Florenc Drizari
Katër deputetët e PDIU-së “dalin nga linja e opozitës”, qëndrojnë në sallë, por votojnë kundër aktit normativ
Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 84 vota pro dhe katër kundër aktin normativ të qeverisë “Për nëpunësin civil”. Hyrja në fuqi e këtij akti shtyn efektet vepruese të ligjit për nëpunësin civil me gjashtë muaj kohë, ndërkohë që diskutimet deri në votimin e vendimit të qeverisë janë shoqëruar me akuza mes pozitës dhe opozitës, edhe pse kjo e fundit ka bojkotuar seancat e fundit plenare në formë proteste. Të pranishëm në seancën e djeshme plenare ishin nga radhët e opozitës deputetët Edi Paloka, Eduard Halimi, Gent Strazimiri dhe Fatmir Mediu nga PR, Ylli Shehu dhe katër deputetë të PDIU-së. Në tërësi deputetët e opozitës nuk morën pjesë në diskutimet e djeshme për aktin normativ dhe pas fjalimit të kreut të grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, përfaqësuesit nga opozita braktisën punimet e Kuvendit, ndërkohë që mazhoranca vijoi e vetme argumentimet se përse ishte i nevojshëm vendimi i qeverisë që ndërhynte në ligjin ekzistues. Pas largimit të deputetëve të PD-së dhe PR-së nga salla e Kuvendit, katër deputetë nga PDIU-ja ishin të vetmit që qëndruan përgjatë gjithë seancës. Në momentin e votimit ata votuan kundër aktit normativ të qeverisë, ndërsa kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, tha se nuk ishin kundër këtij akti, por kundër mosgjetjes së një konsensusi politik mes palëve.
Miratimit të këtij akti i parapriu një diskutim i gjatë parlamentar, i cili zgjati rreth pesë orë. Në fund të listës së gjatë të diskutuesve, ku mes tyre ishin edhe Kryeministri Rama, Kryetari i Kuvendit Meta dhe ministrat e kabinetit qeveritar, mazhoranca miratoi me 84 vota pro (shumicë e cilësuar) kalimin e aktit normativ.
Edi Paloka
Në qëndrimin e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, deputetët e të cilit nuk ishin të pranishëm në seancë, Edi Paloka i bëri thirrje mazhorancës të votojë kundër aktit normativ. Gjithashtu, ai e quajti një goditje të rëndë që iu bë konsensusit të datës 30 maj mes pozitës të dhe opozitës së atëhershme, votimin e aktit normativ që shtyn efektet e ligjit për nëpunësit civil.
“Edhe pse dje ribëmë një kërkesë për tërheqjen e aktit normativ që lidhet me ligjin për nëpunësin civil, sot ky akt, me sa shohim, do të votohet në Parlament. Kërkesa që ne bëmë nuk u mor parasysh”, – tha Paloka. Sipas tij, një ditë më parë, KE i hapi rrugën për herë të dytë statusit për vendin kandidat për Shqipërinë dhe vetëm për meritë të PD-së. “Por unë nuk e di se ku z. Rama, që sot paska deklaruar që vitin tjetër Shqipëria do të jetë anëtarë e BE-së me të drejta të plota, nuk e di ku e ka lexuar fjalën udhëheqje në progres-raport ku kërkohet bashkëpunim dhe vetëm bashkëpunim nëse duam hapa të tjerë në procesin e integrimit”, – tha ai.
Gramoz Ruçi
Nga ana e tij, kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, theksoi se aktet nënligjore duhet të ishin miratuar nga mazhoranca e kaluar dhe se akti normativ vjen si detyrim i kësaj situate. Zoti Ruçi theksoi se akti normativ vjen edhe si përmbushje e konkluzionit të progres-raportit të BE-së.
Ruçi tha se PS dhe qeveria ka kërkuar konsensus si asnjëherë më parë në historinë e Kuvendit. “Kam 22 vjet në këtë Parlament, kanë dalë disa akte normative edhe kur kemi qenë ne apo zotërinjtë në pushtet, nuk është kërkuar që para se të dalë akti normativ të bëhet kërkesë për dialog me opozitën. Para se të dilte akti, ministrat përgjegjës kanë kërkuar takim me opozitën për ta vënë në dijeni”, – u shpreh Ruçi.
Ilir Meta
Në nisje të seancës plenare, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, sqaroi deputetët se “Kushtetuta imponon futjen automatikisht në rendin e ditës të çdo akti normativ, që iniciohet nga ana e Këshillit të Ministrave”.
“Ne kemi bërë përpjekjet maksimale që të mos nxitojmë, madje diskutimin e këtij akti normativ kaq të rëndësishëm e shtymë nga java e kaluar për sot, me qëllim që t’u jepnim mundësi Kryeministrit dhe kryetarit të opozitës për një dialog, gjë që nuk ka ndodhur në nivelet më të larta”, – u shpreh Kryetari i Kuvendit.
Idrizi: PDIU, pro aktit normativ, por voton kundër për mungesën e konsensusit
Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, pak para votimit të aktit normativ për nëpunësin civil, tha se mbështet mazhorancën e sotme kundër bojkotit dhe antiparlamentarizmit, por PDIU do të votojë kundër aktit normativ, për shkak të mungesës së konsensusit mes palëve.
“Sot ne jemi këtu për të zhbërë atë konsensus që me aq mund u dha më 30 maj. Akti mund të ketë gjithë dëshirën për të korrektuar nevojat e ndërhyrjeve në ligj dhe plotësimet e nevojshme që mungojnë, por ky akt ka ardhur këtu si fryt i punës së gabuar dhe si akt i faktit të kryer. Shqipëria ka nevojë për ligje të mira, por mbi të gjitha ka nevojë për kulturën e drejtë të përfilljes dhe të gjithëpërfshirjes”, – u shpreh në fjalën e tij deputeti Idrizi.
“PDIU, – vijoi ai, – e refuzon këtë politikë të dasive. Deputetët e saj kanë ardhur në Kuvend për të kërkuar arsye pohuese dhe jo mohuese, për të kërkuar arsye që na bashkojnë dhe jo ato që na ndajnë. Ndaj, dhe ne deputetët e PDIU-së deklarojmë sot dhe i japim një konsensus të gjerë parlamentarizmit, duke refuzuar bojkotin e Kuvendit. Por, po ashtu i japim konsensus opozitës, duke votuar kundër aktit normativ për mungesën e konsensusit dhe kundër kulturës së faktit të kryer”, – deklaroi Idrizi në Kuvend.
“Akti Normativ për nëpunësin civil”
Basha: Rama spekulon, KE s’është avokat i aktit antikushtetues. Kryeministri: Kemi fuqinë e 84 votave
Dy liderët e forcave kryesore politike në vend, Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha, shkëmbyen dje replika në distancë lidhur me votimin e aktit normativ dhe qëndrimet e mbajtura nga Brukseli për këtë çështje.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, deklaroi se Edi Rama gënjeu dy ditë më parë kur ia atribuoi Komisionit Evropian avokatinë e një akti antikushtetues që ka shkelmuar konsensusin, të cilin Komisioni e ka çmuar më shumë se referendumin. Ndërsa në fjalën e djeshme të mbajtur në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministri Rama theksoi sërish:
“Ky akt normativ ka të gjithë mirëkuptimin e Bashkimit Evropian, në emër të të cilit gabimisht flet opozita, që sot (dje) mungon këtu në sallë, çka do të thotë që për ne, ky proces është sprova më e madhe evropianizuese e këtij vendi”.
Por gjatë fjalës së mbajtur para deputetëve demokratë, Basha i quajti spekulime se progres-raporti i KE-së mbështet aktin normativ.
“Por paturpësia që ka shoqëruar trajektoren e aktit normativ, shënoi një kulm të paimagjinueshëm dje, kur Kryeministri i vendit, për të kompleksuar e mashtruar deputetët e tij, që këta të votojnë symbyllur sot si turmë pa tru, deklaroi se progres-aporti i Komisionit Evropian mbështet aktin e tij normativ! Kjo është një gënjeshtër 24-karatëshe, që vetëm zoti Rama merr guximin ta thotë. Guximi i tij për të spekuluar në këtë shkallë, me një dokument serioz të Komisionit Evropian, dhe për t’i atribuuar këtij Komisioni avokatinë e një akti antikushtetues, që ka shkelmuar konsensusin që vetë ky Komision e ka çmuar me shumë se referendumin, tregon se sa i madh është oreksi i z. Rama për të shkallmuar administratën publike, për interesat e tij të ngushta klienteliste”, – deklaroi Basha.
Lidhur me këto akuza si dhe qëndrime të tjera të mbajtura më parë nga opozita, Kryeministri Rama tha se ky akt normativ nuk ka lidhje me asnjë prishje të asnjë konsensusi, por është shprehje e përgjegjësisë së qeverisë, për t’i dalë përpara vakumit absolut ku do të gjendej. Rama tha se mazhoranca ka marrë votat e mjaftueshme nga shqiptarët, jo për të mbajtur përgjegjësi ndaj qëndrimeve të opozitës, por për të qeverisur vendin. Për këtë ai vuri në dukje edhe shumicën e cilësuar prej 84 votash që tashmë e majta gëzon në Kuvendi. “Kush flet për prishje konsensusi dhe kush kërkon konsensus abstrakt, nuk duhet ta harrojë për asnjë çast se kjo shumicë gëzon fuqinë konsensuale që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, me plot 84 vota. Nuk besoj se gjej mosdakordësi në asnjë mendje të arsyeshme, nëse them se po t’i kishte 84 vota shumica e deridjeshme do të kishim parë shumë më keq se ç’pamë, kur për vite të tëra asnjëherë nuk e pamë të shtrirë, sinqerisht, dorën e bashkëpunimit, por vetëm në kushtet detyruese të mungesës së votave dhe kur asnjëherë nuk e pamë Kryeministrin e vendit të kërkonte dialog pa kushte”, – deklaroi Rama.
Ndërkaq, kreu i PD-së, Basha, kritikoi ashpër qëndrimet e mbajtura nga krerët e mazhorancës ndaj opozitës, duke thënë se Partia Demokratike do ta vazhdojë betejën e saj në Gjykatën Kushtetuese dhe me çdo formë e mjet demokratik, për të ndaluar aktin normativ dhe çdo akt tjetër të paligjshëm të kësaj qeverie.
“Sot, Edi Rama me Ilir Metën nuk po ndryshojnë thjesht një ligj të votuar me konsensus, por po përcaktojnë vijën e sjelljes me opozitën, me publikun, me ligjin: arrogancë, arbitraritet, përplasje, paligjshmëri. Sot, ata po sfidojnë në mënyrën më të papërgjegjshme gjithë kulturën politike moderne e bashkëkohore, që na thotë se konsensusi nuk është një çështje numrash, por një çështje e vullnetit politik për të punuar së bashku për vendin. Partia Demokratike do ta vazhdojë betejën e saj në Gjykatën Kushtetuese dhe me çdo formë e mjet demokratik, për të ndaluar aktin normativ dhe çdo akt tjetër të paligjshëm të kësaj qeverie. Ne presim që Gjykata Kushtetuese të bëjë drejtësi. Ne kemi lëshuar dje apelin: “Në këmbë për liritë dhe ligjin!”, për të zgjedhurit tanë vendorë, apel të cilin sot bashkë me demokratët dhe opozitarët në tërësi, do t’ia drejtojmë publikut mbarë”, – deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Kuvendi miraton me 84 vota pro kontratën me “Deloitte”
Projektligji për auditin e huaj të borxheve ndaj biznesit, që do të kryhet nga kompania “Deloitte” u miratua në Kuvend me 84 votat e mazhorancës. Opozita bojkotoi seancën, në shenjë kundërshtimi ndaj aktit normativ të qeverisë që shtyn 6 muaj hyrjen në fuqi të efekteve të ligjit për nëpunësin civil.
Kryeministri Edi Rama theksoi në parlament se ky auditim i shërben analizimit sa më të shpejtë e të plotë të borxhit, në mënyrë që qeveria të nisë përgatitjen e buxhetit të vitit të ardhshëm.
“Ky auditim shërben për t’i kthyer bizneset nga problemi numër një i rritjes, në faktor të rritjes. Të fillojë një faqe e re për të krijuar vende të reja pune, për të nxitur investime prodhuese dhe për të realizuar programin qeverisës të rilindjes shqiptare”, – deklaroi Rama.
Përfaqësuesit e opozitës kanë akuzuar qeverinë se ka përzgjedhur kompaninë “Deloitte” për të krijuar një perceptim publik që financat publike shqiptare janë të paqëndrueshme.
Akuzat e Ballës për shkarkimin e policëve, reagon Presidenti: Sulme politike
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, akuzoi kreun e shtetit, Bujar Nishani, për emërime politike në kohën kur ai ishte ministër në qeverisjen “Berisha” të vitit 2005.
Duke folur për lëvizjet në administratë që ishin bërë në kohën e marrjes së pushtetit nga demokratët, Balla akuzoi disa nga figurat drejtuese të PD-së për shkarkime dhe emërime me sfond politik. Sipas tij, Presidenti Nishani, kur ka qenë ministër, ka kërkuar shkarkimin e disa punonjësve të policisë. “Është hera e fundit që po nxjerrim disa dokumente që nga arkiva e paudhësive të qeverisë së kaluar po i nxjerrim sot përsëri për t’i kujtuar publikut se si janë sjellë këta ish-ministra me administratën publike që sot derdhin lot krokodili. U ndërrofshin mazhorancat zgjedhje pas zgjedhjesh, por kurrë mos ndodhtë ashtu siç ka ndodhur me administratën publike 8 vitet e shkuara. Kam një letër tjetër këtu, akoma më e rëndë se personi që e dërgon është sot, Presidenti i Republikës në fakt.
“PD, Tiranë, drejtuar z. Sokol Olldashi, ju përcjell propozimet e seksionit nr 6, për largimin e punonjësve të policisë të poshtëshënuar, këta drejtues janë të majtë, të lidhur me drejtues të PS dhe LSI. Dhe lista w radhës, 12 tetor, 2005. PD duhet të ishte vetë në sallë”, – tha Balla në seancën parlamentare.
Ndërkohë, pak kohë pas deklaratave të Ballës në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ka ardhur edhe reagimi i kreut të shtetit, Bujar Nishani. Ky i fundit i cilësoi sulme politike ndaj tij që dëmtojnë komunikimin institucional.
Reagim i plotë i Presidentit të Republikës
“Presidenti i Republikës shpreh keqardhje të thellë ndaj sulmit politik që shumica qeverisëse adresoi sot kundër tij në aulën e lartë të Parlamentit, duke e përdhosur atë.
Presidenti i Republikës demaskon dhe dënon deformimin qëllimulët ndaj angazhimeve të tij kundër moszbatuesve dhe shkelësve të ligjit në çdo kohë dhe në çdo rrethanë. Jo vetëm tani dhe në këtë rast. Në çdo periudhë, në të gjitha rastet, në çdo detyrë që ka pasur në të kaluarën dhe do ketë në të ardhmen.
Duke cenuar besueshmërinë dhe duke inkurajuar sjelljen e papërgjegjshme, ky sulm me shtysë të qartë politike, është një tjetër atentat i rëndë që shumica qeverisëse i bën komunikimit normal ndërinstitucional.
Presidenti i Republikës ka qenë, është dhe do jetë i bindjes së thellë dhe të patundur se pavarësisht nga pozicioni shoqëror, hierarkia shtetërore dhe çdo rrethanë tjetër, denoncimi i shkelësve të ligjit dhe në përgjithësi mbrojtja e ligjshmërisë, është një akt civil, një detyrim njerëzor i vetvetishëm, i cilitdo qytetar të vendit”.
Votimi i ligjeve dje në Kuvendin e Shqipërisë
Akti normativ nr. 5, datë 30.9.2013 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”.
84 vota pro
4 kundër – PDIU
0 abstenime
Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 8116, datë 29.3.1996, “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
84 vota pro
Projektligji “Për miratimin e marrëveshjes për kryerjen e shërbimit të auditimit të borxhit të ministrive kundrejt biznesit vendas dhe të huaj”.
84 vota pro