Prezantimi në Këshillin e Përhershëm në Vjenë Raporti i OSBE-së: 3 prioritet e politikës, do të mbikëqyrim zbatimin e ligjit për shërbimin civil

0
117

Gëzim Saliu

Ambasadori i OSBE-së, Rauning: Duhet gjithëpërfshirje për sfidat e vendit, angazhim për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit

 “Përparimi në axhendën e reformave ngeci, armiqësia dhe polarizimi politik u rritën”

 

OLYMPUS DIGITAL CAMERADialogu politik, zgjidhja e çështjes së pronës si edhe administrata ishin tie çështjet kryesore në raportin e OSBE-së, që u bë publik një ditë më parë në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë. Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Florian Raunig, prezantoi raportin për gjendjen në Shqipëri dhe veprimtarinë e prezencës, për periudhën shtator 2012 – tetor 2013, ku pasi vuri në dukje disa nga arritjet e klasës politike shqiptare, theksoi rëndësinë e dialogut dhe gjithëpërfshirjes në sfidat që e presin vendin në rrugën e integrimit evropian. “Qeveria e re përballet me sfida të konsiderueshme, të cilat duhen trajtuar në një mënyrë të pjekur dhe gjithëpërfshirëse. Është pozitive që shumica e re ka shfaqur interesin e saj të fortë për të ecur përpara me reformat shumë të nevojshme dhe është zotuar të punojë bashkë me opozitën në këtë drejtim. Shpresohet që opozita do të përgjigjet në një mënyrë të favorshme për arritjen e përparimit në axhendën e reformave të vendit”, – thuhej në raportin e paraqitur në Vjenë. Nga ana tjetër, duke u fokusuar tek një ndër ligjet më të debatuar në vend, atë për Nëpunësin Civil dhe aktin normativ të qeverisë për shtyrjen e tij, Rauning pohoi se OSBE do të monitorojë qeverinë në zbatueshmërinë e ligjit për shërbimin civil. “Këshilli i Ministrave përdori një “akt normativ që ka fuqinë e ligjit”, sipas nenit 101 të Kushtetutës, i cili lejon marrjen e masave të përkohshme në rast nevoje dhe urgjence. Ky akt normativ, siç e kërkon Kushtetuta, u miratua më pas nga Kuvendi. Partia kryesore e opozitës bëri publik shqetësimin e saj për shtyrjen, duke shprehur frikën e spastrimeve të mundshme në administratën publike. Institucioni do të vijojë të mbikëqyrë zbatimin e legjislacionit për shërbimin civil nga institucionet shtetërore të përfshira në sistemin e shërbimit civil”.

Raporti

Raporti i OSBE-së ndalet në një sërë çështjesh, duke theksuar mes të tjerash se zgjedhjet e fundit shënuan progres në vend. “Në një vit të mbizotëruar nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, zhvillimi paqësor i tyre, si dhe kalimi relativisht i qetë i pushtetit shënuan një përparim domethënës në Shqipëri, me gjithë mjedisin e vështirë politik dhe ekonomik”. Në këtë kontekst, Rauning vlerësoi se zgjedhjet ishin konkurruese, kjo si pasojë edhe e atmosferës mosbesimit midis dy forcave politike kryesore. “Duke vështruar zhvillimet përgjatë një viti, vihet re që përparimi në axhendën e reformave ngeci, ndërsa armiqësia dhe polarizimi politik u rritën vazhdimisht me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Miratimi, në maj 2013, i 3 ligjeve me shumicë të cilësuar, konkretisht i ligjit për Gjykatën e Lartë dhe atij për nëpunësin civil, si dhe i rregullores së Kuvendit, përmes bashkimit të votave të shumicës qeverisëse dhe opozitës, ishte një përjashtim për t’u shënuar”, – vlerësoi OSBE. Ndërkohë, një ndër reformat më të rëndësishme që duhet të përmbushë qeveria duhet të jetë lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Gjatë vitit të shkuar u vërejt përgjithësisht një përparim i kufizuar në çështjet kundër korrupsionit. Në një hap për t’u përshëndetur, Kuvendi miratoi, në shtator 2012, një paketë ndryshimesh kushtetuese që kufizon imunitetin e përgjithshëm nga ndjekja penale të deputetëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë. Megjithëse ndryshimet e miratuara nga Kuvendi hoqën një pengesë madhore për hetimin e rasteve të supozuara të korrupsionit, procedurat hetimore ende kërkojnë qartësim”. Me prioritet të veçantë në raport cilësohet edhe zgjidhja e çështjes së pronës si edhe riintegrimi i plotë në shoqëri i ish-të përndjekurve politikë.

 

 

Çështjet kryesore të raportit të OSBE-së

Korrupsioni

“Në luftën kundër korrupsionit, me gjithë angazhimin e qeverive të njëpasnjëshme dhe reformën ligjore përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, perceptimi i korrupsionit në terren është rritur, sipas Transparency International. Gjatë vitit të shkuar u vërejt përgjithësisht një përparim i kufizuar në çështjet kundër korrupsionit. Megjithëse ndryshimet e miratuara nga Kuvendi hoqën një pengesë madhore për hetimin e rasteve të supozuara të korrupsionit, procedurat hetimore ende kërkojnë qartësim. Sfida mbetet për t’i shndërruar angazhimet në zbatim efektiv, me nivelin e duhur të transparencës dhe llogaridhënies dhe një bilanc bindës, përfshirë procedime të nivelit të lartë”.

Nëpunësi civil

“Një hap pozitiv dhe i rëndësishëm lidhur me reformën e administratës publike u hodh përmes miratimit nga ana e Kuvendit, në maj 2013, pas një kohe të gjatë, të ligjit “Për nëpunësin civil”. Më 30 shtator, pas konsultimeve me bashkësinë ndërkombëtare, Këshilli i Ministrave vendosi ta shtyjë me gjashtë muaj fillimin e efekteve të ligjit, nga hyrja në fuqi e ligjit më 1 tetor, deri më 1 prill 2014. Këshilli i Ministrave përdori një “akt normativ që ka fuqinë e ligjit”, sipas nenit 101 të Kushtetutës, i cili lejon marrjen e masave të përkohshme në rast nevoje dhe urgjence. Ky akt normativ, siç e kërkon Kushtetuta, u miratua më pas nga Kuvendi. Partia kryesore e opozitës bëri publik shqetësimin e saj për shtyrjen, duke shprehur frikën e spastrimeve të mundshme në administratën publike. Institucioni do të vijojë të mbikëqyrë zbatimin e legjislacionit për shërbimin civil nga institucionet shtetërore të përfshira në sistemin e shërbimit civil”.

Prona

“Reforma e pronës mbetet për Shqipërinë një çështje thelbësore, nga e cila kushtëzohet zhvillimi në fusha të tjera. Mungesa e një kuadri të qëndrueshëm politikash ka sjellë një pasiguri ligjore sa u përket të drejtave të pronarëve, shtimit të ndërtimeve të paligjshme dhe zhvillimit të parregulluar të tregut të pronave të paluajtshme, me pasoja negative për gëzimin e papenguar të së drejtës së pronës dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Konsensusi kombëtar dhe qëndrueshmëria e kuadrit institucional dhe ligjor janë të domosdoshëm për suksesin e kësaj reforme”.

Ish-të përndjekurit politikë

Riintegrimi i plotë në shoqëri i ish-të përndjekurve politikë mbetet shqetësim. Në kuadër të qëllimit të përgjithshëm të edukimit për të drejtat e njeriut, Prezenca organizoi takime mes studentëve dhe ish-të përndjekurve politikë, në katër universitete. Takimet u përqendruan në rritjen e ndërgjegjësimit të studentëve lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë regjimit komunist në Shqipëri.

 

Sfidat e Shqipërisë sipas raportit të OSBE-së

“Sfidat që mbeten për konsolidimin e demokracisë dhe integrimin e mëtejshëm ndërkombëtar janë të brendshme, në mendësi dhe në funksionim: trajta e ardhshme e vendit, shpejtësia, efikasiteti dhe qëndrueshmëria e reformave varen shumë nga vullneti dhe përkushtimi i të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri. Sikurse tregon vizioni dhe strategjia e saj, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri u ofron institucioneve dhe qytetarëve të vendit partneritetin e saj të sinqertë – jo ndërhyrje, por një përkushtim të çiltër e të drejtuar nga rezultatet, në fusha të përzgjedhura ku ajo ofron kontribut të spikatur që plotëson atë të partnerëve – për t’i ndihmuar në përmbushjen e aspiratave të tyre të vyera”, – theksoi raporti i OSBE.

 

Bashkëpunimi PS-FRD

Peleshi: Erë e re në politikë. Oketa: PS na ktheu kandidaten në garë

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Fryma e Re Demokratike, Gazmend Oketa, dolën dje në një deklaratë të përbashkët nga qyteti i Korçës pas ftesës që Partia Socialiste i bëri FRD-së për ta mbështetur në zgjedhjet për kreun e bashkisë së këtij qyteti. Peleshi deklaroi se ky bashkëpunim pritej dhe se sipas tij ka filluar të fryjë një erë e re në politikën shqiptare. “Ky nuk është vetëm bashkëpunim vote”, – tha ai. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i FRD-së Oketa e cilësoi ftesën e PS-së një gjest qytetarie. “PS me ftesën i ktheu garës kandidaten e përjashtuar. Ky nuk është bashkim politik. Ne s’i konsiderojmë qytetarët numra”, – deklaroi Oketa, ku tha se Partia Demokratike i hoqi të drejtën e garës kandidates së FRD-së. Partia Fryma e Re Demokratike në Korçë disa ditë më parë ju përgjigj pozitivisht ftesës së PS-së, për të bashkëpunuar në zgjedhjet e 3 nëntorit, për kryetarin e bashkisë. Ish-kandidatja e FRD-së, Brikena Zeneli u shprehet se ky vendim vjen pas konsultimit me strukturat në qendër dhe bëhet për mirëqenien e qytetarëve korçarë. Ndërkohë dega e Partisë Demokratike në qytetin e Korçës ka akuzuar dje bashkinë e këtij qyteti për korrupsion. “Shoku kandidat, na thoni sa kushton sofra juaj këto 7 vite. Korrupsionin e tregoni me kështjellat që keni ndërtuar. Ishe dyshi i bashkisë dhe i tillë mbete”, iu drejtua forca më e madhe opozitar kandidatit të majtë për kryetar bashkie Sotiraq Filo. Ndërsa dy ditë më parë, Dega e Partisë Demokratike në qytetin e Korçës reagoi lidhur me mbështetjen që FRD po i jep kandidatit socialist për bashkinë e qytetit Sotiraq Filo. Sipas PD-së, Fryma e Re Demokratike tashmë ka dalë hapur si aleate e Partisë Socialiste. “Shprehim përbuzje për këtë lloj pazari. Vetëm frymë të re nuk ka në aleancën FRD – PS për Korçën. PS ka frikë nga PD-ja ndaj mbahet me paterica”, – thuhej në reagimin e PD-së.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency