Tao Te Ching Çfarë fshihet pas “energjisë” së fshehtë kineze

0
56

 

Si libër themelor i Taoizmit, shihet si pasuri kuptimore për ata që kërkojnë të njohin veten. Autorësia e vërtetë e tekstit e data e shkrimit apo përmbledhjes ende debatohen. Ka një histori tekstuale të ndërlikuar e të gjatë

 

TAO-Yin-YangTao Te Ching, Daodejing, apo Dao De Jing (道德經: 道 dào “rrugë”) ka shërbyer si hartë shpirtërore vetjake për miliona njerëz, duke shfaqur parime, të cilat qeverisin botën ku jetojmë. Duke i’u përmbajtur ligjeve të natyrës dhe duke nxjerrë thelbin e asaj nga vijnë gjithë gjërat, ofron drejtim moral e balancë të brendshme. Si libër themelor i Taoizmit, shihet si pasuri kuptimore për ata që kërkojnë të njohin veten. Autorësia e vërtetë e tekstit e data e shkrimit apo përmbledhjes ende debatohen. Teksti ka natyrë filozofike e fetare. Ndikoi shumë në shkolla të tjera si Legalizmi, Konfucianizmi e Budhizmi Kinez. Ka një histori tekstuale të ndërlikuar e të gjatë. Nga njëra anë janë versionet që datojnë dy mijëvjeçarë; nga ana tjetër janë dorëshkrimet në letër bambuje, mëndafshi e letre, të cilat arkeologët i zbuluan shekullin e fundit. Shumë artistë, përfshirë poetë, piktorë, kaligrafistë, madje dhe kopshtarë e kanë përdorur tekstin si burim frymëzimi.

Kohë pas kohe, nga njëra dinasti në tjetrën, shumë ndryshime ndodhën edhe në tekstin origjinal të Tao Te Ching. Është shkruar në Kinezçe klasike, e cila kuptohet me vështirësi plotësisht edhe nga folësit e edukuar, për shkak të kuptimeve semantike, ngjyrimeve e nënteksteve. Ky korpus u përdor nga njerëzit më të edukuar të kohës së Lao Tzu dhe nënkuptimet ishin të zakonshme për atë kohë e kontekst, gjë që shumë pak njerëz sot mund ta bëjnë.

Gjatë shekullit të fundit, përkthyes të ndryshëm nëpër botë janë munduar ta përcjellin sa më saktë, por është shumë e vështirë, pasi kushti kryesor për t’i dhënë kuptimet e duhura është të qenit njeri i lidhur shpirtërisht me Rrugën, Taon. Shumë prej fjalëve të përdorura kanë paqartësi për lexuesin e sotëm dhe janë shumëkuptimore, ndaj, shtresa të nëntekstit kanë humbur në përkthimet moderne. Ka shumë përkthime të mundshme: Dào/Tao 道 – “rrugë” por edhe “Rruga”, që u përdor edhe nga filozofët kinezë (Konfuci, Mencius, Mozi, Hanfeizi), kishte kuptim specifik brenda kontekstit të Taoizmit dhe nënkupton procesin thelbësor të paemërt të universit. Dé/Te 德 – “virtyt”, “karakter personal”, “fuqi e brendshme (virtuozitet)”, “integritet”. Semantika e kësaj fjale kineze përmbledh atë që vjen nga kuptimi arkaik i virtù, “forcë e brendshme” ose “forcë hyjnore”, kurse në kuptimin modern është “shkëlqim moral” ose “mirësi” (dàodé (道德 “etike,” “parime etike” “moral” or “moralitet”). Jīng/Ching 經, siç përdoret këtu, do të thotë “kanun” “libër i madh” ose “klasik”. Pra, Daodejing mund të përkthehet “Kanuni/Klasik i Rrugës/Mënyrës dhe Fuqisë/Virtytit” e të tjera. Ndryshe, titulli shkruhet edhe si amalgam 老子道德經 (Tao Te Ching-u i Lao Tze), honorifiku. Është libri më i përkthyer në letërsinë botërore.

Këto janë pesë strofat e para nga 81 gjithsej

 

Një
Tao që shqiptohet nuk është Tao i përjetshëm.
Emri që shqiptohet nuk është emri i përjetshëm.
I paemërt është fillimi i qiellit e Tokës.
E emërta është nëna e dhjetëmijë gjërave.
Pa dëshira përherë, dikush mund të shohë misterin.
Heraherës me dëshira, njëri sheh shfaqjet.
Këto të dyja rrjedhi nga i njëjti burim, por me emra të ndryshëm; duket si terr.
Terr brenda territ.
Dera e të fshehtave.

 

Dy
Nën qiell të gjithë shohin bukurinë si të tillë vetëm sepse është edhe shëmtia.
Të gjithë njohin të mirën si të tillë vetëm se është edhe e keqja.
Prandaj, të paturit e të mos paturit vijnë bashkë njëherësh.
Vështirësia dhe rehatia plotësojnë njëra-tjetërn.
Gjatësia dhe shkurtësia dallojnë njëra-tjetrën.
Lartësia dhe ultësira prehin njëra-tjetrën.
Zëri dhe tingulli harmonizojnë njëri-tjetrin.
E parmja dhe e prapmja ndjekin njëra-tjetrën.

Prandaj, urtaku veç rri e sheh në prehje, këshillon heshtjen.
Dhjetë mijë gjërat ngrihen e bien pandalur.
Të kijosh, ende jo.
Të punosh, edhe kësaj nuk i zihet besë.
Puna mbaron, pastaj harrohet.
Prandaj, zgjat përgjithmonë.

 

Tre
Moslartësimi i atij që ka prirje ndal grindjet.
Mosmbledhja e thesareve ndal vjedhjen.
Moshedhja e vështrimit drejt gjërave të dëshiruara ndal pështjellimin e zemrës.
Prandaj urtakët parojnë duke zbrazur zemrat e mbushur barqet, duke pakësuar qëllimet e forcuar kockat.
Kur njerëzve u mungon dija dhe dëshira, të zgjuarit nuk do të përzihen.
Kur nuk bëhet gjë, gjithçka do të jetë mirë.
Katër
Tao është anije boshe; përdoret, por kurrë nuk mbushet.
O krua i pazbulueshëm i dhjetëmijë gjërave!
Topit mprehtësinë,
Zgjidh nyjën,
Zbut shkëlqimin,
Shkrihu me pluhurin.
O fshehtësirë e padukshme, gjithmonë e pranishme!
Nuk di prejnga vjen.
Është stërgjyshi i zotave.

 

Pesë
Qielli e Toka janë të drejtë;
I shohin dhjetë mijë gjërat si qen për altar.
Të urtët janë të drejtë;
I shohin njerëzit si qen altari.
Hapësira mes qiellit e Tokës është si një kacek.
Forma ndryshon, por jo trajta;
Sa më shumë lëviz, aq më shumë prodhon.
Shumë fjalë vlejnë pak.
Mbahu fort në qendër.