Takimi me kryepolicët/ Mesazhi i Kryeministrit, Rama: Dua rezultate të prekshme, reformë të thellë në polici

0
137

Gëzim Saliu

 

Struktura e re e policisë, nga 811 oficerë të lartë do të mbeten vetëm 255

 

Kryeministri para policeveNë një takim në selinë e Kryeministrisë me shefat e rinj të policisë shqiptare, kreu i qeverisë, Edi Rama, ka kërkuar dje angazhim maksimal nga ana e tyre për të marrë sa më parë rezultate të prekshme. “Beteja jonë është betejë për të zmbrapsur si asnjëherë tjetër krimin, kjo do të thotë se Policia e Shtetit do të marrë përsipër të mbrojë çdo metër katror të Republikës së Shqipërisë. Ju jeni zgjedhur me kujdesin më të madh dhe do dini të jeni në lartësinë e detyrës, por secili prej jush do duhet të mbajë detyrën e lartë me punë të ndershme dhe rezultate të prekshme nëse në përzgjedhjen tuaj kanë folur karriera juaj punët tuaja, njerëzit, me opinionet e tyre pozitive, nga sot duhet të flasin vetëm rezultate”, – tha Kryeministri.

Reforma

Në fjalën e tij përpara kryepolicëve të vendit, të zgjedhur vetëm pak ditë më parë nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, kreu i ekzekutivit deklaroi se nga viti ‘97 shqiptarët kanë trashëguar pasigurinë dhe kjo, sipas tij, duhet të marrë fund. “Shumë janë arsyet pse gjithë shqiptarët kërkojnë sot drejtësi, por ndër të parët sot besoj është pasiguria, në shpirtin e një shoqërie që vuan sot padrejtësinë. Sot të jesh në krye të Policisë së Shtetit është më shumë se të kryesh një detyrë. Është një mision i madh. Nga viti i mallkuar 1997 kemi trashëguar një pasiguri të një vendi që nuk është në luftë dhe as në konflikt të madh brenda vetes. Jetojmë në një vend ku kërcënimi mbi pronën e përbashkët, mbi pasurinë e këtij populli, mbi trashëgimin e të parëve tanë, që është detyrimi. Jetojmë në një vend ku çdo ditë dhe çdo natë humbasim pjesë të kësaj pasurie, humbasim pyje, humbasim plazhe, humbasim tokë buke”, – tha Rama. Në këtë kontekst Kryeministri bëri të ditur se reforma në polici sapo ka nisur sepse pritet te thellohet nga maja e piramidës deri në bazën e saj. “Reforma që sapo ka nisur dhe që ka kaluar vetëm në fazën e parë me ndryshimin e plotë rrënjësor dhe tërësor të majës së piramidës së Policisë së Shtetit do preki të gjithë zinxhirin përgjegjësive, por dhe do të transformojë cilësinë. Kjo fazë e parë e reformës do hedhë hapin e parë për të afruar Policinë e këtij shteti me policinë e këtij vendi duke ndrequr një difekt organik të strukturës së mëparshme dhe zinxhiri e komandës si dhe duke shënuar hapin, të parin hap drejt transparencës”. Sipas Ramës shefat e policisë do të jenë më të paktë në numër sepse funksionarët e lartë tashmë do të zbresin në terren dhe do të luftojnë direkt krimin. Faza e parë e reformës do të transformojë cilësinë e burimeve njerëzore nën uniformën e policisë. “Kemi bërë një përmbysje rrënjësore, nga 811 oficerë të lartë që ishin të shkëputur me realitetin, të mbledhur në një strukture amorfe, ne do të kalojmë në 255. Të gjitha funksionet e tjera që më parë ishin pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, do të jenë në terren e në mbrojtje të qytetarëve. Beteja jone, është betejë për të zmbrapsur krimin, emancipuar policinë me një forcë që është forca me të cilën mbrohet qytetari”, – u shpreh Rama. Ndërkohë në kuadër të reformës në polici, Kryeministri këshilloi shefat e policive në qarqe e drejtori që të zgjedhin vartësit më të mirë. “Zgjidhni vartësit më të mirë, mos shikoni as majtas, as djathtas. Ju nuk jeni as majtas, as djathtas, ju nuk udhëhiqeni nga frymat politike, por nga normat e edukatës ushtarake që kanë bërë që sot të vishni këto uniforma të larta. Ju nuk keni ardhur në këto pozicione as nga rekomandimet e partisë, as nga klanet e të fortëve as nga rekomandimet e kujtdo qoftë, por nga karriera dhe puna juaj ndër këto vite. E pra sot është dita që të bëni drejtësinë mes padrejtësisht duke ruajtur dinjitetin tuaj dhe familjes suaj, atë të individit të thjeshtë që kërcënohet që nga rrugeçërit dhe shkelësit e tjerë të ligjit”, – përmbylli fjalën e tij kreu i qeverisë, Edi Rama.

 

 

Takimi informal

Rama me 5 deputetët e Elbasanit, ndryshimet dhe postet e reja për qarkun

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar dje një takim me deputetët socialistë të qarkut të Elbasanit, ku në qendër të diskutimit ishin emërimet e reja si edhe ndarja e pritshme e posteve në nivel drejtorësh të këtij qarku. Në këtë takim mësohet se ligjvënësit socialistë të Elbasanit kanë paraqitur tek kreu i qeverisë kërkesat e tyre lidhur me ndryshimet dhe reformat që pritet të ndërmerren për këtë qark. Nga ana e tij, kreu i qeverisë ka mbështetur propozimet e deputetëve socialistë lidhur me disa reforma, ku ndërkohë ka kërkuar që të respektohen një sërë kriteresh lidhur me ndryshimet që pritet të ndodhin në postet në nivel drejtorësh. Po ashtu, mësohet se Kryeministri ka paraqitur edhe kërkesat e aleatëve të koalicionit të majtë që lidhen drejtpërdrejtë me postet në këtë qark. “Sapo u ktheva nga takimi i përjavshëm me zgjedhësit e zonës sime elektorale, me zyrën e deputetit, në Peqin. Pasdite në 17:00, kam takim së bashku me deputetët e qarkut të Elbasanit, me Kryeministrin Edi Rama”, – bënte të ditur dje deputeti socialist i qytetit të Peqinit Alfred Peza. Qarku i Elbasanit përfaqësohet me 6 deputetë socialistë, të cilët janë: Ben Blushi, Damian Gjiknuri, Evis Kushi, Alfred Peza, Taulant Balla dhe Musa Ulqini. Ndërkohë disa ditë më parë, kreu i qeverisë zhvilloi një takim me 5 deputetët e qarkut të Shkodrës, 4 prej të cilëve socialistë dhe kreu i Partisë Kristian Demokrate Shqiptare, Mark Frroku. Po ashtu në këtë takim, Kryeministri ka diskutuar lidhur me emërimet e reja në postet e zv.ministrave, drejtorëve të përgjithshëm dhe të prefektëve, ku qarku i Shkodrës ka marrë vlerësimin e duhur për sa i përket përfshirjen në bashkëqeverisjen socialiste. Ndërkohë pjesë e takimit kanë qenë edhe postet e reja në nivel drejtorësh për këtë qark, ku deputetët si edhe aleati i PKDSH, i cili arriti të marrë një mandat deputeti në këtë qark kanë kërkuar përfaqësim të drejtë dhe vlerësim për kontribuuesit në fitoren e zgjedhjeve parlamentare.

 

Raporti i OSBE/ODIHR-it

Ministria e Jashtme: Do të zbatojmë rekomandimet

Ministria e Punëve të Jashtme përshëndeti dje raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it mbi vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013 të zhvilluara në Shqipëri, si dhe falënderoi ekipin ndërkombëtar të vëzhguesve kryesuar nga Costance Berryman McCormack. “Në raportin e sipërpërmendur, OSBE/ODIHR, vlerëson se zgjedhjet parlamentare ishin konkurruese, me një pjesëmarrje aktive të votuesve gjatë gjithë fushatës dhe në respekt për liritë themelore. Po kështu, vihet në dukje se amendimet e Kodit Elektoral, në korrik 2012, përmirësuan kuadrin e përgjithshëm zgjedhor, duke adresuar një numër rekomandimesh të mëparshme të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias”, – thuhej në deklaratën e ministrisë. Më tej në reagimin e saj, Ministria e Punëve të Jashtme shpreh gatishmërinë për implementimin e plotë të rekomandimeve të këtij raporti, pasi, “standardi i vendosur gjatë këtyre zgjedhjeve si pjesë e bashkëpunimit të suksesshëm të deritanishëm me OSBE/ODIHR, është tepër i rëndësishëm”. Dy ditë më parë, OSBE/ODIHR publikoi raportin përfundimtar për zgjedhjet e 23 qershorit, ku vlerësoi se ato ishin konkurruese, me pjesëmarrje aktive të qytetarëve dhe në respekt të plotë të lirive themelore. Në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it, nënvizoheshin edhe një sërë problematikash, që lidhen kryesisht me mungesën e besimit mes partive politike, që siç thuhet në raport, njollosi mjedisin elektoral dhe sfidoi administratën e të gjithë procesit zgjedhor. Sipas raportit, tjetër problematikë serioze ishte mosfunksionimi i duhur i KQZ-së, përdorimi i administratës në fushatë dhe presionet ndaj nëpunësve për votën.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency