U shpëtoi më parë dy atentateve Hakmarrja, ekzekutohet me 15 plumba Xhavit Lleshi

0
169

Sonja Caka

Ngrihen dyshimet e para për krimin, dyshohet një krim i ndodhur në Londër, për të cilin akuzohet vëllai i viktimës

 

vrasja ne matPas dy atentateve të dështuara, 48-vjeçari Xhavit Lleshi dje nuk ka mundur t’u shpëtojë vrasësve. Viktima, banor në fshatin Rukaj të Burrelit është ekzekutuar mëngjesin e djeshëm ndërsa lëvizte me automjetin e tij tip “Mercedes-Benz”, kur është sulmuar me breshëri kallashnikovi në vendin e quajtur Pujk. Duket se e kishin mirëmenduar vendin ku i kishin zënë pritë, pasi rruga mes dushqeve u mundësoi autorëve të atentatit largim të shpejtë, ndërsa drejt viktimës u qëllua me 15 plumba. Policia, e cila u njoftua menjëherë për ngjarjen, ka shkuar në vendngjarje dhe pas këqyrjes së kufomës dhe vendit ku ndodhi atentati, njoftoi se mbi trupin e 48-vjeçarit Lleshi janë derdhur 15 plumba, të cilat i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Policia e Burrelit ka nisur menjëherë punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ngjarja

Atentati ndaj 45-vjeçarit ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, ndërsa ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij “Mercedes-Benz” nga fshati Rukaj drejt Burrelit. Autorët i kanë zënë pritë Xhavit Lleshit në vendin e quajtur Pujk, ndërsa janë larguar pasi janë bindur që kësaj radhe nuk kishin gabuar shenjë. Pas dy atentateve të dështuara, dje 48-vjeçari ka humbur jetën, pasi mbi të janë derdhur plot 15 plumba. Nisur nga dëshmitë e para, policia dyshon se ngjarja ka për shkak hakmarrjen. Për këtë po kërkohet informacion rreth një ngjarjeje në Londër, ku i vëllai i viktimës dyshohet të jetë autori i një vrasje të ndodhur kohë më parë.

Atentatet

Nuk ishte prita e parë që i kishin zënë viktimës për ta vrarë. Edhe më parë kanë tentuar, por vetëm e kanë plagosur dhe Xhavit Lleshi e dinte që kërkohej për t’u vrarë. Xhavit Lleshi është shënjestruar edhe tre herë të tjera po në të njëjtin vend. Në muajin prill të vitit 2013, Xhavit Lleshi u plagos rëndë bashkë me një tjetër person. Në 2 prill të këtij viti, po në fshatin Pujk, ai është qëlluar me armë disa herë, por asokohe mundi të mbijetonte pavarësisht plagëve të rënda të marra në trup.

 

 

Shorti

Gjykata e Lartë cakton emrat e gjyqtarëve që do të gjykojnë “21 Janarin”

Gjykata e Lartë hodhi dje shortin dhe caktoi Kolegjin Penal që do të shqyrtojë rekursin e prokurorisë dhe të pandehurve të dosjes së “21 Janarit”. Me ndihmën e shortit me gogla, kryesekretaria e kësaj gjykate ka caktuar si relator të dosjes gjyqtarin Tom Ndreca dhe anëtarë gjyqtarët Edmond Islamaj, Shkëlzen Selimi, Artan Zeneli dhe Aleksandër Muskaj. Pritet që gjykata të caktojë datën kur do të zhvillohet seanca e parë gjyqësore ndaj Ndrea Prendit dhe Agim Llupos. Dy të pandehurit janë dënuar nga Gjykata e Apelit me 4 vjet burg në total për vrasjen e dy demonstruesve dhe plagosjen e tre të tjerëve. Prokuroria e përgjithshme ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë dosjen penale të rekursit duke pohuar se apeli ka gabuar rëndë në ndryshimin e akuzës, nga “Vrasje me dashje” në “Vrasje nga pakujdesia”. Ne rekursin e saj, prokuroria kërkon prishjen e vendimeve të gjykatës së Apelit për dy të pandehurit dhe dënimin e Ndrea Prendit me 23 vjet burg për “Vrasje me dashje” dhe Agim Llupos me 25 vjet burg për të njëjtën akuzë, atë të “Vrasjes me dashje”.

 

Rinas

U refuzohet azili, Islanda dëbon dhe kthen 17 shtetas shqiptarë

Me një avion të posaçëm, dy net më parë, 17 shqiptarë të cilët po kërkonin azil në Islandë janë dëbuar nga vendi dhe janë për në Shqipëri. Avioni me të cilin kanë udhëtuar është në shërbim të organizatës Frontex, agjencia e bashkimit evropian për sigurinë e jashtme të kufijve. Avioni ka ndaluar në Suedi dhe në Itali ku janë marrë dhe disa azilkërkues të tjerë shqiptarë, duke e çuar numrin e të riatdhesuarve në 160 persona. Nga 17 azilkërkuesit që janë larguar nga Islanda, 6 ishin fëmijë, mes tyre dhe një bebe pesëmuajshe e cila kishte lindur në Islandë. Gjithashtu, pjesë e grupit ishte dhe një grua 6-muajshe shtatzënë. Azilkërkuesit janë lajmëruar për largimin nga vendi 48 orë para nisjes. Drejtoria për migrimin në Islandë ka refuzuar aplikimet për azil por arsyeja e këtij vendimi nuk është bërë publike. Avokati i azilkërkuesve kishte kërkuar një shtyrje të dëbimit të tyre por një kërkesë e tij nuk është marrë parasysh. Disa nga shtetasit shqiptarë kishin shkuar në Islandë për ndeshjen e futbollit të kombëtares sonë atje në muajin shtator. Sipas mediave vendase shqiptarët janë grupi i dytë më i madh i azilkërkuesve në Islandë pas kroatëve. Asnjë aplikim nga shtetasit shqiptar për azil nuk është pranuar nga autoritetet vendase. Edhe autoritet kufitare të Policisë së Shtetit kanë konfirmuar faktin se mbrëmjen e të martës me një avion të posaçëm nga Frontex, janë kthyer në Shqipëri 62 shtetas. Të njëjtat burime shtuan se kjo është procedurë normale, thuajse çdo muaj, kur Frontex, me një avion të posaçëm mbledh shtetasit shqiptar të dëbuar nga vende të ndryshme të BE-së dhe i deporton për në Shqipëri.

Gjirokastër

Sekuestrohen 90 kg hashash, shpëtojnë transportuesit

Policia e Gjirokastrës ka arritur të sekuestrojë 90 kilogramë hashash që sapo doli nga fshati Lazarat, por nuk mundi të ndalë transportuesit e kësaj sasie. Sipas policisë, droga po transportohej nga tre persona me çanta shpine. Pasi mori informacion për drogën, Specialistët dhe Agjentët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë njoftuar Policinë Kufitare dhe së bashku kanë organizuar operacionin antidrogë, ku u bë i mundur evidentimi i tre shtetasve mbi fshatin Goranxi të cilët në kodrat e këtij fshati po transportonin nga një çantë shpine të mbushur me lëndë narkotike. Transportuesit janë larguar në drejtim të paditur dhe policia në vendin e ngjarjes gjeti vetëm çantat me drogë.

Sarandë

Makina përplas çiftin e bashkëshortëve, plagosen rëndë

Një aksident automobilistik me pasojë plagosjen e një çifti bashkëshortësh ka ndodhur ditën e djeshme në Ksamil të Sarandës. Policia e Sarandës bën me dije se makina ka përplasur çiftin e bashkëshortëve që po udhëtonin me motor, Valentino dhe Juliana Zguri, 36 dhe 33 vjeç, të cilët janë transportuar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e automjetit që përplasi dy të aksidentuarit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency