Artan FUGA
Në mesditë, po 12 i bie orës zvicerane,
zemreku i sahatit shqiptar nuk parashikohet si punon.
Nesër kombëtarja shqiptare e futbollit mat forcat e saj me kombëtaren e futbollit të Zvicrës.
Kombëtare i thënçin kësaj të fundit.
Gjashtë djem shqiptarë mendohet se do të luajnë atje sot. Në të drejtë të tyre, na kanë nderuar që kanë zënë vend në atë formacion kur dihet se djem futbollistë të shkëlqyer ka plot Zvicra e fuqishme, e vogël, por demokrate, djep mendimit demokratik me Zhan Zhak Rusoin e madh, me Kalvinistët e shquar puritanë, me industrinë e njohur të orëve, policët e Papës, shtatlartë dhe besnikë, me sistemin bankier të zhvilluar, me liqenet, malet, guroret, livadhet, qytetet e mrekullueshëm.
Nuk thotë kot shqiptari për një gjë të bukur: E paske bërë si në Zvicër. Nuk thotë kot që kur sheh diçka që punon sahat, thekson: Punuaka si orë zvicerane!
Kombëtare i thënçin asaj të Zvicrës, por kombëtare i thënçin edhe kësaj të Shqipërisë!
Ajo e Zvicrës me gjashtë shqiptarë brenda, kjo jona me shumicën e lojtarëve që as haberin nuk e kanë se ku bie kampionati shqiptar i futbollit.
Kanë lënë fushat me baltë, kryebashkiakë që shqyejnë portat me fouristrada, që ia shkrepin ndonjëherë kobures në ajër në stadium dhe kanë emigruar.
Ca kosovarë.
Sa hije u ka fanella shqiptare dhe sa me djersë të bukur e lajnë.
A na çon dot Kosova deri në Brazil!
Do t’i kishin bërë nder të madh njohjes së Kosovës nga një bashkësi edhe më të madhe shtetesh. Sot diplomacia nuk bëhet me ambasadorë. Ambasadorët rrinë me ambasadorët, pinë ndonjë Xhin ulur në divan dhe ia marrin me gjumë. Kurse diplomacia e vërtetë bëhet me sportistë dhe me futbollistë. Ata mund të bëjnë që në televizorët e miliarda njerëzve në glob të thuhet se golin në Rio e bëri një kosovar. Kosovar?
Çfarë është ky kosovari?
Kosovari është një shqiptar, ia pret tjetri.
Po, si, dy shtete shqiptare?
Jo, jo, hape një çikë enciklopedi Wikipedia, mor burrë! Kosova është tjetër! Kërkon të bëhet shtet.
Po të bëhet dhe ta njohim o, – thotë tjetri, – se unë nga politika nuk marr vesh, por për Nexhmije Pagarushën, Edona Llalloshin, dhe këta çunat futbollistë e meriton të bëhet – ja pret një kinez andej nga Tibeti mikut të vet mongol.
Bota është bërë një fshat gjigand.
Zviceranët thonë se kanë skuadër të mirë futbolli, puna është se a është zvicerane?
Shqiptarët me trajner italian, ca kosovarë e ca shqiptarë ikur nga sytë këmbët nga stadiumet e rrënuara shqiptare, thonë se kanë kombëtare në ngjitje, por a është shqiptare?
Zviceranët kanë skuadër të shtetit të tyre, ndërtuar me shtetas zviceranë, por jo të kombit të tyre, kurse shqiptarët kanë skuadër të kombit të tyre, por jo të shtetit të tyre.
Kombi mund të shkojë në Brazil, por jo shteti, as kampionati shqiptar i futbollit që mesa kam parë nuk i ngjan as kategorisë së katërt të një vendi evropian. Po se mos marrë vesh nga futbolli unë! Ja fus kot. Dikur ishte futbolli që ndizte zjarr tifozerinë, sot është tifozeria që shpesh përcakton rezultatin e ndeshjeve, loto, toto, dhe hop minutën e fundit shtatë gola…
Se mos vetëm skuadrat e futbollit tani kanë vetëm emrin kombëtare.
Bota është globale dhe kombi nuk përputhet aq me shtetin.
Një ditë kërkoja një makinë larëse, se shumë rroba të palara më ishin mbledhur në kanistër. Vajta në një dyqan të madh dhe i thashë shitësit:
Më gjej o burrë ndonjë lavatriçe të mirë “Candy”.
Nuk kam për kokë të gocës më tha ai zviceranisht.
Kam vetëm polake, të markës “Solidarnost”.
Ore, unë e dua “Candy” – u përgjigja si italofil në futboll që kam qenë, fans i Betegës.
Shitësi i mërzitur, ma ktheu: Po ça “Candy”, ça italiane a polake, o burrë i dheut, zviceranisht gjithmonë, këto rrangalla të gjitha në Kinë prodhohen.
Unë, kokëmushka, nuk dorëzohesha dhe nuk heq dorë nga imja sikur edhe të bashkohet motori i një “Candy” me filtrin e një “Solidarnosti”. E dua “Candy”, se më kujton fëmijërinë time dhe pikë. Fol me murin po deshe të më ndryshosh mendim.
As orët, as makinat larëse, as veturat, asgjë tani nuk është puro kombëtare. Por, kur s’janë as makinat larëse, si do të jenë skuadrat e futbollit.
Sportistët tanë janë kombëtarë nga gjaku, por jo nga profesioni, se atë e aplikojnë shpesh në vende të huaja. Më të mirat produkte i eksportojmë ne. Eksportojmë qingja të njomë në Greqi dhe importojmë mish dashi që andej. Një qingj bën sa dhjetë deshër.
Dhe në futboll çojmë një djalë Shqipnie dhe me ato pare importojmë dhjetë angolezë. Kjo është bota tregti. Ca faji kanë mozambikasit mediokër…
Skuadra jonë është e kombit jo e shtetit, as e kampionatit shqiptar të futbollit në baltë.
E kanë seriozisht këta kur thonë se do ta mundin Zvicrën edhe pa premio?
S’ka lekë, nuk ka premtime qeveria e re. E mundin ata. Kjo është koka e shqiptarit. Ta bën gjëmën momentin e fundit. I paparashikuar shqiptari, nuk punon si orë zvicerane që në ora 12 është gjithmonë 12. Gjithmonë në atë orë, po 12 i bie orës zvicerane. Ora shqiptare është e çakërdisur, nuk dihet se ku e si i lëvizin akrepat, s’ka orëndreqës italian që i ve rregull. Mjafton t’i kapësh një damar, t’i thuash që bëje një gol që në Brazil Kosova të bëj emër në gjithë botën dhe të njihet edhe më shumë si shtet, dhe nuk ka penallti që nuk pret shqiptari, gjuaja njëqind herë po deshe… Ta lëshon tullën nga mesi i fushës drejt e në cep të rrjetës…
Lufto për Kosovën të fitojë Shqipëria i thonë kësaj.
Po, po, të gjithë bashkë.
Po varemi edhe nga trajneri italian, nga arbitrat ku e di unë se nga janë, si edhe nga fati.
Pak fat, dhe akrepat e orës së Sahatit do të tregojnë ndofta agimin e një dite të bukur edhe për ne.
Ka nevojë kombi ta ngrejë kokën. E keni rastin o çuna Kosove… t’i bëni një nder Shqipërisë.
*Shënin redaksional: Shkrimi i profesor Fugës është publikuar në Facebook para zhvillimit të ndeshjes