Janë 700 familje që sot ndodhen në pikë të hallit. Kanë nevojë për ushqime, për përkujdesje, kanë nevojë për një batanije apo qoftë edhe për kontaktin njerëzor
Pavarësisht se 700 familje të kryeqytetit ndodhen në gjendje të mjerueshme, qeveria ende nuk ka marrë masat për t’u ardhur në ndihmë. Kanë kaluar 11 ditë dhe asnjë qeveritar, asnjë deputet i majtë nuk është kujtuar për ta. Nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, dhe kryetari i njësisë bashkiake nr. 11 ishin pranë familjeve të përmbytura. Bozdo ka nënvizuar se ndonëse Edi Rama mori me aktin normativ 100 milionë dollarë për shpenzime, nuk i akordoi as dhe një dollar të vetëm 700 familjeve të përmbytura. “Kanë 10 ditë që janë përmbytur, jetojnë në qiell të hapur, sepse lumi ka marrë gjithçka, nuk kanë as mjete shtëpiake, as elektroshtëpiake. Kanë 10 ditë që askush nga qeveria qendrore, me gjithë kërkesat tona të njëpasnjëshme, për të shpallur gjendjen e emergjencave, nuk kujtohet”, – u shpreh nënkryetari i bashkisë gjatë vizitës te Bregu i Lumit.
Shqetësimi
“Kryeministri Rama ka kaluar aktin normativ të ndryshimit të buxhetit, për vitin 2013. Janë programuar plot 100 milionë dollarë për shpenzime, zyra, pritje, pagesa dhe nga këto 100 milionë dollarë, qoftë edhe një dollar i vetëm nuk është kujtuar që t’u takojë këtyre njerëzve. Janë 700 familje që sot ndodhen në pikë të hallit. Kanë nevojë për ushqime, për përkujdesje, kanë nevojë për një batanije apo qoftë edhe për kontaktin njerëzor”, – theksoi Bozdo. Nga ana e tij, kryetari i njësisë bashkiake nr. 11, z. Haki Mustafa theksoi se “Bashkia, duke e parë që nuk ka funksionuar shteti, ka ngritur 8 komisione, pothuajse janë në prag të vlerësimit përfundimtar. Mua më habit një fakt”. “Këta qytetarë kanë nevojë për emergjencën e shpejtë dhe pastaj për të madhen më vonë. Një shtet nuk mund të thotë që nuk mund t’ua sjellë 600 familjeve, një pako ushqime, të sjellë një batanije dhe një krevat që të flenë këta qytetarë, pastaj për dëmet që mund të jenë shumë të mëdha, mund të thonë presim 5 muaj, 6 muaj, një vit do ju shpërblejmë, por duhet të jenë pranë këtij halli”, – përfundoi Mustafa.
Përmbytjet
Menjëherë sapo lumi i Tiranës vërshoi në shtëpitë e qindra qytetarëve kanë qenë punonjësit e Bashkisë së Tiranës të cilët ndihmuan në pastrimin e shtëpive. Që në ditën e parë kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, ka bërë apel për shpalljen e gjendjes së emergjencës në këtë zonë, por në asnjë moment institucionet e qeverisë nuk kanë marrë parasysh kërkesën e Bashës. E vetmja ndihmë që u është dhënë banorëve kanë qenë nga një thes me miell, nga 1 dyshek si disa ushqime të cilat ishin të papërfillshme në krahasim me situatën te Bregu i Lumit. Thirrja e vazhdueshme e kreut të njësisë bashkiake nr. 11 dhe drejtuesve të bashkisë duket se kanë rënë në veshë të shurdhët. Pak ditë më parë ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në një emision televiziv ka thënë se nuk kishte fonde për t’u ardhur në ndihmë familjeve, “nuk ka ushqime, nuk ka makarona dhe fasule dhe t’i lutemi Zotit të mos ndodhë ndonjë fatkeqësi”, – ka thënë Tahiri.
Avokati i Popullit: Gati propozimi për lejimin e martesave gay
Shumë shpejt institucioni i Avokatit të popullit do t’i propozojë qeverisë lejimin e martesave gay. Kjo ishte deklarata e Avokatit të Popullit Igli Totozani gjatë një seance organizuar nga Komiteti Evropian Ekonomik dhe Social. “Legjislacioni ynë nuk është ende gati, ka një ligj për antidiskriminimin, por natyrisht ka nevojë për ndryshime të tjera. Në Shqipëri ka një frymë që po ndryshon ndaj komunitetit LGBT, pra nuk ka më atë urrejtjen e madhe, të zotërisë në fjalë apo të ndonjë zotërie tjetër që ishte i gatshëm të vriste djalin e tij, nëse zbulonte që ishte gay, por sot gjërat kanë ndryshuar, kanë ndryshuar për mirë, unë po shoh sot komentet që njerëzit po bo bëjnë në blogje, në “Facebook” janë vërtet ndryshe. Janë aq ndryshe, saqë unë nuk e di se çfarë po më mban, ndoshta vetë shoqatat po më mbajnë, se si institucion i Avokatit të Popullit sa më shpejt ta propozojmë martesën dhe do ta bëjmë këtë gjë. Dhe të jemi një shembull pozitiv, në Shqipëri dhe në Ballkan, jemi duke u përpjekur dhe deri në fund të vitit do të kemi një përgjigje për një ndryshim në kodin e familjes së Republikës së Shqipërisë. Dhe jemi midis një dileme për të diskutuar mbi mënyrën e zgjidhjes së kësaj çështje, pra të bashkëjetesës apo të kërkesës së martesës”, – u shpreh Totozani. Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka bërë një bilanc të punës së institucionit që drejton në mbrojtje të interesave të grupeve me vulnerable të shoqërisë duke veçuar romët, për të cilët tha ai është përpiluar edhe një raport i posaçëm që do t’i dërgohet për shqyrtim parlamentit ditën e hënë.
Alarmi, bojërat e lodrave të fëmijëve kanë përmbajtje plumbi
Bojërat që lyejmë shtëpitë apo bojërat që përdoren për lodrat e fëmijëve kanë përmbajtje plumbi. Shqetësimi ngrihet nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik të cilët theksojnë se bojërat e vajit përmbajnë plumb, i cili në disa lloje produktesh jocilësore është në përqindje edhe më të lartë dhe mund të futet në organizimin e njeriut përmes prekjes ose në formën e pluhurit pasi lyerja konsumohet. Sipas ekspertëve të shëndetësisë, helmimi nga plumbi është shumë i rrezikshëm për shëndetin, sidomos tek fëmijët. Plumbi, sipas tyre, dëmton zhvillimin e trurit, duke rezultuar në ulje të koeficientit të inteligjencës, ndryshim të sjelljes, shpërqendrim të vëmendjes, por ndikon edhe në sëmundjen e veshkave apo të tensionit të gjakut. Sipas ekspertëve të shëndetësisë, helmimi nga plumbi është shumë i rrezikshëm për shëndetin, sidomos tek fëmijët. Plumbi, sipas tyre, dëmton zhvillimin e trurit, duke rezultuar në ulje të koeficientit të inteligjencës, ndryshim të sjelljes, shpërqendrim të vëmendjes, por ndikon edhe në sëmundjen e veshkave apo të tensionit të gjakut. “Plumbi përdoret në bojëra si pigment ashtu si dhe agjent tharës. Është shtuar në mënyrë të qëllimshme në bojëra, por problemi më i madh me bojërat është mbasi ato vjetrohen, cipa shpërbëhet dhe kalon në pluhur. Nëpërmjet frymëmarrjes dhe nëpërmjet gojës ne mund të marrim pluhurin, por fëmijët janë më të rrezikuar. Fëmijët për shkak të sjelljes së tyre kanë aftësi të marrin sendet, t’i fusin në gojë, apo thithin ajrin me pluhur. Çdo vit në botë ka 600 mijë raste të reja që shfaqen me vonesë mendore”, – thotë Lindita Tafaj, specialiste e ISHP-së. Plumbi gjendet edhe tek bateritë, madje në risk të lartë janë edhe ata që merren me riciklimin e baterive. Plumbi është konsideruar nga OBSH, një ndër 10 kimikatet me shqetësuese për shëndetin. Ndaj ky organizëm u bën thirrje qeverive të marrin masa për të eliminuar plumbin nga bojërat.