Intervista Lunacek: Zgjedhjet në Kosovë shenojnë një përparim

0
114

 

Zgjedhjet në Kosovë, me përjashtim të veriut, kanë qenë shumë më të mira se ato të mëparshmet, thekson në intervistë ekskluzive për “DW”, Ulrike Lunacek, raportuese e posaçme e Parlamentit Evropian për Kosovën.

 

LunacekDW: Zonja Lunacek, si i vlerësoni zgjedhjet e sapopërfunduara lokale në Kosovë? A mund të quhen ato të lira dhe demokratike?

Lunacek: Në përgjithësi, nëse i krahasojmë këto zgjedhje me ato të vitit 2010, në pjesët jugore të lumit Ibër, janë shënuar përparime të mëdha. Këto zgjedhje kanë qenë shumë më të përgatitura, si në aspektin njerëzor ashtu edhe teknik. Edhe në këto zgjedhje ka pasur përpjekje për frikësimin apo influencimin e zgjedhësve, por strukturat kanë qenë shumë më të përgatitura dhe më të organizuara. Në terren ka pasur rreth 50 prokurorë, të cilët kanë ndërhyrë në rastet e nevojshme dhe kanë mbajtur nën masa arresti dhjetra persona të dyshuar për parregullsi të ndryshme. Kjo ka funksionuar shumë mirë dhe për këtë jam e gëzuar.

DW: Do të thotë: që tani zgjedhjet në pjesët e tjera të Kosovës, përveç në veri, mund të quhen si të lira dhe demokratike, apo duhet të priten edhe vlerësime të tjera?

Lunacek: Unë do të prisja vlerësimet përfundimtare të misionit të Bashkimit Evropian, por kur i krahason këto zgjedhje me ato të fundit, mund të thuhet se ato janë organizuar shumë më mirë. Kjo ka të bëjë edhe me faktin që në vendvotime kanë qenë prezentë edhe përfaqësuesit e të gjitha partive politike, pra edhe të opozitës. Vëzhguesit kanë qenë shumë të përgatitur dhe kjo është shumë pozitive.

DW: Në këto zgjedhje nuk janë regjistruar vërejtje serioze të partive politike, madje as prej atyre që kanë shënuar rezultate më të dobëta…

Lunacek: …e vërtetë dhe kjo më ka befasuar pozitivisht, sepse asnjë parti politike nuk e ka kontestuar rezultatin e zgjedhjeve. Në shumë komuna do të ketë balotazh, por interesante është që jo në të gjitha komunat kanë fituar kandidatët për të cilët është menduar se do të fitojnë. Ky është një proces i domosdoshëm demokratik që dëshmon se shumë gjëra janë organizuar më mirë se sa më parë.

DW: Megjithatë një hije të rëndë mbi këto zgjedhje e kanë hedhur incidentet në veri të Kosovës, ku grupe ekstremistësh serbë kanë ushtruar edhe dhunë në vendvotime. Çfarë do të raportoni për këto ngjarje në Bruksel?

Lunacek: Unë edhe vet kam qenë në veri të Mitrovicës dhe i kam vizituar disa vendvotime. Fakt është që një numër i zgjedhësve ka dalë në votime. Sipas disa vlerësimeve deri në ora 15:00 kishin votuar mes 12 e 14% të votuesve. Është pritur që të ketë edhe më shumë votues, deri në 20%, që do të thotë se ka serbë të cilët janë të gatshëm të marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës dhe të jetojnë në këtë vend. Për fat të keq, ajo që ka ndodhur në mbrëmje, ku disa radikalë kanë sulmuar vendvotimet me gaz lotsjellës dhe me dhunë fizike i kanë dëmtuar kutitë e votimeve e ka dëmtuar rëndë procesin zgjedhor në këtë pjesë. Po të mos ishin këto incidente, pjesëmarrja në votime do të ishte edhe më e lartë. Kjo duhet të sqarohet deri në fund, sepse pak a shumë dihet se kush janë këta persona. Ata janë pjesëtarë të strukturave kriminale në veri, të cilat janë krijuar vitet e fundit, si pasojë e mungesës së veprimit të organeve të shtetit juridik. Shpresoj se ata do të kapen dhe do të arrestohen dhe se gjëra të tilla nuk do të përsëriten kurrë.

DW: Identifikimi dhe arrestimi i tyre është në duart e organeve të sigurisë, por aktualisht nuk dihet se si do të veprohet me votimet në veri. Si mund të zgjidhet ky problem?

Lunacek: Zgjedhjet janë zhvilluar nën kontrollin e OSBE, e cila ka kumtuar se KQZ-ja duhet të marrë vendim nëse zgjedhjet në këto vendvotime duhet të përsëriten. Zgjedhjet nuk janë mbajtur deri në fund ndërkohë që as listat zgjedhore nuk kanë qenë të sigurta. Vëzhguesit dhe personeli në vendvotime është larguar me shpejtësi, për shkaqe sigurie, që do të thotë se zgjedhjet në këto vendvotime nuk kanë qenë të rregullta. Mendoj se një prej mundësive do të ishte të thuhet që zgjedhjet duhet të përsëriten në këto vendvotime në veri të Mitrovicës, në ditën kur mbahet balotazhi në komunat e tjera. Por kësaj radhe me një siguri më të madhe për zgjedhësit. Kjo do të ishte një prej mundësive, të cilën do ta dëshiroja edhe unë. Por këtë vendim duhet ta marrin KQZ-ja dhe OSBE-ja.

DW: Zonja Lunacek, më konkretisht: a kanë dështuar zgjedhjet në veri të Kosovës?

Lunacek: Unë do të thosha se zgjedhjet kanë dështuar vetëm në këto vendvotime në veri të Mitrovicës, atje ku janë ndërprerë me dhunë. Në vendet e tjera zgjedhjet janë zhvilluar relativisht mirë. Ndaj në vendet e tjera, sipas informacioneve të deritanishme që kam, zgjedhjet mund të shpallen legale dhe të vlefshme. Pra nuk do të thosha se zgjedhjet kanë dështuar në tërë veriun e Kosovës. Në Mitrovicë po.

DW: Ju do të raportoni tani në Bruksel për ato që keni parë këtu. Cilat do të jenë sugjerimet tuaja: a duhet të vazhdojnë Kosova dhe Serbia procesin e afrimit me BE-në, apo duhet të pritet edhe më gjatë?

Lunacek: Ne do të bisedojmë në Bruksel nesër (05.11.2013) për këtë çështje. Negociatat me Kosovën për nënshkrimin e MSA-së duhet të vazhdojnë patjetër, sepse zgjedhjet këtu kanë kaluar shumë më mirë se sa më parë. Kjo është edhe një dëshmi e pjekurisë demokratike të këtij vendi. Ndaj natyrisht që negociatat me Kosovën duhet të vazhdojnë. Sa i përket Serbisë, parimisht jam për vazhdimin e negociatave të BE-së me Beogradin. Por Serbia duhet të apelojë shumë qartë për pjesëmarrjen e serbëve të veriut në zgjedhjet e Kosovës, nëse arrihet deri tek përsëritja e tyre. Ajo që Vuçiç, Vulin dhe Daçiç kanë bërë gjatë fushatës së kaluar në Graçanicë dhe Shtrpce është mirë, sepse pjesëmarrja e serbëve të atjeshëm në votime ka qenë e lartë. Por ata duhet të kërkojnë pjesëmarrje në zgjedhjet e Kosovës edhe prej serbëve në veri të Kosovës. Ata duhet t’ua shpjegojnë rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje edhe atyre që kërkojnë bojkotimin e tyre. Kjo është detyrë e Beogradit dhe jo Prishtinës. Por mendoj se procesi i afrimit të Kosovës dhe Serbisë me BE-në duhet të vazhdojë, sepse i gjithë ky proces tregon se ka përparime në normalizimin e raporteve mes këtyre dy vendeve. Edhe fletëvotimet në veri kanë pasur vulat e Republikës së Kosovës, që do të thotë se disa gjëra më në fund po shkojnë në drejtim të duhur.

 

 

 

 

Beogradi: Rezultatet në veri nuk mund të pranohen

 

Qeveria e Serbisë thotë se rezultatet e zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës nuk mund të pranohen dhe se çelësi i situatës tani është në duart e Brukselit.

Drejtori i Zyrës për Media i Qeverisë në Beograd, Milliovoje Mihajlloviç, ka thënë se në aspektin politik, të dielën ka ndodhur “dështim i zgjedhjeve”. Duke folur për mediat serbe, ai ka thënë se zgjedhjet kanë qenë shans për serbët e Kosovës që të inkuadrohen në jetën politike dhe që të zgjedhin udhëheqësit e tyre, të cilët do të ndikonin në jetën e përgjithshme të këtij komuniteti.

Të dielën pasdite, persona të maskuar kanë hyrë në tri qendra votimi në veri, duke demoluar hapësirat e votimit dhe duke çuar në ndërprerjen e procesit. Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), i cili ka pasur mandatin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të lehtësuar procesin zgjedhor në katër komunat veriore me shumicë serbe, nuk ka marrë përgjegjësinë për prishjen e këtij cikli. I pyetur nëse zgjedhjet do të përsëriten në veri, Mihajlloviç ka thënë se një gjë e tillë mund të ndodhë, porse vendimin për këtë e sjell Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, i cili mund të ndikohet edhe nga OSBE-ja.

Mihajlloviç, një pjesë të fajit për “dështim”, ia ka hedhur qeverisë së tij dhe asaj në Prishtinë.

Sipas tij, autoritetet në Beograd është dashur të identifikojnë dhe të izolojnë huliganët, derisa ato në Prishtinë kanë krijuar probleme me simbolet në fletëvotime dhe me listat zgjedhore.

“Prishtina ka bërë çdo gjë që serbët të bojkotojnë zgjedhjet, sepse ka shumë frikë nga serbët që mund të organizohen dhe të ndikojnë në qeverisje”, – ka thënë Mihajlloviç. Mendoj se Prishtina dëshiron të vazhdojë agoninë dhe çelësi për zgjidhjen e këtij problemi është tani në duart e Brukselit, ka shtuar ai. Bashkimi Evropian ka dënuar incidentet e dhunshme në veri, të cilat, sipas tij, kanë shkatërruar zgjedhjet në këtë pjesë. Disa parti opozitare në Serbi kanë thënë se zgjedhjet lokale në Kosovë kanë qenë edhe një humbje e përbashkët për popullin serb.

“Natyrisht se qeveria e ka përgjegjësinë më të madhe, por atë çfarë ka ndodhur dje në Kosovë nuk dua ta shoh vetëm si problem të presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, kryeministrit Ivica Daçiç dhe zëvendëskryeministrit Aleksandar Vuçiç. Ai është problem i yni i përbashkët”, – ka thënë kryetari i Partisë Liberal-Demokrate në Serbi, Çedomir Jovanoviç.

Zgjedhjet e 3 nëntorit kanë dalë nga Marrëveshja e 19 prillit midis Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve. Ato, për herë të parë që nga paslufta, kanë përfshirë edhe komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe janë mbështetur nga Beogradi zyrtar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency