Krijesat dhe fenomenet që kanë trembur njerëzit përgjatë historisë

0
152

 

fenomeneInkubusi dhe Sukubusi

Inkubusi dhe sukubusi janë, përkatësisht demoni mashkullor dhe demoni femëror, që ngashënjejnë personat e sekseve të kundërta, zakonisht gjatë natës apo gjumit. Në të vërtetë këto miti zunë fill në “Kohët e Djegieve”, kur djegia e femrave në turrë të druve qe bërë një gjë fare e zakonshme. Bestytët mendonin se sukubusi i fanitej mashkullit në trajtën e një gruaje të bukur dhe e ngashënjente atë; dhe se pas mbarimit të aktit seksual, ajo kthehej në një shtrigë të shëmtuar. Nga ana tjetër, inkubusi fshihej pas maskës së një burri të pashëm, i cili në mënyrë tipike, gjuante gratë e vetmuara – pas marrëdhënies seksual, ai shndërrohej në një lloj “demoni” apo shtrigani. Thuhej se veprimet e inkubusit apo të sukubusit e marrosnin viktimën. Inkubusi dhe sukubusi konvencionalisht shërbenin për të shpjeguar shtatzanitë e padëshiruara, fëmijët e lindur jashtë martese, gjymtimet e lindura etj. Besimi i tyre u krijonte mundësi inkuizitorëve që të kërkonin nishanet, të cilat pastaj ua paraqisnin njerëzve si shenja të ngashënjimit nga këta demonë. Duket sikur njërëzit ishin ngërthyer nga një histeri masive, të shkaktuar prej fuqisë së sugjestionit.

Liliti

Besohej se Liliti, për të cilën flitet në Talmud dhe Bibël, i bënte gratë që të dështonin apo të mbesnin shterpa, dhe burrat të bëheshin impotentë. (Vini re se edhe kur është negative, femra është dhënëse dhe marrëse e jetës.) i ati i saj ishte Perëndia e qiellit Anui, forca e parë lëvizëse dhe krijuesi i Universit. Në Alfabetin e Ben Sirahut thuhej se Liliti ishte gruaja e parë e Adamit dhe, njësoj si ai, ishte e mbrujtur nga dheu. Ajo i kërkoi Adamit që të jetë e barabartë me të, por ai nuk pranoi, prandaj ajo, me sa duket, u çiftua me djajtë, duke lindur kësisoj fëmijë djallëzorë. (Nuk e di ç’mendoni ju, po për mua kjo është një tjetër mënyrë për ta paraqitur gruan si inferiore përkundrejt burrit.) Legjenda thotë se nëse një njeri var një hajmali mbrojtëse, Liliti nuk mund t’i bëjë keq atij apo asaj. Prej këtij besimi dhe prej kësaj frike nga vdekja dhe shkatrrimi, lindi dhe hajmalia, e cila mund të jetë çdo gjë që besohet se mund t’i sjellë fatlumturi dhe t’i sigurojë mbrojtje atij që e mban. Ne edhe sot e kësaj dite përdorim hajmali, kur varim kryeqe, kristale, rruzare etj. Nuk ma do mendja se hajmalitë kanë ndonjë fuqi në vetvete; përkundrazi, fuqia e saj rrjedh nga energjia që ne i mveshim asaj dhe nga ajo që ka simbolizuar përgjatë historisë. Për shembull, unë mbaj një kryq tempullarësh (i cili ka krahë të barabartë), sepse ai është kryqi më i vjetër gnostik që ekziston, dhe unë i kam veshur atij këtë energji. Arkeologët kanë gjetur një numër të pafund hajmalish përgjatë viteve; madje, Muzeu Britanik në Londër ka ekspozuar disa syresh, për të cilat mendohet se ka mbrojtur gratë prej të poshtrës Lilit. (Fransina thotë se Liliti nuk është e ligë dhe se në të vërtetë është sundimtarja e zanave dhe racave më të ulta të tokës.)

Shtrigat dhe njerëzit-ujq

Shumë historianë mendojnë se historitë për qeniet e ngjashme me vampirët, demonët, shtrigat dhe zanat zunë fill në mitologjitë e Babilonisë, Sumerit dhe Asirisë së lashtë – të cilat, siç e kam theksuar edhe në librin tim Perëndia Mëmë, janë në zanafillë edhe të Biblës sonë. Por, pasha Zotin, ngandonjëherë nuk arrij ta kuptoj se si u larguam kaq shumë nga e vërteta, por atëherë kujtohem se secili prej nesh sjell përvojën dhe perceptimin e tij në këtë të ashtuquajturën kremte të jetës. Në dy kapitujt në vazhdim, do të vazhdoj të shqyrtoj shumë prej metaforave që ka krijuar njerëzimi për të shpjeguar një botë që, shpesh, është krejt e pakuptimtë. Shtrigat janë keqkuptuar e, shpesh, edhe janë përfolur gjatë shekujve. Ne e përfytyrojmë si një plakaruçe pranë një kazani, ku çoç zien, për të rrënuar viktimën e saj të pafat: këtij përfytyrimi i shtojmë edhe macen e saj të zezë dhe mendimin se ajo merr urdhëra nga djalli (ndodh që shtriga të marrë edhe vetë formën e një maceje, për t’i sjellë fat të keq kujtdo që i kapërcen rrugën). Këto të gjitha janë legjenda dhe bestytni të vjetëruara – por për pjesën më të madhe të namit të tyre të keq shtrigat i detyrohen këtyre shekujve të fundit, gjatë të cilave Inkuzicioni vrau në Europë me mija njerëz, si dhe Salemit në Masaçustets, ku u zhvillua gjyqe të ndryshme kundër shtrigave.

Jam e sigurt se në kohë të ndryshme ka patur shumë njerëz të ligj, të cilët orvateshin të ushtronin magjinë e zezë – e cila është e rrezikshme, sepse gjithçka që lëshojmë kthehet sërish – por shtriganët e vërtetë ushtrojnë një prej feve më të lashta që ekzistojnë. Shtriganët përdorin namatisjet, por ushtruesit e vërtetë i përdorin ato për qëllime të mira, siç janë ndjellja e shirave në kohë thatësie, shërimi i bagëtive a gjësë së gjallë etj. Njerëzit nuk e kuptojnë se pohimet janë në të vërtetë pjesë e një lloji të ritualit vikan – këto shtriga të bardha besojnë se po të përsërisim shumë herë një gjë, ajo do të vijë tek ne, dhe se ne jemi krijuar për të bërë mirë.

Banshitë dhe sirenat

Folklori kelt flet për shumë frymë femërore – të mira dhe të këqia. Një nga më të famshmet në Irlandë dhe në disa pjesë të Skocisë është banshia (apo beansidhe) – thuhet se kur dikush është në prag të vdekjes mund të dëgjohet klithma e banshisë. “Kam shëtitur Ishujt Britanikë dhe kam biseduar me disa njerëz tejet të zgjuar dhe të shkolluar, të cilët, pasi kishin dëgjuar këto kuja, kishin marrë vesh se një i dashuri i tyre kish vdekur. Kjo ndodhte kaq shpesh, sa m’u desh të pyesja Fransinë. Fillimisht, shpjegimi i saj m’u duk një çikë si i vështirë për t’u gëlltitur, por ai është shpjegimi më i logjikshëm që mund të jepet. Ajo më tha se, kur ka për të vdekur dikush, psika apo shpirti i tij apo i asaj e kupton se kalimi është shumë afër”-thuhet në libër. Shpirti lëshon një klithmë psikike, përpara se njeriu të kalojë në jetën tjetër, por për shkak të dendësisë së ajrit dhe vesës që mbulon Ishujt Britanikë, shpesh klithma “e prajtë” dëgjohet – dhe pikërisht kjo klithmë i është mveshur banshisë. (Mendoj se këtu mund të ndërkallim edhe sirenat e lashtësisë dhe nuset e valëve të folklorit, të cilat i ngashënjenin me ulërimat apo këngët e tyre lundërtarët drejt vdekjes në shkëmbinj dhe cektina të fshehta. A mund të mos ishte ky një paralajmërim që dilte nga nëvetëdija e vetë lundërtarëve se përpara gjendeshin shkëmbinj apo kalime të ngushta?). Marrë nga libri i Sylvia Broëne – Të fshehtat dhe misteret e botës

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency