Presidenti grek Papulias nesër në Shqipëri, tri çështjet “e nxehta” të vizitës dyditore

0
120

Gëzim Saliu

Dita e parë e vizitës do të përmbajë takime me krerët e politikë, ndërsa në ditën e dytë kreu i shtetit grek do të udhëtojë me helikopter nga Tirana në Gjirokastër, ku do të vizitojë zonat e minoritetit grek

 

papulias1-300x224Presidenti i Republikës Greke, Karolos Papulias, do të zhvillojë ditën e nesërme një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku do të takohet me krerët e politikës shqiptare për të diskutuar çështje të rëndësishme që lidhen me marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje. Në vizitën dy ditore, ku Papulias do të shoqërohet nga 3 ministra të kabinetit qeveritar, ai i Mbrojtjes, Energjisë dhe i Arsimit, kreu i shtetit grek do të zhvillojë gjithashtu takime edhe me banorët e minoritetit grek në jug të vendit.

Vizita

Presidenca greke bëri të ditur dje detaje të vizitës së Papulias në Shqipëri, ku në njoftimin zyrtar thuhej se kreu i shtetit grek do të takohet të hënën me udhëheqjen politike dhe shtetërore të Shqipërisë. Ndërkohë, ditën e martë, Presidenti i Greqisë do të shkojë me helikopter nga Tirana në Gjirokastër, ku do të vizitojë zona ku jeton minoriteti grek në Shqipëri. Në këtë qytet, kreu i shtetit grek do të marrë edhe titullin “Qytetar Nderi” që i është akorduar më parë nga Këshilli Bashkiak. Vizita e Papuliasit në Shqipëri, zhvillohet disa ditë pas asaj të ministrit të Jashtëm Evangelos Venizelos dhe nga media greke vlerësohet si një hap i duhur i Athinës për të “ngrohur” marrëdhëniet midis dy vendeve. Por pavarësisht deklaratave të fundit për thellimin e marrëdhënieve mes dy vende, sërish do jenë një sërë çështjesh të cilësuara si problematike që pritet të jenë sërish në plan të parë të diskutimeve mes Presidentit grek dhe krerëve të politikës shqiptare. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Greqisë në një konferencë shtypi për gazetarët pas vizitës në Shqipëri tha se deklaratat e tij në Tiranë ishin tezat e politikës greke, mbi të cilat do të mbështetet edhe vizita e Presidentit grek në Shqipëri. Marrëveshja e kufijve detarë, ligji i luftës çështja çame si edhe ajo e toponimeve do të jenë çështjet të cilat edhe në saj të problematikës që përmbajnë, do të diskutohen me prioritet të veçantë mes palëve. Po ashtu një nga temat kryesore të vizitës së Presidentit grek në Shqipëri do të jetë dhe varrezat e ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në kufirin apo në trojet shqiptare, gjatë luftës italo-greke. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë greke, Jorgos Sulas, ka kërkuar së fundmi që të shtrihen kërkimet për varret e ushtarëve grekë, duke pretenduar se një varreze e tille gjendet në Përmet. Presidenti Papulias viziton Shqipërinë pas thuajse 8 vitesh, por edhe vizita e fundit e tij në vend dështoi. Në vjeshtën e vitit 2005, Papulias u kthye mbrapsht nga Gjirokastra drejt Greqisë, pasi në Sarandë, ku kishte planifikuar një takim me homologun e kohës, Alfred Moisiu, u ndal nga protesta çame.

 

 

Axhenda e vizitës së Papuliasit

Të dielën në darkë, pas mbërritjes në Tiranë, Presidenti grek do të takohet me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, si dhe kryepeshkopin Anastas.

Të hënën do të zhvillojë bisedime me homologun Nishani, kreun e Kuvendit Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama si dhe do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të zhvilluar nga ambasada greke. Po ashtu, Papulias do të vizitojë edhe shkollën greke Arsakio dhe do të darkojë me homologun e tij shqiptar, nga i cili ka marrë edhe ftesën.

Të martën, Papulias do të vendosë lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri” dhe më pas do të takohet me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, pas së cilës niset drejt jugut, për një takim me minoritetin në Gjirokastër.

 

 

Gjykata e Lartë

 Nishani fton grupet parlamentare për konsultim

Presidenti Nishani ftoi dje krerët e grupeve parlamentare në këshillime për përcaktimin e kritereve konkrete për emërimin e dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Presidenca bëri të ditur se ftesa bëhet në përmbushje të përcaktimeve kushtetuese si dhe bazuar në ligjin nr. 151/2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, në vijim të procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. “Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani, për të siguruar një përbërje cilësore, fton kryetarët e grupeve parlamentare për të zhvilluar këshillime mbi kriteret konkrete, bazuar në listën e konkurrentëve të publikuar”. Konsultimet me krerët e grupeve parlamentare të Partisë Socialiste (PS), Partisë Demokratike (PD), Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) si dhe Partisë Republikane (PR) do të zhvillohen ditën e mërkurë, datë 6 nëntor 2013.

 

Takimi me zv.sekretaren e Shtetit të SHBA-së

Bushati: Të angazhuar për reforma. Nuland: Mbështesim Shqipërinë

Në kuadër të takimit të mbajtur në Budapest të grupit të Vishegradit V4 dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati u takua dje me zëvendëssekretaren Amerikane të Shtetit, Victoria Nuland. Gjatë takimit ministri i prezantoi Nuland prioritetet e politikës së jashtme të qeverisë së re dhe e njohu atë me hapat e ndërmarra për përmbushjen e reformave të nevojshme për forcimin e shtetit ligjor, sundimin e së drejtës në ekonomi dhe përparimin e Shqipërisë drejt BE-së. Nga ana e saj zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit shprehu vlerësimin e qeverisë amerikane për angazhimin e Shqipërisë në kuadër të misionit ISAF të NATO-s në Afganistan dhe të rolit të saj konstruktiv në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Nuland inkurajoi qeverinë shqiptare për trajtimin me përparësi të nismave që do të mundësojnë stabilitetin ekonomik, nxitjen e punësimit në vend dhe reformat në fushën e sundimit të së drejtës. Po ashtu zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit vlerësoi qëndrimin e qeverisë shqiptare në mbështetje të rezolutës së OKB-së mbi Sirinë si dhe bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të organizmave ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, ajo vlerësoi pozitivisht progres-raportin e Komisionit Evropian që rekomandon statusin e vendit kandidat, duke nënvizuar rëndësinë që ka për Shqipërinë dhe të gjithë rajonin ankorimi në rrjedhat evropiane. Në takim, të dy bashkëbiseduesit vlerësuan stadin e marrëdhënieve dypalëshe dhe ranë dakord që të vazhdojnë të punojnë në kuadër të formateve ekzistuese si V4 dhe Ballkani Perëndimor.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency