Zgjedhjet vendore 2013 / Kosova sot voton, pritet të votojnë edhe qytetarët serbë të Mitrovicës së Veriut

0
129

Sonja Caka

Skënderaj, komuna ku qytetarët do të votojnë kandidatin në burg, i akuzuar për krime lufte

Zgjedhjet, “lufta” mes partive për të marrë rajonet më të mëdha, përplasje të forta në Prishtinë, Malishevë, Gjilan dhe Mitrovicë të Veriut

 

Vota_KSKosova sot shkon në votime. Janë regjistruar afro 1 milion e 800 mijë votues, të cilët pritet t’u drejtohen sot qendrave të votimit për të zgjedhur drejtuesin e tyre të komunës apo dhe anëtarët e asambleve që do t’i përfaqësojnë interesat e tyre në këto komuna. Janë dy kutitë e votimit në të gjitha qendrat, njëra ku do të hidhen votat për krerët e komunave dhe në tjetrën për anëtarët e asambleve komunale. Dje në gjithë Kosovën ishte heshtje zgjedhore. Gara më e rreptë është zhvilluar për Prishtinën dhe fitoren në kryeqytet pothuaj e kanë proklamuar të gjithë garuesit për kryetarë të Komunës. Megjithatë, nga sondazhet paraprake si fitues i kësaj gare shihet kur aktual i Komunës më të madhe në vend, Isa Mustafa. Ndërkohë që e fortë shihet gara elektorale edhe në zonën e Malishevës, Gjilanit dhe në Mitrovicën e Veriut. Në garë për kryetarë komune e asamblistë janë 103 subjekte politike me gjithsej 7.932 kandidatë. Gara shikohet e fortë në disa zona, ku partitë e mëdha synojnë të marrin drejtimin e komunave apo të asambleve. Lufta më e fortë shihet mes PDK, LDK dhe Vetëvendosjes. Por, një garë e fortë shihet në Mitrovicën Veriut edhe midis partive serbe që garojnë për kreun e saj. Kështu, një garë e fortë shihet mes dy kandidatëve Oliver Ivanoviç dhe Kristmir Pantiç, ku përflitet se ky i fundit ka mbështetje më të madhe nga strukturat qeveritare të Serbisë. Sivjet, për herë të parë pas luftës, në zgjedhje marrin pjesë edhe serbët e veriut të cilët janë përkrahur edhe nga Beogradi zyrtar i cili i ka bërë fushatë e antifushatë nëpër Kosovë. Për këtë qëllim edhe dy ditë më parë në Kosovë kanë qëndruar zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe dy ministra të tjerë, Aleksandër Vulin dhe Nikola Selakoviç. Ata nën mbrojtjen e Policisë së Kosovës kanë ftuar për votime në “mënyrë që Kosova të kthehet në Serbi”.

 

Monitorimi ndërkombëtar dhe vendor

Votimet sotme monitorohen nga mijëra vëzhgues të huaj e vendorë. Vëzhgues ndërkombëtarë janë nga misioni ENEMO, PE, stafi i ambasadave të akredituara në Kosovë. Në grupin e vëzhguesve nga Shqipëria janë edhe një grup prej 10 personash, të cilët u përkasin organizatave SHGD dhe KRIIK, të cilët monitorojnë zgjedhjet parlamentare dhe vendore edhe në Shqipëri nën siglën e Koalicionit të Vëzhguesve Vendore. Këto dy organizata janë anëtarë të organizatës ndërkombëtare ENEMO. Prania ndërkombëtare në Kosovë ka apeluar për zgjedhje të drejta e të lira, për të mos pasur vjedhje dhe për të mos pasur raste të shitjes së votave.

Para votuesve nesër gjenden dy fletëvotime: njëra me kandidatët për kryetar komune e tjetra me emra asamblistësh. Pritet që rezultatet paraprake të zgjedhjeve të shpallen më 4 nëntor e dhe ato zyrtare jo më vonë se data 6 nëntor. Por, këto zgjedhje do të zhvillohen me dy raunde dhe parashikohet që të paktën 80 për qind e komunave të shkojë në balotazh. Në rrethin e dytë zgjedhor, më 1 dhjetor, në komunat ku shumicën nuk e ka fituar asnjë kandidat për kryetar komune, do të votohet për dy kandidaturat që kanë marrë më së shumtën e votave në raundin e parë. Vendvotimet zgjedhore hapen në orë 07:00 dhe mbyllen në orën 19:00.

 

Siguria

Më shumë se pesë mijë e pesëqind policë kosovarë do të jenë në detyrë sot përgjatë gjithë ecurisë së procesit zgjedhor, me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë. Zyrtarët e Policisë deklarojnë se në bazë të planit operacional, janë marrë të gjitha masat që gjendja e sigurisë të jetë e qetë. Janë marrë të gjitha masat nga ana e policisë, për kryerjen e të gjitha detyrave policore që ndërlidhen me procesin zgjedhor dhe janë bërë disa përgatitje në të gjitha drejtoritë rajonale. Faza e tretë e planit nënkupton ditën ‘Z’, apo ditën e zgjedhjeve ku kryesisht aktivitetet e policisë janë përcjellja e materialit sensitiv nga depot nëpër qendrat e votimit dhe menaxhimi i situatës së sigurisë në qendrat e votimit”, – tha për mediat Brahim Sadriu, zëdhënës i Policisë së Kosovës. Nga ana tjetër, edhe zyrtarët e EULEX-it, thanë se policia e EULEX-it do të mbështesë Policinë e Kosovës me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe do të jetë në gjendje gatishmëri për çdo gjë. Zëdhënësi EULEX-it, Blerim Krasniqi, shpjegoi për Radion Evropa e Lirë se që nga shtatori, misioni ka punuar me Policinë e Kosovës sa i përket përgatitjeve për zgjedhjet dhe ka dhënë këshilla për hartimin e planit operacional të Policisë së Kosovës. EULEX-i, tha Krasniqi, do t’i kushtojë vëmendje të veçantë veriut të Kosovës me rastin e zgjedhjeve dhe për këtë arsye, u shpreh ai, do të rritet prania e policisë në veri gjatë zgjedhjeve.

Skënderaj, komuna që voton kandidatin në burg

Komuna e Skënderajt është një nga zonat që sot gjatë ditës së votimit ka një specifikë të veçantë ndryshe nga zonat e tjera ku do të votohet. Një nga kandidatët, por që është edhe nga favoritët për të fituar drejtimin e kësaj komune, ndodhet në burg. Kandidati për kryetar komune është Sami Lushtaku, përfaqësues i PDK, partisë së Kryeministrit dhe që aktualisht ndodhet në paraburgim i akuzuar për krime lufte. Nga banorë të zonës mësohet se fushatën elektorale për të e ka bërë zëvendësi i tij, i cili ka drejtuar komunën edhe gjatë kohës kur Lushtakut i janë vënë prangat. Kandidati për kryetar të komunës Skënderaj akuzohet për vrasje të shtetasve serbë gjatë kohës së luftës kur ishte pjesë e UÇK së. Nga banorë të zonës mësohet se takimet me zgjedhësit nuk i ka bërë vetëm zëvendësi i Lushtakut, por edhe nga vetë ky i fundit, kur “sëmurej” dhe shtrohej në spital. Në atë kohë, ai kishte mundësi të vizitohej për “shëndetin” e tij nga zgjedhësit e tij, nga ku kishte mundësi edhe të shpaloste platformën e tij për drejtimin e komunës së Skenderajt, pavarësisht se nuk ka kanë përfunduar hetimet dhe të dalë në gjyq.

 

Mitrovicë, për herë të parë pritet që serbët të dalin për të votuar

Mitrovica pritet të gëlojë sot nga njerëzit që do të shkojnë për të votuar, si në pjesën jugore, ashtu dhe në atë veriore. Pjesa e jugut, e cila banohet nga shqiptarë ka qenë pjesëmarrëse edhe në votimet e tjera, ndërsa ajo e veriut pritet të dalë në këto zgjedhje, e shtyrë edhe nga qeveria serbe për ta bërë një gjë të tillë. Ndonëse në pjesën më të madhe të rrugëve të Mitrovicës Veriore janë të shumta pankartat për bojkot të zgjedhjeve ditën e sotme, mendohet se serbët e veriut të Kosovës do të dalin për të votuar. Pesë janë kandidatët që synojnë drejtimin e Mitrovicës së Veriut, nga të cilët 1 është shqiptar i subjektit politik PDK, një boshnjake dhe 3 kandidatë serë, një prej të cilëve i mbështetur fuqimisht nga qeveria sere. Gjatë ditës së djeshme është folur për një bojkot të mundshëm të zgjedhjeve vetëm në qytetin e Mitrovicës, për shkak të dhunës së ushtruar gjatë natës duke u gdhirë dita e djeshme ndaj kandidatit për kryetar të Mitrovicës së Veriut Kristmir Pantiç. Kandidati i dhunuar, i cili është shtruar në spital në orët e vona të mbrëmjes, ka deklaruar se është dhunuar nga persona të panjohur. Pas këtij sulmi, Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, e ka dënuar sulmin e mbrëmshëm ndaj njërit prej kandidatëve për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Krstimir Pantiç. “Kam reaguar në mënyrë të vazhdueshme kundër përdorimit të forcës dhe përpjekjeve për të minuar të drejtën e votuesve në veriun e Kosovës që të ushtrojnë lirshëm të drejtën e tyre për të votuar. Sulmi i mbrëmshëm ndaj z. Pantiç është i fundit në serinë e përpjekjeve të tilla dhe unë e dënoj fuqishëm”, – tha Schlumberger. “U bëj thirrje agjencive për zbatim të ligjit që të hetojnë këtë sulm dhe t’i ndjekin kryesit e këtij akti. Mbes i bindur se ofruesit e sigurisë në Kosovë do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për zgjedhjet që mbahen nesër”, – vijoi shefi i misionit të OSBE-së. OSBE është duke bashkëpunuar me institucionet e Kosovës për zgjedhjet në katër komuna në veri, në pajtim me marrëveshjen e 19 prillit në mes të Beogradit dhe Prishtinës, të ndërmjetësuar nga BE.

 

 

Kosovë, vritet një ditë para zgjedhjeve kandidati i AAK-së, autor një polic

“Ne ishim në zyrat e AAK-së kur Bekimi mori një telefonatë, pas telefonatës ai është larguar menjëherë me shpejtësi dhe 30 minuta pas largimit nga zyra u njoftova për vrasjen e tij”

Kandidati i AAK-së, 38-vjeçari Bekim Birinxhiku, u vra një ditë para zgjedhjeve për Kuvend Komunal të Skënderajt.

Vrasja u krye rreth orës 16:15 pranë xhamisë në Skënderajt. Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Sadriu, konfirmon se autori i vrasjes së Bekim Birinxhikut është një pjesëtar i policisë së Kosovës, i veshur civil në momentin e vrasjes. Polici është vetëdorëzuar në rajonin e policisë në Skënderaj. Dyshohet se shkak i vrasjes është bërë një borxh që autori i ka pasur viktimës, gjithsesi pritet të konfirmohet nga dëshmia e policit.

Personi i fundit me të cilin mendohet se është takuar Birinxhiku është kandidati i AAK-së për komunën Skëndëraj Qazim Zani, i cili në një prononcim për “News 24”: “Ne ishim në zyrat e AAK-së kur Bekimi mori një telefonatë, pas telefonatës ai është larguar menjëherë me shpejtësi dhe 30 minuta pas largimit nga zyra u njoftova për vrasjen e tij”.

Sipas Zanit, vrasja nuk ka prapavijë politike. Kandidati i AAK-së, Qazim Zani i bën thirrje policisë të zbardhë ngjarjen e rëndë.

Burime të policisë kanë bërë të ditur se ai kishte qenë duke biseduar me telefon në kohën kur në pritë është shtënë në drejtim të tij nga armë automatike.

Bekim Birinxhiku, 37 vjeç, ka qenë një prej luftëtarëve të parë të UÇK-së, ndërsa banonte në rajonin e Zonës Operative të Dukagjinit.

Policia

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, e ka konfirmuar faktin se kandidati i AAK-së, Bekim Birinxhiku, është vrarë nga një pjesëtarë i policis së Kosovës.

“Po, është e vërtetë që viktima është vrarë nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës që ka qene jashtë detyrës zyrtare dhe nuk ka të bëjë asgjë lidhur me ndonjë konflikt pune. Për tani kjo është e tëra që mund të them”, – ka thënë Sadriu.

AAK

Ndërkohë që në një reagim të AAK thuhet:“ Nuk mund të themi nëse është politike apo jo, sepse nuk i dimë motivet. Jemi të shqetësuar nga kjo vrasje për faktin që ai ishte pjesë e AAK-së”.

Zëdhënësi i AAK-së, Ernest Luma, ka thënë se ende nuk janë në dijeni nëse kjo ngjarje mund të ketë prapavijë politike.

“Ne porsa morëm lajmin e dhimbshëm për vrasjen e kandidatit tonë, Bekim Birinxhiku i cili ka qenë edhe ushtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo është një ngjarje e rëndë e cila na ka prekur të gjithëve”, – ka thënë Luma.

“Megjithatë ne ende nuk dimë asgjë më shumë rreth asaj se kush dhe përse ka ndodhur kjo ngjarje e rëndë. Asnjëherë nuk mund të përjashtohet asgjë, mirëpo është ende herët për të paragjykuar nëse kjo ngjarje ka prapavijë politike ose jo”, – ka përfunduar Luma.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency