E kërcënoi se do t’i tregonte policisë, Dushi vret strehuesin

0
150

Elton Qyno

Dhjetë vjet në kërkim për vrasje, Petrit Dushi ekzekuton me armë kushëririn e tij

 

policia_skene-krimiPetrit Dushi, një person që është shpallur prej 10 vitesh në kërkim për akuzën e “Vrasjes me paramendim”, i ka marrë sërish jetën një qytetari tjetër dhe sërish ka mundur t’i fshihet drejtësisë. Viktima quhet Mark Jaku, 60 vjeç, nga fshati Sukaxhi, i cili në sherr e sipër me Petrit Dushin, është goditur me armë zjarri duke mbetur i vdekur në vend. Pas ndodhjes së krimit, ashtu si dhjetë vjet më parë Petrit Dushi ka mundur të largohet, duke mos u arrestuar nga policia e Lezhës. Kërkimet për kapjen e tij janë shtrirë në zonën e Kaçinarit, por nuk është gjetur asnjë gjurmë për vendndodhjen e saktë të tij. Sipas burimeve të policisë dhe prokurorisë së qytetit të Lezhës, ngjarja është shënuar rreth orëve të mesnatë në Sukaxhi të Komunës Ongrej në Lezhë. Mes personit të shpallur në kërkim ndërkombëtar Petrit Dushi dhe 60-vjeçarit Mark Jaku, ka pasur një konflikt fillimisht me fjalë dhe më pas, të dyja palët janë përfshirë në përplasje fizike. Teksa kanë qëlluar njëri-tjetrin, Petrit Dushi është larguar për disa minuta dhe më pas është rikthyer sërish në vendin, ku kishte bërë sherr me Mark Jakun. Dushi ka qëlluar me automatik, në drejtim të Jakut, duke e lënë të vdekur në vend.

Miq mes tyre

Viktima dhe autori i krimit janë të afërm me njëri-tjetrin dhe se në momentin e sherrit kanë qenë duke pirë alkool. Hetimet kanë nxjerrë në dritë të gjithë dinamikën e krimit, ku sipas familjarëve të Mark Jakut, prej disa vitesh Petrit Dushi ishte strehuar në banesën e tyre, pasi kërkohej nga Policia e Shtetit. Gjatë qëndrimit në shtëpi, Dushi është marrë me punë të ndryshme, duke mos rënë në sy tek banorët e tjerë, pasi kishte ndryshuar tërësisht pamjen. Mirëpo, mbajtja gjatë në shtëpi, ka bërë që mes Mark Jakut dhe Petrit Dushit të lindë një konflikt, i cili ka ndodhur në ambientet e një lokali. Dushi dhe Jaku më pas kanë dalë përjashta dhe kanë filluar me zë të lartë, ku viktima i ka përmendur se ishte ai që po e strehonte prej disa vitesh, pasi në të kundërt Dushi, sipas tij do ishte kalbur në burg. Kjo, siç duket si ka pëlqyer autorit të krimit i cili ka filluar ta godasë me grushte Jakun. Ky i fundit e ka kërcënuar se për këtë që i kishte bërë, do denonconte në polici. Dushi është larguar, dhe është kthyer disa minuta më pas me një armë automatike, ku ka qëlluar me të në drejtim të 60-vjeçarit Mark Jaku.

Postblloqe policore

Ashtu si 10 vite më parë, Petrit Dushi edhe këtë radhë ka mundur t’ia hedhë policisë, duke arritur të fshihet në kohë, për të mos u arrestuar nga efektivat blu, të paktën deri në orët e vona të ditës së djeshme. Policia e Lezhës, ka ngritur disa postblloqe si dhe ka rrethuar të gjithë zonën, ndërkohë që dhjetëra kontrolle janë kryer në disa banesa ku mendohet se fshihet autori i krimit Petrit Dushi. Ky i fundit mendohet se fshihet në zonën malorë të Mirditës, ndërsa policia ka shpërndarë në të gjitha pikat kufitare fotografinë e tij, me qëllim shmangien e një largim të mundshëm nga vendi. Dushi,njihet si person me precedentë penalë, pasi rreth 10 vite më parë ai ka ekzekutuar me armë zjari një bashkëfshatarin e tij. Që prej kësaj kohe Dushi, është shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe nga zyra qendrore e Interpolit në Lion të Francës. Mirëpo kur të gjithë mendonin se ai strehohej jashtë shtetit dhe kërkimet e policisë ishin përqendruar në disa shtete, si Italian, Greqia dhe Gjermani, Petrit Dushi, qëndronte i qetë në zonën e vendlindjes së tij, derisa arriti të kryente dhe një vrasje të dytë, duke mundur ti fshihet sërish drejtësisë.

 

Policia greke

Grekët kapin në kufi 125 kg marijuanë

Policia helene ka sekuestruar rreth 125 kg marijuanë në kufirin shqiptaro-grek, në Kallpaq pranë Kakavijës. Sipas policisë helene, droga e cila ishte ndarë në 92 pako ishte fshehur në një taksi me targa greke, që drejtohej nga një 41-vjeçar vendas. Mësohet se policia helene ka arrestuar drejtuesin e taksisë si dhe një 33-vjeçar grek që kontrollonte rrugën me një automjet tjetër i cili ishte marrë me qira nga trafikantët. Gjithashtu policia ka shpallur në kërkim 45-vjeçarin grek, pronarin e taksisë, me të cilën po transportohej lënda narkotike. Ndërkohë policia greke po vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës.

 

Aksidenti

Tiranë, në gjendje kritike i dëmtuari

Aksidentohet në gjendje të rëndë një këmbësor tek Rruga e Kavajës në kryeqytet. Një kalimtar është përplasur nga një automjet. I lënduari, për të cilin nuk dihen të dhënat personale, është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë për jetën. Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërriti policia e cila ka nisur hetimet për ngjarjen. Ndërkohë që është shoqëruar drejtuesi i mjetit, identiteti i të cilit nuk dihet. Sipas policisë së Tiranës, ndaj drejtuesit të mjetit është ngritur akuza e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi policia gjatë kryerjes së veprimeve hetimore konstatoi se drejtuesi i mjetit ka qenë duke lëvizur me shpejtësi tej normave të lejuara nga tabelat sinjalistike që janë vendosur në zonë.

 

Ngjarja në Shkodër

Digjet furgoni në qendër të qytetit

Një furgon është shkrumbuar paraditen e të shtunës në qendër të qytetit të Shkodrës. Sipas policisë, mjeti tip “Volkswagen” u përfshi nga flakët e zjarrit në vendin e quajtur Rruga e Gjerë. Në momentin e rënies së zjarrit, mjeti ka qenë i parkuar pranë rrugës dhe brenda tij nuk kishte njeri. Ndërkohë djegia ka ndodhur në afërsi të tregut, ku lëvizja e njerëzve është e madhe, çka ka shkaktuar edhe panik në mesin e tyre. Zjarri ka shkaktuar edhe bllokimin për disa minuta të rrugës kryesore. Zjarrfikësit kanë izoluar flakët, duke shmangur edhe rrezikun për djegien e automjeteve të parkuara pranë furgonit të shkrumbuar. Ndërkohë policia është duke hetuar për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme apo aksident.

 

Ngjarja në Korçë, arrestohet 28-vjeçari Nertil Koçibelli

Gruaja lind fëmijën e vdekur, burri keqtrajton në lokal mjekun gjinekolog

Një mjek i spitalit të Korçës është dhunuar nga një 28-vjeçar, pasi u zbulua se bashkëshortja e tij mbante në bark një foshnjë të vdekur. Sipas policisë, Nertil Koçibelli, 28 vjeç, ka rrahur dhe ofenduar mjekun gjinekolog M. J., 37 vjeç. Sipas policisë, mes tyre ka pasur edhe një konflikt të mëparshëm. Mësohet se privatisht gjinekologu M. J. zhvillonte konsulta për bashkëshorten shtatzënë të 28-vjeçarit në një klinikë mjekësore që ai ka në qendër të qytetit të Korçës. Vetëm 4 ditë para datës së parashikuar për lindjen e fëmijës, mjeku i ka dhënë çiftit se fëmija ishte i pajetë në barkun e nënës së tij. Gruaja e re bëhet me dije se është transportuar me urgjencë në një prej spitaleve të Selanikut në Greqi, pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. 28-vjeçari pas lajmit e ka gjetur mjekun në një prej lokaleve të qytetit dhe në debat e sipër me të e ka qëlluar fizikisht. Mjeku ka denoncuar dhunuesin dhe policia ka kryer arrestimin e tij. Sakaq dyshohet se 28-vjeçari i ka kërkuar mjekut dëmshpërblim për humbjen e foshnjës së tyre. Lidhur me këtë ngjarje në pyetje është marrë mjeku si dhe vetë i arrestuari, të cilët kanë dhënë deklarime kontradiktore, për rastin në fjalë. Aktualisht ndaj Nertil Koçibellit është ngritur akuza e “Goditjes për shkak të detyrës”. Për këtë ngjarje në komisariatin e policisë Korçë, janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë që ndodheshin në lokal, të cilët janë pyetur në cilësinë e dëshmitarit, ku kanë treguar dhunën e ushtruar nga i arrestuari, ndaj mjekut.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency