Përgjimet Berisha: Rama, obsesiv nga përgjimi, nuk hyri në zyrë nga frika e çimkave

0
131

Florenc Drizari

“Kushërira me të cilën ndan shpirtin e zi të dajë Kolekës, i thotë se përgjimi bëhet edhe nëpërmjet kompjuterit dhe aksesorëve të tij”

 

kabineti berishaIsh-kryeministri Berisha akuzon kreun aktual të ekzekutivit, Edi Ramën, se ka hequr sistemin dixhital të rendit të ditës të mbledhjeve të qeverisë, i cili ka kushtuar 1 milion dollarë. Gjatë një komenti të bërë në rrjetin social “Facebook”, Berisha shkruan se Rama ka frikë nga përgjigjet dhe dyshimet e tij shkojnë deri në osbsesivitet. Për këtë ish-kryeministri përmend disa nisma të marra nga qeveria aktuale lidhur me sistemin dixhital të transformimit të të dhënave dhe transformimin në tërësi të arredimit të Këshillit të Ministrave. Berisha thotë se të gjitha lëvizjet janë bërë për të shmangur përgjimet, ndërkohë që gjatë survejimeve edhe nga kompani të specializuara në këtë fushë, thotë ai, nuk është gjetur asgjë që mund të vërtetonte dyshimet e Ramës.

“Obsesiv (dyshues) deri në frikë ekstreme, Piktori dështak hoqi nga salla sistemin dixhital të rendit të ditës të mbledhjeve të qeverisë, i cili ka kushtuar 1 milion $ dhe që i kursente shtetit dhjetëra tonelata letër dhe mjete të tjera kancelarie. Ky sistem i instaluar tre vjet më pare do të lidhej në vazhdim me të gjitha ministritë dhe agjencitë e tjera dhe shumë shpejtë do të bënte të mundur që komunikimi në të gjitha agjencitë të ishte vetëm dixhital për të gjithë administratën dhe të kurseheshin qindra milionë lekë materiale zyrash.

Rama vuan shumë nga obsesionet në tërësi dhe ai i përgjimit në veçanti. Ai nuk hyri në zyrën e tij nga frika e çimkave (përgjueseve) ndonëse dy agjencitë mike që ai thirri pas kontrollit të imtë, certifikuan zyrën si të pastër, pa përgjues. Pavarësisht nga kjo ai shqepi të gjithë parketin dhe suvanë e zyrës para se të futej, por çimka nuk gjeti.

Historia vazhdon, kushërira me të cilën ndan shpirtin e zi të dajë Kolekës, i thotë se përgjimi bëhet edhe nëpërmjet kompjuterit dhe aksesorëve të tij. Kaq u desh dhe u pre fillimisht kablli qendror fibro-optik nga vetë kushërira, si gjoja gabimisht, të nesërmen në darkë u shkulën laptopët dhe aksesorët e tyre. Këtij i thonë ndryshim. Me vrap drejt shkuarës!!!”, – ka shkruar ish-kryeministri Berisha në faqen e tij të “Facebook”-ut.

Debatit për përgjimet

Më herët, mes PD-së dhe PS-së ka pasur akuza të ndërsjella lidhur me përgjimet e zyrtarëve të lartë të shtetit. Para zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit, debati i përgjimeve mes pozitës dhe opozitës së atëhershme ka vijuar për muaj të tërë. Shpesh herë grupi parlamentar i PS-së (deputetët e Komisionit Parlamentar për Sigurinë), kanë akuzuar krerët e Ministrisë së Mbrojtjes për përgjime të deputetëve opozitarë si dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë. Për këtë ata kërkuan edhe inspektimin e Ministrisë së Mbrojtjes, por kjo nuk u lejua nga ministri i atëhershëm Arben Imami, me argumentin se kërkesat duhet të ishin më specifike dhe se rrezikohej cenimi i informacioneve të klasifikuara, edhe si pjesë e integruar e këtij institucioni në NATO.

Debatet mes të majtëve të të djathtëve çuan deri aty sa në mbledhjet e grupit parlamentar të PS-së, të viheshin edhe zhurmues për të shmangur valët e telefonisë celulare.

 

 

 

PD: Harito të informojë për ministritë që kanë miratuar organikën

Deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu i ka kërkuar ministres për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, të japë informacion për ministritë që kanë miratuar organikën. Kërkesa e Majlinda Bregut konsiston në tri pika. Sipas Bregut, ministrja Harito duhet të informojë për emërimet e reja në administratë, për kontratat e përkohshme si edhe për pozicionet e konkurrimit. Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, shpalli ditë më parë hapjen e konkurseve për 5 vende të reja pune në Agjencinë Kombëtare e Shërbimit të Informacionit.

 

PD, Ristani: Dorëheqjen e drejtorit të burgjeve ta ndjekin dhe drejtues të tjerë të policisë

Partia Demokratike kërkoi nga drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, të emëruar në kundërshtim me ligjin, që të japin dorëheqjen siç bëri kolegu i tyre një ditë më parë, drejtori i burgjeve, Enrik Sulejmani. “Dorëheqja e djeshme e një funksionari të lartë të ekipit të ri të kësaj qeverie, është një dëshmi se sado të shkosh në drejtim të kundërt me ligjin, rruga nuk do të jetë e gjatë”, – deklaroi deputeti i PD-së, Arben Ristani. Ai ftoi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe dy zv.drejtorët, si dhe gjithë të tjerët të emëruar në kundërshtim me ligjin, që të japin dorëheqjen. “Ftojmë të reflektojnë dy zv.drejtorët e përgjithshëm të policisë dhe të gjithë të tjerët që janë emëruar në kundërshtim me ligjin sepse, pesha e antiligjit është e rëndë dhe nuk do ta mbajnë dot gjatë mbi supe. Drejtori i SHKB-së, Arben Skëndo, si financues i Partisë Socialiste, por edhe si numërues i parë i saj në tavolinën ngjitur me Artan Didin, nuk është një profesionist i pavarur politikisht, prandaj i kërkojmë të tërhiqet nga posti publik, pasi e ka vendin në radhët e partisë për të cilën kontribuon”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency