SKANDALI / Dhunojnë të miturit, pezullohen nga puna dy policë

0
128

Anxhela Tato

Dëshmitë: Na godisnin dhe na kërkonin kartën e identitetin, ishin të dehur

Prindërit e fëmijëve: Shpjegime për këtë sjellje kaq të dhunshme ndaj fëmijëve tanë

 

policia-makina-natenPezullohen nga puna dy efektivë policie, të cilët në gjendje të dehur dhunuan disa të mitur. Vendimi i menjëhershëm i Policisë së Shtetit është marrë pas publikimit të videos nga ana e televizionit “News 24”. Në pamjet filmike konstatohen punonjës të policisë, të cilët bëjnë veprime të pakontrolluara duke goditur disa herë një grup të miturish. Banorë të zonës janë alarmuar pas kësaj ngjarjeje të rëndë, duke i kërkuar llogari dy punonjësve për dhunën. Ngjarja e pazakontë ka ndodhur mbrëmjes e së premtes, rreth orës 21:00 në Rrugën e Kavajës, pranë ish-uzinës “Enver”. Nga pamjet filmike të siguruar nga televizioni “News 24” shfaqen dy punonjësit duke dhunuar fëmijë të moshave 7-15 vjeç. Të miturit kanë treguar se dy efektivët e policisë Hazbi Dedja dhe Bajram Lumshi i kanë rreshtuar, duke i kërkuar të dhënat personale si dhe kartën e identitetit. Më pas fëmijët janë qëlluar me shpulla dhe shkelma pas kokës, ndërsa kanë rrëfyer se policët vinin era alkool. Ndërkohë, prindërit e të miturve të alarmuar janë drejtuar për te komisariati numër 2, duke kërkuar shpjegime dhe sqarime për ngjarjen e ndodhur. Ndërsa shprehen se ky episod nuk do të përfundojë këtu, por do të ngrenë kallëzim penal kundër dy efektivëve të dehur.

Reagimi i familjarëve

Prindër të alarmuar pas skenave të rënda të dhunës kanë dëshmuar se policët ishin të dehur dhe i gjuanin fëmijët, të cilët ishin thjesht duke lozur. “Është gjynah me i thënë polic. Fëmijët ishin ulur në stol atje dhe po loznin. Vijnë policët dhe i qëllojnë djemve nga pjesa e kokës. Ndërkohë që njëri prej fëmijëve i thotë: Boll, pse na gjuan, çfarë ke? Polici i afrohet, ia vendos duart pas shpine dhe vazhdon ta godasë, duke i kërkuar letrat e identifikimin. Vazhdonin të godisnin fëmijët dhe u mblodh gjithë lagjja. I pyetëm pse i rrihni se nuk kishin motiv. Të dy policët i kishin të ndenjurat pis, ishin bërë tapë dhe vinin era raki. Të gjithë djemtë i goditën dhe i dhunuan. E pamë të gjithë skenën, sesi i tërhoqën fëmijët zvarrë dhe i goditën. Policia le t’i bëjë këto punë dhe bravo i qoftë, por jo kot dhe pa motiv, duke dhunuar fëmijë”, – tregojnë prindërit e fëmijëve. “Na ranë pas koke dhe nuk e morëm vesh pse. Na kërkuam mjet identifikimi dhe na bënin një pyetje 100 herë, duke na qëlluar pas koke. Policia na ndaloi dhe na pyeti emër, mbiemër dhe na gjuanin kot se ishin bërë tapë. Vinin era alkool dhe bënin veprime jo normale. Madje njëri prej tyre u rrëzua në tokë”, – rrëfejnë të miturit. Ndërsa babai i njërit prej djemve, që ka pësuar dëmtime të rëndë na trup, tregon se ka kërkuar sqarime nga agresori. “Djali im kishte dalë më shokët dhe po rrinin te stolat, ku janë paralelet. Ndërkohë që vijnë disa shokë të tij dhe më njoftojnë se fëmijën tim e kishin dhunuar policia dhe e kishte shoqëruar në komisariat. Kur dola jashtë shikoj gjithë skenën dhe nga fqinjët marr vesh se policët ishin të dehur. Unë kam një djalë të vetëm dhe policia ma dhunoi pa të drejtë. Kam pritur para komisariatit dhe dua nga polici agresor të më jap sqarime për dhunën. Por ai u mbyll brenda në komisariat dhe nuk del më”, – tregon babai i Denis S.

Policia e Tiranës

Reagimi i parë ka ardhur nga kreu i Policisë së Tiranës, i cili e ka cilësuar këtë ngjarje si të patolerueshme. Ndërsa ka kërkuar që të dënohet sjellja e dhunës e dy efektivëve të policisë ndaj të miturve. Në një prononcim për median, Ardian Çipa u shpreh se nuk do të tolerohen sjellje jashtë etike të asnjë efektivi të policisë. “Jam informuar mbrëmjen e një dite më parë. Për ne është një ngjarje shumë e shëmtuar dhe e patolerueshme. Kemi proceduar menjëherë me pezullimin paraprak të punonjësve të policisë të implikuar në këtë ngjarje. Do të kryhen edhe veprime të tjera për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarje. Çdo sjellje, e cila bie në kundërshtim me ligjin, për cilësinë e shtetit nuk do të tolerohet për asnjë punonjës policie. Nuk do të lejohen sjellje të tilla, të cilët ajnë të dënueshme”, – deklaroi Çipa.

 

Avokati i Popullit: Sjellja e policëve, e pahijshme

Agresioni ndaj të miturve nga ana e dy efektivëve të dehur ka sjellë edhe reagimin e institucionit të Avokatit të Popullit, i cili e ka konsideruar këtë akt vandal dhe të turpshëm. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Avokati i Popullit e cilëson të pahijshme sjelljen e policëve, ndërsa nënvizon se ekspertët e këtij institucioni kanë nisur menjëherë hetimin e kësaj ngjarje të rëndë. “Avokati i Popullit u njoh nëpërmjet një media audio-vizive me një video, ku dy punonjës policie të komisariatit nr. 2, të cilët dyshohen se ishin në gjendje të dehur, kanë dhunuar disa fëmije të moshës 7-15, duke i qëlluar në kokë ose në këmbë. Një sjellje e tillë nga ana e punonjësve të policisë, është e pahijshme dhe në shkelje të hapur të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Ekspertë të institucionit të Avokatit të Popullit kanë nisur menjëherë hetimin e kësaj ngjarje të rëndë. Në përfundim të hetimeve do të nisë rekomandimet përkatëse për veprën penale të kryer nga punonjësit e policisë të komisariatit nr. 2”, – thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.

 

Ministri i Brendshëm: Episodi, domosdoshmëri për reformë në polici

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka reaguar në lidhje me dhunimin e të miturve nga dy efektivë të komisariatit numër 2 në Tiranë, pas publikimit të videos nga televizioni “News 24”. Ministri Tahiri e ka konsideruar ngjarjen si një standard të papranueshëm për qeverinë në radhë të parë, për Ministrinë e Brendshme, për Policinë e shtetit si edhe për atë vetë personalisht. Ministri i Brendshëm në një reagim në rrjetin “Facebook”, shkruan: “Jam i keqardhur për sa mësova dhe pashë mbi sjelljen e dy punonjësve të Policisë së Shtetit. U kërkoj ndjesë të rinjve dhe familjarëve për shqetësimin e shkaktuar padrejtësisht nga disa efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët kanë kapërcyer limitin e ushtrimit të detyrës duke shkelur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”. Më tej, ministri Tahiri nënvizon faktin: “Nga njëra anë, ky është një rast që tregon më së miri domosdoshmërinë tonë për të reformuar burimet njerëzore në Policinë e Shtetit, duke garantuar plotësisht respektimin e të drejtave të njeriut nëpërmjet formimit të vazhdueshëm të kapaciteteve. Jam i bindur se sado i mirë të jetë qëllimi i efektivëve të policisë në përmbushje të detyrës, mënyra e dhunshme shkallmon çdo standard të legjitimitetit dhe ligjshmërisë në realizimin e misionit të policisë. Nga ana tjetër, ky episod dëshmon domosdoshmërinë për të rikonceptuar rolin e punonjësit të policisë dhe mënyrën e përmbushjes së detyrës”.

 

Policia e Shtetit, procedim disiplinor për efektivët e dhunshëm

Pas publikimit të videos janë pezulluar nga puna dy efektivët, ndërsa pritet që të nis procedimi disiplinor. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Policia e Shtetit theksoi: “Menjëherë pas marrjes dijeni për veprimet e kundërligjshme të kryera nga dy punonjës policie të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, ndaj disa të miturve në qytetin e Tiranës, mbrëmë është bërë pezullimi nga detyra i këtyre punonjësve. Ndaj këtyre dy punonjësve nga Drejtoria e Standardeve Profesionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka filluar ecuria disiplinore për shkeljet e kryera prej tyre gjatë ushtrimit të detyrës. Policia e Shtetit garanton opinionin publik se si një institucion në shërbim të qytetarëve dhe në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të tyre, nuk do të tolerojë asnjë shkelje apo abuzim të kryer nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë përmbushjes së detyrës”. Blutë kanë kërkuar me anë të njoftimit për shtyp denoncimin çdo rasti nga ana e qytetarëve. “Njëherazi Policia e Shtetit fton qytetarët, që në rast konstatimi të sjelljeve të tilla, që bien ndesh me misionin e Policisë së Shtetit, t’i denoncojnë ato. Policia e Shtetit është e vendosur të përmbushë misionin e saj në respekt të plotë të ligjit dhe duke mbrojtur liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve dhe asnjë veprim i punonjësve të policisë, që është në kundërshtim me ligjin dhe misionin e Policisë së Shtetit nuk do të tolerohet, por menjëherë ndaj përgjegjësve do të merren masat e parashikuara në ligj”, – përfundon njoftimi i Policisë së Shtetit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency