Kanceri i gjirit, çdo 75 sekonda vdes një grua, në Shqipëri 800 raste në vit

0
49

Rama, kanceri i gjirit: Jam përballur me tri raste

Beqaj: Shkaku i dytë për vdekjet në Shqipëri

 

kanceri_i_gjirit_mastektomia_jSipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Shqipëri 800 gra preken çdo vit nga kanceri i gjirit, por vetëm 500 prej tyre janë zbuluar. Një shifër shqetësuese për një vend të vogël si Shqipëria, që kërkon ndërgjegjësimin e popullatës dhe përkushtimin e mjekëve, në mënyrë që kanceri i gjirit të kapet që në momentet e para. Në konferencën e organizuar nga ISHP, Shërbimi i Onkologjisë në QSUT dhe Shoqata e Onkologëve të Shqipërisë, kanë qenë të pranishëm: Kryeministri Edi Rama, ministri i Shëndetësisë, mjekë dhe specialist të fushës. Kryeministri kërkoi ndërgjegjësim të grave dhe popullatës në tërësi për këtë sëmundje. Duke u ndalur tek rastet konkrete, Rama vuri theksin në diagnostikimin e hershëm të sëmundjes. “Qeveria, organizma të ndryshëm joqeveritarë dhe aktorë të tjerë duhet të angazhohemi për të rritur nivelin e informimit për kancerin e gjirit dhe për të ngulitur në vetëdijen e grave rrezikun e kësaj sëmundjeje dhe rëndësinë e kontrolleve të shpeshta. Të gjitha gratë dhe vajzat duhet ta mësojnë se kanceri i gjirit është i parandalueshëm dhe i shërueshëm, përpara se të shtrijë rrënjët në gjirin e gruas. Është një reflektim për numrin e lartë të vdekjeve nga kjo sëmundje dhe rëndësinë e depistimit të saj në fazë të hershme”, – u shpreh kreu i qeverisë. Kryeministri ngriti shqetësimin për një dukuri në rritje dhe përmendi disa raste konkrete të cilat ai vetë i njihte. “E kam jetuar një herë edhe unë dhe shumë pranë, në qenien e një mikeje të shtrenjtë, që në fund e fitoi betejën kundër kancerit të gjirit. Më pas këtë fillimviti një tjetër rast dhe së fundi një rast i tretë pak javë më parë, e kanë risjellë në jetën time këtë sëmundje të shumëpërhapur. Dy gjëra janë të parat që vijnë ndërmend kur ndeshim një rast të tillë: e para, që ky është një prej llojeve të kancerit që munden më shpesh dhe e dyta, që ky s’është një lloj kanceri që nëse kapet në fazat e para, mund të mundet pa përpjekje të mëdha. Duhet të diagnostikohen rastet në hershmëri. Është frika nga e panjohura ose frika se mos e ke vërtet në trup, që paralizon hapat drejt kontrollit parandalues. Asnjë arsye nuk është e vlefshme për të mos u kontrolluar, duhet që femrat të angazhohen vetë për të parandaluar rrezikun”, – theksoi Rama.

Kanceri i gjirit

Kanceri është shkaku i dytë madhor i vdekjeve në vend (16.6%), pas sëmundjeve kardiovaskulare (50.2%), me 4.000-4.500 raste të reja të raportuara çdo vit, sipas të dhënave nga sistemi statistikor shqiptar, ndërkohë, që një vlerësim tjetër i incidencës së sëmundjeve tumorale në Shqipëri, ai i Globoscan, flet për rreth 7.000-8.000 raste/vit. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, “forma më e shpeshtë e kancerit tek femrat është kanceri i gjirit. Ngritja e një sistemi unik shëndetësor dhe në këtë mënyrë ky sistem do të përdoret edhe për gjendjen shëndetësore të popullsisë dhe për të filluar llogaridhënien ndaj zyrtarëve publikë. Sipas OBSH, 4 lloje rastesh diagnostikohen shpejt. Do të rrisim rolin e shëndetit publik. Synimi ynë primar është zgjatja e jetëgjatësisë së popullsisë. Brenda vitit 2014 do të nisë një projekt kombëtar për diagnostikimin falas, të kancerit të gjirit”. Sipas OBSH, katër nga 9 lloje të kancerit mund të zbulohen herët, që do të thotë se në parim janë gjithashtu të parandalueshme, por, diçka për të cilën nuk mund të bëhet fjalë në ditët e sotme, ku mbi 75% e kancereve të gjirit, mitrës dhe laringut kur diagnostikohen janë në fazën e fundit.

Konferenca

Konferenca “Kanceri i gjirit mund të luftohet, mjafton të duash” mblodhi shumë mjekë, njohës të fushës, por edhe gra të cilat e kishin fituar betejën më këtë sëmundje. Specialisti i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, tha se aktiviteti fizik ul rrezikun nga kanceri. “Besoj se gjatë 2-3 viteve të fundit është rritur përqindja e grave që janë në dijeni të mamografisë dhe depistimeve, por edhe ekziston kompleksi i turpit. Në Shqipëri, megjithatë, nuk bëhet aq sa duhet për të informuar gratë lidhur me rrezikun e sëmundjes së kancerit dhe rëndësisë së kontrollit të vazhdueshëm. Po kështu nevojitet trajnim i vazhduar i mjekëve për ekzaminimin e rasteve”. “Rëndësi i duhet kushtuar edhe rindërtimit të gjoksit pas ndërhyrjes. Ndërhyrja është e kushtueshme, pasi ka kosto të lartë dhe kërkohet ndërhyrja e një grupi të specializuar ekspertësh. Është e pamundur të kapet perfeksioni, por duhet t’u vihet në ndihmë pacienteve në rrugën për të përballuar sa më mirë jetën pas kësaj eksperience jo të mirë. Në rastet kur është ndjekur një radioterapi mbi toraksin, ekspertët veprojnë me një tjetër metodë për rindërtimin e indeve. Në rastet nuk preket pjesa qendrore e gjirit, përdoret mastektomia klasike, duke mos dëmtuar të gjithë gjirin”, – tha zëvendësdrejtori i departamentit të Rindërtimit dhe të Kirurgjisë Plastike pranë Institutit Evropian të Onkologjisë, Stefano Martella. Simboli i muajit tetor ka qenë fjongoja rozë, e cila është edhe simbol për luftën kundër kancerit të gjirit.

 

Bara: Infermierët, të paaftë, të shtohen orët e praktikës

Një infermier, kur përfundon diplomimin, është i paaftë për të ushtruar profesionin e tij. Kështu shprehet dekani i Fakultetit të Infermierisë Petrit Bara, i cili kërkon shtimin e orëve të praktikës. “Ka dobësi në praktikë. Ndërhyrjet që infermieret përgjegjëse bëjnë duhet të jenë të përfshira në një program të caktuar dhe këto të bëhen në praktikë më shumë. Praktika bëhet më efektive kur ajo bëhet nga një pedagog i fakultetit. Deri tani kemi pasur masivizim të shkollës e shumë studentë. Tani duhet të çojmë sytë nga cilësia. Kanë hyrë në shkolla private dhe po dalin shumë studentë infermierë, mjekë për gjysmën e Ballkanit, por tani duhet të kemi cilësinë”, – tha Bara. Dekani Bara shprehet se është e rëndësishme që të ndryshojnë edhe testet e provimit të shtetit për infermierët. Si kryetari i komisionit për hartimin e tezave të infermierëve ai thotë se duhet të ketë ndërhyrje që nga ky vit. “Ka nevojë për përpunim ky numër tezash që kemi bërë ne. Kemi rënë në ujdi që ti marrim edhe njëherë tezat dhe t’i shqyrtojmë në kohë rekord, që ato të jenë më efiçente dhe jo më të lehta”, – u shpreh Bara. Dekani Bara ngre dhe shqetësimin tjetër se duhet të ketë një sitë kontrollesh për infermierët e rinj që dalin edhe nga bankat e universiteteve private. Kriteret e pranimeve dhe kuotat të jenë të njëjta si për publikun dhe privatët, me qëllim shmangien e mbipopullimit te tregut të punës me infermierë, pasi nga këta të fundit ka shumë që edhe pse janë diplomuar nuk kanë gjetur një vend pune.

Nisin kontrollet për karburantet

Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë ka nisur ditën e djeshme kontrollet në disa pika karburantesh. Synimi i kontrollit ka qenë matja e sasisë që pikat e karburanteve hedhin çdo ditë në makinat e konsumatorëve. Nisur nga ankesat e qytetarëve dhe bazuar në problematikën e hasur gjatë inspektimeve të fundit në shumë subjekte në qytetin e Tiranës, grupet e inspektimit të Metrologjisë kanë kryer dje kontrolle në autostradën Tiranë – Fier. Një aksion i ngjashëm u ndërmor nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë në muajin gusht, kur ky institucion deklaroi se kishte gjobitur me 10.5 milionë lekë 14 subjekte që kishin mashtruar me sasinë e karburantit që u shisnin konsumatorëve. Por emrat e subjekteve nuk u bënë publikë, me justifikimin se ligji nuk e lejon. Lidhur me listën e subjekteve që mashtronin qytetarët, Metrologjia ende nuk ka vendosur nëse do ta publikojë apo jo. Prokuroria, nga ana e saj, po vazhdon hetimin dhe është drejt mbylljes së dosjes.