LAZARATI Coriere della Sera: Çdo familje prodhon 1 ton hashash

0
151

Anxhela Tato

.

Artikull për “kryeqytetin e hashashit”, problem intoksikimi i kultivuesve nga aroma

Deutsche Welle: Fshatarët e Lazaratit e mbajnë veten dhe kërcënojnë të huajt me armë

 

lazaratLazarati, fshati i Gjirokastrës, i cili po tërheq vëmendjen e mediave të huaja. “Kryeqyteti i hashashit”, për të cilën së fundmi botohet një artikull në të përditshmen italiane Coriere della Sera. Artikulli i publikuar ditën e djeshme mban titullin: Fshati ku të gjithë banorët mbjellin marijuanë. Vetëm në një distancë prej 230 metrash larg kryeqytetit, kjo zonë mbetet ende nën mungesën e kontrollit të bluve, duke qenë shumë e vështirë ndërhyrja brenda në fshat. Artikulli flet për forcat e rendit, që prej vitesh as nuk tentojnë të futen në fshat, ndërkohë që i referohet shifrave të Guardia Di Finanza, sipas të cilave çdo vit nga Lazarati dalin rreth 900 ton hashash, me një vlerë rreth 4.5 mld euro. “9 nga 10 familje janë të përfshira në këtë biznes, secila prej tyre prodhon mesatarisht 1 ton hashash në vit, ndërkohë që një kilogram shitet në treg me çmimin nga 300-320 euro”, vijon shkrimi. Era e fortë e marijuanës ndjehet që në hyrje të Lazaratit, ajri të krijon djegie të grykës dhe shumë njerëz rreth e qark kolliten. Fshati ka 4 mijë banorë, ndërsa rreth 70 persona të gjinive dhe moshave të ndryshme kanë përfunduar në spital si pasojë e intoksikimit nga lënda narkotike. Gazeta italiane, pasqyron faktin që policia shqiptare dhe gazetarët lokalë dinë gjithçka ndodh aty edhe pse nuk arrijnë të hyjnë në atë vend, i cili cilësohet si “Fshati i Marijuanës”, “Kryeqyteti i Hashashit” apo “Republika e barit”. Sipas intervistave të zbardhura në këtë gazetë, shihet qartë që njerëzit janë të kënaqur nga kjo mënyrë jetese dhe për ta është e vetmja mundësi që u sjell të ardhura. Në këtë artikull citohet edhe një dosjer i Departamentit të Shtetit Amerikan, “International Narcotics Control Strategy Report”, ku thuhet se kultivimet e marijuanës në Lazarat janë në rritje, që do të thotë 40% më shumë se në vitin 2012-të.

Artikulli

Shkrimi përqendrohet edhe tek punëtorët që dyfishojnë numrin e banorëve në këtë periudhë të vitit. Ndërkaq, Coriere della Sera i referohet edhe problematikës lidhur me 700 persona që kanë përfunduar në spital javët e fundit, si pasojë e intoksikimit gjatë procesit të punës për kultivimin e hashashit, mes tyre gra dhe fëmijë. Italia cilësohet si tregu kryesor për shitjen e hashashit, ndërkohë që droga mbërrin në destinacion përmes gomoneve apo anijeve në portet e Salentos, Barit dhe Brindizit, prej nga nis shpërndarja për në destinacionet finale. Corriere della Sera i referohet deklaratës së Drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit Artan Didi se Lazarati konsiderohet për policinë si një njollë e zezë dhe kërkohet ndihma e vendeve të tjera, pasi efektivët shqiptarë e kanë të pamundur të ndërhyjnë, por që nga ana tjetër do të ndëshkohen të gjithë policët e korruptuar. Lazarati në artikull përshkruhet si një fshat që për shkak të mos ndërhyrjes, në fakt po rrit nivelit e kultivimit të hashashit, duke iu referuar edhe raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, sipas të cilit niveli i hashashit është rritur me 40% më shumë se në vitin 2012, ndërkohë ë paratë e fituara përfundojnë, një pjesë të ricikluara në hotelet në bregdetin shqiptar, ndërsa tendenca e re është që të investohet duke blerë banesa në vende si Italia, Spanja apo Turqia.

Fshati i Marijuanës

Një nga emisionet e njohura të Deutsche Welle, “European Journal”, është bërë nga të paktat media që arrin të hyjë në Lazarat. Gazetarët kanë përgatitur një reportazh me titullin “Fshati i marijuanës”.“Fermerët në këtë fshat malor në jug të Shqipërisë arrijnë të korrin plot 900 ton kanabis çdo vit, me një vlerë tregu të përllogaritur në 4.5 miliard euro, edhe pse kultivimi i kanabisit është i paligjshëm atje, thonë gazetarët. “Fshatarët e Lazaratit e mbajnë veten dhe kërcënojnë të huajt me armë. Për vite të tëra, agjencitë e zbatimit të ligjit nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap për të ndaluar kultivimin e marijuanës. Rrjetet kriminale nga Shqipëria dhe Italia kanë nën kontroll tregtinë e kanabisit, në shumicën e rasteve të mbrojtur nga njerëzit e gjyqësorit dhe politikës në këmbim të parave,” thekson DW. Fotot tregojnë se si gratë në Lazarat kujdesen për të tharë kanabisin.

 

Kreu i policisë: Lazarati, jo më një njollë e frikshme

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi përjashton mundësinë e një ndërhyrjeje të afërt në Lazarat, duke theksuar nevojën e shqyrtimit të situatës, sigurimin e ndihmës së nevojshme nga partnerët ndërkombëtarë, dhe bashkëpunimit mes institucioneve, në mënyrë që misioni kundër kultivimit të drogës në këtë zonë të rezultojë i suksesshëm. Gjatë një inspektimi në pikën kufitare të Kakavijës në Gjirokastër, Didi tha se Lazarati është një problem kompleks që nuk mund të zgjidhet vetëm nga policia, por që kërkon bashkëpunimin e të gjitha institucioneve. “Lazarati është një problem tepër kritik dhe nuk mund të mbyllim sytë, kjo problematikë njihet dhe nga vende të tjera. Ky është një problem kompleks. Do të kërkojmë ndihmën e mediave, forcave politike të gjithë instrumenteve socialë që kur të shkojmë të tentojmë të hyjmë në Lazarat të hyjmë tamam. Me te gjithë ato mekanizma që shteti ka, qoftë të agjencive ligjzbatuese por dhe agjencive të tjera që janë të interesuar që Lazarati të mos ngelet një njollë e zezë për të gjithë shqiptarët dhe Lazarati ta shikojë mirëqenien e tij me punë të ndershme. Ne nuk mund të bëjmë strucin para një fenomeni të tillë”, vijoi më tej Didi.

 

SHKARKIMI

Përjashtimi nga detyra, komandanti Agron Malaj padit ministrin Tahiri

Vetëm një javë pas vendimit të shkarkimit nga detyra të 18 efektivëve të Gardës, njëri prej tyre i është drejtuar gjykatës, duke paditur Ministrin e Brendshme Saimir Tahiri. Ish-komandanti i Njësisë Speciale në Gardën e Republikës, Agron Malaj, i drejtohet togave të zeza për të kundërshtuar shkarkimin e tij nga detyra. Malaj, i lakuar si një nga anëtarët e “grupit të zjarrit” gjatë demonstratës së 21 janarit 2011, u lirua nga detyra me urdhër të Ministrit të Brendshëm më 18 tetor. Dy javë më pas, ai ka trokitur në Gjykatën e kryeqytetit përmes një padie civile, me të cilën kërkon anulimin e këtij urdhri. Padia e ish-oficerit të Gardës, Malaj është regjistruar më 30 tetor në Gjykatë dhe mban numrin 189222. Si palë e paditur në këtë kërkesë është Garda e Republikës dhe Ministria e Brendshme. “Anulim i urdhrit nr. 581, datë 18.10.2013 të ministrit të Brendshëm”, thuhej në objektin e kërkesë-padisë. Në të njëjtën padi, ai kërkonte pagën e 20 muajve për prishjen e kontratës së punës dhe vjetërsinë në punë. “Detyrimin e të paditurve që të më paguajnë pagën e 20.5 muajve për zgjidhje të menjëhershme e të pajustifikuar të kontratës së punës, për shkelje të procedurës të afatit të njoftimit dhe për vjetërsi në punë”, kërkohej në padi. Kërkesa e Malajt do të shqyrtohet nga gjyqtarja Enkela (Bajo) Vlora, ndërkohë që ende nuk është përcaktuar data e seancës së parë. Ish-kreu i njësisë speciale në Gardë u shkarkua në të njëjtën ditë me nëntë efektivë të tjerë të Gardës. Mes të liruarve të tjerë ishin emrat e gardistit Fatos Skeja, ish-shoqëruesi i ish-komandantit të Gardës së Republikës, Ilir Duraku, nënkapitene Marjana Prendi, bashkëshorte e ish-kreut të Gardës, Ndrea Prendi. Në motivacionet e përjashtimeve ishin ato të daljes së paautorizuar jashtë shteti, si edhe mosparaqitje në punë për disa ditë me radhë

Aksidentet rrugore, dy të vdekur dhe dy të plagosur

Dy aksidente të rënda rrugore janë shënuar ditën e djeshme, ku ka humbur jetën dy persona, ndërsa dy të tjerë janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Aksidenti i pare me pasojë një të vdekur dhe dy të plagosur ka ndodhur rreth orës 17:10 në në hyrje të autostradës Levan-Vlorë. Sipas policisë në aksident janë përfshirë dy automjete. Momentalisht nuk bëhet i ditur identiteti i viktimës dhe të plagosurve, të cilët u dërguan menjëherë drejt spitalit në gjendje të rëndë. Efektivët e policisë së Fieri mbërritën në vendngjarje dhe nisën hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Policia bën me dije se janë përplasur mes tyre një mjet tip “Ford” me targa “AA778DF” dhe mjeti me targa “CH 409194”. Ndërkohë një aksident tragjik ka ndodhur rreth orës 18:40 të mbrëmjes së djeshme në aksin Gramsh-Elbasan në vendin e quajtur Qerret. Policia bën me dije se automjeti i drejtuar nga Dorjan Tasa, 33 vjeç ka rënë në një humnerë dhe për pasojë drejtuesi ka humbur jetën. Policia bën me dije se 33-vjeçari është nisur me urgjencë për në spital, por ka ndërruar jetë pa mbërritur dhe pa marrë ndihmën mjekësore.

“Fundi i Marrëzisë” ndëshkon policinë, 38 masa disiplinore

Operacioni policor “Fund marrëzisë” përveç goditjes së paligjshmërisë në aktivitetin e lojërave të  e fatit ka shërbyer edhe për të nxjerrë përgjegjësitë konkrete të punonjësve të policisë në sektorët e Krimit Ekonomiko-Financiar pranë të gjitha Drejtorive të Policive në Qarqe, për të cilët pas verifikimeve të detajuara janë dhënë në total 38 masa disiplinore, prej të cilave 21 masa të rënda dhe 17 masa më të lehta. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm prej datës 17 tetor kanë kontrolluar dhe verifikuar e veprimeve të punonjësve të këtyre strukturave. Gjatë periudhës Janar–13 Tetor janë referuar në prokurori vetëm 71 raste. Ndërkohë gjatë zbatimit të planit operacional “Fund marrëzisë” deri më datë 31 tetor numri i rasteve të referuara në prokurori është 494 raste. Pas shqyrtimit dhe verifikimit të shkeljeve për 21 punonjës të strukturave kundër krimit ekonomik e financiar pranë Drejtorive të Policisë në Qarqe u dhanë masa për shkelje të rënda disiplinore, si  “përjashtim nga Policia e Shtetit”, “ulje në gradë për një vit”, “pezullim pa pagesë”, “shtyrje e afatit të gradimit për 1 vit”.  Ndërkohë për 17 punonjës të tjerë u dhanë masa për shkelje të lehta disiplinore si: “vërejtje me paralajmërim” dhe “gjobë sa paga e punonjësit në 5 ditë pune”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency