Juventusi kërkon hakmarrjen ndaj galaktikëve në Torino

0
114

Jurges Veizaj

 

Sfida më interesante e sotshme në Ligën e Kampioneve duket se do të jetë ajo midis Juventusit dhe Realit. Një sfidë që duket se do të ketë grintë dhe hakmarrje në brendësi të saj

 

 

Juve realNjë sfidë hakmarrjeje. E tillë mund të quhet edhe sfida mes Juventusit dhe Realit, e vlefshme për fazën e grupeve në Ligën e Kampioneve. Dy ekipe që kanë brenda historinë, gola dhe trishtimin. Në përballjen e tyre të fundit skuadra që doli e zhgënjyer ishte Juventusi. Në një ndeshje që ishte paksa e ekuilibruar në të dy krahët, mirëpo që fitorja u takoi madrilenëve. Kjo, për faktin se ndeshja luhej në “Santiago Bernabeu” dhe se Reali pati më shumë shanse se Juve. Një ndeshje shumë e tensionuar që pati shumë polemika. Fillimisht ishin madrilenët ata që shënuan që në minutat e para me anë të Ronaldos, mirëpo atëherë kur mendohej se galaktikët do të ushtronin dhe më shumë trysni, qenë italianët ata që treguan grintë. Edhe pse jo duke luajtur futbollin më të bukur, “Zonja e vjetër” e menaxhoi mirë situatën që, me sa dukej, do të sillte edhe frytet e veta. Do të ishte Lorente ai që do të ndëshkonte Kasijasin me shokë. Spanjolli arriti që të ndiqte mirë topin e mbajtur në lojë nga Pogba dhe ta shtynte në rrjetë. Mirëpo, pas këtyre golave do të vinte edhe pjesa tjetër e lojës dhe më e polemizuar. Këtu duhet të përmendim penalltinë e Ronaldos dhe daljen me të kuqe të Kielinit. Të dyja shumë të diskutueshme. Ekipi torinez nuk qëndroi duarkryq, por akuzoi arbirtrat për gjykim jokorrekt. Dhënia e penalltisë që u shndërrua në gol nga Ronaldoja dhe dalja me të kuqe e mbrojtësit ishin edhe dy fragmentet që përcaktuan ndeshjen. Ndërsa kësaj radhe, sfida në “Juventus stadium” duket se do të jetë një histori tjetër. Të dyja ekipet vijnë nga një formë e mirë në kampionat. Kjo, pasi të dyja kanë arritur që të fitojnë në ndeshjet respektive. Te Reali ndryshimi i vetëm është se më në fund Bejli është bërë pjesë integrale e skuadrës. Një trio që bashkë me Benzemanë dhe Kristianon janë kthyer në një armatë të frikshme. Ndërsa te Juventusi, lajm është mungesa e Kielinit që doli më të kuq dhe duket se do të zëvendësohet nga Barxalji. Mirëpo duke marrë parasysh edhe faktorin fushë, italianët duket se janë me fat. Ekipi torinez ndihet i pamposhtur në tempullin e tij dhe këtë e vërtetojnë edhe statistikat, ndërsa përballë do të kemi edhe mësuesin përballë nxënësit. Ançeloti do të ketë përsëri kundërshtar Konten. Një ndeshje jo e lehtë, por për Karlo Ançelotin nuk ka shumë presion, pasi është një kockë e vjetër për këto sfida.

 

Konte: Shpresoj të gjykohemi mirë

Trajneri i Juventusit, Antonio Konte, ka thënë se përkundër vendimeve kundërthënëse të arbitrave në përballjen e parë ndaj Realit të Madridit, ai vazhdon të besojë se vendimet e tyre do të jenë të drejta. Bardhezinjtë nuk janë ndarë aspak të kënaqur me gjyqtarët, për shkak të penaltisë që iu dha “Los Blancos”-ve dhe për përjashtimin e Xhorxho Kielinit me karton të kuq në humbjen prej 2-1 në “Santiago Bernabeu”. Pas ndeshjes në kryeqytetin spanjoll, arbitrit Manuel Grafe i është ndaluar që të drejtojë ndeshje të nivelit të lartë, ndërsa Konte shpreson se stafi i gjyqtarëve për ndeshjen e të martës mbrëma do të jetë më i mirë. “Vendimet e arbitrave ndikuan në ndeshjen e parë. Por gjyqtarët bëjnë gabime, sikur të gjithë të tjerët. Ne duhet të mendojmë te loja e futbollit dhe të ruajmë besimin te gjyqtarët që do të na caktohen”, – u ka thënë 44-vjeçari gazetarëve. Anglezi Hauard Ueb do ta bëjë gjykimin e ndeshjes, të cilën “Zonja e vjetër” duhet ta fitojë me çdo kusht.

Ançeloti: Gati për të luftuar

Edhe tekniku Ançeloti në daljen e tij për shtyp foli për sfidën e sotme ku vlerësoi edhe punën që ka bërë ekipi i Kontes dhe që e di mirë se çfarë ndeshjeje e pret. Ai komentoi: “Konte ka bërë një punë të mirë me ekipin, ka punuar në një ambient të vështirë dhe ka bërë mjaft mirë në këto tri vite, më shumë nga ç’mund të imagjinohet. Është një ndeshje shumë interesante. Juvja ka më shumë probleme se ne në grup, por ndeshja është një mundësi më shumë për ne për shkak se na jep më shumë pikë. Sa më shpejt aq më mirë për ne. Ajo çfarë ne dimë është se do te jetë një sfidë me shumë intensitet. Por ne duhet të jemi gati për këto lloj ndeshjesh”, – vijoi tekniku. Edhe vetë italiani e di se të luash përballë Juventusit nuk është e lehtë pavarësisht skuadrës që ke. Por duket se strategu e ka luajtur dhe një herë lojën në kokën e tij dhe nuk do ët bëj gabimet që bëri radhën e gabuar. Pritet që sfida të japë emocione të mëdha. Nesër mund të shohim një Real të madh që mposhtet në ferrin italian, ose një Juventus që zhytet në terr pasi nuk arrin të marrë pikët që i duhen për kualifikim.

 

Tifozja e Lacios, Canës: Do të martohesh me mua

Kapiteni i kombëtares shqiptare ka qenë i ftuar në radion “Lazio Style Radio”, duke iu përgjigjur jo vetëm pyetjeve të gazetarëve, por edhe të tifozëve të ndryshëm. Dhe sigurisht nuk mund të mungonte edhe tifozja femër, e cila në këtë rast ka dashur ta vërë sadopak në siklet kapitenin kuqezi. Një nga mesazhet e shumta të mbërritur gjatë emisionit ishte edhe një propozim thumbues, kryesisht për të fejuarën e Lorikut. “Do të martohesh me mua”. Ndërkohë vetë Cana ia ka kthyer me një batutë të çastit: “Ndoshta! Mendoj se është bionde, sy të kaltër, ndaj po them ndoshta”. Më pas Cana është pyetur edhe për shokun e tij të skuadrës, rumunin Stefan Radu, me të cilin bën më shumë shaka se me cilindo. “Flet shumë, çka e bën të rrezikshëm (qesh). Por, nëse në fushë tregon se sa kualitet ke, atëherë të lejohet ta bësh një gjë të tillë dhe Stafani këtë gjë e bën më së miri. Është inteligjent dhe shumë i fortë fizikisht, çka na ndihmon shumë edhe ne të repartit të mbrojtjes”, – ka vijuar Loriku. Më tej, kapiteni kuqezi është pyetur edhe për Romën, skuadër që për momentin kryeson Serinë A. “Çdo futbollist që vjen të luajë te Lacio ndihet krenar për atë fanellë dhe e di fort mirë edhe rivalitetin që ekziston me Romën. Sinqerisht nuk më bëhet fare vonë për faktin se Roma sot është në krye të renditjes. Unë gjykoj se ne duhet që të koncentrohemi më shumë te loja jonë, pasi në këto javë na mungojnë të paktën 5- 6 pikë, të cilat i kemi lënë rrugës për shkak të gabimeve që kemi bërë. Ata janë të parët? Ju lumtë, por neve na intereson vetëm Lacio”, – ka vijuar Cana. Sakaq, qendërmbrojtësi i Lacios është pyetur edhe për Ligën e Evropës. “Një skuadër si Lacio duhet gjithnjë që t’i shkojë deri në fund çdo kompeticioni. Ne nuk duhet të bëjmë shumë llogari, por të shikojmë përpara dhe mundësisht të fitojmë çdo ndeshje”, – ka thënë Cana. Në fund ai ka dhënë edhe një mendim mbi ndeshjen me Milanin, ku mori një karton të verdhë dhe për këtë arsye nuk ishte dje në ndeshjen që Lacio humbi 0-2 ndaj Xhenoas.

 

Moxhi: Milani është në probleme

Milani po përjeton një krizë. Ky është mendimi i ish-drejtorit sportiv i Juventusit, Luçiano Moxhi, shprehet se Milani është në krizë totale, për shkak se tashmë nuk mund të quhet më një skuadër. Sipas tij, drejtuesit e Milanit kanë gabuar në merkato, pasi në vend që të merrnin sulmues cilësorë, e kanë mbushur ekipin me trekuartistë. Sipas tij Mario Baloteli nuk është më i përshtatshëm për Milanin dhe për këtë arsye duhet të largohet. Duke folur për ndeshjen e Juventusit me Realin në Ligën e Kampioneve, ka thënë se ajo do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Sipas tij, Reali është i frikshëm në sulm, por ka probleme në mbrojtje. Është pikërisht kjo pikë e dobët që duhet të shfrytëzohet nga Juventusi.

Ozil: Ançeloti, fajtori i largimit tim nga Reali

Duket se arsyet që u hodhën në shtyp mbi largimin e Ozilit drejt Arsenal paskan qenë të vërteta. Këtë duket se e ka konfirmuar dhe vetë lojtari që në një intervistë ka hedhur dritë mbi çështjen. Është shumë e rëndësishme për mua që trajneri të tregojë besim tek aftësitë e mia. Nuk kisha asnjë dyshim në fund të sezonit të kaluar se do të qëndroja për një kohë gjatë te Reali, por diçka ndodhi më pas dhe nuk e kisha më besimin e trajnerit. Ndërkohë, tani te Arsenali ndiej krejt të kundërtën”, – u shpreh mesfushori turko-gjerman. Pas transferimit në Londër, Ozil është kthyer në një lojtar mjaft të rëndësishëm dhe kontribuues për lojën e “topçinjve”. Në 7 ndeshje të Premier League, ish-madrileni ka shënuar 2 herë.

 

Partizani, gjobë lojtarëve dhe konfirmon Likën

Tri humbjet radhazi kanë prishur planet e Partizanit. Presidenca dhe bordi drejtues tek të kuqtë të hënën paradite ka vendosur të marrë disa masa ndëshkuese. I pari është konfirmuar trajneri Hasan Lika dhe Partizani nëpërmjet një deklarate për mediat ka përgënjeshtruar zërat që sjellin në krye të skuadrës një trajner turk. Lika do të vazhdojë punën dhe ka besimin e plotë të drejtuesve. Bordi ka vendosur të gjobisë lojtarët, duke i cilësuar ata si fajtorët e tri humbjeve radhazi që ka marrë Partizani në kampionat.

Fellaini: Riether duhej dënuar me të kuq

Mesfushori i Mançester Junajtidit, Maruane Fellaini, ka kërkuar nga Federata Angleze e Futbollit që ta dënojë mbrojtësin e Fulhamit, Sascha Riether, për ndërhyrjen ndaj kolegut të tij, Adnan Januzaj. Futbollisti belg ka kërkuar që të merren veprime ndaj gjermanit, i cili, sipas tij, është dashur të përjashtohej me karton të kuq në fund të ndeshjes që Djajtë e Kuq e fituan me rezultat 3-1 në Craven Cottage. “Sipas meje, ishte karton i kuq për mbrojtësin e djathtë. Shpresoj që arbitri ta ketë parë xhirimin më pas”, ka deklaruar Fellaini për MUTV. Pas incidentit, belgu 25-vjeçar u konfrontua me Rietherin, ndërsa këtë nuk e kanë parë asnjëri nga trajnerët e skuadrave respektive. Nga ana tjetër, menaxheri David Moyes ishte më i matur duke thënë se ndaj talentit 18-vjeçar ishin bërë disa ndërhyrje dhe se arbitri u desh t’i ndëshkonte, porse këtë nuk e bëri.

 

Pedro: Edhe Mesi do të shënojë së shpejti

Sulmuesi i Barcelonës, Pedro Rodriguez, është i bindur se bashkëlojtari i tij, Lionel Mesi, së shpejti do t’i kthehet avazit të shënimit të golave dhe do t’i lë problemet pas vetes. Argjentinasi nuk ka shënuar në katër ndeshjet e fundit në La Liga, ndërsa rënia e tij në formë ishte si pasojë e lëndimit. Mirëpo, kolegu i tij spanjoll nuk shqetësohet për katër herë futbollistin më të mirë në botë. “Leo do t’u kthehet golave shumë shpejt. Ai po jep asiste si gjithmonë dhe angazhohet shumë për skuadrën. “Nëse më pyesni mua, ai është i madh si përherë”, – ka deklaruar Pedro në një konferencë për media

Murinjo, i pakënaqur me sulmuesit

Trajneri i Çelsit, Hoze Murinjo, ka dhënë dritë të gjelbër për të blerë sulmues të ri në merkaton e janarit. “Daily Mail” shkruan se Murinjo është i frustruar që Fernando Torres dhe Samuel Eto kanë shënuar vetë nga një gol secili në Premier League. Demba Ba, sulmuesi i tretë i skuadrës, nuk ka shënuar në Ligën Premier që nga goli i fitores ndaj Uest Bromuiç më 2 mars. Kërkimi i Çelsit në Evropë pritet të kufizohet vetëm në lojtarë të cilët nuk kanë bërë paraqitje në Ligën e Kampionëve, por kjo nuk do t’i pengojë ata të kërkojnë zgjidhje. Sulmuesi i Liverpulit, Luis Suarez, është një ndër opsionet e Çelsit dhe u përshtatet kërkesave të klubit, por nuk pritet të shitet këtë sezon.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency