…shenjat e buzëve Me tkuq

0
69

Linditë Ahmeti

 

 

Një tufë me poezi nga Linditë Ahmeti, e konsideruar një zë solid, ku mendimi dhe ndjesitë gjejnë shtigje të ashpra për ta shndërruar gjithçka në katarsis energjie, si fjala vjen mbi kuptimësinë e jetës, ëndrrat dhe kujdesi për të ruajtur arketipin e saj poetik. Lindur në Prizren, poezitë e Ahmetit janë në “Zërin e rinisë” të Tiranës, në “Fjalën” e Prishtinës, në “Flakën e vëllazërimit” të Shkupit, në “Alternativë” të Lubjanës, në “Illyria” ShBA, në “Bota sot” Zvicër dhe në gazetën “Drita”. Ka studiuar greqishten e vjetër dhe latinishten në Shkup, ku edhe jeton

 

10-qershor-Henri-Matisse-girl-with-a-black-cat-1910LULJA ALBA

Kur heliosi e derdh me grusht gëzimin

në qiellin e zymtë

e mbi fshatrat e përgjumura

e kur zana e mujit bëhet gati

t’ia lajë sytë omerit të ri

me vesë luleshqerre

këtu te ne

ku është çarë arka e shpresës

këtu në ultësirë

skaj një kaçube

përfundi një këpuce të vjetër

të rëndë

të fëlliqur

të vetëshkyer nga inati i fundit të vet

e të grisur nga thonjtë e mi

e shoqëruar nga rrezja e zbehtë e dritës

së ftohtë

bashkë me thneglat e vyeshme

me bletët

me fluturat krahëshkruara

nis ta ngrejë kokën e bardhë

si me turp

por me krenari

lulja alba

e cila ndonëse nën ferrë

e nxjerr mbi botë bardhësinë

po pse nën ferrë

lulja e bardhë e liqenit nën ferrë

atëherë ia jep gazit mbi kullën time heliosi

e më zgjon

përballë meje s’ka kaçuba

as ferrë

as këpucë

duken vetëm liqenet e lurës

si stoli prej safiri

e mbi ta

me miliona lule alba

si barkat e afërditës së bukur

prej nga loz e përgjon erosi

me tufën plot shigjeta në shpinë

që i hedh bashkë me buzëqeshjen e tij

merr arbëri e bardhë

vetëm dashuri

koordinatat e mëngjesit

 

 

TREKËNDËSHI

 

ikin retë e plumbta

vijnë të kuqërremtat

njëherë këto

pastaj ato

sërish këto

pas këtyre ato

kur bëhet ndërrimi

në kupën qiellore paraqitet

trekëndëshi

i madh

i dukshëm

vetëm për  sytë e shkruar

tri anëza

tre brinj

tri kulme

në qiellin hapësirë ndërrimesh

qëndron trekëndëshi ngjyrë plumbi

i qartë si halli im

trekëndëshi

në qiellin që s’e nxjerr dot ngjyrën e vet

përmbi lisnajat pa gjethe

përmbi fushat me dredhëza që u ka rënë djega

trekëndëshi

me tri pika të dukshme

që janë tre rrathë

tri pasqyra

e s’dallohen pse shikojmë

nga pozita më e ulët

nga ultësira ku rrjedh vrugtësia

tri pika janë ku kemi mbetur

jo s’janë tri pika po tre rrathë

tre rrathë ku kalojmë kohën

duke lozur vallen e rëndë

tri anëza

tre brinj

tri pika

tre rrathë

tre

trekëndëshi

 

AMERIKA IME

 

 “Po të isha hënë

do të dija ku të bie”

D. H. Lawrence

 

hajt Selenë moj të lutem

lësho ndonjë copë adulari

t’i shohë shenjat Dreri i Bardhë

hajt Selena ime

t’i bëhesh fener Gjuhës së Zjarrtë

t’ia ndriçosh rrugën Qepallës së Përlotur

t’i bësh dritë Demit që Rri Ulur

i cili i prin kuvendit

me temën e vështirë

me klenë a mos me klenë

 

 

KUR MË VJEN AI ME MBRËMJEN

 

Kur ikën dielli matanë malit

Heliadat i lënë shenjat e buzëve

Me tkuq

 

Aty ku qiell përqafon bjeshkët

Duke i tërë perëndimi me shenja buzësh

të trëndafilta

 

Ngadalë pastaj

Lëshohet teposhtë drejt fshatit

Me fustan ngjyrë vishnje

Mbrëmja

E shoqëruar nga simfonia

E zogjve të malit

 

Që shkojnë të flenë

Të bartur në krahët e driadave

Plot verë

Që e ftojnë zefirin t’i përkundë degët

me çerdhe

 

Ndonëse hemera bie të pushojë

Mbi fshat mbetet gjallëria

Se e kanë marrë vesh

E dinë të gjithë

Ai do të më vijë

Ma dërgon vetë Zeusi

Mbrëmja e pret një copë nga fustani i saj

I mëndafshtë

 

E shton rrugën

Xixëllonjat varen në gjethet e drunjve

Për anësh

 

Llamba

Ai do të më vijë

Gratë janë bërë gërsheta

Nëpër dritare

Duan të vjedhin një grimë Nga bukuria

Që s’u takon atyre

 

Për të arnuar ëndrrën e grisur

Në fund – ndodhia

Ai zbret në formë të flluskës

E kur e çon dorën të trokasë

Në derën time

Rroket në një ferrë të kulumbrisë

E shkon me erën

 

Si balonë e shpuar

Lojë e Zeusit kjo do të jetë

Udhë e mbarë o çun i pritur

Udhë e mbarë o çun syshkruar

 

 

 

DIN KALLUSHANI PLAGËN SI DIELLI

 

Qetë.

Pushon Din Kallushani[1]

në këndin e larë me trimëri.

Mos bëni zë!

Mos e fikni atë fije drite

që i bie nga oxhaku i lartë i atnisë

të cilin po e ngrinte me shokë.

Qetë.

Ka rënë Din Kallushani.

Të pushojë.

Një është bërë trimi me tokën e butë.

Din Kallushani me plagën si dielli

Pranë i ka dy djemtë për ta bërë treshin

e pikëlluar

Qetë.

Ka pushuar gisht i kamëzës së martinës.

S’këndon më gjeli

po motra kumri.

Pushon Din Kallushani.

Heshtja e thellë e ka veshur fshatin

e thyer,

 

të thyer

si qeramidhet që bien nga pullazi

i kullës së lartë

nga stuhia

Ka rënë një mjegull e rëndë

mbi ëndrrën e vetmuar

nëpër të cilën dëgjohet zëri për dhuratat

që po na i sjellin danajt.

Po s’i merr dot kush.

E dëgjojmë Laokontin e s’e hapim derën.

Derën që e ka mbyllur Dini.

Din Kallushani me plagën si dielli.

 

QËNDISMË

tërë shkretëtira ka hyrë

në kazanin e zjarrtë

të vapës hadjane

uluron si kuçedër e lënduar

e shkrihet si dhjamë cjapi

në fëlteren e vënë

mbi pasionin rinor

pastaj derdhet përcëlluese

mbi ëndrrën time

të lulëzuar

e vret

si gjalpa e nxehtë që rrjedh

në veshin e viktimës

nga dorë e vrasësit me pamje engjëllore

e mbulohet tërë bota ime

mbulohet

me shtresën e trashë rërore të heshtjes

përvëluese

ja kjo është hapësira ime

të cilën të gjitha gazetat e botës e lavdërojnë

duke e krahasuar me një copë qielli të kaltër

si një tërësi e paqes

që e mbajnë djemtë e dëgjueshëm

të veshur me shtemësinë

që i shkon për shtat thanatosit

i cili në tempull të redonit aktron

nikoqirin mendjemadh

por gazetat s’e dinë e s’kanë dëgjuar

se ka filluar mësimi në klasën e parë

me mësuesen afërditë që i prin klasës

e do ta dëgjojnë këtë zë nesër

do ta dëgjojnë

e do ta hetojnë si e përhapin erën e mirë

të lules alba

atëherë do ta dinë

do ta dinë

se në qiellin që duket si muslin i kaltër

ka plot yje që nuk duken

e do t’i shohin

fëmijët duke mbledhur shkretëtirën

si ndonjë qilim të vjetër

përfundi të cilit del tërfoja me katër gjethe

 

MBROJTJA E HEKUBËS

stiksi tashmë po kalon i kuq përmbi ne

brenda zbrazëtirës sonë pa ngjyrë

duke shndërruar çdo gjë në lym

çdo gjë në harresë

pas vërshimës së zezë me danaj të pluhurosur

në kalë të drunjtë

ecën e rëndë heshtja e hekurt

me punë

ta qesë pëlhurën e zezë mbi grilat e qytetit

të dhunuar

e nga nofulla e hapur me dhëmbët e ngjyer

me gjak

të kalit të drunjtë

kërcejnë ushtarët dimërorë

hekuba ka mbetur vetëm

midis krenarisë së rrënuar

kush do ta mbrojë atë

priami kreshnik ka rënë nga dora tinëzare

e perifetit

e ne jemi kufoma

qëndron hekuba kryelartë mbi zymtësinë

e pafund

para saj burgoset grimca e fundit

e shpresës

dëgjohen lodrat e huaja

që ia shtijnë dridhmat edhe bishës në mal

edhe gërmadhat shemben nga stiksi me danaj

e me haronin me dhëmbë të kuq

por s’ka frikë hekuba e verdhë

ajo e di

është emri i hektorit mburoja e fortë

që s’e shpon dot as rrufe e zeusit

 

 

NARCISI PARA KROIT

narcisi shikon fytyrën e tij

në gurrën e kulluar

e s’e ka dert se një vashë e ka bërë jehonë

e sheh narcisi fytyrën e vet

e poshtë në ujë shfaqet një lule

me emrin e tij

thotë narcisi i dashuruar në vegimin

përtej pasqyre

tërë kjo bukuri tërë kjo bukuri

bukuri e vetme

kurse prapa tij ngriten lisat shekullorë

drunj me kurora heliodori që prekin

kupën e qiellit

që ligjërojnë harmoninë e paskajit

e fëshfërijnë

koha jonë e shkurtër

koha jonë e shkurtër

më tej një zog i këndon grurit që piqet

atje zogu tjetër e zgjon gocën

që ka pritur me vite të dashurin

të cilin e sjell hera me kurorën

e besës

s’i vëren narcisi as fluturat e arta

si loznin vallen gazmore mbi kokën e tij

kecërit e egër si hanë maja gëmushash

s’i sheh i gjori narcis

e s’më sheh as mua

në dritaren e lartë të kullës

si përpiqem ta mbroj nga fytyra e tij

grimcën e padukshme të bukurisë

derisa era zbulon edhe një bukuri të pyllit

përmes pëshpërimës së gjetheve

narcisi u tret narcisi u tret

 

Shënime biografike

Linditë Ahmeti u lind në vitin 1973 në Prizren. Poezitë e saj janë botuar në “Zërin e rinisë” të Tiranës, në “Fjalën” e Prishtinës, në “Flakën e vëllazërimit” të Shkupit, në “Alternativë” të Lubjanës, në “Illyria” ShBA, në “Bota sot” Zvicër dhe në gazetën “Drita”.

Libri i saj “Mjedra dhe bluz”, të cilin e botoi “Flaka e vëllazërimit”, u prit shumë mirë nga kritika. Ka studiuar greqishten e vjetër dhe latinishten në Shkup, ku edhe jeton.

* Poezitë janë shkëputur nga vëllimi i dytë poetik i poetes, “Ishulli adular”, Shkup 1996.

 

 

Lexime filozofike

 

 

Liria dashurore

“Kemi lindur për dashurinë dhe vetëm me anën e saj njohim njëri-tjetrin. Kemi nevojë për dashurinë si lulja që ka nevojë për diell”.                                                           William Platt

 

 

 

Branko Merxhani

Të mos ju gënjejë titulli i sotmë. Do të bëj fjalë për FAMILJEN ashtu siç paraqitet brenda në përpjekjen moderniste të shoqërisë s’onë dhe ashtu siç e do Neo-Shqiptarisma.

Nuk shkruaj studime. Jap semplërisht disa Formula, që përmbajnë vijat e përgjithëshme të mendimevet të mia – mendime të derdhura brenda në kallëpe të ngushta. Për këtë nuk më intereson këtu as zhvillimi historik e filosofik i Familjes përgjithrisht, as influencat e saj positive ose negative mbi qytetërimet e vjetëra, as edhe lëvizja e sotme kryengritëse kundër institucioneve shoqërore, lëvizje e cila passi siguroi kaq lirira politike e shoqërore në favor të gravet në Evropë e në Amerikë, sot përpiqet të arrijë edhe Lirinë Seksuale të botës së bukur. Tendenca narcistike e Qytetërimit Europeo-Amerikan ndofta një ditë do t’a shuajë krejt institusionin monogamik të shoqërisë së sotme, t’i japë gruas ato të drejta dashurore që ka edhe burri, të legjitimojë produktet e mëmavet të pamartuara, djemt e dashurisë dhe të dëfrimit. Libra e famëshme e gjykatësit amerikan të dëgjuar Ben Lindsey mbi “Kryengritjen e djalërisë moderne”, është libra më e goditur e epokës. Anëtarët e “compagnonate marriage”, domethënë e “Martesës miqësore” shtohen dita me ditë. Qytetërimi Europeo-Amerikan shtroi nënë bisedim vlerën e formës së sotme së martesës dhe është e vërtetë se ata që dyshojnë nuk janë të paktë…

Po të gjitha këto janë hypotheza, dëshira dhe përpjekje të një bote, Qytetërimi partikolarist i së cilës ka një të shkuar të paktën dhjetë shekujsh. Pastaj këtë pikë e kam theksuar shumë herë: Intelektualët t’onë duhet që mendimet dhe vështrimet e tyre shoqërore t’i puthitin, sa të jetë e mundur më shumë, në sheshin e Socialitetit të popullit t’onë. Tendencat e përparuara dhe ekstremiste të Europeo-Amerikanismës janë shumë të rënda për supet t’ona. Ne kemi të tjera kujdesje, të tjera detyra. Sot-për-sot “le të punojmë kopshtin tonë”. S’jemi akoma të pregatitur që të zëmë as vendin më të vogël brënda në Pallatet e mendimit shoqëror…

Përgjegjësia realiste e peripetisë s’onë historike, domethënë pamundësia që nuk patëm dot një Shtet të vërtetë, me vethe dhe të vazhduar në as nonjë periodë të së shkuarës s’onë kombëtare, rrjeth kryesisht nga të shterpuarit e shpirtit t’onë shoqëror, nga anarkia dhe panjoftësia shoqërore e cila më tepër nga çdo gjë tjetër dëmtoi dhe prishi Institutin Familjar. Në këtë s’kanë faj as vazhdimi historik i shkeljevet të huaja influencat fataliste të Dogmatismës pseudo-Islamike. Burimi i së keqes është shumë më thellë. Në vënd që të hedhim sytë t’ona nga jashtë me shpresën dhe ngushëllimin se vetëm atje do të sbulojmë shkakët e së keqes, është më mirë të hedhim sytë në vetëhen t’onë brenda nesh, brenda në Unën t’onë shoqërore…

Shkaku i parë i anarkis s’onë Familjare është forma e jetës, që ka rojtur populli ynë shekuj me radhë, domethënë shumë përpara jo vetëm të sundimit turk, po edhe përpara sundimit romak-byzantin. Dhe është një rjedhje natyrale e konditavet sociologjike dhe psykologjike të kësaj jete, e cila e çveshi krejt entitetin t’onë shoqërorë nga çdo gjurmë Ideologjie shokërore. Nuk duhet të harrojmë kurrë se jemi stërnipërit e një populli, miku i vetëm edhe armiku i vetëm i të cilit ka qënë shekuj me radhë dyfeku, që mbante në krah. Kjo është arsyeja për të cilën, me gjithë egoismën tonë karakteristike dhe me gjithë Heroismën t’onë, ulëm kokën përpara forcës së zaptonjësvet. Jo vetëm ulëm kokën, po edhe u shërbyem interesavet të tyre me gjakun t’onë. Kjo prapë është arsyeja – dhe është një gjë shumë karakteristike nga pikëpamja e psykologjisë shoqërore – për të cilën një nga Intelektualët t’onë që zë një vënd të shkëlqyer në Historinë e Leteraturës së një popullit të huaj dhe zaptonjës, shkruan se “perioda më e pasur dhe më e lumtur e Historisë s’onë” ka qënë pikërisht perioda e hidhur dhe e errët e robërimit t’onë nga Turqit. Dhe kjo me qënë se në atë epokë stërgjyshërit t’onë të gjorë përpiqeshin me zëmër trime në vijat e luftës së zaptonjësit, po një ditë ktheheshin, në vatërën atërore të shkretuar, të ngarkuar me flori boll, me plaçka të shumta dhe me “kuaj të bukur” të fushavet të largme të Arabisë, Misirit dhe Hungarisë!…

Po paraja, dyfeku, “kuajt e bukur” dhe gjithë epopeja e plaçkavet me se u shpërblyen? U shpërblyen me sakrificën dhe përbuzjen e atdheut, të familjes dhe të Djalit. Kjo sakrificë, ky harim janë pamja e sbërthimit të njëzet shekujve shqiptare…

Të gjitha anët e kalives s’onë shoqërore qëndrojnë mbi themele të kalbura. Mbi këtë prishje është e pamundur të ngrihet një godinë e re. Për këtë detyra kryesore e brezit t’onë është që të hedhim themele të ra të forta për një shoqëri të re. Gjith përpjekja jonë qytetëronjëse nuk mundet veç se të ketë për qëllim puthitjen systematike të dispozitavet dhe energjirat kombëtare me nevojat e realitetit të sotmë dhe me kërkimet e Qytetërimit t’onë të nesërmë.

Kemi nevojë për një bazë për Korporatën t’onë Shoqërore të re. Kemi nevojë për një Familje shqipëtare nacionaliste. Vetëm kjo është e zonja të krijojë një karakter moral të ri dhe të na falë një formë të re jete. Djalëria Neo-Shqiptare do të hidhet në fushën e luftës shoqërore me bindjen e patundur se vetëm ahere do të triumfojnë Idealet e saj kur do të vijë ajo ditë e madhe, dita e Shqipërisë së Re në të cilën nuk do të ketë me as një pengim jo vetëm legjislatif po edhe preventif që të bashkojnë zemrat e tyre Djemtë dhe Vajzat të atdheut shqipëtar pa ndryshim dipendence fetar. Domethënë kërkojmë edhe ne një farë Liri Dashurore. Po me ndryshimin që, kur po bota e industrializuarë ka kryesisht për qëllim reformën e tipit Romak të Familjes, ne përkundrazi duan të krijojmë një vatrë familjare të typit Romak, vatrë e cila do të çdukë për herë edhe gjurmat e fundit të influencave fetare të huaja, do të marë vesh shpirtrat e popullit t’onë, do t’a nacionalizojë shtëpinë t’onë, do t’a shqiptarësojë Shqipërinë t’onë. Këtej e tutje fillon ruga e emancipimit të Shqipëtares…

1929