit. Këto burime janë të njohura dhe të përdorura që gjatë periudhës romake. Analizat e ujërave të këtyre burimeve janë kryer në mënyrë të specializuar nga ana e inxhinierëve çekë, të cilët kanë evidentuar vlera të larta terapeutike. Këtu trajtohen sëmundje të shumta të rrugëve të frymëmarrjes, sistemit nervor, të lëkurës, stomakut etj. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera kozmetike. Sot gjenden shumë hotele private, që ofrojnë shërbime në këto llixha. Burimet e ujërave termale të Vronomeros. Këto burime gjenden 10 km në jug të qytetit të vogël të Leskovikut. Janë burime termale të pasura me kripëra të ndryshme, të cilat trajtojnë disa lloje sëmundjesh. Temperatura e ujërave është nga 29 – 40 gradë C. Këtu ofrohet akomodim modern me staf të specializuar mjekësor, si dhe me shërbim hotelerie. Burimet e ujërave termale të Biljat pranë Fushë-Krujës. Këto janë burime termale, të cilët ndodhen më pranë kryeqytetit. Ato gjenden në rrugën nacionale Vorë – Fushë Krujë në fshatin Bilaj, pranë urës së Gjolës. Burimet e këtyre ujërave termalë dalin nga depozitimet e luginës së Ishmit. Janë ujëra të pasura sulfurore me lëndë minerale si: Ca, Na, K, Fe, Mg etj. Temperatura e ujërave është 55 gradë C.  Këto të fundit kanë efekte kurative mbi probleme të reumatizmit, lëkurës dhe sistemit nervor.

 

Razllogu, Bullgari

Shumë pak mund të kenë dëgjuar për zonën e Razllogut në Bullgari, por ata që kanë pasur fatin të shkojnë aty janë mahnitur me bukuritë që ofron. Me rreth 400 euro në këtë zonë mund të kalohen disa ditë të veçanta, mes dëborës dhe natyrës piktoreske. Razllogu është një qytet në Bullgarinë Jugperëndimore. Lugina, në të cilën është dislokuar qyteti, është mbrojtur nga tri male – Rilla, Pirini dhe Rodopet. Çdo një prej vendbanimeve të afërta ka një lumë të vet, kurse përmes Razllogut kalojnë gjithsej katër lumenj. Në regjion ka mbi 180 liqene malore dhe akoma qindra burime të natyrshme minerale. Vetëm disa kilometra larg Razllogut gjendet qyteti Bansko, i cili është shpallur kryeqytet dimëror i Ballkanit. Një shtegu që e ka emrin “Drejt mbretërisë së stelës alpine” është një vendet ndër më te veçantët në rajon dhe ky shteg të çon dhe deri në vendin ku rritet stela alpine. Kjo është një bimë shumë e rrallë, e cila mund të shihet vetëm në malin Pirin. Mund të vizitohen dhe rajonet ku janë foletë e shqiponjës shkëmbore dhe shpellat e arinjve. Në Baçevo janë ndërtuar katër ose pesë baza, të cilat ofrojnë sporte të ndryshme me kuaj. Kjo është vetëm pesë kilometra larg Razllogut.

 

Kolashin, Mal i Zi

Kolashini është një qytet i bukur i themeluar nga turqit që në shekullin e 17-të dhe ndodhet në Malin e Zi. Me vetëm 300 euro çdo familje mund të njihet me një zonë të veçantë ku ndërthuret natyra dimërore me lumenjtë që e rrethojnë. Kolashini laget nga lumenjtë Tara dhe Moraca si dhe përqafohet nga malet e Sinjajevina, Bjelasica, Ključ dhe Vucje. “Qyteti piktoresk është ndërtuar në lartësinë prej 954 m dhe ofron mundësi të shkëlqyera për pushime dimërore. Për shkak të lartësisë mbi nivelin e detit ajri është shumë i pastër dhe këshillohet për pacientët që vuajnë nga sëmundje të mushkërive. Aty do të përjetoni paqen absolute, lirinë e plotë dhe harmonin perfekte”, – përmendet në guidat e agjencive turistike. Kolashini ndodhet vetëm 70 km nga Podgorica dhe aeroporti ndërkombëtar i tij.

 

Alpet Franceze

Alpet Franceze janë prej kohësh destinacion i njohur për ski apo alpinizëm. Ato janë shtëpi e shumë bujtinave alpine, tek të cilat mund të relaksohesh dhe të shijosh pamjet e mrekullueshme të maleve të mbuluara nga bora. Rajoni përmendet gjithashtu për bukuritë natyrore si dhe për liqenet alpine si Liqeni i Gjenevës (më i madhi prej tyre), liqeni i D’Annecy dhe liqeni Bourget. Per t’ju dhënë një ide më të mirë se ku të bëni ski në France po listojmë disa nga resortet me popullore. Ato janë: Val d’Isere, Meribel, Val Thorens, Tignes, Les Arcs, Courchevel, La Plagne, Alpe d’Huez, Les Deux Alpes dhe Chamonix.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency