Presidenti grek në Tiranë Takimi me Janullatos dhe Dulen, Papulias: Greqia nuk e braktis Shqipërinë, nis një epokë e re

0
44

Gëzim Saliu

Kreu i PBDNJ: Epitete butaforike të partneriteteve strategjike, çështja e varrezave do zgjidhje

Sot takim me krerët e shtetit, nesër në Gjirokastër me minoritarët grekë

 

PapuliasMe kushte të larta sigurie, flamuj grekë thuajse në të gjithë akset kryesore rrugore si edhe me thirrjen për protestë nga ana e shoqatës “Çamëria”, Presidenti i Greqisë Karolos Papoulias ka zbritur dje në Tiranë. Në mesazhin e tij të parë, kreu i shtetit grek deklaroi se mes Shqipërisë dhe Greqisë po nis një epokë e re.  “Jam shumë i kënaqur që ndodhem këtu. Greqia nuk e ka braktisur asnjëherë Shqipërinë, dhe do vazhdojë ti qëndrojë pranë. Ka nisur një epokë e re ku do jemi në krah të njeri-tjetrit”,  ka deklaruar Papulias pas takimit që zhvilloi me Kryepeshkopin Janullatos në selinë e Kishës Ortodokse në Tiranë. Po ashtu takimi i dytë që Papoulias zhvilloi dje ishte ai me kreun e PBDNJ-së Vangjel Dule, ku të drejtat e pjesëtarëve të minoritetit grek në Shqipëri, forcimi i marrëdhënieve dy paleshe dhe rëndësia e veçantë e tyre për rajonin dhe mbështetja e Greqisë për integrimin, ishin fokusi kryesor i takimit.

 

Vizita

Papulias mbërriti dje në Tiranë në orën 15:30,ku menjëherë më  pas zhvilloi një takim me Kryepeshkopin Janullatos në selinë e Kishës Ortodokse në Tiranë. Më tej ai mori pjesë në një meshë në kishën Ortodokse, e cila u zhvillua në gjuhën shqipe. Pas meshës, Papulias zhvilloi një takim me kreun e PBDNJ-së Vangjel Dule, ku ky i fundit u shpreh se fokusi i takimit ishte çështja e integrimit të Shqipërisë në BE. Nënkryetari i Kuvendit e cilësoi Presidentin Grek si një të Shqipërisë, pasi sipas tij Papoulias i ka shërbyer jo vetëm Greqisë,por gjithë rajonit. Nga ana tjetër, Dule theksoi se çështja e varrezave nuk është një çështje e kohës së fundit, por është një çështje që kërkon zgjidhje dinjitoze. “Çështja e varrezave të të rënëve është një çështje që kërkon zgjidhje dinjitoze e cila u është dhënë situatave të tilla në vendet evropiane. Kërkon më shumë sensibilitet”, tha ai. Sipas Dules integrimi është kryefjala e PBDNJ-së dhe mbështetja e Greqisë në proceset i integruese është një nga tre çështjet e trekëndëshit në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi. Nga ana tjetër, kreu i PBDNJ-së nuk nguroi të ironizonte lidhur me takimin e tre kryeministrave në Prishtine, Tahcci, Rama dhe Erdogan si edhe me deklaratat e qeverisë shqiptare lidhur me partneritetin me Truqinë.  Ai i cilësoi ato si , “epitetet butaforike të partneriteteve strategjike”. Presidenti grek vjen në Shqipërisë për një vizitë tre ditore me ftesë të homologut të tij Bujar Nishani. Ky i fundit do të presë Presidentin Papoulias sot me një ceremoni zyrtare mirëseardhjeje në Institucionin e Presidentit të Republikës.  Pas ceremonisë, Presidentët Nishani dhe Papoulias do të zhvillojnë një takim së bashku, i cili do të vijojë me bisedimet dypalëshe, ku do të marrin pjesë delegacionet përkatëse të kryesuar prej tyre.  Në përfundim të takimeve, Nishani dhe Papoulias do të japin një konferencë të përbashkët shtypi.  Po ashtu të dy presidentët do të jenë të pranishëm si dhe do të përshëndesin Tryezën e rrumbullakët mbi ekonominë dhe energjetikën greko-shqiptare, që do të zhvillohet në hotel “Rogner”, në 4 nëntor 2013.  Gjatë vizitës dy ditore në Shqipëri Presidenti grek do të takohet edhe me drejtuesit më të lartë të Qeverisë dhe jetës politike në vend. Ndërkohë ditën e martë, presidenti i Greqisë do të shkojë me helikopter nga Tirana në Gjirokastër, ku do të vizitojë zona ku jeton minoriteti grek në Shqipëri. Në këtë qytete, kreu i shtetit grek do të marrë edhe titullin “Qytetar Nderi” që i është akorduar më parë nga Këshilli Bashkiak.

 

 

Çështjet kryesore që do diskutohen

Marrëveshja e kufijve detarë, ligji i luftës çështja çame si edhe ajo e toponimeve do të jenë çështjet të cilat edhe në saj të problematikës që përmbajnë, do të diskutohen me prioritet të veçantë mes palëve. Po ashtu një nga temat kryesore të vizitës së Presidentit grek në Shqipëri do të jetë dhe varrezat e ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në kufirin apo në trojet shqiptare, gjatë luftës italo-greke.

 

 

Axhenda e Papulias

Ditën e sotme Presidenti grek do të zhvillojë bisedime me homologun Nishani, kreun e Kuvendit Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama si dhe do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të zhvilluar nga ambasada greke. Po ashtu, Papulias do të vizitojë edhe shkollën greke Arsakio dhe do të darkojë me homologun e tij shqiptar, nga i cili ka marre dhe ftesën.

Të martën, Papulias do të vendosë lule pranë monumentit Nënë Shqipëri dhe më pas do të takohet me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, pas te cilës niset drejt jugut,për një takim me minoritetin në Gjirokastër.

 

 

Policia: Ja akset rrugore që bllokohen

Policia e Shtetit bëri të ditur dje bllokimin e disa akseve rrugore për shkaka të vizitës së Presidentit të Greqisë në Tiranë Karolos Papulias. Bllokimi i akseve rrugore do të jetë nga 08:00-15:00. Do bllokohet qarkullimi në rrugën “Lek Dukagjini”, që kalon përpara RTSH-së, pranë ish-Hotel Dajtit, deri te hotel “Sheraton”.  Ndalim qarkullimi edhe në rrugët “Ismail Qemali”, “Asim Zeneli” dhe “Abdyl Frashëri” si edhe në rrugën “Jul Variboba” dhe “Mustafa Matohiti””, bëri të ditur policia.

 

Vizita e Papulias

Sot Shoqata Camëria proteston tek Piramida, Policia: Pse ndryshuam vendin e tubimit

Policia e Tiranës ka ndryshuar dje vendin e tubimit të Shoqatës “Çamëria” pas kërkesës së bërë nga ambasada greke. Sipas policisë ambasada greke kërkoi ndryshim vendi për arsye sigurie. Shoqata ‘Çamëria’ kërkoi që tubimi të mbahej para Presidencës por pas kërkesës nga ambasada greke për ndryshimin e vendit ky tubim do të mbahet sot para Piramidës në orën 10:00. Lajmi u konfirmua dje edhe nga deputeti i PDIU-së, Tahir Muhedini. Në një deklaratë për shtyp, Kryetari i Shoqatës Çamëria, Ardian Tana ftoi dje të gjithë shqiptarët që të marrin pjesë në mbështetje të çështje çame.  “Në emër të miqësisë së qëndrueshme midis dy kombeve, shoqata Çamëria i kërkon Presidentit grek, zgjedhje përfundimtare të këtyre problemeve : “Ne i kërkojmë Presidentit grek të rreshtohet me atë pjesë përparimtare të qarqeve akademike, të shoqërisë civile greke që e pranon fajin e vendit të vet ndaj komunitetit çam dhe kërkon pagimin e këtij borxhi që gjendet në sirtarët e historisë. Në emër të Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve, Greqia duhet të abrogojë të gjithë ato ligje që bien ndesh me të, në veçanti Ligjin e luftës. Në veçanti, me qenë se Greqia vazhdon të insistojë për ngritje varrezash të tjera ushtarësh grekë në Shqipëri, diçka që provokon kujtesën tonë kombëtare, ne i kërkojmë zotit Papulias të pranojë ngritjen në Greqi të varrezave të komunitetit çam, dhe të monumenteve që përkujtojnë dëshmorët tanë ne luftën antifashiste dhe viktimat e pafajshme të një faqeje të turpshme të historisë së vendit fqinj”, tha ai, ku vlerësoi në emër të shoqatës qëndrimet e fundit të shtetit shqiptar, dhe thekson se politika shqiptare duke kërkuar respektimin e parimit te reciprocitetit, do te përmbushë detyrimet e saj kushtetuese dhe kombëtare.